-Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, falënderon PE-në, për vlerësimin pozitiv për progresin në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 4 Shkurt 2016/ Parlamenti Evropian miraton Rezolutë për procesin e integrimit evropian të Kosovës. “Në sesionin plenar në Stasburg, sot u miratua rezoluta e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës me 403 vota për, 130 vota kundër dhe 104 abstenime”, deklaroi pak më parë Ministria kosovare e Integrimit.
Deklarata thekson se, ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka mirëpritur miratimin e Rezolutës për Kosovën, e cila përmban kërkesa të qarta për përforcimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës.
Ai falënderon PE-në, për vlerësimin pozitiv për progresin në zbatimin e Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave, si dhe për thirrjet që të gjitha palët e përfshira të bëjnë veprimet e nevojshme në mënyrë që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave gjatë vitit 2016.
“Shpreh mirënjohjen time të lartë për Parlamentin Evropian i cili e ka shprehur qartë edhe një herë gatishmërinë e vet për t’i dhënë pëlqimin e vet propozimit eventual nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, si dhe ka ftuar Komisionin Evropian që të bëjë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për më tepër, e çmoj shumë rëndësinë që ky institucion i jep nevojës për intensifikimin e kontakteve ndër-njerëzore ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe atyre të shteteve të BE-në”, vlerëson ministri Çollaku.
Parlamenti Evropian i ka dhënë vëmendje meritore nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-së) si një hap i rëndësishëm i integrimit evropian të Kosovës dhe mekanizëm i fuqishëm në zbatimin reformave.
Ndërsa, edhe kësaj radhe sipas ministrit Çollaku, përmes kësaj Rezolute është dhënë porosi e qartë për njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duke thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e stabilitetit në rajon dhe do të ngritë kredibilitetin e BE-së.