Në një rrëfim ekskluziv, studiuesja e përkthyesja e veprës amanet të At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, Keida Kaceli përcjell opinionin e saj mbi dekorimin e Shyqyri Çokut, hetuesit që vulosi dënimin shumëvjeçar komunist të At Zef Pllumit.”Heshtja jonë, vrastare e moralit dhe bashkëpunëtore e krimit”, shprehet Keida qysh në nisje të kësaj interviste, duke shtuar se nuk do të rreshtë kurrë të luftojë këtë heshtje e të kujtdo që me heshtje përpiqet të përdhosë figurën e Padër Zefit siç e thërret ajo.
(Keida Kaceli ka ndër duar përkthimin në italisht të vëllimit II e III të veprës më të njohur të At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”).
– Jeni përkthyesja në italisht e veprës së At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, punë kjo e lënë amanet nga vetë ai për ju. Pak ditë më parë mediat shqiptare zbardhën lajmin se Shyqyri Çoku, hetuesi që vulosi burgosjen shumëvjeçare të At Zef Pllumit, është dekoruar një vit më parë nga shteti shqiptar. Cili është komenti juaj mbi këtë fakt?
E dashur Alba të falënderoj për intervistën. Do i bie pak gjatë duke u nisur nga një thënie e çmuar e Shën Agustinit, e cila thotë “Ata që na kanë lënë, jo se nuk janë më, por janë të padukshëm dhe mbajnë sytë e tyre plot lavdi, të ngulitur në tanët plot lot”.
At Zefin e shtrenjtë, sa herë e kujtoj, më vjen ndërmend shikimi i tij mirëdashës, i gjallë, mbërthyes e i kthjellët në takimin tonë të parë dhe në atë të fundit. Takimi i parë me At Zefin ka qenë takimi më i rëndësishëm i jetës time, takim i cili do të bëhej udhërrëfyes i veprimtarisë time të ardhshme. Koha me Padër Zefin ndalej dhe e gjithë jeta merrte një dimension tjetër. Kultura e tij, bujaria fisnike, besimi në Zot, atdhedashuria dhe dashuria për njeriun, dashuria për vlerat e jetës, kaq e vyer e dëshmuar në atë që unë e quaj Bibla e dhembjes së gjithë kombit, rrallë t’i hasje në të përditshmen e varfër të ne frymorëve. Po, ne frymorëve, pasi sot më shumë se kurrë del në pah se ai ishte njeri, njeri që jetoi për të rrëfyer të vërtetën e për të na e përcjellë, ndërsa ne të tjerët me heshtjen tonë vrastare të drejtësisë e të së vërtetës së moralshme, jemi thjesht frymorë. Kur ndërmora nismën e përkthimit të veprës së pavdekshme të At Zef Pllumit isha 25 vjeç. Sot kanë kaluar shumë vite, plot 10 nga atëherë dhe shumë pak është bërë për të përcjellë veprën monumentale përtej kufijve të kohës. Padër Zefi me dashuri të papërshkrueshme dhe respekt të pashoq, ma besoi përkthimin në italisht të librit “Rrno vetëm për tregue” më 2005 dhe rrugëtimi i realizimit ka qenë shumë i gjatë. Vëllimi i parë i tij, në edicionin e parë italian i erdhi publikut në nëntor të vitit 2013 me titullin “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” dhe më 2015 u ribotua nga “Buongiorno Italia” me titullin origjinal “Vivi solo për testimoniare” e u shpërnda nga “Mondadori” së bashku me numrat e parë të revistës, siç ju e keni pasqyruar mjaft saktë në artikullin tuaj të mëparshëm “Shqipëria fantastike e Kodrës, Vorpsit dhe Kacelit”. I kam premtuar Padër Zefit se veprën e tij do e përktheja me përkushtim dhe respekt për çdo presje të tij dhe ashtu kam bërë dhe po vijoj ta bëj me vëllimet II dhe III. Më pati thënë se do të kisha vështirësi dhe kështu ka qenë. Jo puna, por njerëzit. Bashkëvuajtësit dhe bashkëfajtorët nuk ndihmonin. Dhe këtu e ka zanafillën gjithçka.
Bashkëfajtorët dhë bashkëvuajtësit jepnin veç mosbesim dhe mosinkurajim. Shumëkush nga shtresa është munduar në vend se të më ndihmonte të më ndalte hapin. Frika e dështimit të bën të dështosh, por unë nuk pata frikë, por besim. Besim të plotë tek e vërteta. Tek e mira. Sot jam e lumtur që asgjë nuk më ndali pasi ekzistonte një dorë hyjnore që thuri plane më të bukura e më të mëdha për mua dhe veprën e pavdekshme të Padër Zefit. Dhe kjo do të mjaftonte kundër çdo medaljeje të turpit. Por më beso shumë ndjesi dhembjeje, zhgënjimi deri në indinjatë, neveri, si dhe ndjenja faji dhe turpi më zgjohen sa herë mendoj për varfërinë shpirtërore që na karakterizon ne frymorët e Shqipërisë. I vetmi vend që jo vetëm nuk ka rrëzuar ende Murin e tij të Berlinit, por – pas çerek shekulli përpjekjeje për demokratizim – ndërton paturpësisht bunkerë në mes të Tiranës europiane. Them përpjekje pasi Shqipëria jonë e vogël dhe e gjakosur nuk ka parë ende demokraci të plotë dhe mjerisht këto vitet e fundit u rikthye bindshëm në një sistem autokrat paradiktatorial.
Si mundet ta quajë veten demokratike Republika jonë e Shqipërisë, kur sot udhëheqin po ata njerëz që udhëhoqën dje në diktaturë?
Si mundet ta quajë veten demokratike Shqipëria jonë kur qeveria është e përbërë nga bijtë e ish-nomenklaturës komuniste? Si mundemi ta quajmë veten të lirë kur sot ne kemi ende urrejtje klasore që përcillet brez pas brezi?
A e di kush që gjithçka ka filluar me vjedhjen e pushtetit? Me grabitjen që komunistët i bënë vendit duke vrarë elitën e mëparshme? Duke ndezur luftën civile në të cilën sabotuan të gjitha konferencat kundër okupatorëve? A e dinë shqiptarët që historia jonë është një lëmsh mashtrimesh dhe gënjeshtrash të pashoqe? Një përdhunim i së vërtetës me përmasa çnjerëzore?
Në një vend demokratik krimi ndëshkohet nuk dekorohet.
Medalja e dhënë ndaj hetuesit kriminel dhe torturuesit të dhjetëra qindra të pafajshmëve politikë, duhet të ishte një turp për më të fundit ndër funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes, jo më për krerët e qeverisë.
Madje Shoqja Ministre si nënë, si grua, si institucion, do të duhej jo vetëm të kërkonte ndjesë, edhe të japë dorëheqjen. Po si nuk doli askush nga këta demokratët e orëve tona, të kërkojë ndjesën e nënave që kurrë nuk panë bijtë me sy e ikën natën në terr për të mos u kthyer më? Si nuk tregoi kush varret? Si nuk kanë humanizmin e mirënjohje që nuk iu prek një fije floku! Dhe dalin e qajnë bunkerin? Po si nuk i mjaftuan 718.000 bunkerë që shëmtuan Shqipërinë për dekada dhe ende e shëmtojnë, si nuk iu nxi kurrë faqja këtyre të paudhëve, të pafe e paatdhe, për gjakun që ende nuk është tharë e thërret drejtësi? Edhe sa medalje do të jepen derisa të rikthehet vëllavrasja në tokën arbnore? Boll më! Nuk mban më! Është turp ndaj dinjitetit njerëzor.
– Ju e keni takuar shumë herë At Zef Pllumin e keni shkëmbyer letra e opinione mes jush. Pra, e njihnit mirë njëri-tjetrin. Po të ishte ende gjallë cili do të ishte komenti i tij?
Padër Zefi ishte një njeri i mençur dhe shumë i saktë në analizat e tij. Ishte gjithashtu shumë i ndjeshëm dhe serioz dhe hokatar si At Gjergj Fishta me një ironi shpotitëse. Unë nuk dua të bëj sensacion e të tregoj se çfarë më tha pak ditë para se t’u ndante me këtë botë, për të ikur përgjithmonë duke na lënë jetimë e gati të pastrehë, ne të uriturit që ushqeheshim me dijen e tij në folenë e kulturës së tij. Padër Zefi si i fundmi i françeskanëve të mëdhenj e njihte mirë racën njerëzore. Jam e bindur se do të nënqeshte me urtinë e tij. Ai i njihte të gjithë. Do të thoshte “hajd shyqyr një teneqe xixëlluse ma tepër ngjoks që ishalla i ndriton në terrin e injorancës”. E dinte se flakada e shpresës që e mira të triumfojë duhet mbajtur e gjallë dhe ushqyer me vullnet e punë. Pasi më mirë se gjithkush ai e dinte se krahas atyre që e lartësonin dhe e respektonin do të kishte të tjerë që do e përdornin dhe do e tradhtonin. Nuk bënte dallim të djathtë të majtë. Më thoshte shpesh: “Padër këtu të djathtën nuk e njeh kush ndaj kam dërgu studentat me mësu e me e sjellë dije e kulturë si para luftës” e sa gjynah për ne që shumë nga ata që ai dërgoi nuk u kthyen më, e disa bashkëpunuan me këta dekoruesit e sotëm.
Dita e takimit tonë të fundit ka qenë 6 shtator 2007 në spitalin “Gemelli” në Romë. Padër Aureli (At Aurel Gjerkaj) më shoqëroi tek shtrati i At Zefit dhe biseduam gjatë. Kishte ndër fjalët e tij zhgënjim e dhembje, por sigurisht shpresë të madhe se një ditë historia do të shkonte në vendin e duhur, aty ku e vërteta ka shtëpinë. Ai nuk iku i shpaguar përkundrazi. Disa nga fjalët që më tha në atë takim të fundit ku shëndeti i tij ish përmirësuar pak, ishin “Padër, të paktën bajnë sikur kanë kuptu diçka, sikur kanë një farë pendese, por nuk e kanë bija jeme. E kanë sa për sy e faqe, se prapë po ne jemi armiku. Sa plagë kam ende në trup sa Krishti dhimbe njerëzore! Duhet me duru shumë, me mësu e me studju fort e mos me humbë shpresën. Mundohu mos mbetesh vetëm, e po mbete, lutju Zotit e mos u dorzo. Ti je italiane, puno mirë për Itali e për Shqipninë tonë se e mira kthehet dikur për mirë”.
Besoj se ishte amaneti i tij pasi ndjente se po largohej. Pas disa javësh nga kjo ditë mora një SMS me lajmin e tmerrshëm. I vura detyrë vetes ende për të bërë.
– “Rrno për me tregue” shkruan ati e sot vite pas vuajtjes komuniste e vdekjes së tij çfarë tregon ky dekorim?
Dekorimi është një turp i pashoq i gjithë shoqërisë shqiptare. Duhet një lëvizje qytetare e sinqertë që të marrë pozicion e të denoncojë publikisht këto akte që përcjellin me vetëdijen më të plotë krenari për krimet e kryera. Nga politika nuk presim më asgjë pas çerek shekulli tallitjesh e nëpërkëmbjesh, por duhet të jenë qytetarët që të marrin në dorë fatet e tyre dhe të dënojnë krimet që ende sot pësojnë. Heshtja qytetare është bashkëfajtore e krimit dhe vrastare e moralit. Vrastare e së vërtetës. Medalja tregon nderimin e krimit dhe shkeljen e gjakut të pafajshëm të viktimave. Tregon se shoqëria jonë është në gangrenë dhe nuk di as ç’është respekti për dhembjen. Mirë dosjet që u bënë strumentum regni për të bërë të mundur që ata të vijojnë duke mbretëruar me klanet e tyre dhe ne brezat e ardhshëm, por të paktën një vetëndërgjegjësim për të treguar varret ku groposën ajkën e kombit duke e bërë Shqipërinë e mjerë një bordello pa dyer ku gjeni i pastër u bë me biografi të keqe e për ta rregulluar atë iu desh të ngjizej me gjen kriminelësh.
– Jeni pjesë e një familjeje intelektuale tiranase e përndjekur nga diktatura komuniste, si dhe mbesa e Jonuz Kacelit, pushkatuar nga ky regjim. Si mendoni, a është zhdukur vërtet komunizmit në Shqipëri?
Gjyshi im Jonuz Kaceli u ripushkatua i vdekur pasi kish dhënë shpirt në duart gjakatare të numrit dy të Byrosë Politike të diktaturës kobzezë komuniste Mehmet Shehu. Mua personalisht asnjëri nga bijtë apo nipat e tij nuk më ka shfaqur pendesë apo ndjesë. Por gjeni është gjen. Nuk e pres. Secili qan hallin e tij dhe as do t’ia dijë për respektin njerëzor. Jo komunizmi nuk është zhdukur e nuk do të zhduket për sa kohë Sigurimi i Shtetit është rikthyer bindshëm me veprimtarinë e tij. Për sa kohë asnjë element i regjimit, diktatorët ende frymues, pjesëtarët e Komitetit Qendror, sigurimsat, hetuesit, prokurorët, shefa kabineti, gjykatësit, drejtorët, sekretarët, shefa degësh, shefa burgjesh e rajonesh dhe kjo për secilën nga fushat: ekonomike, bujqësore, industriale, energjetike, sociale, politike, kulturore, shkencore, artistike, sportive etj., etj.
Për sa kohë bijtë e etërve festojnë Pezën, nderojnë me simbolet dhe fotot e diktatorëve nëpër rrugët e qyteteve tona. Ata patën fatin e madh që na zgjodhën ne armiq se ne kurrë nuk e mësuam urrejtjen dhe hakmarrjen. Dhe iu them me plot gojën se ne nuk jemi viktima, ne jemi heronj. Për çdo medalje tuajën ne kemi pikë gjaku të gjallë heronjsh e martirësh të vërtetë. Jo e dashur nuk është zhdukur komunizmi si formë shoqërore, pasi për sa kohë që në matricën e tij do të jetë urrejtja për të tjerët dhe ata, po edukojnë edhe brezat e katërt me urrejtjen gjenetike e klasore, për sa shoqëria do të mbruhet me urrejtje dhe do të vrasë e do të vjedhë shpresën, ajo nuk do të jetë një shoqëri e shëndoshë dhe e moralshme dhe njeriu, siç kam mësuar, i gjallë apo i vdekur qoftë ai, rivdes sa herë vdes morali i një shoqërie.