Nga Besnik Imeri
Shqiptarët kanë fatin e madh që nga raca e tyre ka dalë një mendje e ndriçuar si Sami Frashëri. Por ky fakt madhor, madhështia e këtij burri, a u është bërë e ditur shqiptarve në mënyrën më të plot dhe gjithpërfshirëse të veprës së tij? Prandaj këtu kemi të drejtën që të shtrojmë edhe disa pyetje:
- A ka zënë vendin e merituar figura e tij në historiografinë shqiptare?!
- A është vendosur ai në vendin që i takon në panteonin e burrave të shtetit atdhetarë të racës shqiptare?!
- A janë vlerësuar dhe pasqyruar realisht kontributet e jashtëzakonshme të tij në fushën e shkencave albanologjike?!
- A është renditur dhe a është pasqyruar në mënyrën e merituar nga arti pamor, letërsia, dhe kultura shqiptare në përgjithësi?!
Sami Frashëri, ashtu si dhe shumë Rilindas të tjerë si Jeronim De Rada, Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Jani Minga, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, etj, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në lëmin e etnogjenezës së shqiptarëve, të origjinës pellazgjike të racës dhe të gjuhës së tyre. Por, çuditërisht, ky kontribut madhor, në mënyrën më të turpshme, është lënë mënjanë, është lënë në hije, madje është parë me përbuzje dhe përçmim.
I pari që ka hedhur gurë kundër kësaj veprimtarie të shkëlqyer, por tinëzisht dhe pa e përmendur me emër, ka qënë Eqerem Çabej.Ja se çfarë thotë ai:“Nuk do të mund të kënaqim ata që edhe sot kanë besim të patundur në një origjinë pellazge të gjuhës sonë. Përkundrazi, është koha që, së paku në shkollë, të mos mbushen trut’e nxënësve me hipoteza të mjergullta të mezit të shekullit tëkaluar…”[1] (“Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe”,Tiranë-1936)
Pra të mos vendoset, dhe nëqoftëse është, të hiqet nga librat shkollorë mësimi i origjinës pellazgjike të shqiptarëve dhe gjuhës së tyre, gjuhës shqipe.Një inkuizicion i vërtetë. Por historia mësohet në shkollë, dhe në qoftëse një kombi do t’ia ndryshosh historinë, atëhere hiq të vërtetat historike nga librat shkollorë, ose ndryshoi ato me të pavërteta, dhe të jesh i sigurtë që brezat që do të vijnë nuk do ta dinë saktë historinë e vendit të tyre. A nuk po ndodh sot e njëjta gjë, ku ministreshat e arësimit gjithë këto vite kanë ndryshuar historinë që fëmijët tanë mësojnë në shkolla.Një veprim antishqiptar i frymëzuar nga qarqet antishqiptare në Europë dhe në Botë, dhe të nxitura nga veglat e tyre antishqiptare në Ballkan.
Tani me të drejtë të zotit mund të pyesim: Kush ishte ky person në vitin e largët 1936 që propozonte që në shkollë fëmijët e shqiptarëve tëmos mësonin origjinën e vërtetë të kombit të tyre? Nga e merrte këtë fuqi ky person dhe kush e frymëzonte apo e inspironte në një veprim tragjik për shqiptarët?!!
Pavarësisht se Sami Frashëri nuk është shpallur publikisht heretik, dhe ai vetë dhe vepra e tij, të digjen publikisht në turrën e druve. Por, në të vërtetë kështu ka ndodhur. Pasi frikaçët, të paaftët, servilët e pushteteve dhe të karikes së ngrohur prej tyre, meskinët dhe djallëzorët, asnjëherë nuk kanë guxuar të dalin burrërisht kundër ideve të ndritura të Sami Frashërit. Por gjithmonë në mënyrë tinzare, djallëzore dhe dhelparake e kanë goditur atë prapa krahëve dhe në errësirë, duke e vendosur në pusin e errët të moskujtesës.
Në asnjë studim, në asnjë vepër studimore të historianëve dhe gjuhëtarëve tanë, të cilët me këto studime kanë arrritur deri tek grada më madhore, ajo e akademikut, në asnjë vepër të Akademisë së Shkencave dhe të akademikëve tanë, jo vetëm nuk janë trajtuar, por as që janë përmendur fare, në asnjë rresht, idetë e ndritura të Sami Frashërit për origjinën pellazgjike të gjuhës shqipe, por dhe të vetë shqiptarëve. Ndërkohë, që ato qysh me krijimin e Akademisë së Shkencave në vitin 1972, duhej të ishin kthyer në një platformë studimore në të gjitha drejtimet e shkencave albanologjike.
Por çfarë ka thënë Sami Frashëri për origjinën e racës tonë dhe të gjuhës shqipe? Ndjekim disa thënie të tij:
- “Më të vjetërtë prinërt’ tanë bota i quajnë pelasgë…Ky komp kaq’ i vjetërë e kaq’i vlejturë për istorit ka qën’ i shumë’e i fortë e i përhapunë nëpër gjith’ Evropët të Lindjesë. E tërë Sinisi’e Ballkanit edhe përtej Tunësë, Ungaria, Kroatia etj. Si dhe Greqia e gjith’ anët’ e perëndimit t’Azisë së Vogëlë, do-me-thënë t’Anadollit, ishinë vend i Pelasgëvet, shqiptarëvet të vjetër, ca nga këta pelasgë u hodhë përtej den’(detin) Adriatik, n’Itali; Etrusqitë, llatinëtë e të tjerë kombe t’Italisë janë prej farës’ së pelasgëvet…Pa ndryshim (dyshim) Pelasgetë janë m’i vjetër’i i kombeve arianë t’Europësë…Ka edhe shumë argumenta të tjerë që provojnë se pellazgët e lashtë dhe shqiptarët e sotëm përgjithësisht i takojnë një race dhe kanë të njëjtën gjuhë…”[2]
- “Kjo besë (besim fetar) që thuhetë mythollogji, është bes’ e të parëvet prindër tanë, pelasgëvet…Emënat’ e perëndivet q’u faleshin pelazgëtë e prej të cilëvet i ka marrë mythologji e grekëret e e romanëvet…”[3]
Sami Frashëri, 130 vjet më parë ka treguar se origjina e të gjithë shqiptarëve rrjedh prej pellazgëve. Por ai nuk është ndaluar deri këtu, por tregon se në antikitet pellazgët, të parët tanë, ndahen në disa fise të rëndësishme, që janë ilirët, epirotët dhe maqedonasit; pasi sikur ta ketë ditur që Akademia e Shkencave të Shqipërisë (vendi ku mblidhen më të mençmit e shqiptarëve), do ta dhunonte këtë të vërtetë, jo vetëm duke mos pranuar origjinën pellazgjike, por duke mohuar edhe origjinat e pjesëshme të mëvonshme në antikitet të shqiptarëve nga epirotët, dardanët, maqedonët dhe paionët.
Kjo është njësoj sikur njëzet nipërve jo vetëm t’u mohohet prejardhja e gjakut nga gjyshi prej babait (në këtë rast pellazgët), por një pjese të tyre t’u mohohet edhe babai duke u thënë se ju nuk rridhni nga baballarët tuaj (në këtë rast epirotët, dardanët, maqedonasit dhe paionët), por nga xhaxhai tuaj (në këtë rast ilirët)!!! Tregova këtë shëmbull vulgar për të treguar se sa absurde dhe vulgare është teoria që u tregon Akademia e Shkencave shqiptarëve për origjinën e tyre.
Ndryshe, këtë fabul mund ta paraqesim. Nëqoftëse origjina e shqiptarëve do të konsiderohej një godinë, ku prejardhja nga pellazgët do të ishte themeli i kësaj godine, ndërsa pasardhësit tanë nga pellazgët në antikitet Ilirët, Epirotët, Dardanët dhe Maqedonët (përfshirë dhe Paionët)do të ishin katërmuret mbajtëse të kësaj godine; po të pranonim vetëm origjinën ilire të shkencës tonë zyrtare, atëhere godina jonë e etnogjenezës do të qëndronte në ajër, pasi asaj i janë hequr themelet, si dhe tre nga muret mbajtëse. Më thoni si mund të qëndrojë një godinë pa themele dhe vetëm me një murmbajtës?!!! Por të ndjekim se çfarë thotë Samiu.
- “…Popullsia e Epirit dhe e Maqedonisëflasin një gjuhë…Iliria: Populli i Ilirisë ishte një racë dhe fliste një gjuhë…Popullsia e vjetër e Ilirisë i përkiste racës pellazge, që është nga më të moçmet e popujve arianë. Ajo është një racë dhe flet një gjuhë me popujt e Epirit dhe të Maqedonisë…Ky popull është populli shqiptar…”[4]
- …edhe Shqipëria mbet një vënt i vogëlë, që pushton gjysmën’ e jugës s’Ilyrisë, gjysmënë (anën’ e veriut e të perëndimit) të Maqedonisë edhe gjithë Epirë”[5]
- “…Iliria: Është emri i një treve të vjetër në viset perëndimore të Gadishullit Ballkanik…Vetëm pjesa jugore e Shqipërisë, domethënë Toskëria quhej me emrin e veçantë Epir, prandaj edhe shumica nuk e konsideronin Iliri. Kufiri jugor i Ilirisë konsiderohet lumi Vjosa…”[6]
- “Shqiptarët kanë krijuar vetëm tri shtete të njohura. Këta ishin: njëri në viset e Shkodrës (ilirët), njëri në Epir, domethënë në viset e Janinës (epirotët), dhe tjetri në qytetin e vjetër Pela që ndodhet afër Jenixhe Vardarit në Maqedoni (ku përfshihen edhe dardanët me paionët.B.I).”[7]
- “…Epirotët nuk kanë patur aspak lidhje me grekët, prandaj nga grekët janë quajtur barbarë, d.m.th jogrekë. Përkundrazi me dëshminë e Strabonit, i cili konsiderohet plaku i gjeografëve dhe historianëve të tjerë të lashtë grekë, është provuar se pellazgët (epirotët) formonin një popull që ka patur afërsi nga pikëpamja e Gjuhës, e moralit dhe e zakoneve me popullsinë e Maqedonisë dhe të Ilirisë.”[8]
- “…Ilyri i vjetërë nuk pushtonte tërë Shqipërinë, se nuk unjësh më poshtë Vijosësë nga juga, por nga veriu ish’shumë m’ë e madhe, se sikundër thamë, xgjatëshë gjer në Savë e gjer në funt t’Adriatikut…Që nga Vijosa e gjer në mëngët t’Ambraqisë (t’Artësë) cop’ e jugës së Toskërisë së sotme quhësh Epir…Mbretëri’ e Ilyrisë ish veçan, e Epirit veçan…Ilyrianëtë,si dheEpirotëtë, të cilëtë s’ndryshonin nga ata me nonjë fare mëndyre, roninë eishinë si shqiptarët e sotëm pa ndonjë ndryshim, edhe flisninë gjuhënë, që flasimë na sot…”[9]
- “ Epir është emri i vjetër i Toskërisë që përbën pjesën jugore të Shqipërisë. Toskëria shtrihet nga veriu deri në lumin Shkumbin dhe nga lindja deri në Manastir; kurse Epiri i Vjetër nga verilindja ishte i kufizuar me lumin Vjosa; vëndet që ngelen në lindje të këtij lumi quheshin Maqedoni dhe ato në veri të tij quheshin Iliri. Nuk mund të besohet që emri Epir të jetë përdorur prej popullsisë së vjetër të atij vendi dhe sot popullsia vendase e quan atë Toskëri.”[10]
- “Shqiptarët që ndodhen në Greqi (arvanitasit) e Itali (arbëreshët) janë toskë. Emri toskë është shumë i vjetër dhe ka mbetur qysh prej kohës së pellazgëve…”[11]
- “Edhe viset e Manastirit hynin në Maqedoni, kurse trevat e Kosovës e të Shkupit njiheshin me emrat e veçantë Misia e Dardania dhe nuk përfshiheshin në Iliri, d.m.th si kufiri lindor i Ilirisë ishte Mali i Sharrit.”[12]
GJUHA SHQIPE
Sami Frashëri në veprën e vet madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”në kreun e VII “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet” thotë:
- “Shqiptarëtë flasin një nga më të vjetërat’e më të bukurat gjuhë të dheut. Gjuhërat, që kanë qënë shoqet’e motërat e shqipesë, kanë mijëra vjet që kanë humburë e s’flitenë në nonjë vënt të dheut; po në vendit t’atyre përdorenë mbesat’e stërmbesat’e tyre. Shqipja është shoqe me greqishten e vjetër, me llatinishtenë, me sanskritishtenë, gjuhën’e Indis së vjetërë, me sendishtenë, me tevtonishtenë etj. Po këto gjuhëra, që numuruamë, nga të cilat ca kanë qënë motra të vogla të shqipesë e më shumë më të ra (reja) se ajo, këto gjuhëra, them, kanë mij a mijëra vjet që nuk po flitenë më e s’rojnë përveçse me faqet të ca livrave të vjetra. Ato quhenë gjuhëra të vdekura e shqipja, gjuha jonë, q’është m’e vjetërë nga ato, ësht’e gjallë e flitetë edhe sot si në kohët të PELASGËVET…
- …Kemi shumë shenja e shumë dëftime, të cilatë dëftejnë faqeza që ata pelasgë, që na dukenë si përrallë nga vjetëri’e tepër’e tyre, kanë folurë këtë gjuhë, që flasim na sot…
- …pelasgëtë kanë folurë kaqë mijë vjet më parë këtë gjuhë që flasim na sot, po thua pa ndryshime a me aqë pak ndryshim, sa të muntte të delte sot një pelasg, do të muntimë të flasim me të si fletë një gegë me një tosk…”[13]
- “Shkronjëtor’i gjuhësë shqip, të përkëthyerit e fjalëvet në aqfytyra (sinonimet),hollësi e nyjevet, të perëmënavet e tëtjera bukuri, që s’i ka nonjë nga gjuhët’e sotme, e të cilatë edhe gjuhët’e vjetra s’i kanë kaqë të mbaruara (përkryera, përsosura) e të tepra (të shumta), gjithë këto gjërëra e rrëfejnë që shqipja është një gjuhë e vjetërë, e mbeturë që nga kohërat’e qëmoçime e të përallta (legjendat) e ruajturë sikundër qe (ishte), pa prishur’e pa ndryshuarë.”[14]
Disa studjues sllavo-helenë, edhe sot e kësaj dite, flasi për një origjinë të shqiptarëve nga Kaukazi.Por këto teori antishqiptare janë kritikuar nga Sami Frashëri 130 vjet më parë. Por çuditërisht asnjë studiues nuk thotë, që i pari kritik i tyre ishte Sami Frashëri! Ndjekim Samiun.
- “…Disa thonë se shqiptarët kanë ardhur kohët e vona nga vendi Albaniad d.m.th Dagestani që ndodhet në Kaukaz. Disa thonë se shqiptarët bëjnë pjesë në grupin e popujve sllavë dhe disa kujtojnë se janë degë e grekërve të ngelur në gjëndjen e vjetër barbare, kurse disa nga historianët tanë supozojnë se shqiptarët janë një fis i ardhur nga Arbëria. Në të vërtetë këta e dinin se në gjuhën shqipe ka fjalë të ngjajshme dhe të përbashkëta me gjuhët e vjetra greke, latine, e sllave, por kujtonin se këto fjalë ishin marrë nga këto gjuhë…Më në fund disa studjues duke e njohur thellë gjuhën shqipe, kuptuan se deri në çfarë shkalle ishin marrëdhëniet e shqipes me gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gotike, persishte e sanskrite dhe duke marrë për bazë gjuhën studjuan edhe historinë, zbuluan origjinën e popullit shqiptar, vendin nga ai kishte ardhur. Kjo çështje që kishte mbetur enigmë për shekuj, tashmë u zgjidh krejtësisht. Populli shqiptar është një prej degëve më të vjetra të popujve të Azisë dhe të Evropës që quhen arianë….
Gjithashtu, kritikën më të fuqishme të teorisë antishkencore dhe antishqiptare të të ashtuquajturave huazime të gjuhës shqipe, të mbrojtur fuqishëm nga Eqerem Çabej, dhe pas tij një tufë e madhe gjuhëtarësh, përfshirë dhe disa prej tyre antishqiptarë dhe filosllavë, e ka bërë Sami Frashëri. Ndjekim Samiun.
- “…Por nuk gjykohet se këto fjalë shqipe janë marrë nga gjuhët e vjetra greke, latine, sllave, gjermane, për pasojë me gjithë gjuhët e reja evropiane që rrjedhin prej tyre dhe nga ana tjetër me persishten, zendishten e sanskriten. Përkundrazi ka shumë fjalë që vërtetojnë se forma e tyre shqipe janë BAZË, ndërsa format në gjuhët e vjetra greke e latine janë derivate të tyre. Kjo tregon se gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja ose latinishtja e moçme dhe se populli shqiptar është shumë i vjetër…Në disa fjalë lidhjet dhe gjasimet janë më të shumta me gjuhët persishte, zendishte e sanskrite se sa me gjuhët e tjera ariane të Europës. Kjo përbën një prej argumentave që provon se gjuha shqipe nuk është degë e gjuhëve latine, greke, sllave, porse është degë që i përket drejtëpërsëdrejti familjes së vjetër me fillesën e vet nga Azia e mesme, ashtu si popujt e tjerë Arianë…”[15]
Sami Frashëri ka folur edhe për mënyrën e ndërtimit të shtetit të shqiptarëve kur ata të shkëputeshin nga Turqia, ku megjithëse ai i njihte shumë mirë format e qeverisjes së shteteve perëndimore, nuk rekomandon asnjerën prej tyre; por përkundrazi, duke njohur kulturën e trashëguar në shekuj të qeverisjes së shqiptarëve, mentalitetin, zakonet, traditat, virtytet, personalitetin dhe karakterin e shqiptarit, rekomandon atë që i përshtatet më mirë, që e kishte provuar efektshmërinë në shekuj, formën më demokratike: Pleqësitë. Ndjekim Samiun.
“Straboni, dheshkronjs’ i madh, duke shkruar për vendin tënë afro dymijë vjet më parë, thotë që: Maqedhonasit, Ilyrianët e Epirotëtë (do-me-thn gjith shqiptart), sado që çeku kanë ca mbretërira, por qeveri’e tyre e vërtetë është një farë këshillesh prej të parëvet, që këto këshilla i quan plakoni (do-me-thënë pleqësi), edhe qeverisin’ e gjykojnë në ata vende. Përse, pra, ta lëmë këtë zakon të bukur kaq mijë vjeç…?”[16]
Duke mos u ndaluar në të gjitha çështjet që trajton Sami Frashëri në veprën e tij madhore “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, e cila duhet të kishte shërbyer si një platformë për Akademinë tonë të Shkencave, qeveritarët dhe politikanët tanë, vazhdojmë me problematika të tjera.
Ndonëse vepra e Samiut “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” nuk është hedhur poshtë formalisht dhe publikisht, kuptohet nga frika e reagimit dhe ndëshkimit popullor; ndërkohë që realisht idetë, mendimet, propozimet e vyera jo vetëm që nuk janë vlerësuar, përkundrazi janë rrëzuar dhe hedhur poshtë në mënyrën më tinzare dhe burracake, siç e treguam edhe me shëmbujt e mësipërm.
Vendosja në vend e nderit të Samiut do të fillonte me emërtimin e akademisë tonë me emrin “Sami Frashëri”, dhe, në mos ajo, me domosdo këtë emër duhej ta kishte Universiteti i Tiranë, të paktën në respekt të asaj që në vitin e largët 1889 Samiu propozonte, që shqiptarët të kishin dy universitete kombëtare, një në jug dhe tjetrin në veri të vendit. Por jo vetëm kaq. Para Universitetit të Tiranës duhej të vendosej një shtatore e madhe e Sami Frashërit dhe sheshi para universitetit të emërtohej: Sheshi “Sami Frashëri”. Më tej. Tek Akademia jonë e Shkencave janë bustet e Eqerem Çabejit, Aleks Budës dhe Sabri Godos. Si nuk paska një vend për një bust të Sami Frashërit?!!
Më tej, kohët e fundit, mësojmë se kartëmonedha 10.000 lekëshe ka për simbol fytyrën e Asdrenit. Shtrojmë pyetjen: A është Asdreni një figurë gjithëpërfshirëse e të gjithë shqiptarëve dhe me atë rëndësitë veprës së tij në rrafshin kombëtar? Përse është haruar Sami Frashëri, figura më madhore dhe më përfaqësuese e të gjithë shqiptarëve edhe përtej Shqipërisë Cung? Përse asaj nuk i është gjetur nje vend në ndonjë monedhë apo kartëmonedhë?!! Të jetë rastësi kjo, apo një veprim i qëllimtë dhjetravjeçar?!!
Sami Frashëri (por edhe Abdyli apo Naimi) nuk ka ndonjë shtatore në asnjë qytet të Shqipërisë (përfshirë dhe Kosovën që tashmëështë e ‘lirë’), madje as në kryeqytet. Asnjë shesh i Shqipërisë nuk mban emrin e Samiut, ndërkohë që në sheshet e vendit tonë shikon lloj lloj emërtimesh, me emra personash të stisur, pa ndonjë kontribut madhor për Çështjen Shqiptare, madje edhe personash që mund të kenë vepruar kundër interesave tona kombëtare.
Mund ta themi me siguri të plotë se nëqoftëse emri dhe figura e Sami Frashërit nuk do të vendoset në vendin që i takon, dhe si rrjedhojë e kësaj nuk do të pranohet saktë, ashtu siç është dhe në të vërtetë, etnogjeneza e shqiptarëve; atëhere Çështja Kombëtare, vetë Shqipëria, përfshirë dhe shqiptarët do të shkojnë drejt rrënimit kombëtar, tjetërsimit të identitetit, rrënimit të gjuhës shqipe dhe zhdukjes graduale si komb.
Zoti e mbroftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Besnik Imeri, 22 gusht 2021.
[1] Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, f. 448.
[2]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.I. f. 143-148; vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64
[3]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu. I, “Çka qënë Shqipëria”, artikulli I, “Pelasgëtë”, artikulli VII, “Kombëri’ e Gjuh’ e Shqiptarëve”, Bot.”Falcon”-Tiranë, f. 8 dhe 24
[4]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.I. f. 143-148; vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64
[5]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu I “Çka qënë Shqipëria”, artikulli III “Shqiptarëtë nënë romanëtë”, Shtë.Bot.”Falcon”-Tiranë, f. 15
[6]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64
[7]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), Kostandinopojë -1889, “Shqiptarët”, vëll.I.f. 143-148. Bot.Naim Frashëri, f. 43
[8]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-alam”, vëll.I. f. 773-774), Kostandinopojë-1889; Bot.Naim Frashëri, f. 55
[9]Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë -1889,Kreu I, “Çka qënë Shqipëria”, artikulli II, “Ilyrianëtë e Epirotëtë”, Shtë.Bot.”Falcon”-Tiranë, f. 10-11
[10]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-alam”), Kostandinopojë-1889, vëll.I. f. 773-774, Bot.Naim Frashëri, f. 54
[11]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), vëll.IV, f. 3023-3024.Kostandinopojë -1889, Bot.Naim Frashëri, f. 65-66
[12]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”),Kostandinopojë -1889, vëll.II, f, 1161-1162, Bot.Naim Frashëri, f. 61-64
[13]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”, Kostandinopojë 1889, Kreu I “Çka qënë Shqipëria ”, artikulli I, “Pelasgëtë”, Bot.”Falcon”, f. 24-25
[14]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë 1889, Kreu I “Çka qënë Shqipëria ”, artikulli VII, “Kombëri’e gjuh’e shqiptarëvet”, Bot.”Falcon”, f. 24-25
[15]Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”), vëll.I.f. 143-148. Kostandinopojë -1889, Bot.Naim Frashëri, f. 35-37
[16]Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”,Kostandinopojë 1889, Kreu III “Çdo të bëhetë Shqipëria ”, artikulli VII, “Krei i qeverisë së Shqiprisë”, Bot.”Falcon”, f. 87-88