Deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, reagoi sot pas kërcënimeve që sipas tij, po merr dëshmitari okular i trafikut të drogës në Divjakë.
“Përmasat e skandalit qeveritar të drogës po rriten çdo ditë, dhe po bëhen çdo ditë e më të frikshme. Kërcënimi i dëshmitarit okular të Divjakës, tregon se skema kriminale është aq e fuqishme dhe aq e lidhur me pushtetin sa kërkon të mbyllë gojën e kujtdo që ka dijeni, e të fshijë kështu çdo fakt që do të ndihmonte në zbardhjen e të vërtetës nga drejtësia”, tha Ristani me aë të një deklarate për shtyp.
Sipas tij, “kërcënimi i dëshmitarit, është pjesë e skemës kriminale, që nis me djegien e dokumenteve të avionit në Rinas, me mosmbajtjen e përgjegjësisë nga askush, dhe me përpjekjen propagandistike të qeverisë për ta kthyer këtë kapitullim narkotik të shtetit, në gjasme sukses policor”.
“Dëshmitari okular i Divjakës thotë se është kërcënuar, dhe se policia nuk po i ofron mbrojtje. Kjo është një akuzë e rëndë, për qeverinë, për Kryeministrin dhe Ministrin e Brendshëm”, theksoi deputeti demokrat.
Sipas deputetit Ristani, “kërcënuesit, organizatorët e trafikut të drogës, sigurisht janë të mbrojtur dhe mund të bëjnë gjithçka, pasi kumbarët e tyre në qeveri dhe në parlament u kanë krijuar të gjitha lehtësitë për të bërë trafikun e drogës, dhe për ta mbyllur më pas çështjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë”.
“Partia Demokratike i kërkon policisë së shtetit të zbatojë ligjin, dhe të marrë në mbrojtje dëshmitarin e trafikut të drogës. Mosreagimi i qeverisë e bën atë drejtpërdrejtë bashkëpunëtore me trafikantët kërcënues, dhe e bën përgjegjëse para ligjit. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të veprojë me shpejtësi, përpara se karteli kriminal të zhdukë provat dhe dëshmitë e skandalit qeveritar të drogës”, u shpreh deputeti, Arben Ristani.
PD denoncon rritjen e krimit
Ristani: Qeveria të marrë masa, të mos merret me protestuesit/
Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për rritje të kriminalitetit dhe pasigurisë në vend. Referuar ngjarjeve të fundit, deputeti demokrat, Arben Ristani, kërkoi marrjen e masave për rivendosjen e rendit dhe sigurisë publike. Sipas tij është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit.
Deklarata e plotë:
Partia Demokratike nuk do reshti në komunikimin e saj me shqiptarët për gjendjen e kriminalitetit në vend dhe për të gjitha problemet që shqetësojnë shoqërinë tonë.Ne jemi të vendosur që nëpërmjet këtij komunikimi të tërheqim sadopak vëmendjen e qeveritarëve mendjembyllur për katastrofën ku po e çojnë Shqipërinë.
Tritoli, grabitjet dhe trafiku i drogës sunduan edhe javën që po mbyllim.Jemi në një atmosferë të rënduar kriminale, Shteti duket sikur nuk ekziston në raport me krimin.Policia e udhëhequr, tashmë jo ligjërisht, nga Ministri i Brendshëm, tregon gjithë forcën e saj me protestuesit paqësorë të furgonave që kërcënohen për bukën e gojës nga qeveria, ndërkohë që krimi merret në mbrojtje.
Tirana është nën një tronditje të vazhdueshme për shkak të atentateve me tritol që po lënë të vdekur e të gjymtuar. Tirana është nën pasigurinë e grabitjeve, ku vetëm dje kanë rënë pre e maskave të armatosura një koncesionar makinash e një pikë karburanti. Çdo ditë grabiten njësi tregtare në kryeqytet.
Dhe kush është përgjigja e Kryeministrit, ai tregon muskujt ndaj protestuesve të bukës së gojës dhe i kërcënon ata.Ndërkohë, situata e rendit dhe e sigurisë është më e përkeqësuar në rrethe.Mbrëmë në Vlorë një 14 vjeçar humbi jetën për shkak se moshatari i tij luante me armë, dhe sot një tjetër 14 vjeçar në Tiranë qëlloi me armë në mes të ditës.
Partia Demokratike ka një javë që ka publikuar fakte dhe foto që tregojnë lidhjet e forta të trafikantëve të drogës me Ministrin e Brendshëm dhe me Kryeministrin. Asnjë reagim nga shefat e tyre qeveritarë. Përgjigja vjen nga Italia dhe Greqia ku droga me origjinë shqiptare po sulmon përditë kufijtë e tyre.
2 tonë marijuanë janë kapur dje në brigjet e shtetit fqinj. Bëhet fjalë për dy tonë dhe disa trafikantë shqiptarë që janë lejuar nga policia e Saimir Tahirit, ta mbledhin marijuanën, ta paketojnë dhe ta transportojnë në territorin tonë, drejt Italisë.
Partia Demokratike, në interes të gjithë shqiptarëve, i bën edhe një herë thirrje Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të reflektojë për situatën kriminale dhe për pasigurinë që ndjejnë qytetarët e vendit, të rikthejnë pavarësinë e Policisë së Shtetit nga politika, ta dekriminalizojnë atë nga njerëzit e lidhur me krimin dhe të vendosin në krye të detyrës profesionistët. Është koha për një mobilizim të të gjithë faktorëve politikë dhe social kundër krimit.