Esse-analizë rreth vëllimit poetik, “Ndjenjë perëndie”, të poetes e humanistes së shquar shqiptaro-amerikane Rita Saliu/
Shkruar nga Raimonda MOISIU/
Poeti është si ai bilbili që këndon në errësirë dhe ngazëllen me tingujt e ëmbël e të këndshëm, audiencën e dëgjuesve të tij, jemi ne njerëzit që kënaqemi së tepërmi, me zërin melodioz të një “muzikanti” që nuk e shohim dhe nuk e dimë nga vijnë ata tinguj të magjishëm. Gjuha e poetëve është jetike, metaforike dhe melodioze, ata janë “bilbili” nën efektin e frymës dhe muzës poetike, psikikes e filozofikes në universin e marrëdhënieve dhe ekzistencës njerëzore. Kam në dorë vëllimin e tretë poetik “Ndjenjë perëndie”, të poeteshës dhe humanistes dardane, Rita Saliu. Por jo vetëm kaq! Poetesha e talentuar dhe e mirënjohur shqiptare Rita Saliu është edhe një nga letraret dhe poetet me zërin më të ndjeshëm femëror, qytetar e intelektual, aktiviste e cështjes kombëtare, luftëtare e paepur dhe veprimtare e shquar e cështjes së Kosovës. Ajo është nderuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare, është nderuar me dekoratën e “Urdhërit Nënë Tereza “ nga ish-presidenti Bamir Topi, me motivacionin:“Veprimtares së shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut fuftëtares së paepur e të palodhshme për cëshjten kombetare,humanistes dhe poetes qytetare që fatin e saj e bëri njësh me atë të vendit dhe Bashkëtdhetarëve të saj”
Rita Saliu konsiderohet si një prej poeteshave frymëzuese e vecantë kombëtare në ditët më të vështira –të popullit dardan, sikundër dëshiron ajo ta thërrasë popullin e saj të dashur të Kosovës. Rita Saliu është një nga personalitetet më të rëndësishme që është aktivizuar sistematikisht me cështjen kombëtare dhe artin e të shkruarit, në letrat shqipe, me jetën e saj mes mërgimit dhe atdheut, duke i dhënë poeteshës vëndin e merituar në rrethin e poeteve që shkruajnë mbi temat e dhimbjes, dashurisë, traditës e besimit. Shpesh flitet që shkrimtarët apo poetët në jetën e tyre shkruajnë vetëm një libër. Libër –që shpreh shpirtin e tij mitik, me rrjedhën e vetkzistencës dhe butësinë e të bukurës, universales, alfabetit të gjuhës, pra të -Një gjak , një emër!
Poetesha që në titullin e vëllimit poetik, na lë të kuptojmë se ajo mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, gjen ngushëllim e qetësi te ndjenja e perëndisë e besimi te zoti, duke krijuar vargje në prani të reales. Mënyra e vetme për t’i shpëtuar së kaluarës së dhimbëshme, është ajo duke biseduar me, Zotin, Tokën , Atdheun, Martirët, Vende dhe Njerës: “Të putha ballin e rrudhur,/Lirinë duke kërkuar,/M’u dridh shpirti nga lëngata,/Po mua më mbetën sytë,/Te e vetmja dhuratë,/Dhuruar nga Zoti…../Me gjuhë perëndie,/Kuptova puthjen time pa interes,/Të qofsha falë o Zot,/Për dhuratën e ndjesisë,/Toka ime e lashtë,/Më je dhuratë perëndie,/Për mua si shtatë mrekulli,/Qofsh me bekim atdheu im….”. Poetja mban në cdo varg të shkruar marrëdhëniet në kohë me atdheun, bashkëkombasit e saj që i mungojnë aq shumë ata që janë në mërgim dhe ata që janë nëatdhe, të gjallë e të vdekur, dhe vazhdon të bisedojë me rininë e dashurinë e “Toka ime e lashtë, me historinë e lashtësinë. Të gjitha këto cilësi poetja Rita Saliu i pasqyron dukshëm në këtë përzgjedhje të titulluar- “Ndjenjë Perëndie”.Vëllimi përmban 91–ë poezi lirike, me ton qytetar, intelektual, patriotik, kujtime, mall, dhimbje, dashuri, të cilat shprehin dhe përcjellin mesazhin e mirëkuptimin, ngazëllimin e një populli, vlerave të një kombi, qofshin ato historike apo kombëtare. “Gabon ai që më thotë,/Se jam mbyllur në kutinë e atdheut,/Jam celur,/Nga aty shoh botën time,/Dua ta ruaj duke e pasuruar,/S’e lë të jepet,/Duke qëndruar vertikalisht,/Duke u njohur të gjithëve.” (poezia “Kuptimi i Mëmëdheut”, f.8). Të dyja bashkë, poetesha dhe poezia, provokojnë të mendosh se cili është shqetësimi real në jetë dhe t’i mëshosh faktit se cfarë kuptim ka mëmëdheu për ju, për ata, për ne të gjithë! Qëllimi i autores është se ajo krijon një formë poetike; “Ka vjet ngrihem, shkrihem, me mallin e shqetësimin,/Betohem për një pllakë varri dhuruar,/Vazhdoj të jetoj…./”- duke përmbledhur kështu përballjen me misterin pa u epur për mëmëdheun, mallin e shqetësimin, dhe autorja nuk “lejon” askënd të harrojnë misterin thelbësor se cfarë kuptim ka mëmëdheu në jetën tonë dhe vazhdon të vargëzojë ; “Me frymëmarrjen time të pashitur,/E drobitur në këtë botë,/E përjetuar,/As gjallë as vdekur!/Me lule që frymëtojnë shqip,/Me lule përjetimi,/Me lule histori guri.”. Poezia vetë ka në esencë, besimin, përkushtimin, për t’i dhënë kuptim jetës e dashurisë, nëpërmjet nderimit e respektit njerëzor për mëmëdheun, poetja i jep mundësinë gjithkujt ta dojë mëmëdheun në mënyrën e tij/ të saj. Densitetin e ndjenjës së shprehur si një aspiratë sublime dhe fuqisë shpërthyese të dashurisë për mëmëdheun, përmes figurave artistike dhe mendimit filozofik, që poetja e bën prezent nëpërmjet dedikimit në orientimin përgjithësues të vargut e cdo strofë, mbi bazën e subjektivizmit krijues hapësinor, me të cilat shpirti i poetes merr frymë-atëhere kur; “Vazhdoj të mbetem zë kumbues,/Poezi ligjërim.,-shprehet poetja.
Mesazhi i poetes, mesazhi i poezisë, është real vetëm kur –është metafizike.Poetët jetojnë, dhe për më tepër krijojnë me një ligjëratë metafizike.
“Luftëtarët e Lirisë”, titullohet poezia në f.11 të vëllimit; “Në luftë e ruajnë,/Se iu duhet kushtrimi i tyre,/I shndërruar në këngënë dritën që iu prin,/Në paqe vrasin pabesisht,/vetëm se dinë të ecin vertikalisht./ Poetesha me mjeshtëri artistike e zhbirim filozofik, tashmë fillon të na flasë për hiret e figura luftëtarësh të lirisë. Aty qëndron meraku i saj, të zbusë, të qetësojë; “Duke qetësuar dete e oqeane,/Duke ndërtuar ura, bashkojnë brigje”,-autorja thellon kuptimin, ani pse nëpërmjet plagëve dhe dhimbjeve të luftëtarëve; “ Dhe bëhen flamuj të të gjitha kohërave,/Ata duhet t’i lini të lirë si zogjtë,/Dhe t’u bëni vëndin pranë martirëve,”-në sintezë të epokave dhe zhbirimeve mitike, duke mbetur kështu një poeteshe origjinale dhe kombëtare, qëpa marrë parasysh gjithcka ruan baraspeshën mes historisë e lirisë dhe reflekton dritë e dashuri.
“Sot dielli lindi më herët,/Më dhuroi rrezet e mëngjesit,/E kisha harruar dritaren hapur,/Brenda kish ardhur mysafir ajri i pastër,/E lodhur nga rrugë të gjata,/U kënaqa me detajet e jetës,/ Në shtëpinë e trupit tim,/Fola me vetveten,/e dritën hyjnore,/Sa për ta mbytur vetminë e dhuruar,/Iu luta zotit të më dhuronte, Një mëngjes të tillë edhe ne Dardani.”, (poezia “Mëngjes në Mërgim”, f.13).Dashuria dhe mungesa për atdheun, është reciproke. Frymëzimin për këtë atdhedashuri, poetesha i ka vendosur në natyrën e shprehjes së vetvetes, të muzës, meqëllim për të qenë e barabartë dhe të gjejë prehje, shpirti i saj ekzistencial nga hapësira virtuoze e mendimit, ndjenjave, miqësisë, simbolit, metaforës, kujtimit, mallit, ëndrrrës. Poetesha Rita Saliu -i thërret e pozicionon të gjitha këto, për t’u shprehur lirshëm, me mallin e brengën e mërgimit, me mungesën e mëmëdheut.
“Merr e jep dashuri,/Me besimin njerëzor,/Që na bëjnë të qeshim e të qajmë,/Në udhëtimin e trishtë,/ Të lumtur të jetës,/Histori më fali vetëm jeta,/Në botën e lodhur,/E paepur ka mbetur, vetëm ëndrra,/Jetaka tjetër kuptim,/Jep shpresë e dashuri.”. (poezia “Takimi”, f.41) Me një timbër për më tepër origjinal, dashuria e mirësia, shpresa e ëndrrat, të shprehura artistkisht, pa sforco fizike dhe kujdes psikik, artistik e filozofik, me mjete modeste, ato vijnë të tilla e të papërsëritshme nën shkëlqimin e vet. Poetesha vizaton shkurt e qartë një situatë të imtë emocionale,zbulon gjërat më të bukura e të cmuara, margaritarë brenda shpirtit, që “Merr e jep dashuri.”.Ndjenja e dashurisë përfshin disa poezi të poeteshes Rita Saliu.Gjetjet poetike janë të goditura si nga ana figurative e letrare, mesazhe që ripërsërisin atë që të gjithë kemi nevojë; dashurinë e jetën.
“Rozhaja është degë e imja e këputur,/E qëlluar nga sëpata e lakmisë,/E ndarë nga trungu më i mocëm në këtë dhe,/I qëlluar nga stuhitë e tufanet…./Është ende e njomë,/ Se frymëton e rritet me frymën e vet,/Në tokën e vet të lashtë…,/”. (poezia “Degë e këputur”,f.79). Poetja Rita Saliu u jep një dimension tjetër gjithckaje që ndodh në të përditshmen njerëzore, ndjenjave mistike, pengesave e ngjadhnjimeve, spektrit të ndjenjave të ndërlikuara, kujtesës e harresës, dhimbjes e mallit, i bën ato të ndjeshme e të përjetëshme, të pavdekëshme e të prekëshme: “Rrozhaja është kullë e mbuluar me plis,/Duke notuar detit të gjakut të vet,/Rrugë bën drejt brigjeve të triumfit,/Shqip duke kënduar mos-harresën,/Duke treguar shqip përrallën,/Shqip ndërton dashurinë,/Që do të na bashkojë…”.Me talent e mëncuri, me shpirtin artistik dhe thelbin filozofik të psikikes, poetesha ndërton urën e takimit – mes kullës së Rrozhajës dhe detit të gjakut të vet, në kohë e hapësirë, dhe provon se asgjë nuk është statike, ajo demonstron ndryshmin me forcën e fjalës e vargut: “Rrozhaja nuk është zë i harruar,/As tokë e braktisur, e lënë në gojë të ujkut,/Si sonte ia dëgjoj kudo hapërimin,/Tek sfidon muret që ia kanë ngritur në zemër,/Diell bëhet dritë u dhuron horizonteve,/Kah do të vijë e ardhmja e ndritur dhe fitimtare.”
Poetja është në kërkim të normalitetit brenda kullës, aty në Rrozhajë dhe njerëzores, brenda normales. Rita Saliu e konsideron njeriun brenda natyrës thelbësore, dhe përpiqet të merret me të kaluarën, qartëson të tashmen, dhe i hapë udhë së ardhmes, -“Kah do të vijë e ardhmja e ndritur dhe fitimtare.”-duke u përpjekur kështu të përshtatet me bërthamën e kuptimit të vdekjes e jetës, si intimitet shpirtëror dhe human, mes mendjes së njeriut e natyrës.
Disa poezi konsistojnë në disa strofa-apo edhe në një strofë të vetme disa vargjesh, por që ato poezi mbartin simboliken e esencialen, poezi të tilla si p.sh. “I mjeri”, “Pa titull”, “Dashuri e përsosur”, “Në shtëpinë e pleqëve”, “Dikur”, “Flores”, “Këtu”, Lumturia, “Dimër”, “Balloja”, “Lis me rrënjë të thella”, “Zezonë e lavdishme”, “ Kalorësi i Bardhësive”, etj. Gjetjet poetike janë fare spontane, të lehta e të qëlluara me të cilat poetja Rita Saliu përçon te lexuesi atë që ata kanë aq nevojë dhe në zemër të këtyre poezive, vecanërisht në ato vargje të drejtpërdrejta-që fillojnë me vendlindjen, qytetin e lindjes, peisazhin, dashurinë, eliksirin e dashurisë, mitet e legjendat, jetën e vdekjen, bashkimin e ndarjen, mërgimin dhe atdhedashurinë, patriotizmin dhe historinë, të cilat janë karakteristike në këtë vëllim poetik.
Mbi të gjitha, mesazhet e tyre ripërsërisin atë që kemi nevojë ta dëgjojmë, sa e bukur është jeta! Poetesha dhe humanistja Rita Saliu sjell shumë qartë dhe më ndjenjë perëndie, bukuritë e jetës, rikthehet disa herë e shpërthen në kujtime, në filtër të përsiatjeve historike; një gjak, një emër, faktorë dhe argumente me vlera historike e kombëtare. Vargu i saj poetik bën transparencë për të djeshmen, mësim për të sotmen dhe vizion për të nesërmen. Uroj që mendja dhe pena e poetes, atdhetares, humanistes Rita Saliu, krahas dhe dashurisë për atdheun, të mos pushojë për të sjellë të tjera vlera me rendjen modeste në panteonin e artit me fjalën e bukur poetike në letrat shqipe.
Raimonda MOISIU
Hartford CT USA
Gusht 2015