Fishta dhe Koliqi për Norbert Joklin/
Nga Frank Shkreli/Izraeli dhe bota hebraike në përgjithësi shënojnë Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Holokaustit duke filluar nga mbrëmja e ditës së Hënë të 20 Prillit e deri të Martën me 21 Prill. Është kjo një ditë solemne që përkujtohet eliminimi i 6-milionë hebrejve gjatë Holokaustit.
Fund javën që kaloi, Qendra e njohur Hebraike në Nju Jork, “The Temple Emanu-El Streicker Center”, në përgatitje të shënimit të kësaj dite përkujtimore, ftoi Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Besiana Kadare në shërbimet e ditës së Premte për të folur, siç thuhet në njoftim, mbi historinë e “pabesueshme dhe kryesisht të pa njohur”, se si Shqipëria u bë një vend i sigurt strehimi për hebrenjët gjatë Holokaustit.
Gjatë fjalimit të saj, Përfaqësuesja e Përhershme dhe fuqi-plotë e Shqipërisë pranë OKB-së foli për ndihmën që kanë dhënë shqiptarët e rendomtë, pa dallim, për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri. Shefja e Misionit të Shqipërisë pranë OKB-së foli gjithashtu edhe për rolin që kanë luajtur edhe “autoritetet zyrtare” të qeverisë shqiptare në atë kohë në Tiranë, të cilat, shtoi ajo, kanë refuzuar të dorëzonin nazistëve listat me emëra hebrenjësh. Pa përmendur emra konkret, ambasadorja shqiptare foli për “guximin moral të shqiptarëve”, duke i cilësuar përpjekjet e autoriteteve dhe të shqiptarëve të thjeshtë për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri, si një “trashëgimi qytetërimi dhe një mësim për brezat e ardhëshëm”. Ajo përmendi veçanërisht rolin e ambasadës shqiptare në Berlin, e cila tha ambasadorja Kadare, në atë kohë, lëshonte viza për hebrenjtë e kërcënuar nga cilido vend evropian qoftë, gjë që mundësonte largimin e tyre për në vende të sigurta për ta, përfshir edhe Shqipërinë.
Mund të jem gabim, por është hera e parë që dëgjoj një zyrtar/e të Shqipërisë post-komuniste që pranon, duke përmendur rolin që ka luajtur qeveria shqiptare, ministra dhe përpjekjet e autoriteteve të asaj qeverie në atë kohë, për të bërë ç’mos që të shpëtonin hebrenjtë nga likuidimi fizik, roli i të cilëve ende konsiderohet, zyrtarisht, si një tabu në Shqipëri. Është meritë e ambasadores Kadare që të pakën përemendi megjithëse tërthorazi, por publikisht, këtë të vërtetë historike. Është kjo një temë që nuk duhet harruar por duhet kujtuar roli dhe përpjekjet e autoriteteve shqiptare të asaj periudhe, për hir së vërtetës historike, por edhe si një “trashëgimi e qytetërimit dhe si një mësim për brezat e ardhëshëm”, siç u shpreh ambasadorja Kadare. https://telegraf.al/analize/frank-shkreli-pse-nuk-e-permendet-roli-unik-i-kol-bib-mirakes-per-shpetimin-e-hebrenjeve/
Kemi të bëjmë me njerëz guximtarë e trima, me personalitete shqiptare të cilët megjithëse shërbenin në një qeveri mike me Gjermaninë naziste të asaj kohe — për shpëtimin e hebrenjve, ata jo vetëm që rrezikuan pozitat që kishin, por mund të rrezikonin edhe jetën gjatë Hollokaustit, si rezultat i përpjekjeve tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga zhdukja fizike, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit dua të përmend përpjekjet e Ernest Koliqit dhe të At Gjergj Fishtës për të shpëtuar jetën e Norbert Joklit, albanologut të njohur austriak, me origjinë hebraike, që konsiderohet edhe si njëri prej themeluesve të albanalogjisë modern. Ai vdiq në muajin Maj të vitit 1942, nën rrethana ende të panjohura, pasi kishte marrë urdhër nga nazistët që të largohej nga Vjena brenda 30 ditësh. Si albanolog i njohur, Norbert Jokli gëzonte miqësi dhe mbante lidhje të ngushta me intelektualët më të njohur shqiptarë të kohës, si At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Faik Konica, Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë. Thuhet se Jokli ishte admirues i madh, ndër të tjerë i Fishtës, Konicës, Naimit, por edhe i traditës bektashiane. Në shënimet e rreth tij, thuhet se ai njihte mirë veprat e Jeronim De Radës dhe ishte simpatizues i Koliqit dhe i Dom Lazër Shantojës, publicistit dhe përkthyesit të veprave të shkrimtarëve të mëdhej gjermanë, priftit të parë katolik i vrarë nga një skuadër pushkatimi e regjimit të Enver Hoxhës, në Mars të vitit 1945. Thuhet se Norbert Jokli vizitoi vetëm njëherë Shqipërinë, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, me ç’rast u prit me nderime të mëdha dhe iu akordua çmimi i lartë kombëtar “Urdhni i Skenderbeut”.
Ernest Koliqi, ish-Ministër i Arsimit ka përshkruar në revistën Shëjzat 1-4 dhe 5-8 të vitit 1972, shkurtazi, përpjekjet e autoriteteve të atëhershme shqiptare për të shpëtuar Albanologun e njohur Norbert Joklin, nga “fati mizuer që ia këputi jetën”, siç shprehet Profesor Koliqi. Si një provë të këtyre përpjekjeve nga ana e tij dhe të tjerëve për të shpëtuar jetën e Joklit, ai ka botuar letrën origjinale të Ministrisë së Arsimit që ai kryesonte dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim për t’a sjellur në Shqipëri për t’i shpëtuar atij jetën nga nazistët që i ishin venë pas, Norbert Jokli emërohet nga Ministria e Arsimit në detyrën si “Organizatuer të Bibliotekave Shqiptare me 6 tetuer, 1941”, me qëllim për ta larguar atë nga Vjena për në Shqipëri, për t’i shpëtuar jetën nga nazistët. Mjerisht, shënon Profesor Koliqi, ky emrim i marrur nga autoritetet shqiptare me qëllim për t’ia kursyer albanologut të madh vuajtjet dhe mbarimin tragjik, nuk solli rezultatin e dëshiruar. Por kjo tregon, shkruan Koliqi se, “Për mik, simbas zakonit shqiptar, edhe qeveria e asokohëshme e vendit tonë nuk dreshti me ia hy nji pune që mund të acaronte marrëdhëniet me ndonji prej autoriteteve të fuqishme”, të asaj kohe.
Ndërkaq, ndër të tjerë intelektualë shqiptarë të kohës, përfshir Lasgush Poradecin e të tjerë që ishin angazhuar për të shpëtuar jetën e albanologut të njohur duke dashur ta strehonin atë në Shqipëri — ishte edhe At Gjergj Fishta, i cili në një letër të datës 23 Shtator, 1939 drejtuar ish ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Franceso Jakomonit, i propozon atij që mundësonte që të sillej në Shqipëri, “Ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Europë, Profesor Norbert Jokli, me kombsi çfute, që, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e profesor gjuhsije në të njajtin universitet. Tashti, më shkruen prej Vjenet, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem që të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut”, njofton Gjergj Fishta Jakomonin
Fishta i shkruan Jakominit se do të ishte fatkeqësi për gjuhën kombëtare shqipe nëqoftse Norbert Jokli detyrohet të braktisi Evropën dhe i bën thirrje zyrtarit të lartë italian, “në emën të t’ gjithë intelektualëve shqiptarë”, që të marrë, “në konsideratë dashamirse këtë propozimin tem” ashtuqë “Shkelqësia e Juej të mundet me gjetë mundsinë e t’a bajnë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitim prues, megjithate të pershtatshëm për famën e tij si shkenctar e gjuhëtar i shquem”, përfundon At Gjergj Fishta letrën, dërguar Francesco Jakomonit, në përpjekje për të shpëtuar jetën e mikut të tij të ngushtë, Norbert Joklit.
Në Ditën Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit, me përvujtëni kujtojmë njërin prej më të mëdhejve albanologë, Norbert Joklin dhe miqtë e tij të kohës — ndër më të mëdhejt intelektualë shqiptarë — të cilët megjithë rreziqet që mund tu kanoseshin, megjithse u munduan ta ndihmonin, fatkeqsisht, nuk ia dolën ta strehonin atë në Shqipëri dhe as t’ia shpëtonin jetën e mikut të tyre të shtrenjtë dhe dashamirsit të madh të fisit shqiptar.
Për hir të vërtetës historike, kujtojmë e nuk harrojmë, por edhe falënderojmë shqiptarët e rendomtë dhe autoritetet shqiptare të asaj kohe për guyimin dhe kurajon e tre civile, përbalalë rreziqeve. Kujtojmë veçanërisht, Norbert Joklin, këtë dashamirës të fisit shqiptar, për jetën dhe veprën e tij kushtuar gjuhës dhe kulturës dhe historisë së fisit të lashtë shqiptar.
Kujtojmë dhe falënderojmë së bashku me Drejtorin e Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris, i cili në deklaratën që bëri dje me rastin e Ditës Përkujtimore të Heronjve dhe të Martirëve të Hollokaustit u shpreh se, “Ne kujtojmë guximin e Danimarkës, por edhe të Shqipërisë, Bullgarisë dhe Finlandës, për përpjekjet e tyre të jashtzakonshme në mbrojtje të komuniteteve të tyre hebraike. Ne kujtojmë shembullin e mijëra Personave të Drejtë, të cilët rrezikuan edhe jetën e tyre, ashtuqë të tjerët të mund jetonin”, ka thënë në deklaratën e tij Drejtori i Komisionit Hebraik Amerikan, David Harris,
Frank Shkreli
Profesori dhe albanalogu austriak Norbert Jokl
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë pranë OKB-së, Besiana Kadare