Nga Robert Kushe, fizikan/Në telefonin tim celular marr lloj-lloj mesazhe, fotografi a video, herë serioze, herë komike, herë paradoksale, herë të çuditshme. Nuk më kishte ndodhur të merrja mesazh te hidhur. Por ja që edhe kjo ndodhi me 20 Shkurt 2018 kur më njoftuan që një nga miqtë e mi më të shtrenjtë, një nga miqtë e mi më të rrallë kishte ndërruar jetë. Petriti nuk jetonte më, Petriti ishte larguar nga kjo botë dhe kishte filluar të ngjiste “stairway to heaven”.Kishte ndodhur diçka e keqe e pakthyeshme. Nuk do të merrja më e-mail prej tij, nuk do të flisja më me të ne skype, nuk do të kisha më kë të pyesja po të më duhej ndonjë mendim a përgjigje. Se Petriti kështu ishte, i gatshëm të diskutonte e debatonte, i gatshëm të vinte në punë logjikën e tij pa cen, i gatshëm të ndihmonte këdo që kërkonte ndihmë.Kur u emërova në Institutin e Fizikës Berthamore në vitin 1979, pasi kisha bredhur ca vjet malësinë e Mokrës si mësues i fizikës, Petritin e gjeta atje nëndrejtor dhe shef të sektorit të radiometrisë. Duhet të ishte atëhere rreth të dyzetave, po tregonte më i ri dhe kishte në fytyrë një buzëqeshje të lehtë që nuk i ndahej si kur fliste me pasionin e tij karakteristik, ashtu edhe kur qetësisht dëgjonte me vëmendje ç’i thoshe. Por ajo që më bëri të dëshëroja ta kisha mik këtë njeri, unë që gjithnjë kisha pasur probleme me autoritetin, ishte se në mënyrën më të natyrshme hendeku që zakonisht egziston midis eprorit dhe vartësit, midis atij që administrativisht jep urdhëra dhe atij që duhet t’i zbatojë, sikur mbyllej me magji.
Ishte e zakonshme të dëgjoje në korridoret e institutit: “A fole me profesor Petritin?”, “A e pyete profesor Petritin?”, “A është në dijeni profesor Petriti?”, gjë që jo vetëm tregonte autoritetin e padiskutueshëm shkencor që gëzonte Petriti në Institut, por edhe dashamirësinë që ai tregonte ndaj të gjithëve pa përjashtim, pavarësisht nga pozicioni shkencor ose administrativ i punonjësve, gjë që e bënte shumë të lehtë dhe pa komplekse komunikimin me të.
E kishte filluar shumë herët karrierën shkencore; qysh kur ishte student i Fizikës, pati botuar në revistën e Akademisë së Shkencave të BS, si bashëkautor me profesorin e vet sovjetik të Universitetit të Tiranës, një artikull me temë nga Elektrodinamika. Pas prishjes me sovjetikët dhe largimit të profesorëve sovjetikë, Petriti filloi të japë leksione të elektrodinamikës, kur ish-profesori i tij u largua. Vazhdoi karrierën pedagogjike, derisa me krijimin e Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore, më pas Instituti i Fizikës Bërthamore, u josh nga një karrierë tjetër, më sfiduese, më emocionuese e më ngacmuese, ajo e kërkuesit shkencor.
Deri në atë kohë, në Shqipëri pothuaj nuk egzistonte asnjë traditë në fizikën bërthamore, po të mos marrim parasysh këtu disa eksperimente dhe matje të thjeshta radiometrike, ndonëse praktikisht shumë të dobishme mbi radioaktivitetin natyror, të realizuara nga profesor Sotir Kuneshka. Brezi i parë i shkencëtarëve të fizikës bërthamore, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, u formësua nëpërmjet specializimeve të shumta dhe deri diku afatgjata në Kinë. Fillimet ishin të vështira, por aftësia e brezit të parë të shkencëtarëve, ndër të cilët spikat Petriti me talentin dhe këmbënguljen e vet karakteristike, bëri që ne që erdhëm më pas, të ndjenim se tashmë punonim në një mjedis ku nuk kishte më vend për dilema, a pavendosmëri. Rruga tashmë ishte e qartë, mjaftonte ta ndiqje dhe sigurisht edhe ta përmirësoje, por itinerari tashmë ishte trasuar.
Drejtimi shkencor që Petriti i dha sektorit të radiometrisë u konsolidua ndër vite dhe vazhdimisht i shtoi fushat e kërkimit dhe aplikimit. Kështu, u zhvillua fizika e neutroneve, me aktivitet qendror aktivimin neutronik me aplikime të fuqishme në fushën e kërkimeve të naftës dhe gazit natyror, teknika e matjeve me shintilatorë të lëngët, me rëndësi në fushën e aplikimeve mjekësore dhe monitorimin e mjedisit, dozimetria termoluminishente, e pazëvendsueshme në mbrojtjen e punonjësve dhe publikut nga rrezatimet jonizuese, teknikat e gjurmuesve radioaktivë me aplikime të shumta në industri dhe projektimin e ndërtimin e porteve detare.
Petriti vetë, krahas punës drejtuese në sektor, punonte me këmbëngulje në laboratorin e shintilatorëve të lëngët. Puna e tij e palodhshme me tritiumin dhe përdorimin e tij në zbulimin dhe mirëmbajtjen e puseve të naftës i dha, plotësisht të merituar, gradën “Doktor i Shkencave”, nga të parat, në mos e para në fushën e fizikës bërthamore në Shqipëri.
E paharruar mbetet për mua koha që punuam së bashku me Petritin dhe kolegë të tjerë kur ndodhi aksidenti i Çernobilit. Orë pa fund matjesh, përsijatjesh, diskutimesh, dilema çfarë të raportohet, çfarë të mos raportohet. Drojë, se si do të priteshin rezultatet nga qeveria. Shpesh e ndjemë vehten si në buzë të greminës. Në fund erdhi edhe çlirimi, kur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në Vjenë filluan të vinin të dhëna që konfirmonin rezultatet tona me ato të vendeve fqinje, Italisë, Greqisë, Jugosllavisë. Një artikull shkencor me këto të dhëna me titull “Radioactive contamination in Albania following the Chernobyl accident” na u pranua për botim dhe u botua në revistën shkencore “Journal of Radioanalytical and Nuclear Chemistry.”
Erdhi viti 1990, viti kur nuk mjaftonte më të ishe vetëm shkencëtar, viti kur shumë intelektualë, në një mënyrë a një tjetër ndjenë se kishte ardhur koha të merrnin pjesë aktivisht dhe tashmë më lirshëm në veprimtari që mund të mos lidheshin drejtpërdrejt me punën në laborator. Petriti drejtoi disa mbledhje të kolektivit gjatë kësaj periudhe, ku spikati edhe një herë shpirti tolerant dhe logjika e fortë, gjakftohtësia dhe maturia tipike, që veç të tjerave, bënë që një pjesë e mirë e kolektivit të Institutit te Fizikës Bërthamore të përfshihej në lëvizjen demokratike dhe të jepte kontributin e vet në zhvillimin e ngjarjeve te rëndësishme të asaj kohe.
Petriti u largua nga Instituti, atëhere kur u thirr të kontribuonte në pozicione të larta administrative. Kompetenca dhe profesionallizmi i tij tashmë kërkohej në nivele të tjera, jo thjesht në laborator, por në fushën e madhe të drejtimit të shkencës shqiptare. Kështu ai shërbeu si Kryetar i Komitetit te Shkencave dhe Teknikës dhe më vonë si zv. Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku edhe doli në pension.
Gjatë kohës që Petritit punonte në Akademi, m’u dha rasti të isha së bashku me të, pjesë e delegacionit që përfaqsonte Shqipërinë në Konferencën e Përgjithëshme te Agjencisë Ndërkombëtare te Energjisë Atomike ne Vjenë. Atje pata mundësinë edhe një herë më shumë, të shihja sa i zoti ishte Petriti në krijimin e marrëdhënieve të mira dhe sa lehtë dinte të komunikonte me njerëz të kombësive të ndryshme që punonin në Agjenci dhe prej të cilëve varej sasia dhe cilësia e projekteve që Shqipëria realizonte me Agjencinë në kuadrin e kooperimit teknik
Sa shkrova më lart i dinë shumë njerëz. Ka edhe më shumë njerëz që nuk i dinë. Unë thjesht, shpresoj që nëpërmjet këtij vajtimi, të kem treguar ato veti, ato tipare që do t’i bënin edhe ata që nuk patën fatin ta njihnin Petritin nga aq afër sa e njoha unë, të çmojnë sa e madhe është humbja kur nga ne largohen njerëz me staturën e Profesor Petrit Skëndes. Nëse kam harruar ndonjë gjë pa shkruar, më ka ndodhur prej hidhërimit. Më fal, Petrit.
Lamtumirë dhe u prehsh në paqe, i dashur Petrit, të qoftë dheu i lehtë.
Ontario, më 22 Shkurt 2018
Robert Kushe, fizikan