• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

14 DHJETORI, DATË HISTORIKE PËR ELBASANIN DHE DEMOKRACINË

December 13, 2023 by s p

Prof.Dr. Roland Gjini/

Nuk janë të pakta rastet në historinë shqiptare që Elbasani dhe qytetarët e tij kanë dhënë shembuj të çmuar, madje kanë paraprirë ngjarje të mëdha historike. Më 25 nëntor 1912 ishte i pari qytet në Shqipëri që parapriu ngritjen e flamurit të Pavarësisë. Ky qytet kishte nxjerrë edhe më parë burra në zë, që paraprinë dhe organizuan mësimin e shkollën shqipe, duke nisur nga Dhaskal Todri e Kostandin Kristoforidhi e duke vazhduar më tej me Aleksandër Xhuvanin e shumë të tjerë. Ky qytet i dha vendit burra që do të ideojnë e do të formojnë, më pas, shtetin e pavarur shqiptar, si Aqif Pashë Elbasanin, Lef Nosin, Qemal Karosmanin, Shefqet Daiun e të tjerë. Edhe gjatë funksionimit të shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1912-1939, nuk ishin të pakët personalitetet elbasanas që kontribuan si në politikë, ashtu edhe në zhvillimin shoqëror e kulturor të vendit. Po nga ky qytet nuk ishin të paktë burrat e gratë që luftuan kundër pushtuesve nazi-fashistë. 

Muajt e vjeshtës dhe të dhjetorit u kujtojnë elbasanasve mjaft ditë e data të shënuara, të regjistruara këto përgjatë dekadave të Rilindjes së popullit shqiptar, përgjatë përpjekjeve të tij në rrugën e pavarësisë, lirisë e përparimit. Kështu, janë të paharruara jo vetëm nga kujtesa e historisë, por e çdo qytetari elbasanas data të tilla si:

-2 Shtator 1909 – Kongresi historik i Elbasanit.

-Pranojmë edhe 11 Nëntorin e vitit 1944 si ditë të çlirimit nga pushtuesit fashistë e nazistë.

-25 Nëntor 1912 – Shpallja e pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar.

-1 Dhjetor 1909- Hapja e shkollës Normale.

Gjatë viteve të regjimit totalitar,nëntorit dhe dhjetorit do t’i shtoheshin edhe data përkujtimore të tjera, që përfaqësonin kryesisht revolucione apo ditëlindje udhëheqësish komunistë, por që të jemi realistë, populli i Elbasanit nuk arriti t’i ndjejë asnjëherë këto data si festa apo ditë nderimesh. Po të shtojmë këtu faktin që gjatë këtyre viteve, pushtetarët e lartë të dalë nga Elbasani do të ishin të paktë, atëherë do të pranonim që këto janë shenja të mospajtimin në masë të qytetarëve të këtij qyteti me diktaturën komuniste. Mospajtim ishte edhe heshtja e e këtij qyteti dhe mungesa e entusiazmit në tubimet popullore që zhvillonte herë pas here partia-shtet e asaj kohe. 

Elbasanasit e duruar e të matur, por asnjëhere pasivë, si në çështjen kombëtare, ashtu edhe në rrugën e zhvillimit e përparimit, paraprinë përsëri procesin e progresit kombëtar. Nëse dekadada më parë, me ngritjen e të parit flamur në 25 nëntor të vitit 1912, paraprinë aktin e patriotëve shqiptarë që u mblodhën më pas e shpallën pavarësinë kombëtare në Vlorë më 28 nëntor të 1912-tës, tashmë me ngjarjet e 14 dhjetorit të vitit 1990 elbasanasit paraprinë procesin e rrëzimit të komunizmit.

Heshtja, në dukje, për Elbasanin gjatë vieteve të komunizmit nuk vazhdoi gjatë. Pa u mbushur dy ditë nga shpallja e plurazmit dhe nga formimi i Partisë Demokratike, Elbasani shpërtheu. Djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më guximtare të tij dolën në shesh dhe u përballën me diktaturën, e cila ishte egërsuar ngaqë kishte kuptuar që po vinte agonia e saj. Ditën e 14 dhjetorit 1990 nga pak nismëtarë numri i tyre shumë shpejt kaloi në qindra. Të rinjve iu bashkuan edhe moshat më të rritura. Djemve dhe burrave iu bashkuan edhe vajza dhe gra. Punëtorëve dhe intelektualëve iu bashkuan edhe të rinj edhe studentë. Pra demonstrimi mori përmasa masive.

Pas afro gjysëm shekulli, ishte 14 dhjetori i vitit 1990, hapi i parë për t’i rikthyer Elbasanit dinjitetin e datave e ditëve të shënuara të nëntorit e dhjetorit. Elbasanasit e duruar e të matur, por asnjëhere pasivë, si në çështjen kombëtare, ashtu edhe në rrugën e zhvillimit e përparimit, paraprinë përsëri procesin e progresit kombëtar. 14 dhjetori i vitit 1990 është vështirë të hiqet nga kujtesa e qytetarëve të vet, pse jo, edhe e shqiptarëve. Lidhur me këtë ditë problemi nuk qëndron te numri i atyre që dolën në shesh, pasi të gjithë ne jemi dëshmitarë për të gjykuar mbi atë ditë. Pjesa më e madhe e elbasanasve, megjithëse nuk mori pjesë në protestë, brenda vetes i dha të drejtë guximit të atyre që dogjën simbolet e dikaturës, tanke, libra të Enver Hoxhës, apo simbole të varfërisë e prapambetjes, siç ishin ata pak autobuza rrangallë që transpotonin punëtorë. Nga ana tjetër, të paktë qenë ata që nuk u pajtuan me veprimet e protestuesve. Rregjimi në fuqi i asaj kohe, madje edhe disa nostalgjikë të sotëm, e cilësojnë këtë ditë si “shfaqje rrebelimi rrugaçësh”, që sipas tyre turbulluan qytetin dhe dëmtuan “pasurinë socialiste”, kur tashmë dihet që vjedhjet e shkatërrimet e dyqaneve i kryen provokatorët e futur nga sigurimi i shtetit. Kjo pasi diktatura e pranonte revolucionin, por vetëm për vete, për ruatjen e pushtetit të saj.

Në planin historik lëvizja e 14 dhjetorit nuk ishte as spontane dhe as shkatërrimtare e antikombëtare. Ngjarjet e 14 dhjetorit të vitit 1990 në Elbasan nuk ishin as revolucion, e as kryengritje rebele. Ato ishin një shpërthim popullor, në emër të mllefit të grumbulluar, nga njëra anë, dhe idealeve të reja të shfaqura menjëherë nga Lëvizja Studentore në Tiranë dhe krijimi i Partisë Demokratike, nga na tjetër.

Fakti që në këtë lëvizje nuk pati gjakderdhje nuk ka të bëjë me tolerancën e pushtetit të asaj kohe, por me largpamësinë e popullit elbasanas. Nuk ishte nevoja të ndeshej me forcat policore, megjithëse këta u urdhëruan të ushtrojnë dhunë mbi protestuesit. Populli e kishte të qartë se ato ishin vetëm leva të një rregjimi që po i vinte fundi. Kur flet populli, flet e vërteta, mbase këtë e kuptuan edhe policët e thjeshtë të asaj kohe. Dhe kështu ndodhi, revolta e 14 dhjetorit dhe e ngjarjeve që pasuan më pas rrëzuan godinën karakatinë të pushtetit komunist.

14 dhjetori u rendit në ditët e shënuara të krenarisë elbasanase për disa arsye:

–Së pari, këtë ditë djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, të rinjtë dhe studentët pjesëmarrës në këtë ngjarje i treguan qytetarëve të vet dhe gjithë Shqipërisë se jo vetëm janë kundërshtarë të regjimit diktatorial, por edhe aktorë aktivë për rrëzimin e komunizmit,

–Së dyti, kjo datë shprehu solidarizimin e elbasanasve me Lëvizjen Studentore të Tiranës, si dhe me të tërë lëvizjet parardhëse antikomuniste të ndodhura në Shkodër, Kavajë, Tiranë e në qytete të tjerë,

–Së treti, me anë të veprimeve në dukje të pakontrolluara, por për mendimin tim të menduara mirë, protestuesit thyen disa tabu dhe dhanë disa shembuj se si mund të shembet sistemi komunist, i padëshiruar nga shumica e shqiptarëve.

Kështu, me djegjen e ndonjë autobusi u dha simboli i daljes nga skllavërimi dhe trajtimi mizerabël i punëtorëve, të cilët udhëtonin me këto fizarmonika të shtrembëruara e të shqyera e që fusnin brenda ujë, të ftohtë e pluhur. Me djegjen e shkatërrimin e ndonjë tanku apo makine policie u dha sinjali i urrejtjes ndaj pushtetit shtypës. Me djegjen e librave të diktatorit, që u nxorën nga libraritë e qytetit, u shfaq hapur kundërshtia e elbasanasve ndaj ideologjisë komuniste dhe ndaj të ashtuquajturës vijë udhëheqëse të Partisë së Punës. Ndërsa vjedhjet e shkatërrimet e disa dyqaneve i kryen provokatorët e futur nga sigurimi i shtetit.

Lind pyetja: A kishin të drejtë përfaqësues të popullit të Elbasanit të ngriheshin në këtë mënyrë në 14 dhjetor? Mendoj se po. Për të argumetuar këtë pohim po citoj përcaktime të disa personaliteteve të shquara të mendimit njerëzor apo teoricienë të demokracisë. Kur një sistem është i padëshiruar për popullin është po populli që e rrëzon atë. Që në shekullin e XVI rilindasi italian Makiaveli thoshte “Vox populi, vox Dei”, fjala e popullit është fjala e zotit. Pra, për dekada me rradhë, regjimi dikatorial ishte bërë i padurueshëm për popullin, dhe 14 Dhjetori qe shenja e parë e dukshme që populli është gati ta rrëzojë atë.

Por, si mund të rrëzohej ky rregjim? Me revolucion, si në kohërat e shekujve XVI-XIX kur në Evropë e më gjerë u përmbysën monarkitë absolute totalitare dhe u hap rruga drejt qytetërimit modern perëndimor në Angli, Francë, Gjermani etj. Jo. Revolucioneve shoqërore jo vetëm u ka kaluar koha, por ata u bastarduan dhe kaluan në luftëra të ashpra civile gjatë shekullit XX, kur fillimisht në Rusi e pastaj në mjaft vende të Lindjes revolucionet u kthyen në bolshevike, proletare apo socialiste.

Këta revolucione jo vetëm shkaktuan gjakderdhje, por pas fitores vendosën dikatura të reja, më të egra se regjimet monarkike absolute mesjetare. Koha të cilën po përjetonte Shqipëria kërkonte arritjen e demokracisë me rrugë demokratike. Protesta mbarëpopullore është provuar se është rruga më e efektshme për të sjellë e për të forcuar demokracinë.

Demokracia e re që po kërkohej të vendosej do ndiqte rrugën e vet të sigurtë e të pakthyeshme. Të gjithë sistemet dhe të gjitha regjimet pretendojnë se punojnë në emër të popullit, madje jo vetëm monarkitë absolute por edhe diktaturat. Sistemi demokratik ndryshon nga ai totalitar se i shërben popullit dhe nuk mburret se vepron në emër të tij.

Studiuesi i demokracisë amerikane, historiani dhe diplomati francez Aleksi Tokëvil (Alexis de Tocqueville), thotë se në themel të demokracisë qëndron sovraniteti i popullit. Por, vazhdon më tej ai, gjatë ushtrimit të qeverisjes demokratike ky sovranitet qëndron i fshehur, ky sovranitet respektohet pa u njohur.

E përmenda këtë përcaktim për të gjykuar sot, pas 22 vjetësh mbi rolin e pjesëmarrësve në ngjarjet e 14 dhjetorit. Ishin me dhjetra e qindra guximtarët që zgjuan Elbasanin nga letargjia që i kishte vënë komunizmi. Ata u përballën me tanket e forcat shtypëse të regjimit. Disa edhe u burgosën. 14 Dhjetori u pasua me ngjarje e situata të reja e të shpeshta, që si një zinxhir çuan deri në përmbysjen e rregjimit komunist.

Sot, po të kthejmë kokën pas, shohim që këta heronj heshtin, ose të paktën nuk mburren për atë çfarë kanë bërë. Shumë prej tyre janë të kënaqur me përmbysjen e regjimit dhe kanë shfrytëzuar mundësitë e reja që hapi periudha post-komuniste demokratike, sidomos ekonomia e tregut. Disa të tjerë janë mjaftuar me gjetjen e një pozicioni sa për të jetuar, disa madje mund të themi që edhe sot mund të kenë vështirësi jetese. Më tej, me keqardhje kujtojmë, se disa prej tyre nuk jetojnë më.

Kanë kaluar shumë vite nga 14 Dhjetori 1990, të lindurit e këtejshëm kanë krijuar një brez më vete. Lind pyetja: A është realizuar qëllimi i dhjetoristëve të Elbasanit dhe të krejt Shqipërisë për ëndrrën europiane? Për fat të keq jemi ende larg realizimit të kësaj ëndrre. Tranzicioni po zgjat, por ky tranzicion, të paktën, nuk duhet të na pengojë të respektojmë ata që na sollën të parët ndër mend se rruga e vetme e përparimit të shqiptarëve është rruga drejt Evropës. Këta janë heronj, pasi heronjtë nuk shfaqen rëndom, por ata i nxjerr koha në momentet më kyçe të historisë së një kombi.

Elbasani dhe shoqëria u ka mjaft borxhe këtyre heronjve. Mbi të gjitha është respekti dhe vlerësimi për veprën e tyre. Prandaj, që kjo vepër të mos hiqet nga kujtesa jonë dhe e brezave që vijnë më pas, lipset të përjetësohet e shpërblehet, jo me rrugë ekonomike e poste politike, por së paku me një monument, ashtu siç është përjetësuar, për shembull, kontributi i elbasanasve në kulturën e arsimin kombëtar, me anë të obeliskut të ngritur në qendër të qytetit. Veprën e tyre të madhe nuk mund ta nxëjë dot një pllakë e vogël përkujtimore, por një monument i madh, ku së paku të shkruhen emrat e këtyre heronjve, sado që të jenë ata.

Nëse sot ne kujtohemi për këta heronj vetëm një herë në vit, të jeni të sigurtë se historia ata nuk do t’i harrojë. Ata vetë e kanë treguar modestinë e tyre, nuk flasin e nuk mburren për atë që kanë bërë. Por, do të jenë jo vetëm historianët që do të shkruajnë për ta, por edhe populli, që do t’i ruajë gjatë në kujtesën e tij, si emrat ashtu edhe veprën heroike të tyre.

Mirënjohje përjetë heronjve elbasanas të 14 Dhjetorit. U shkruaftë me gërma të arta emri i tyre, në mos në ndonjë monument apo pllakë përkujtimore, të paktën në mendjen dhe zemrat e elbasanasve dhe të tërë shqiptarëve. 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: roland gjini

KUR ËSHTË HEDHUR PËR HERË TË PARË IDEA E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË?

November 25, 2023 by s p

Prof. dr. Roland Gjini/

Idetë dhe platformat për mënyrat e qeverisjes së shqiptarëve janë shfaqur që me fillimet e Rilindjes sonë kombëtare, ose së paku që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e më pas. Nga historianët shqiptarë është pjekur mendimi se deri në prag të shpalljes së  Pavarësisë krerët e lëvizjes sonë kombëtare e më gjerë në kërkesat dhe projektet e tyre janë përqëndruar pothuaj vetëm në qeverisjen në formën e autonomisë në raport me Portën e Lartë. Kjo kërkesë ka dalë në plan të parë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), në Lidhjen e Pejës (1899), në momerandumin e Grëçës (1911), në Kryengritjet antiosmane 1911-1912, etj. Sipas tyre autonomia asokohe kërkohej në kushtet kur vendet fqinje, që kishin fituar pavarwsinw nw raport me Perandorinw  Osmane, filluan të shfaqin tendenca shoviniste sidomos ndaj tokave shqiptare, ende nën sundimin osman. Prandaj shqiptarëve u duhej varësia politike dhe ushtarake nga Stambolli, për ta patur si mburojë ndaj planeve e qëllimeve shoviniste fqinje. Vetëm në vjeshtën e vitit 1912,  kur shpërtheu Lufta e Parë Ballkanike, ku aleatët ballkanike u hodhën kundër Perandorisë Osmane, krerët e lëvizjes sonë të Rilindjes Kombëtare ndërruan platformë, me iniciativë të Ismail Qemalit, në dhjetëditëshin e fundit të muajit nëntor 1912, kaluan nga kërkesa për autonomi në kërkesën për pavarësi të plotë të shtetit të ri shqiptar. Ky ndryshim u shpjegua me faktin që në kushtet e fitoreve të shteteve ballkanike si Bullgaria, Serbia, Mali i ZI dhe Greqia, Perandoria Osmane po shkonte drejt greminës, ajo tashmë nuk është në gjendje të mbrojë veten e jo më tokat shqiptare. Prandaj, thoshte Ismail Qemali, shqiptarët duhet t’i dalin zot vetes e t’u tregojnë vendeve te tjera evropiane se nuk kanë të bëjnë më me Perandorinë Osmane. Kjo platformë u dëshmua se ishte zgjidhje e zgjuar dhe u finalizua me sukses nga vetë shqiptarët më 28 nëntor 1912.   

Të dhënat dokumentare dëshmojnë ndryshe, ato tregojnë që ide dhe platforma për pavarësi të Shqipërisë janë hedhur vite përpara se të kërkohej kjo pavarësi në vjeshtën  e 1912-tës. Lidhur me formën e qeverisjes së Shqipërisë, elbasanasi Lef Nosi ishte ai që do të evoluojë që herët nga platforma e autonomisë drejt idesë së pavarësisë. Ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike Ana Kombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party). Interesant këtu është fakti që të tre këta personalitete përfaqësojnë secili një nga besimet fetare të pranishme asokohe në Shqipëri: ortodoksinë, myslimanizmin dhe katolicizmin. Nga ky moment e më tej do të kemi përherë, të paktën që në prag të Luftës së II Botërore, përfaqësim në raporte të pranueshme të pjesëmarrësve nga besime të ndryshme në ngjarje të tilla politike, kulturore, arsimore e patriotike si tubime, kongrese, memorandume, kuvende, e deri te përfaqësues të Qeverisë së shtetit shqiptar.

Organizata politike  Ana Kombtare e Shqipërisë, e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, ka qenë e pajisur edhe me programin e saj të qartë prej 24 pikash. Është për t’u vlerësuar fakti se Lef Nosi, si intelektual i kujdesshëm dhe largpamës, mbante rregullisht shënime për ngjarje e dukuri të rëndësishme të kohës. Shpesh shënimet e tij, të ruajtura me kujdes, shërbejnë si burim kryesor historik për studiuesit e sotëm. Në rastin tonë, programi dhe roli i organizatës Ana Kombëtare njihet mirë pikërisht në sajë të shënimeve të tij, të arshivuara në dosjen e lartpërmendur. Në to, Lef Nosi thekson pikat më të rëndësishme të programit, duke i zbërthyer, komentuar e sqaruar ato.  Ndalet fillimisht në 5 pikat më kryesore, të cilat shprehin në mënyrë thelbësore idetë për ngritjen e funksionimin e shtetit të pavarur shqiptar. Që në pikën e parë, shteti i ri shqiptar përcaktohet si i pavarur nga ndonjë fuqi tjetër, ndërsa në pikën 2, ky shtet ideohet në formën e monarkisë, me mbret një princ nga dyert mbretërore të Evropës. Në shënimet e tij, Lefi, del hapur si përkrahës i flaktë i monarkisë, duke sjellë si shembull Norvegjinë, që kaloi nga republika në monarki me mbështjetjen e Europës. Prandaj ai thekson se “Është fat të besojmë se Evropa monarkike do t’na lejojë, në u çlirofshim, të jemi mbretëri më vete. Edhe sikur të duam të jemi ndryshe e të zgjedhim një princ jashtë këtyre dyerve, s’na dëgjojnë fuqitë e mëdha. Ndaj është mirë që gjithë burrat me mendje të pjekur duhet të kuptojnë këtë e mos largohen nga realiteti në ëndërrime e shpresa të kota”. Sa i takon hapësirës gjeografike të shtetit të pavarur shqiptar, në programin e Anës Kombëtare në një pikë më vete jepet përfshirja në fjalën “Shqipëri” të 4 vilajeteve, të Janinës, Shkupit (Kosovës), Manastirit dhe Shkodrës. Në një pikë tjetër të programit përvijohet qëndrimi që do të mbahet ndaj pakicave kombëtare, greke apo sllave, që ndodhen brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. “Sllavëve e grekëve që kanë mbetur në këtë anë të kufirit mund t’u shpërblehet toka nëse duan të ikin, o mund të ndreqen me anë të një komisioni të veçantë me shkëmbimin e tokës dhe gjësë me shqiptarët e mbetur në atë anë të kufirit dhe që duan të zënë vend në mbretërinë shqiptare.” Drejtuesit e Anës Kombëtare në programin e shpallur, në një pikë të veçantë, sigurojnë lirinë dhe barazinë e shtetasve me kombësi jo shqiptare brenda kufijve të shtetit shqiptar: “Të gjithë subjektet e Mbretërisë që s’janë shqiptarë nga gjaku do të gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët, do t’u sigurohet liria e pasuria.” Nisur nga modeli i shteteve monarkike moderne të Europës, në program shteti i pavarur shqiptar përcaktohet laik: “Mbretëria shqiptare do të rrijë e paanshme në fe e fetë. Çdo feje do i sigurohet lirija sipas kanuneve.”

Pikat në vazhdim, të komentuara nga Lef Nosi, paraqesin në mënyrë të detajuar organizimin e Anës Kombëtare, nga qendra (Londra) deri në degët e saj nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri. Pika (artikulli) 11 tregon se qendër e organizatës Ana Kombëtare është zgjedhur Londra, ndërsa Lef Nosi argumenton faktin përse pikërisht ajo, duke theksuar se është “… vendi më i mirë nga pikëpamja politike, vend që garanton lirinë e paanësinë. … Grand Britania (GBR) e SHBA, e sidomos Grand Britania, është më afër Shqipërisë. Në Angli u gatua liria e grekëve, bullgarëve e shumë viseve të tjera, është ajo që drejton mendjet e botës, opinionin publik të kombeve të qytetëruara. Pra, Londra duket vendi më i mirë për politikën tonë.”

Lidhur me organizimin e Anës Kombëtare Programi parashikon që anëtarët e secilës degë në qytetet shqiptare do të zgjedhin nga një të parë (kryetar) dhe tre këshilltarë, për çdo tre vjet. Kryetari zgjedh një o më shumë sekretarë. I pari do të ketë tri detyra: a. të përhapë programin e Anës Kombëtare, b. të ndërtojë e drejtojë politikën e jashtme të Anës …, c. të mbajë disiplinën mes anëtarëve të Anës … Ndërsa këshilltarët e sekretari do të ndihmojnë kryetarin e do të kontrollojnë mbledhjen e pagesave.

Programi i Anës Kombëtare, në mënyrën e të hartuarit, nuk ishte formal e as shabllon, ai ishte konkret dhe mbështetej fort në traditën dhe psikologjinë e shqiptarëve. Prandaj në të theksohej se “Parimi themelor … do jetë besa, burrëria, drejtësia e njerëzia. Kryefjala e Anës do të jetë “energji pa shterim””, shkruhet në të. 

Lefi Nosi, duke marrë përsipër të sqarojë e komentojë synimet e programit pikë për pikë, mes të tjerash, kundërshton “gojët e liga”, që flasin për përçarjen e qëndrimin e ftohtë të shumë atdhetarëve shqiptarë të dalë nëpër Evropë, në lidhje me çështjen kombëtare. Ai thekson se programi s’është i nevojshëm vetëm për të huajt, por sidomos për shqiptarët që duan të dinë se ku po i çojmë. “… kta shqiptarë duhet të dinë se kur të kërkojnë ndijmën e një vendi të huaj do ndeshen me tre pyetje: “1. Cilin keni udhëheqës? 2. Në emër të kujt flisni? 3. Cili është programi juaj? Pasi njohin programin tonë do të na ndihmojnë jo se jemi komb i vjetër, trim e i nderë, por se kërkojmë gjëra të arsyeshme e të drejta.” Duke i tërhequr vëmendjen elitës shqiptare për bashkim dhe qartësi mendimi, ai jep porosi në lidhje me programimin e lëvizjes kombëtare drejt pavarësisë: “Nëse doni të më bëni që të punoj për ju duhet të më thoni se ç’qëllim keni. Thërrisni të kërkoni ndihmën time në emër të bashkimit, por duhet të më tregoni themelet mbi të cilët më thërrisni ta kërkojmë bashkimin tonë. Këtë e bën programi, që është themeli i çdo bashkimi …”

Duhet të pranojmë që programi i Anës Kombëtare nuk u vlerësua nga një pjesë e mirë e elitës kombëtare, sidomos nga shtresa konservatore çifligare, duke ditur lidhjet e saj me Turqinë, domosdo që këta, në këtë kohë, nuk mund të ishin për shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Gjithashtu, në shpërfilljen që pjesa më e madhe e elitës shqiptare i bëri Anës Kombëtare, mund të ketë ndikuar edhe shpresa e tyre nga Lëvizja Xhonturke, që premtoi disa liri, deri në autonomi, për popujt e Perandorisë. Në fakt Lef Nosi, ashtu si Faik Konica, nuk besoi shumë në premtimet e xhonturqve, një arsye më shumë kjo që i shtyu ata drejt idesë së pavarësisë së shqiptarëve. Megjithatë, pranonte edhe vetë Lefi, ndoshta kërkesa drejt pavarësisë mund të jetë e parakohëshme, duke menduar se ende nuk ishin krijuar kushtet e brendshme për zgjidhje radikale, dhe duke shpresuar në ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, ai parapëlqente zgjidhjen e saj me rrugë paqësore. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1908, euforia e ideatorëve shqiptarë të Londrës për pavarësi nuk gjeti përkrahje të gjerë dhe Ana Kombëtare nuk arriti të organizohej në viset shqiptare. Po këtë vit, 1908, Lef Nosi u kthye nga Anglia në atdhe.

Pas ardhjes në Elbasan Lef Nosi do të bëhet një veprimtar i flaktë i çështjeve kombëtare, si përhapjes së arsimit e shkollave shqipe, ngritjes e drejtimit të klubeve e shoqërive patriotike, pjesëmarrës në kongrese të ndryshme, botues i gazetës “Tomorri”, etj. Ai do të jetë krahu i djathtë i patriotit të shquar elbasanas, Aqif pashë Biçakçiu dhe bashkë me të e figura të tjera elbasanase do të përkrahin pa mëdyshje thirrjen e Ismail Qemalit për shpalljen e pavarësisë së vendit në kushtet e Luftës I Ballkanike, ku fuqitë ushtarake të shteteve fqinje po depërtonin thellë në tokat shqiptare dhe Porta e Lartë jo vetëm nuk ishte në gjendje t’i ndalonte ato, por po shkonte vetë drejt rënies nga lufta e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: roland gjini

PROFESOR ROLAND GJINI DHE PUBLICISTI VAID HYZOTI VIZITUAN VATRËN

May 24, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 24 Maj 2023 – Prof.Dr. Roland Gjini, Përgjegjës i Qendrës Albanologjike dhe Ballkanologjike pranë Universitetit Aleksandër Xhuvani Elbasan dhe poeti e publicisti Vaid Hyzoti vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Prof. Gjini do të hulumtojë në Bibliotekën Shkencore të Vatrës temën: “Vatra, Dielli dhe çështja e Kosovës 1981-1999”. Së bashku me Prof.Gjinin dhe poetin Vaid Hyzoti veprat e të cilit gjenden në Bibliotekën e Vatrës, kujtuam me nderim dhe respekt rolin dhe kontributin historik të Vatrës e Diellit në shërbim të çështjes kombëtare. Personalitetet, miq të Vatrës e Diellit u shoqëruan nga gazetari Ylli Dosku, kryetari i degës së Vatrës në Ridgewood, New York. Federata Vatra dhe gazeta Dielli shprehin mirënjohje dhe nderim të veçantë për kërkuesit shkencorë që nxjerrin në pah kontributin e Vatrës, Diellit dhe mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në dobi të shtetit e kombit shqiptar.

Filed Under: Vatra Tagged With: roland gjini, Sokol Paja, Vaid Hyzoti

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT