Intervistë me Gëzim Alpion, nismëtarin e peticionin online që i kërkon qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të qershorit, ndërtimin sa më shpejt dhe me standarde të Rrugës së Arbërit/
Prej gati dy javësh ju keni përcjellë për publikun një peticion mbi përfundimin e Rrugës së Arbërit, e cila do t’i dorëzohet qeverisë së ardhshme. Ky peticion deri më tani ka marrë një numër të konsiderueshëm nënshkrimesh, gjë që tregoi se Ju keni prekur një çështje të ndjeshme për njerëzit. Si lindi ideja e peticionit?
Zvarritja e ndërtimit të Rrugës së Arbërit ka vite që më shqetëson si dibran. Rruga është një çështje që unë e diskutoj sa herë që kthehem në Shqipëri, veçanërisht me intelektualët dibranë në Tiranë.
Jam treguar i përmbajtur, që të mos komentoj në media për këtë çështje, me shpresë se, me gjithë vonesat, rruga do të përfundohej. Po ashtu, në një farë mënyre, nuk kam dashur që shqetësimi im të keqkuptohet apo më saktë, të keqinterpretohet, si përpjekje për të “mbajtur anën” e krahinës time. Por, siç thonë anglezët, “bamirësia fillon në shtëpi” (charity begins at home), dhe Dibra është “shtëpia” ime.
Për herë të parë e kam shprehur publikisht shqetësimin për vonesat në ndërtimin në kohë të Rrugës së Arbërit në korrik të vitit 2012, kur u ndala në këtë temë gjatë intervistës televizive në studio me z. Roland Qafoku.
Dibranët janë njerëz me sedër, mikëpritës, bestarë, fjalëpakë dhe tepër të zgjuar. Mbi të gjitha, dibranët nga natyra janë të duruar. Por edhe durimi i dibranëve ka një kufi.
Ne dibranët kemi një lidhje shpirtërore me Dibrën, që është e një natyre mitologjike. Si shumë dibranë të tjerë që janë larguar nga Dibra apo Shqipëria, edhe unë Dibrën e kam marrë me vete që kur u largova nga Peshkopia në moshën 14 vjeç për të studiuar në Tiranë. Në Peshkopi kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme dhe, në një farë mënyre, fëmijëria është atdheu.
Megjithatë, ka ardhur koha që, të jesh krenar për Dibrën, nuk është e mjaftueshme. Si shumë krahina të tjera në veri dhe jug, Dibra kërkon me të drejtë që të mos lihet më në harresë. Por për të bërë Dibrën në radhë të parë duhet të lëvizim vetë ne dibranët. Dhe për Dibrën mund të kontribohet jo vetëm duke jetuar në Dibër apo në Shqipëri.
Unë do t’ju bëja thirrje të gjithë dibranëve kudo që janë të punojë në “mënyrë vullnetare” për Rrugën e Arbërit të paktën një orë. Nuk them të shkojmë të punojmë fizikisht për ndërtimin e rrugës, por të harxhojmë një orë duke u dërguar mesazhe personale me Email, Facebook, Linkedin dhe Twitter miqve. Mesazhet personale janë gjithmonë të efektshme. Le të sigurojë çdo dibran të paktën 10 nënshkrime për këtë peticion.
Krahina si Dibra janë zemra e Shqipërisë dhe, po qe se vazhdojmë t’i lëmë në prapambetje këta “zona të largëta” (për një vend të vogël si Shqipëria, një shprehje e tillë nuk tregon distancë në kuptimin gjeografik, por prapambetje në zhvillim), siç ka ndodhur në historinë një shekullore të shtetit shqiptar, atëherë kemi frenuar verbërisht zhvillimin e atdheut. Përpara se të shkojmë në Evropë, le të shkojmë në Dibër dhe krahina të tjera të Shqipërisë, dhe nuk e kam fjalën vetëm për rrugën.
Dibra ka qenë gjithmonë e gatshme të sakrifikohet e para për çështjen kombëtare si në luftë kundër agresorëve turq e serb, ashtu edhe ndaj pushtuesve fashistë e nazistë. Po Dibra që gjithmonë ka dhënë, tani edhe duhet të kërkojë. Dibra dhe dibranët duhet të flasin dhe ky peticion është zëri i ne dibranëve të thjeshtë që jemi të ndërgjegjshëm për vlerat unike njerëzore, historike dhe kulturore që Dibra përfaqëson në plan kombëtar.
Çfarë qëllimi ka dhe kujt i drejtohet?
Qëllimi i peticioni është që t’ia bëjë të qartë qeverisë së re që do të rezultojë nga zgjedhjet në qershor të këtij viti se Dibra do ta kërkojë me ngulm përfundimin e Rrugës së Arbërit.
Ky peticion nuk do të mbyllet në qershor; qershori do të jetë, në fakt, koha kur ky peticion do të fillojë në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Unë do të jem i angazhuar me peticionin derisa të inagurohet rruga Peshkopi-Tiranë. Në këtë drejtim nuk do të ketë kompromis. Ky është edhe mendimi i dhjetëra e qindra dibranëve që unë njoh personalisht apo që nuk i kam takuar ndonjëherë, të cilët më shkruajnë çdo ditë për të ndarë mendimet e tyre me mua.
Peticioni nuk ka natyrë politike. Unë, personalisht, nuk kam qenë kurrë dhe nuk jam i aderuar në ndonjë parti politike në Shqipëri. Peticioni nuk do të përdoret nga asnjë forcë politike. Se si do të votojnë dibranët në qershor, ajo është mes tyre dhe ndërgjegjes së tyre.
Nga mesazhet që merrni nga nënshkruesit, cila është përshtypja juaj mbi efektin që po jep peticioni në publik?
Mesazhet e shumta që kam marrë këto ditë nga miq dhe shokë jo vetëm bashkëkombas, por edhe të huaj më kanë prekur shumë. Po ju përmend vetëm dy mesazhe: një mik i vjetër nga Gjirokastra më shkroi se do ta nënshkruajë peticionin “pasi jam shqiptar dhe e di mirë se nuk ka vetëm Shqipëri të Veriut dhe të Jugut, por edhe Dibër të Shqipërisë!”; ndërsa një mik i vjetër nga Berati më shkroi se nënshkrimin e peticionit e shikon si “detyrë”.
Mesazhe përkrahëse kam marrë edhe nga miq dhe njerëz të panjohur nga Vlora, Shkodra, Gramshi, Prishtina, Tepelena, Puka, Mirdita, Tetova, Tirana, Lezha, Durrësi, Shkupi, Mitrovica, Kukësi, Dibra e Madhe, si dhe pothuajse nga të gjitha vendet ku është shtrirë diaspora shqiptare nga Australia në Amerikë, nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Itali. Më ka bërë përshtypje edhe interesimi që një numër redaktorësh si në Tirane dhe diasporë kanë treguar që në fillim për peticionin.
Një numër mesazhesh kam marrë nga kolegë dhe akademikë të huaj nga Amerika, India, Hollanda, Anglia dhe vende të tjera.
Nënshkruesit e peticionit, si bashkatdhetarët apo të huajt, në komentet e tyre me të drejtë theksojnë njëkohësisht rëndësinë e ndërtimit të Rrugës së Arbërit jo vetëm për Dibrën, por dhe për infrastrukturën në këtë rajon të Ballkanit.
Edhe me këtë peticion të thjeshtë, Dibra po bën atë që ka bërë gjithmonë – bashkon Shqipërinë në një identitet të vetëm. Ky peticion ka tretur ndasitë krahinore, duke bërë të gjithë shqiptarët të jenë dibranë.
Ne kemi një popull të mrekullueshëm dhe, sa më shpejt që klasa politike ta kuptojë këtë dhe të vihet në shërbim të tij, aq më mirë do të jetë për të gjithë ne. Partitë politike shkojnë dhe vijnë, ndërsa Shqipëria dhe Dibra do të mbeten. Problemi është se çfarë Shqipërie dhe Dibre do t’u lëmë brezave të ardhshëm. Ky peticion është fillimi i përgjigjes së kësaj pyetje.
Biografi e shkurtër:
Gëzim Alpion u lind në Peshkopi më 10 tetor 1962. Ai ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe Doktoratën nga Universiteti i Durhamit. Aktualisht është Sociolog në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Drejtor i Programeve të Kombinuara në Shkollën e Qeverisë dhe Shoqërisë në Universitetin e Birminghamit në Angli. Alpion është cilësuar nga kritika perëndimore si studiuesi më i mirë i Nënë Terezës në gjuhën angleze. Librat e Dr.Alpion janë botuar në Angli, Amerikë, Kanada, Itali dhe Indi. Dy dramat e Dr.Alpion, ku shtjellohet trajtimi i emigrantëve nga Kosova dhe Shqipëria në Perëndim, janë shfaqur me sukses në disa qytete të Anglisë. (Bisedoi: Bujar Karoshi
Gazeta ‘Rruga e Arbërit’)
Intervista është botuar për herë të parë në gazetën e pa varuar ‘Rruga e Arbërit’, Tiranë, Nr. 3 (83), 1-31 Mars 2013, fq.1-6. rrugaearberit@gmail.com; www.rrugaearberit.com;
Ju lutem nënshkruani peticionin duke shkruar Emrin, Mbiemrin, Adresën e Emailit, Qytetin tuaj dhe pastaj klikoni ‘Sign’: