NGA EUGJEN MERLIKA/
Viti 2014 e gjeti Shqipërinë mes halleve të përditëshme të një jete që shtrenjtohet gjithënjë e më shumë në një Vend që shkon drejt varfërimit të pjesës më të madhe të popullsisë. E gjeti me një Qeveri, të re në moshë e në fytyra, e me një Kuvend ku shumica i ka të gjitha numurat për të bërë edhe reforma të rëndësishme. Por muaji i fundit të vitit të vjetër solli me vete një zhgënjim të ri, atë të mospranimit nga ana e Këshillit të BE të kërkesës shqiptare për shoqërizimin, mos pranim që përsëritet, në mos gabofsha, prej katër vitesh.
Ndërkaq, në mjediset e Evropës, u njoftua se, më 1 janar 2014, klubi i Euros u shtua me një antar të ri, Letoninë, një republikë balltike ish sovjetike, me pak më shumë se dy mil. banorë, që filloi ecjen e saj drejt Evropës në të njëjtën periudhë me ne e në kushte pothuaj të përafërta. Sot treguesit ekonomikë të antarit të 18-të të Eurozonës janë të lëvdueshme, për t’u patur zili edhe nga themeluesit e BE. Rritja e PBB në gjashtëmujorin e parë të 2012, në zemër të krizës globale, është në masën 5,9 %, përqindja e interesit të bankave në 3 %, raporti defiçit PBB 1,3 % e borxhi i brëndshëm më pak se 40 %.
Në 1 janar edhe qytetarët rumunë e bullgarë panë dritën jeshile për të punuar pa asnjë kufizim në BE.
Një kuadër i tillë i Evropës na le hidhësirë në gojë, ne shqiptarëve, që mbetëm duke përtypur si “Legjendën e misrit” të kujtesës migjeniane, iluzionin e një premtimi që, me “bujari” të jashtzakonshme, politikanët tanë e ndonjë kuadër i lartë i BE na e shërbejnë, në këmbim të një dëshire të madhe për të hyrë në rrugën e integrimit evropian. Psikodrama e refuzimit të Evropës ndaj kërkesave shqiptare fillon të ndihet e të rëndojë mbi shpresat e qytetarëve tanë që, prej më se një shekulli, e kanë lidhur përfytyresën e Shqipërisë me atë të shteteve t’Evropës.
Njëqind vjet më parë, Evropa, edhe pse krijoi një shtet të gjymtuar shqiptar, u përpoq të marrë në dorë drejtimin e tij, nëpërmjet KNK-it e Princit Wied, që do të vinin gurët e parë të shtetformimit në rrugën perëndimore. Atëherë rebelimi filoosman i Shqipërisë së Mesme ndërpreu proçesin e sapo nisur evropian dhe lufta botërore plotësoi kuadrin ogurzi të shtetit më të ri të kontinentit. Sot quhemi ende të papjekur për të hyrë në Evropë, në një proçes që na gjen të vetmuar, në shoqëri të Bosnjës e të Kosovës.
Duhet të jetë një çast përsiatjeje të thellë për të gjithë ata që i besojnë ende ëndrrës evropiane. Kjo përsiatje nuk mund të kufizohet në deklaratat e qeveritarëve e të politikanëve, në shtyrje afatesh, që pasohen nga shpjegime të thata e në shkarkime përgjegjësish. Ajo përsiatje duhet të jetë kërkesë madhore e shoqërisë, një kërkim llogarie i përpiktë atyre që kanë drejtuar Shqipërinë në këta 23 vjet kalese, me përfundime kaq të varfëra. Si në të gjitha krizat e mëdha të historisë sonë, edhe sot ngre krye një prirje për të shkarkuar mbi të tjerët, mbi “burokracinë e Brukselit”, apo forcat anti-sistem të Vendeve të ndryshme, përgjegjësinë e dështimit për të satën herë të proçesit të shoqërizimit, kur edhe Sërbia, para 15 vjetësh nën bombardimet e NATO-s, sot e gëzon atë status. Ajo prirje është tepër e dëmshme, sepse largon vëmëndjen nga thelbi i problemit që është një dhe vetëm një : paaftësia e mungesa e vullnetit e klasës politike shqiptare, për të sendërtuar ato masa që do të plotësonin kriteret e pranimit në BE.
Një Ministri integrimi, që prej vitesh punon pa asnjë rezultat, asnjëherë nuk na ka thënë shkoqur e shqip se ç’duhet të bënim konkretisht për të respektuar kriteret, dhe përse nuk veprohej n’atë drejtim. Është folur gjithmonë në terma të përgjithëshme e në tone triumfaliste për të mbuluar një kërkesë që, siç duket, nuk shkonte mbas mides së politikanëve shqiptarë, “pa dallim feje, krahine apo ideje”. Ideja e integrimit në BE binte ndesh me krijimin e shtetit mafioz, në të cilin, synimi kryesor i pushtetarëve nuk ishte shërbimi ndaj interesave të Vendit, pra plotësimi i kushteve të kërkuara, por pasurimi vetiak, familjar, klanor, partiak me çdo mjet të ligjshëm e të paligjshëm….
Autoritetet e Evropës na thonë se duhet të luftojmë më mirë korrupsionin e duhet të gjejmë në institucionet gjuhën e dialogut. Nuk di a do të mjaftonin këto arritje për të sendërtuar synimin, mbasi duhet të shoqërohen nga treguesit ekonomikë. Por qoftë dhe tfillimi i atyre dy kërkesave nuk le asnjë shteg për të shkarkuar te të tjerët sado pak përgjegjësi, mbasi mbetet nder dhe detyrë e politikës dhe institucioneve shqiptare. Fjala “korrupsion” është ajo më e lakuara në historinë politike të këtyre viteve. Çdo fushatë zgjedhore ka patur në qendër të propagandës së saj paditëse atë fjalë “magjike”, veshur kundërshtarit të rradhës. Në vitet e fundit fjala zhdukej nga qarkullimi, sapo krijoheshin “koalicionet” qeverisëse e një amnisti e përgjithëshme ndehej jo vetëm mbi nivelet e larta të politikës, por edhe mbi vetë konceptin.
Shqiptarët i besojnë “profetëve” ( të tillë mund të quhen ata që janë në politikë prej një të katërt shekulli) të tyre e janë gati të votojnë këdo që i premton më shumë, edhe nëse këta premtime të pambajtura përsëriten në pafundësi, pa çka se këta shquhen vetëm për demagogji e për pasurim. Institucionet e kontrollit të zbatimit të ligjit, prokurori e gjykata, marrin bajrakun e paligjshmërisë. Simbas ambasadorit amerikan, rreth 80 % e sistemit është i korruptuar e simbas gojëve të “liga”, për çdo antar të Gjykatës së Lartë posti paguhet me 500.000 €. Ka një ligj për kontrollin e pasurisë së funksionarëve shtetërorë, por Komisioni i ngarkuar me atë detyrë, bën një gjumë letargjik, i kërcënuar s’dihet se si, apo i shpërblyer po ashtu…
Qarkullojnë fjalë mbi vila prrallore e “pasuri” të reja në bregdet, të ligjëruara nga pasanikët e rinj, ndërsa ata “të vjetrit” vërtiten me dhjetëvjeçarë gjyqeve e komisioneve të kthimit të pronave. Në rastin më të keq nuk arrijnë të marrin asnjë copë letër që t’u njohë pronësinë e trashëguar e në më të mirin i u duhet të përballohen me policinë e shtetit, që mbron selinë e PSD-së, të njohur si pronë nga gjykata pronarit të ligjshëm, por jo si të tillë nga kreu i partisë që ende, mbas shtatëdhjetë vjetësh, vazhdon të teorizojë grabitjen e shtetit komunist…. Gjykatat arkivojnë krime të çdo natyre, duke i paraqitur si të paqena, kur në mes janë shtetarët apo politikanët apo bijtë e tyre e, si kompensim, për të ruajtur formën, bëjnë të tringëllijnë prangat, edhe atëherë kur nuk është e nevojshme, duke dhënë përfytyresën e një Vendi të kthyer 40 vjet mbrapa, për të shërbyer si kornizë e një portreti t’urryer që ende shpaloset me mall edhe në ceremonitë zyrtare…
Vendi jeton çaste të pafundme ankthi, si pasojë e pushimeve masive nga puna (vetëm në një ditë 80 vetë në ministrinë e brëndëshme), që lidhen me këmbimin e administratës së “depolitizuar” shtetërore. Kjo praktikë është kthyer në një tumor asfiksues të shtetit të së drejtës. Ka arsyet e saj objektive e subjektive të të qenit, si mungesa e një ekonomie që krijon vende pune, por është edhe pjellë e një mendësie të trashëguar komuniste, që e mbështet krijimin e kastës së nëpunësve më shumë mbi kritere të besnikërisë partiake se të meritokracisë. Zoti Rama kishte premtuar se do t’i jepte fund kësaj praktike negative, duke kryer një hop cilësor të lëvdueshëm në afrimin e konceptit të shtetformimit me atë të mendësisë liberale evropiane. Faktet po e përgënjeshtrojnë dhe heqja e shumë nëpunësve t’aftë e shumë të aftë si Nevila Nika, për të marrë një shembull, nuk i japin imazhin e duhur kursit “të ri” edhe se duhet pranuar se ka edhe prirje pozitive në emrimin e kuadrove të larta të dikastereve. Dua të përmend këtu zv. Ministrin Radovani në Turizmin e zonat urbane, apo zonjat Elira Kokona e Ledia Mirakaj në Ministrinë e kulturës, emërime që përbëjnë një fije shprese në drejtimin e duhur.
U miratua një ligj për Statusin e Nëpunësit Civil, por Qeveria e mëparëshme e la të mangët, pa nxjerrë dekretet plotësuese, kurse e reja shfrytëzoi rastin për të pezulluar zbatimin.
Shqipëria, prej vitesh, ka qenë në shënjestrën e Interpolit për trafiqet e paligjëshme drejt Evropës. Gjatë këtyre viteve duket se ka një përmirësim në luftën kundër tyre, por problemi nuk mund të quhet i zgjidhur. Qënia e Lazaratit, si shtet brënda shtetit, është një shkëmb i madh, i vendosur tërthor në rrugën drejt Evropës e, çuditërisht asnjë qeveri shqiptare nuk ka guxim të matet me atë problem e t’a verë në rrugën e zgjidhjes.
Borxhet e shtetit ndaj qytetarëve, sipërmarrësve, shtresave në nevojë, ish të përndjekurve politikë vërtetojnë funksionimin e keq të makinës shtetërore. Tingëllojnë krejtësisht të pathemelta paditë e Opozitës për marrjen e borxheve, kur Vendi lihet në një gjëndje të tillë. Akuzat e ndërsjellta, mbi çështje që janë mjaft të dukëshme, dëshmojnë mangësitë e theksuara të klasës politike. Përsëritja e qëndrimeve kundër-shtet, si braktisja e Kuvendit, tregojnë se nuk ekziston një vullnet i qartë për t’i shërbyer projektit evropian. Miratimi i një rezolute t’Opozitës, para vendimit të Këshillit të BE, është një flluskë sapuni që mund të bindë ndonjë sylesh në Shqipëri, por jo qeveritarët e Evropës plakë.
Përmenda vetëm disa prej problemeve të Shqipërisë, që shihet e bllokuar në rrugën e saj në ngjitje drejt Evropës. Janë të gjithë pllaka të një mozaiku që përbën përfytyresën e asaj që është sot Shqipëria reale. Janë të gjitha simptoma të një organizmi të sëmurë, që ka nevojë për terapi shoku, të cilën nuk besoj se janë në gjëndje t’a zbatojnë ata që e sollën në këtë gjëndje. Duhet një mobilizim i fuqishëm i shoqërisë civile, që të shërbejë si nxitje e shtytje kundrejt politikës, t’i detyrojë asaj kohët dhe zgjedhjet, të ndikojë drejt për së drejti në zhvillimet e saj. Përvoja e manifestimeve për armët kimike mund të jetë një metodë për t’u ndjekur e për t’u përsosur. Shoqëria shqiptare ka sot një rini universitare e një klasë intelektuale që duhet të marrin në dorë flamurin e Evropës. Duhet t’a marrin, pa u kushtëzuar nga ideja e rreme se Evropa ka paragjykime se jemi myslimanë. Nuk ka asgjë të vërtetë në atë pohim veç prirjes për të fryrë pjerrjet kundër evropiane të hershme e të sotme. N’Evropë bashkësitë myslimane gëzojnë të gjitha të drejtat e qytetarëve evropianë. Madje ato nuk janë vënë në diskutim, as mbas ngjarjeve tragjike të atentateve terroriste në Londër e Madrid. Të ndërgjegjshëm se fatet janë në duart tona, duhet të shkojmë para me besim e siguri se, nëse duam, rezultatet do t’i arrijmë, nëse këmbëngulim jo vetëm të teorizojmë shtetin ligjor, por edhe t’a sendërtojmë atë.
Do të sugjeroja krijimin e një organi këshillimor, pranë Kryeministrisë, që të merrej vetëm me integrimin në Evropë. Duhet të jenë dhjetë burra e gra të elitës së shoqërisë, pa asnjë lidhje me politikën, me aftësitë e kompetencat e duhura, me shtatin moral të provuar, me dashurinë për Vendin e t’ardhmen e tij, me vullnetin e mirë për të punuar për të, jo për interesin e tyre. Do të kishin një rol të përkohshëm, një shembull kushtimi atdheut në një çast të vështirë, që kërkon ritme të shpejta veprimi, sepse kohën e kemi shpërdoruar në mënyrë të pafalëshme. Mund të ishte një mjet i dobishëm për të ndihmuar proçesin, gjithënjë duke i kërkuar politikës mos t’a quajë si ndërhyrje në fushën e kompetencave të saj, por si një ndihmesë në atë rrugë të përpjetë që, për mungesën e saj, po del më e vështirë se sa parashikohej njëzet vjet më parë.
Janar 2014 Eugjen Merlika/Itali