Nga Alma Liço-
Duke i hedhur një sy faqeve të shtypit online, rastësisht me zuri syri një shkrim të gazetares Rudina Xhunga, e cila shprehej tejet e keqardhur që nuk kishte mundur të intervistonte nënën e Kryeministrit, e cila ndërroi jetë një ditë me parë. Pa as më të voglin dyshim, largimi nga kjo jetë i një qënieje njerëzore përbën dhimbje për familjen, të afërmit dhe ata që e kanë njohur. Në raste të tilla shprehja e ngushëllimeve është një gjest mbështetjeje me përmbajtje humanizmi.
Nëna apo baballarë që kanë kaluar të tetëdhjetat vdesin çdo ditë me dhjetra, qindra. Pavarësisht dhimbjes së të afërmve, ky fenomen nuk përbën asgjë të jashtzakonshme, pasi të gjithë njerëzit një ditë do largohen nga kjo jetë. Ata ikin dhe askush nuk shkruan për ta. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtimet e atyre që i kanë njohur. Sigurisht, që për personat që lenë gjurmë në histori, për të mirë apo për të keq, do të shkruhet e flitet gjatë, mbase edhe shekuj pas vdekjes së tyre.
Duke lexuar shkrimin e Rudinës, po vrisja mendjen se kush ishte ajo gjëja e veçantë në aktivitetin e kësaj gruaje, sa për t´i mbetur peng asaj-gazetares, që nuk mundi ta intervistonte??…vërtet nuk po gjeja asgjë të tillë.
Arsyetimi im ndërthurur me përvojën jetësore dhe përjetimin e krimeve të komunizmit, për të gjetur të “veçantën” e saj, më çoi në disa përfundime. Pa dashur të zgjatem , veçova tre prej tyre:
1. Aneta Rama ishte e motra e Spiro Kolekës, ish anëtarit të Byrosë Politike të PPSH dhe bllokut komunist, atij blloku që gatoi krimet më të mëdha monstruoze, vëllavrasëse mes shqiptarësh, atij blloku që na katandisi në popullin më të varfër e të skllavëruar në Europë.
2. Aneta Rama ishte e shoqja e Kristaq Ramës, skulptorit shërbëtor të bindur të regjimit kriminal komunist. Në biografinë e tij rëndon dakortësia dhe firma për varjen e poetit Hafzi Nela, një shpirti të lirë, vetëm sepse kish guxuar të thurte disa vargje të dhimbshme për realitetin ku jetonte. Kjo ndodhi në vitin 1988, kur regjimi po zvarritej në grahmat e fundit.
3. Aneta Rama ishte e ëma e kryeministrit aktual, psikopatit bandit që me metodat e tij korruptive, përçarëse dhe diktatoriale, ka bërë që shqiptarët të dëshirojnë t´ja mbathin nga sytë këmbët nga vendi i tyre i mrekullueshëm, që po katandiset çdo ditë e me shumë në të pajetueshëm.
Që të adhurojë ende komunistet dhe pinjollët e tyre, është e drejtë e Rudina Xhungës, pasi nga ajo kuzhinë ka dalë. Nuk është e vetmja. Edhe të intervistojë duke u tretur nga adhurimi, panterën e zezë Nexhmije Hoxha, është e drejtë e saj, sado fyese dhe acaruese të jetë kjo për viktimat që ajo dhe i shoqi kanë shkaktuar.
Por si gazetare, nuk është aspak e drejtë e saj që me qëndrime apo adhurime publike të tilla, të lëndojë e fyejë qindra nëna që kanë humbur bijtë e tyre në burgjet e komunizmit apo ua kanë ekzekutuar ata në kufi. Ato vajtojnë për ta dhe eshtrat e tyre të humbura ende sot e kësaj dite.
Si nuk ndjeve një herë të vetme shtysë, moj Rudinë, si gazetare të intervistoje njërën prej tyre?
Ato kanë shumë, po shumë për të thënë…dhe po i thonë çdo ditë…për fat të mirë, jo të gjithë gazetarët janë të indoktrinuar e të pashpirt si ti.
Duke adhuruar si gazetare krimin, mos i fyej Rudinë!!!