Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO janë dy emrat e rinj, që Rusia i ka cilësuar si kërcënime për sigurinë kombëtare të saj. Mesa duket, nisja e vitit të ri nuk ka ndryshuar asgjë në marrëdhëniet Moskë-Perëndim, por përkundrazi i ka përkeqësuar ato. Dokumenti me titullin “Rreth strategjisë së sigurisë kombëtare të Federatës Ruse”, që u nënshkua nga Presidenti Vladimir Putin në prag të mbylljes së 2015-s, zëvendëson një version të 2009-s, i cili ka qenë i miratuar nga ish-Presidenti Dmitry Medvedev, kryeministri aktual i vendit. Ndër të tjera, aty përmendet fakti se roli i Rusisë në arenën ndërkombëtare, si dhe në zgjidhjen e problemeve globale, është rritur. Por, sipas dokumentit, ky angazhim i madh i Kremlinit ka shkaktuar reagim nga Perëndimi. “Forcimi i Rusisë vjen në sfondin e kërcënimeve të reja ndaj sigurisë kombëtare, të cilat kanë një natyrë komplekse. Kryerja e një politike të pavarur, ndërkombëtare dhe vendase, ka shkaktuar kundërveprim nga SHBA dhe aleatët e saj, të cilat po përpiqen të ruajnë të njëjtën dominancë të tyre në çështjet globale”, citohet nga dokumenti strategjik. Për Presidentin Vladimir Putin, kjo strategji e ndjekur nga Perëndimi ka gjasë të shkaktojë “presion politik, ekonomik dhe ushtarak” në Rusi. Dokumenti liston një sërë ankesash kundër NATO-s, duke përfshirë edhe “intensifikimin e veprimtarive ushtarake të vendeve anëtare”, “zgjerimin e mëtejshëm të aleancës”, si edhe “lëvizjen e infrastruktures ushtarake shumë pranë kufijve të Rusisë”, gjë që e konsideron si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Ndër të tjera, Moska thotë se ISIS ka theksuar “politikën e standardeve të dyfishta, që disa vende po u përmbahen në luftën kundër terrorizmit”, çka është e qartë se i referohet politikës së jashtme të Perëndimit në Siri.
Akuzat e Kremlinit kundër NATO-s dhe SHBA-ve, tashmë të dokumentuara në politikën zyrtare të sigurisë kombëtare të Rusisë, me shumë gjasë do të përshkallëzojnë më tej marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit gjatë këtij viti.