
Sadiona Abazaj/
Pjesëmarrja në seminarin dyditor të organizuar nga Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), më 6 dhe 7 dhjetor, përbënte një përvojë profesionale dhe njerëzore me vlerë të veçantë. Ky aktivitet mblodhi së bashku mësues të gjuhës shqipe nga diaspora, pedagogë dhe studiues, autorë tekstesh shkollore, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore dhe diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një hapësirë të përbashkët dialogu dhe reflektimi.
Diskutimet e zhvilluara gjatë seminarit u përqendruan në çështje thelbësore që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut.
U trajtuan roli dhe përgjegjësia e mësuesit në nxitjen e interesit të fëmijëve, përshtatja e metodave didaktike me realitetin e diasporës, përdorimi i teknologjisë dhe projekteve kreative, si dhe rëndësia e ndërtimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes mësuesve, prindërve dhe institucioneve mbështetëse. Falë drejtimit profesional dhe energjik të moderatoreve Aurela Konduri dhe Anita Duriçi, seminari mori formën e një forumi të hapur profesional, ku përvoja individuale u kthyen në njohuri kolektive dhe ide konkrete për të ardhmen e mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.
Dita e parë e seminarit u zhvillua më 6 dhjetor 2025, në oraret e mbrëmjes, përmes platformës Zoom, nën temën: “Rrugëtimi i klasave të gjuhës shqipe në diasporë: nga entuziazmi i fillimit te qëndrueshmëria dhe cilësia e mësimit.” Në këtë takim virtual morën pjesë anëtarët e KKAD-së, mësues nga vende të ndryshme të botës, përfaqësues të QBD-së, si dhe diplomatë nga Shqipëria dhe Kosova.
Gjatë diskutimeve u theksua se, ndonëse fëmijët shqiptarë në diasporë ruajnë një nivel relativisht të mirë njohjeje të gjuhës dhe kulturës kombëtare, ekzistojnë sfida serioze që kërkojnë koordinim më të madh institucional. Faktorë si mungesa e ambienteve mësimore, oraret e kufizuara, distancat e gjata, kushtet e vështira të transportit, motivimi i ulët i nxënësve dhe mungesa e mbështetjes financiare ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e numrit të nxënësve në mësimin plotësues.
Megjithatë, u nënvizua fakti se angazhimi i mësuesve në këtë fushë mbetet një mision vullnetar dhe kombëtar, i mbështetur mbi ndjenjën e përgjegjësisë morale ndaj gjuhës dhe identitetit shqiptar.
U theksua gjithashtu domosdoshmëria e përfshirjes më aktive të dy shteteve shqiptare në mbështetjen e mësimit plotësues, në mënyrë që të sigurohet cilësi, profesionalizëm dhe trajnim i vazhdueshëm i mësuesve, si dhe certifikim i bazuar në përgatitje akademike dhe pedagogjike. Punimet e seminarit vijuan më 7 dhjetor, nga ora 16:00 deri në 20:00, sërish në platformën Zoom. Dita e dytë u hap me një kolazh artistik me recitime nga nxënës të shkollave shqipe në diasporë, të cilët u cilësuan si dëshmi e gjallë e punës së palodhur të mësuesve dhe e vazhdimësisë së gjuhës shqipe përtej kufijve.
Gjatë kësaj dite u trajtuan tema që lidhen me planifikimin e vitit shkollor, ndërveprimin midis gjuhës zotëruese dhe gjuhës shqipe, rolin kyç të prindit në procesin mësimor, si dhe sfidat e mësimdhënies në klasa dygjuhëshe dhe kolektive. Ligjëruesit sollën shembuj konkretë nga përvoja e tyre profesionale, duke theksuar rëndësinë e lojës, projekteve, fantazisë dhe teknologjisë në zhvillimin e të menduarit kritik dhe motivimit të nxënësve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përdorimit të projekteve si qasje didaktike, ku nxënësi vendoset në qendër të procesit dhe gjuha shqipe përdoret në mënyrë praktike dhe funksionale. Po ashtu, u theksua se familja mbetet baza e parë e edukimit gjuhësor, ndërsa shkolla dhe mësuesi ndërtojnë ura bashkëpunimi që e forcojnë këtë proces. Në kumtesën time theksova dimensionin emocional të gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si gjuhën e zemrës dhe identitetit. U ndala në rëndësinë e përdorimit të mjeteve digjitale dhe aplikacioneve edukative, si forma bashkëkohore për ta afruar gjuhën shqipe me realitetin e fëmijëve në diasporë.
Seminari u përmbyll me fjalën përshëndetëse të kryetarit të KKAD-së, z. Mustafë Krasniqi, i cili falënderoi ligjëruesit, mësuesit dhe përfaqësuesit institucionalë për kontributin e tyre, duke theksuar nevojën për vazhdimësi dhe organizim më të shpeshtë të aktiviteteve të tilla, që shërbejnë si platforma shkëmbimi, reflektimi dhe mbështetjeje për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.