• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUA T`I KEM MIQ TË GJITHË SHQIPTARËT

August 9, 2016 by dgreca

Intervistë me Sadulla Zendeli-Daja, Autor i fjalorit shqip-suedisht, me 35 000 fjalë./

 –  “Daja”, Keni ardhur disa herë në Durrës. Cili ka qenë qëllimi i vizitave tuaja të here-pas-hershme?

-Ka qenë vazhdimisht një kënaqësi e veçantë për mua ardhja në Durrës, i bindur se kjo dëshirë është e të gjithë shqiptarëve dhe e mërgimtarëve, ashtu siç është dëshira për të parë e vizituar të tërë Shqipërinë.

Durrësi është një qytet i lashtë dhe me histori të madhe, që rrezatonte madhështi, kulturë e begati në botën mesdhetare. Ai konsiderohej vend perëndish, një qytet fisnik e hijerëndë, të cilin Epidamni e pagëzoi me emrin Dyrrah. Historianët, por jo vetëm ata, e dinë se në këtë qytet u ndeshën Cezari dhe Pompeu, se cili prej tyre do të ishte i pari në Romë. U ndesh Aleks Bizantini me Guiskardin norman në beteja të rrepta. Në muret e këtij qyteti janë zvarritur pareshtur legjionet romake, normanë e kryqtarë dhe të tjerë pas tyre. Ata kanë ardhur e shkuar, ndërsa Durrësi është këtu si dëshmi e qëndresës së shqiptarëve ndër shekuj.

Nga Durrësi është perandori bizantin Anastasi, i cili bëri ndërtime të mëdha mbrojtëse në qytetin e tij të lindjes. Nga Durrësi vijoi Egnatia, ndryshe “Rruga Mbretërore” Romë-Kostandinopojë, ndërkohë që Durrësi dikur quhej “Kostandinopoja e dytë”, për nga madhështia dhe fama, qytet me amfiteatër antik, me vepra arti si “Bukuroshja  e Durrësit” dhe plot të tjera, që i ka zili bota.

Në panteonin e Durrësit qëndrojnë emrat e ndritur: princ Karl Topia, Shën Asti, Leonik Tomeu-mësues i Kopernikut, Jan Kukuzeli – muzikolog i shquar i mesjetës. Durrësi është vendlindja e aktorit të madh me famë botërore Aleksandër Moisu. Në shekullin e kaluar, për një kohë, Durrësi ka qenë zgjedhur kryeqytet i shtetit shqiptar. Sot, Durrësi është qyteti i dytë i Shqipërisë, me një port dhe plazh modern, me zhvillime në arkitekturë dhe mbi të gjitha me emra të shquar, krijues e dëshmorë, qytetarë të zotë dhe të ditur që e duan me zemër e shpirt qytetin dhe tërë Shqipërinë. Pra, kam dhjetëra e qindra arsye të forta përse e dua Durrësin, përse e kam vizituar dhe përse dëshiroj ta vizitoj përherë këtë qytet të lashtë e të ri. Sa herë që vij në Tiranë, nuk mund të rri dot pa ardhur edhe në Durrës..

– Disa herë jeni ndodhur në shkollën “Demokracia” në qytetin tonë. Kam vënë re, se kini ndjesi të veçantë kur takoni nxënësit.

-Po, më kanë tërhequr vazhdimisht shkollat shqiptare, mbase kjo vjen edhe sepse në Suedi kam punuar më se 27 vjet mësues dhe nxënësit i kam dashur njëlloj si fëmijët e mi. Ua di emrat një për një. Edhe sot pyes për ta, jam kureshtar të di se si shkojnë, si i kanë hallet dhe punët. Shkolla “Demokracia” këtu në Durrës më ka pëlqyer, është një shkollë me disiplinë dhe rregull, e bukur dhe me nxënës e mësues si drita. Mbaj mend aktivitetet e shkëlqyera që më kanë mbetur në kujtesë, veçanërisht ato për 100-vjetorin e Pavarësisë. Këngët, recitimet, pjesa teatrale për shpalljen e pavarësisë dhe Ismail Qemalin edhe sot më ngjallin ndjesi të forta. Fal mësuesve të përkushtuar, gjithçka është e bukur në atë shkollë, ashtu dhe në shkollat e tjera shqiptare që kam vizituar. Ato më tërheqin si me magji, kam mall…

Ka edhe një arsye tjetër: Sa herë kam qenë te “Demokracia”, jam larguar i mrekulluar dhe gjithnjë me dëshirën të kthehem përsëri. Shkaku është se, jam ftuar nga drejtoria e shkollës, pasi “Demokracia” e Durrësit është e binjakëzuar me shkollën Fjardingskolan të qytetit suedez të Borasit. Në atë shkollë ku unë kam shkuar disa herë, ka mësues shqiptarë, edhe shumë nxënës shqiptarë, që mësojnë gjuhën shqipe dhe suedeze.

– Si e vlerësoni bashkëpunimin me bibliotekën e qytetit të Durrësit? A do të vazhdojë edhe në të ardhmen?

-Po përgjigjem si fillim, për pjesën e fundit. Lidhjet që kanë në themel atdhedashurinë, sinqeritetin, kulturën dhe pasionin për dituri, nuk veniten dhe nuk shterrin kurrë, ndaj për bibliotekën, gjithmonë do ta ndiej veten një pjesëtar të saj. Kam qenë disa herë aty, i ftuar në kuvend shkrimtarësh e krijuesish, por edhe për të dhuruar libra të mi. U jam mirënjohës punonjësve dhe specialisteve të institucionit për mikpritjen e ngrohtë dhe për organizimin e veprimtarive mjaft të bukura për librat e mi dhe për jetën time. Herën e fundit isha aty për të dhuruar fjalorin tim shqip – suedisht me 35 mijë fjalë, si dhe librat, “Moj e dashura Arbëri”, “Gostivari në zemrën time”, “Rizgjimi i Arbërisë”. Me mua ishte prof Murat Gecaj, miku im  i kahershëm, si dhe shkrimtari i njohur Viron Kona, i cili i dhuroi bibliotekës dhe pjesëmarrësve në takim, librin “Ju dua më shumë se veten!”, një libër ky, që ai ma kushton mua. Përfitoj nga rasti që ta falënderoj nga zemra për atë dhuratë të çmuar që më ka bërë.

Mendoj se Durrësi ka një bibliotekë të mirë dhe të pasur, ka punonjës që dinë ta drejtojnë atë siç duhet. I vlerësoj ata, sepse e njoh mirë rëndësinë e punës së tyre, pasi unë në Suedi kam mbaruar edhe një shkollë për punonjës biblioteke, por edhe e kam ushtruar profesionin e bibliotekistit dhe të shefit të bibliotekave në qytetin suedez Nybro.

Nga takimet e mëparshme, ashtu dhe ky i kohëve të fundit, kam vënë re se biblioteka e Durrësit tërheq lexues të mrekullueshëm, njerëz të ditur, nga kategori të ndryshme, që nga lexues të thjeshtë, e deri tek intelektualë të shquar, tërheq fëmijë dhe të rritur, deri me moshë të thyer. Të gjithë e duan bibliotekën, vendin e  dijes dhe të kulturës, vendin që të ndihmon të bëhesh njeri me vlera, për zhvillimin, kulturën dhe mëmëdheun e shenjtë.

– Meqë kini botuar disa fjalorë, shqip-suedisht dhe anasjelltas, a keni ndërmend ta vazhdoni këtë punë të bukur, por të vështirë?

-Ndër punët e mia krijues më kryesorja është puna me fjalorët. Kam shkruar disa dhe do të shkruaj të tjerë. Tani jam duke përfunduar fjalorin shqip – suedisht për fëmijët e shkollave. Mendoj se ka dalë një vepër me vlerë në ndihmë të tyre. Dëshiroj t`ju them gjithashtu se, kontaktet e mia  me Shqipërinë tonë të dashur kanë qenë të lidhura ngushtë me botimet e pesë fjalorëve të mi me mbi 100 000. Fjalë, shqip-suedisht dhe suedisht-shqip. Kjo punë voluminoze është vlerësuar edhe nga “Enti për shkollim i Suedisë” dhe është propozuar literaturë shkollore për mësimin plotësues të gjuhës shqipe për mërgimtarët në Suedi. E gjithë kjo është një dhuratë e çmuar për bashkatdhetarët tanë në Suedi dhe mbarë Skandinavinë, njëkohësisht edhe ndihmë për integrimin tonë në jetën dhe shoqrinë e atij vendi miqsor e paqsor. Shteti im amë, njerëzit e mi në Sërmnovë e Gostivar të Maqedonisë dhe, veçanërisht miqtë e mi të racës shqiptare të shpërndarë nëpër botë, më japin fuqi  dhe më bëjnë të palodhshëm, por gjithmonë mbetem me shpirt të coptuar dhe me lot trishtimi e malli. Lotët në sytë e një mërgimtari i than koha, ndërsa shpirti vuan dhe nuk gjen qetësi për mëmëdhenë e bekuar, të ndarë e të cunguar.

Leksikografia është ndër drejtimet shkencore që preferoj më shumë. Vërtetë më merr shumë kohë, por nuk më lodh, veçse më kënaq, veçanërisht kur, si shpërblim, marrë vlerësimet që më bëjnë lexuesit, si në Suedi, ashtu dhe në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e diasporë.

Është një punë që kërkon shumë përkushtim. Për shembull, për fjalorin shqip-suedisht me 35 mijë fjalë, që i dhurova bibliotekës së qytetit tuaj, punova rreth 8 vjet. Megjithatë kjo kohë më duket e shkurtër dhe lodhjen nuk e ndiej më. Çudi, lodhja më largohet si me dorë, kur shohë se ma pëlqejnë punën që bëj dhe ma vlerësojnë librin apo fjalorin. Jam i lumtur për këtë, sepse gjykoj që puna ime është e dobishme dhe nuk më ka shkuar kot. Vlerësimi dhe fjala e mirë, janë shpërblim për mundimet në vite për të hartuar fjalorët, apo për të shkruar librat me poezi e prozë.

– Cili është libri më i ri, që do të zbukurojë listën e botimeve tuaja dhe bibliotekat tona?

-Sapo kam përfunduar një vëllim të ri në dy pjesë. Pjesa e parë përmban poezi të shkruara nga unë gjatë harkut kohor 2015 – 2016, kurse në pjesën e dytë janë përshtypjet e mia nga vizitat në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Kukës. Kam  kënaqësi që, redaktor i këtij libri është shkrimtari i njohur shqiptar Viron Kona, i cili më ka shoqëruar si një vëlla në këto vizita.

– Si ndieheni mes shqiptarëve këtu në Tiranë dhe në Durrës?

–Kam shumë miq në Shqipëri. Në të vërtetë unë dua t`i kem miq të gjithë shqiptarët, që nga Gostivari ku kam lindur, nga Suedia ku jetoj, juve shqiptarëve të Republikës së Shqipërisë – shtetit tonë Amë, ata të Kosovës, të Malit të Zi, të Çamërisë dhe të gjitha trojeve shqiptare e diasporës. I dua të gjithë dhe u uroj jetë të lumtur dhe të begatë!

Në Tiranë dhe në Durrës, rrethohem porsa vij me miq të shumtë shkrimtarë, poetë, gazetarë, artistë, intelektualë të fushave të ndryshme, zyrtarë, mësues, njerëz të thjeshtë dhe akademikë. I admiroj, sepse janë të mrekullueshëm, ndaj i përshëndes me zemër, për shoqërinë që më bëjnë, për miqësinë që më ofrojnë, për respektin dhe mendimet që ndaj me ta.

Ndiehem kaq mirë saqë, nuk më bëhet të largohem. Gjithnjë e shtyj nisjen time për t`u kthyer në shtëpi, ku më presin me mall dhe padurim bashkëshortja – Xia, fëmijët: Ismeti, Agimi, Blerimi, vajza Lindita dhe ata nipër të shumtë e mbesa, si dhe tërë ata njerëz të afërt të fisit dhe miq shqiptarë e suedezë, atje ku banoj në Ferjestaden (qyteti i vaporëve), ku kam ndërtuar restorantin me emrin mëmëdhetar “Shqiponja”. Shqiponja e flamurit më shoqëron kudo. Shqiponjën e kam atje, e kam në zemër e në shpirt. Ajo është këtu, është në gjokset dhe zemrën e çdo shqiptari.

 

Faleminderit!

 

Intervistoi

 

Kadri Tarelli

 

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste, Kadri Tarelli, Sadulla Zendeli Daja

KOKË E PRERË E NJË ZEMRE… RREH EDHE PAS VDEKJES…

January 10, 2014 by dgreca

Refleksione nga libri  “Ditari i kujtimeve të paharruara”, të autorit SADULLA ZENDELI (DAJA)/

Shkruan: ZYBA HYSEN HYSA/

Kur dikush të dhuron një libër nga krijimtaria e tij, për respekt, do gjesh pak kohë që ta shfletosh, të lexosh diçka nga fillimi, diku nga mezi… pak nga fundi. Ky lloj leximi quhet lexim respekti, por në të njëjtën kohë ne dallojmë stilin e shkrimtarit, apo poetit dhe, ashtu siç provojmë me një majë luge gjellën, për të parë se na pëlqen, apo jo, edhe ne kemi provuar shijen e librit që na bën, ose ta mbyllim me kaq, ose të ulemi mirë e ta rinisim nga fillimi për ta lexuar faqe më faqe e rresht më rresht, bile aty – këtu, të ndalojmë për të lexuar edhe në bardhësinë midis rreshtave duke na futur në meditime e ndodh, që më pas të shkruajmë refleksionet tona për çka kemi lexuar.

Kështu më ndodhi, kur rastësisht më ra në dorë libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sadulla Zendeli (Daja), ku autorin nuk e njoh fizikisht, por si krijuese që jam, kam veti njohëse përmes krijimtarisë së tij, njëlloj si të shikoj madhësitë e gurëve, deri në guriçka të vogla nën kthjelltësinë e burimeve që gurgullojnë zabeleve të bjeshkëve të Sharrit, se shpesh, lexuesve, apo kritikëve që nuk janë krijues do u duhej të pyesnin, të shfletonin, apo dhe të kontaktojnë edhe me ta për të qenë sa më realë në vlerësimin e tyre.

Në ritualin e përhershëm me libra që më bien në dorë, pa dashje bëra një ndryshim, se më tërhoqi kopertina e ideuar nga Lavdije Cenmurati, ku paraqiteshin fytyra të shformuara, si t’i shikoje nën ujë, si të ikur nga bota reale, për të hapur portat e odave të shpirtit ku rrinë të kyçura kujtimet e paharruara të jetës, por dhe në ato porta ku kanë mbetur në errësirë sythet e dëshirave, të idealeve dhe ideve që kurrë nuk e panë dritën e realizimit të tyre, apo në ato skuta të errëta ku fshihen brengat dhe dhembjet që nuk patën shërim kurrë…

Mbase këto ndryshime nga një odë në tjetrën, e shndërronin portretin në shumëplanësh e shumëdimensional, ku shpesh shihet vetëm një sy, një vesh, një copë ballë, ashtu si kujtimet që koha i ka gdhendur duke i hedhur tej si ashkla të shpërndara që kurrë s’kanë për t’u bërë më një e tërë, por që koha do t’i kthejë në humus që do të ushqejnë kujtimet e reja, apo të atyre kujtimeve që sqepari i kohës nuk mundi t’i ashkëlojë. Dhe ngjyrat ndryshojnë ngjyrë  nga gri e zënë, si një shpirt i drobitur nga brengat e tallazet e pafundme, aty – këtu me zbardhje të grisë, por jo krejt e bardhë e me fasha të zeza nga të zezat e kohës pa kohë të mirë për shqiptarët e, pak, fare pak shigjeta të kuqe dashurie që vijnë e godasin deri në tërmetosje e na lënë të përpëlitemi gjatë si peshku i nxjerrë në zall në mungesën e ujit… e dashje, pa dashje duke zhbiruar kopertinën, kisha hyrë në shpirtin e poetit dhe ndjeva butësinë e vargut poetik të dalë nga një shpirt më i butë se butësia, ndjeva fortësinë e vargut dalë nga një shpirti më i fortë se fortësia, ndjeva bardhësinë e vargut dalë nga një shpirti më të bardhë se bardhësia, preka fisnikërinë e vargut dalë nga një shpirt, më fisnik se fisnikëria dhe me kaq nuk kisha nevojë të bëj ritualin e kapërcimeve të faqeve, por e nisa me qetësi me radhë që në faqen e parë, pa lexuar fjalët e redaktorit, apo dedikimet e ndryshme, gjë që e bëj përherë për të mos u ndikuar në shkrimet e mia.

Kapitulli i parë: “Këngë dashurie” dhe me mend thashë” Qenkemi në një mendje!”. Të gjitha gjallesat frymojnë, ushqehen, shumohen, por nuk janë në gjendje të flasin, të shkruajnë, të krijojnë, të punojnë… dhe motori që i vë në lëvizje këto, mendoj, është dashuria.

Shpesh herë unë me mend kam hedhur poshtë teorinë e Darvinit së prejardhjes të njeriut nga majmuni, se këto veti njerëzore të njeriut nuk janë thjesht veprime mekanike, apo instiktive, por si rezultat i zhvillimeve psikologjike që përcaktojnë shkallën e aftësisë së njeriut për të folur, shkruar, krijuar, punuar… se po ta shikojmë për nga ndërtimi fizik, pak dallojmë nga majmuni, por pse nuk mundëm ta shndërrojmë një majmun në njeri?! Unë mendoj se nuk është materia primare në zhvillimin e njeriut, por llojet dhe sasia e kuanteve në shpirtin e tij që vijnë nga Universi e shkojnë në Univers.

Kur ne pranojmë krijimin e tokës si planet, atëherë pse të mos pranojmë dhe krijimin e njeriut me tiparet e tij fizike, por që me zhvillimet e Universit zhvillohet dhe pasurohet shpirti i tij në varësi nga lloji i kuanteve që përbëjnë shpirtin e secilit dhe aftësia e tyre të veprojnë mbi sistemin nervor për të nxitur mendimin dhe për të ndryshuar mënyrën e jetesës së njeriut sipas dëshirave të tij shpirtërore.

Mendoj, se pikërisht këto grimca rrezatuese që përbëjnë shpirtin njerëzor, kanë aftësitë e të dashurit të vendlindjes, të afërmve, e ajo që i ka zhvilluar proceset e të folurit ka qenë nevoja e brendshme për të shprehur emocionet dhe ndjenjat, se të cilat kanë lindur me lindjen e njeriut. Vetëm Dashuria kuantike bën të mendosh përtej të mirës e të ligës dhe të nxit të prekësh Nirvanën. Kjo lloj dashurie është motori lëvizës i njeriut për të menduar e për të vepruar përtej nevojat e tij biologjike, ngandonjëherë dhe në kundërshtim me to.

Nëse në lashtësi, dashuria i ka nxitur njerëzit të flasin, të luftojnë për lirinë e tyre e cila ekziston tek shpirti qysh në lindje e na shoqëron deri në vdekje, të perfeksionojë veglat e punës për një jetë më të mirë, në kohët moderne ajo i bën njerëzit të bëhen kreativë, për të gjetur mundësi të reja për të arritur atë ç’ka dëshirojnë e kush pushtohet nga zjarri i dashurisë kuantike, pra të bashkimit të kuanteve të dy shpirtrave edhe kur ata janë larg nuk shkëputen dot, atëherë shumë njerëz kanë bërë vepra madhore, deri në kryevepra të shoqërisë njerëzore. Vetëm dashuria e çon shpirtin në vlim duke shkrirë talentet për të na dhënë vepra – kryevepra në të gjitha zhanret e artit dhe letërsisë botërore.

Unë nuk them që libri “Ditari i kujtimeve të paharruara” është një kryevepër, por edhe pse është shkruar thjeshtë, tek unë nxiti të shkruaj, pra me bindje them se është një libër që vlen për lexuesit, por edhe për studiuesit, nga ku mund të merren mesazhe të mëdha të cilat burojnë përmes vargut poetik të dalë nga shpirti i autorit. Në këtë libër të ndarë në 4 kapituj vërej që poezia e tij është më e stërholluar në përdorimin e mjeteve stilistike për të përçuar idetë dhe mesazhet tek shqiptarët pa u dalluar nga armiku (këtu futen poezitë e para viteve ’90 e poezitë që vijnë më pas, vërtet kanë mjete stilistike, por ato janë të thjeshta për t’u kuptuar, kjo si rezultat e ardhjes së demokracisë dhe shkallmimit të diktaturave më të egra që ka njohur shekulli i kaluar nga sundimi serb, sidomos mbi shqiptarët.

Unë shikoj një ngjashmëri të këndvështrimit të këtij autori të dashurisë me autorin Adem Demaci në veprën e tij “Dashuri kuantike”, ku bisedon dhe me të dashurën njëherësh me lirinë, si dy dashuri në një. Kështu në poezinë “Sonte ëndërroja” ai shpalos këto lloj dashurie kuantike për vashën dhe njëkohësisht për Atdheun, si dy dashuri që sa më shumë largohemi, aq më shumë ua ndjemë mungesën dhe aq më shumë na rëndon pesha e mallit. “Mund të dojë kushdo qoftë/ Por Perëndia të ka qëndisur për mua… T’i rrisim zogjtë e mëmëdheut/ Qofshin të mallkuar ata që të shtrënguan/  Ballin tënd të bukur shamia të mbulojë/ Perëndia i vraftë e nëma imë i zëntë/ Shqiptarët të vonuar i keni lënë/ Eja vasha ime, sa të dua/ Lëri kotësirat, moj gocë e bekuar!”

Apo tek poezia “Dashuria ime” ku shprehet: “Dashuria ime thellë më trand…/ Askush nuk e di që dhembja ime je ti…”, apo tek poezia “Jetoj dhe jetoj” Pa ty dielli nuk më ngroh mua/ Yjet errësojnë ndriçimin…” e përsëri e lidh me vendlindjen “Eja, afrohu, me ty të jetoj/ Të gdhijë agimi në vendin tonë/ Simfoni e zogjve të Sharrit/ E të Tomorrit për ne të këndojnë!”

Dashuria për Atdhe lind që me ardhjen tonë në jetë e na shoqëron gjithë jetën si një lidhje e pazgjidhshme e shpirtit tonë me “shpirtin” e tokës ku lindim, se nuk ka se si të shpjegohet ndryshe malli i vendlindjes, thikat që godisnin në zemër, kur vendi rënkon i robëruar e fluturon nga gëzimi, kur dëgjon për begatinë e tij. Ndaj e pse i mërguar vazhdon të jetosh jetën e Atdheut, e pse i mërguar, ëndrrat i sheh në Atdhe dhe dëshirat i lidh përherë me të, se vetëm Atdheu, vetëm dashuria është “diell që ngroh në çdo stinë/ Zemra ime si e zhytur në akull/ Pa ty e pa diellin akull ngrij…/ Të pres te burimet e Vardarit/ Kudoqoftë në Sharr, Tomor, a Pollog…”, thuhet tek poezia “Dielli që ngroh gjithmonë”, ku më fort e thellon mendimin tek poezia tjetër “Nata më mundon”, ku është vështirë të dallosh kufirin midis dashurisë së tij për vashën dhe për lirinë, apo kur flet për vashën, ka parasysh lirinë e vendit, por gjithsesi për të dyja dashuritë mund të thuhet e njëjta gjë: “Pa ty jeta është e zbrazët/ Si në Sharr, Tomorr, apo Pollog…/” Kjo është e keqja me shqiptarin, që as dashurisë, as lirisë nuk ia di vlerën, se pasi i fitojmë ato, nuk kujdesemi dhe autori shprehet “Nuk e çmova aq kur e pata pranë/ Sa s’u çmenda kur më kaloi matanë…/ Me të zeza jetën, në terr ma qiti…” tek poezia  “Ëndërroj”.

Nuk ka se si të shpjegohet ndryshe humbja e dashurisë dhe e lirisë përveç pakujdesisë dhe “sigurisë” se e kemi fituar përjetësisht (Dashurinë me celebrim në bashki dhe lirinë me Deklaratën e Pavarësisë), por harrojnë se që të dyja janë filiza të sapo mbjellë, që të rriten kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.

Po çfarë ndodh me ne, shqiptarët? Pasi të dashurën e bëjnë grua të ligjshme, e burgosin duke e kthyer robinë shtëpie, pa përfillur të drejtat dhe liritë e saj njerëzore, pra lirinë e saj e burgosin burrat në lirinë e tyre, kështu martesa prishet, po  kjo gjë ndodh edhe me lirinë duke e burgosur ne që e fitojmë me gjak, se harrojmë që ajo vaditet me djersë e përkushtim, ne e kthejmë atë në thjesht “grua” për të përfituar prej saj pa i dhënë hapësirë të zhvillohet, ndaj vendi ynë sërish robërohet po nga ata që e lanë me gjak duke kërkuar shpërblim për luftën, pa i dhënë djersë e përkushtim për ta nxjerrë nga prapambetja.

Me dhembje më duhet të pranoj, se kështu ndodhi në Shqipëri në 1944 e po kështu pas viteve ’90 – ës dhe në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, kështu ndodh edhe në Maqedoni, Mal të Zi e gjetkë, që politikanët shqiptarë në vend të përpiqen për të siguruar liritë dhe të drejtat e shqiptarëve, nuk lënë gjë pa bërë për të siguruar mirëqenien e tyre personale, ndaj ne, shqiptarët, mbetëm duke kërkuar ndër shekuj liri, edhe sot që jemi diçka të pavarur, përsëri kërkojmë liri dhe tek poezia “Ku je?” autori do të shprehet: “Ku je, ku je, o shpirt, afrohu…/ Ku ke humbur në tënden dëshirë/ Se gjaku i martirëve trima/ Nuk u derdh kot!” por këtë gjak që toka piu e shkelën me këmbë ata që morën pushtetin dhe fjala “liri” dhe “pavarësi” ekziston vetëm si nocion për të fshehur dhëmbët vampirë të ngulur në trupin e Shqipërisë, Kosovës, e kudo ka shqiptarë në trojet e veta.

Ku është liria? Ku është pavarësia? Ku është shteti shqiptar që akoma nënat shqiptare lindin bij për të ikur shërbëtorë nëpër botë përherë të malluar për atdhe e përherë porta mbyllur në atdhe?! “Koha bëri të vetën/ Armiku zgjodhi më të keqen/ Na zgjodhëm të vërtetën…/ Po, çfarë fituam e pse “Në gjoksin tënd sytë i mbaja/ Në mërgim sa herë na kapte vaja/ Kokën në gjoksin tënd vendosja/ Për jetë të jetës i thashë vetes/ Kurrë shtëpi pa ty mos të ndërtoja…”

Autori e pse e shkruan në vitin 1967 poezinë” “Sermnova e zemrës”unë do ta quaja aktuale për ditët e sotme në Kosovë, por me një ndryshim, kemi shfrytëzim të dyfishtë! Populli është më i varfër se nën pushtimin serb, më i ikur se asnjëherë…

Një nënë që nuk mund t’i mbledhë bijtë e saj e që nuk di se ku i ka e nga i ka, ndodh veç atëherë kur ajo është veçse e prangosur e për fat të keq, po ata që na gjakosën, por me gardianë që flasin shqip e nënën e kthejnë prostitutë për të marrë fitime marramendëse pa e vrarë mendjen se sa e si e lëndojnë atë, veç të jenë në rregull me krye tutorin antishqiptar dhe të mbushin xhepat e tyre që vetëm thellohen nga shpërblimet e majme që shtohen sa herë rrisin shfrytëzimin e pashpirt ndaj nënës së tyre.

E ashtu vetëtimthi më ven në mend një poezi që kam shkruar në 2012, dhe që është vlerësuar me çmimin të parë në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyci” me titull “Mëmëdheu emigrant”, pra ne që jetojmë në vendin tonë kemi fat emigranti, por do thosha se mos kishim “shpirtin” e tokës kaq pranë, zor se do mbijetonim. Shpeshherë çuditem se si arrijmë të mbijetojmë, por mbijetojmë, marrim frymë, por bijtë asgjë nuk kanë të sigurt për të ardhmen e tyre. Është e dhimbshme, kur bijtë fillojnë universitetin se kanë etje për dije e në të njëjtën kohë mendojnë të marrin rrugët e botës për të pasur mundësi për të krijuar familje. Kush do e zhvillojë kombin, ne pleqtë që mezi marrim frymë?  Ikën rinia e pse është e dashuruar përjetësisht me truallin e trashëguar brez pas brezi, ikën me kokën pas, me dhimbje në gjoks e me sy të përlotur, pa e ditur se çfarë e pret.

E pasi fitojnë pasuri e duan të kthehen për të investuar në Shqipëri, nuk favorizohen nga shteti, bile nxjerrin ligje për të favorizuar të huajt, kjo për të përligjur firma fantazmë dhe për të penguar zhvillimin e vendit nga vetë shqiptarët, si e vetmja rrugë për zhvillim dhe bashkim kombëtar, se boll kemi ëndërruar e thirrur për Kombin, sikur ai të ishte në një planet jashtëtokësor dhe harrojmë që kombi bashkohet kur ne ruajmë dhe zhvillojnë gjuhën shqipe, kur ruajmë dhe zhvillojmë kulturën dhe traditën e vyer shqiptare, kur shkruajmë dhe mësojmë historinë tonë të vërtetë, kur nuk endemi më rrugëve si turma verbuake duke klithur e tundur flamurë, pa ditur se ku shkojmë, kur shumat marramendëse që harxhohen për kongrese e konferenca “shkencore” të shoqëruara me dreka e darka të mos bëhen më vend e pavend, por këto para të investohen për të pastrehët, për shkolla e spitale, se Bashkimi Kombëtar nuk vjen me platforma, as me luftë e gjak, ai vjen me dije, me punë, me bashkim kapitalesh ne një bankë kombëtare e kështu kufijtë shkrihen vetvetiu, se edhe po t’i bashkojmë sot kufijtë, nuk bëjmë gjë tjetër vetëm do pasurojmë më shumë “gardianët” dhe “tutorët”. Të keqen ta kërkojmë tek vetja, duke mos e lejuar të na zaptojë… “Gishti ta ktheni nga vetja…” tha Doris Pak.

Në poezinë  e këtij autori e sheh qartazi se kjo ëndërra për të do të mbetet ëndërr dhe në poezinë “Ëndrra ime”, ai do të shkruante vargjet: “Ëndrra ime gjithmonë po ajo/ Gjumi të më kaplojë/ Dhe i gjallë të zgjohem/ Të kem kohë të shkruaj dy fjalë/ Bashkimi i trojeve shqiptare/ Në Arbërinë tonë të ndarë…” Populli shqiptar ka kërkuar historikisht Bashkimin dhe ka harruar zhvillimin, apo më mirë të themi, nuk e kanë lënë të zhvillohet, ndaj e ardhmja jonë duhet të shihet zhvillimi si bashkim mendjesh, zemrash dhe kapitalesh qw të investohen në trojet tona etnike, ku të punësohen bijtë tanë e cila është më e vështirë se bashkimi i kufijve, por që do sjellë ndryshim të jashtëzakonshëm.

Më kujtohet para disa vitesh, në mos gabofsha, në vitin 2006, isha në Strugë dhe aty kam takuar rastësisht pronarin e lokalit “Paris”, Filizan, më duket e quanin, i cili më ngazëlleu kur tha: “Bashkë me vëllezërit e blemë këtë lokal që të mos na ngulej në mes të Strugës një i huaj…” Ja një shembull, ka dhe tjerë plot, por shumë më shumë të ketë e kështu bëhemi bashkë duke qenë bashkë.

Autori e prek dhe e ndjen vështirësinë dhe pamundësinë që ai tw arrijë ta shohë këtë Bashkim, ndaj shprehet: “Do të shuhem pa e prekur me dorë/ E pa të parë ty, moj me sy/ Edhe në varr do të qaj këtë dashuri…”, po në poezinë “Ëndrra ime”.

Poetin e tremb koha në të cilën jetojmë, siç e tremb varri i zi, se poeti shikon të padukshmen e tmerrohet, ndaj kërkon të ikë larg, ashtu si Buda nëpër shkretëtirë, të kërkojë një dorë për t’i dhënë dorën, të kërkojë filozofinë e së vërtetës sonë, e së drejtës sonë të ligjshme për të mjekuar dhembjet e kombit, dhembje që poetët i shpon që nga mijëra kilometra largësi.”Të shkoj në një shkretëtirë/ Zogjtë të ma hedhin/ Për mëshirë ndonjë thërrimë/ Të mendoj për Shqipërinë/ Të qaj për fëmijët e  mi/ Që i lashë në mërgim të zi/ Do të shuhem duke qarë…/ Atdheun tim e lashë të ndarë…/ Me ëndrrat për shtetin tonë/ Iliri e madhe përgjithmonë.” Shprehet autore me dhembje përtej dhimbjes në poezinë “Të shkoj e mos kthehem kurrë” të shkruar në maj 2013 e këtë titull – dëshirë e shpreh me dufin e dëshirës që nuk u bë realitet, me ankthin e së tashmes dhe mugëtirën e së ardhmes, se shekujt kanë hapur kanale dhe tunele në trupin e kombit tonë që përpijnë dëshirat tona, megjithëse ai shpresën e lë të ndezur si një dritë që do ndriçojë brezat që do të vijnë.

Më duhet të shkruaj, mbase një libër për të hedhur refleksionet e mia gjatë dhe pas leximit të librit “Ditari i kujtimeve të paharruara” të autorit Sandulla Sendeli (Daja), se poezitë e këtij vëllimi poetik janë një vullkan që kurrë nuk e ndal shpërthimin, ashtu si shpirti i tij patriot i pushtuar nga dashuria kuantike për Atdheun e tij, për ardhmërinë dhe bashkimin e Kombit, ndaj për ta mbyllur që të lë radhë për shkrues tjerë që të ndizen nga këto vargje vullkanike për të shkruar me dëshirën e zemrës për të ndjellë lexues të gjithë kategorive për t’i bërë pronë të tyre mesazhet e pavdekshme të kësaj poezie.

Unë do ta mbyll me vargjet e tij shkëputur nga poezia “Miq të përbetuar” ku çdo shqiptar duhet t’i mbajë “vëth në vesh”, siç thotë populli ynë, se koha ecën dhe jeta rrjedh, brezat lënë vendin njëri – tjetrit, ripërtërihen, por kjo ripërtëritje  e popullit tonë ka ardhur përmes sakrificash e gjakderdhjes, përmes fitoresh e rrëmbim fitoresh sërish nga gjakësorët të ndihmuar nga tradhtitë e vjetra e të reja.

“Kokë e prerë e një zemre/ Që rreh edhe pas vdekjes…/ Tradhtia bart kokën t’ua dhurojë/ “Kanibalëve”…

VLORË, më 08.01.2014

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Sadulla Zendeli Daja, Zyba Hysen

NJË VEPËR KULMORE ME RËNDËSI LETRARE E SHKENCORE PËR BREZAT QË VIJNÊ

March 24, 2013 by dgreca

Nga Deli Smaka/

Këto ditë në kuadër të botimeve të redaksisë së revistës Dituria në Borås të Suedisë doli nga shtypi libri më i ri i autor Sokol Demakut, kushtuar legjendës së mërgatës shqiptare në Skandinavi Sadulla Zendeli Daja, me titull:  “SADULLA ZENDELI-DAJA, NË AVENTURË ME DROJËN E NJË EMIGRANTI ”PA ATDHE” me Këshilltar editorial dhe redaktor letrar:Prof. Murat Gecaj,  Redaktor: Baki Ymeri, Recensentë:Viron Kona dhe Kadrije Meniqi, Ballina dhe përpunimi kompjuterik: Shkëlqim Demaku, Botim i revistës “Dituria”, Borås-Suedi,dhe me autor, gazetarin, publicistin, poetin, pedagogun Sokol Demaku.

Në kuadrin e kësaj vepre, autori jep një pasqyrë reale mbi personalitetin krijues të veteranit të kulturës shqiptare në Suedi. Sokol Demaku e prezanton Sadulla Zendelin Dajën përmes mendimimeve të tij briliante në faqet e para të librit ku në menyrë faktike benë pershkrimin e vendlindjes së veteranit të arsimit në mërgim, Gostivarin me fshatrat e tij pitoreske, vazhdon me prezentimin e jetës dhe veprës së leksikografit, poetit, publicistit dhe mësuesit përmes një interviste me elemente të reja mbi jetën dhe veprën e Dajës në mërgim, që kjo formë e prezentimit te Demaku është bërë profesionale në punën e tij prej gazetari.

Ky libër kushtuar leksikografit, pedagogut të mërgatës sonë, sipas mendimit tim është një vepër kulmore me rendësi letrare dhe shkencore për brezat e ardhshëm që në një menyrë ata të kanë mundësin të njihen me mërgatën tonë që nuk është e pakët në ditët e sotme.

Lexuesi përmes këtij libri do e njoh më përse afërmi së pari mërgimtarin shqiptar të  viteve të 60-ta në Skandinavi, dëshirën e tij për të krijuar kushtet dhe mundësinë që të ndihmohet brezi i ri në mërgim, përmes shkollës shipe, sepse ishte koha kur në mërgim fëmijet shqiptar edhe pse nuk e zotëronin  gjuhën serbokroate detyroheshin ta mësonin në mërgim këtë gjuhë.

Puna e palodhshme e Dajës për të krijua lehtësi dhe mundësi për marrjen dhe mësimine  gjuhës suedeze nga mërgimatret shqiptar kur ai angazhohet në përpilimin dhe botimine fjlaorit të parë suedisht-shqip, një ndihmes shumë e madhe për mërgimatret shqiptar në këto kohë të vështira.

Mërgimtari i ri nga Gostivari me një eksperiencë të hidhur dhe të bollshme nga vendlindja nga represioni thotë se “ zgjodha të keqen më të vogël, duke emigruar nga vendi im i dashur, nga ai vënd, që çuditërisht gurët, që m’i vrisnin këmbët e zbathura, më dukeshin të butë, ”bash” sikur ecja mbi barin e njomë të vendlindjes sime të dashur! Vendosa të largohem kudoqoftë, në qiell, në hënë e parajsë, e në ferr jo”! Nga këtu del se edhe Daja ndihej i privilegjuar dhe për te ishte një krenari e madhe se ishte nga Gostivari dhe se  është edhe bashkëfashtar i heroit të madh, Xhem Gostivari. Po ka edhe heronj të tjerë, siç është inxhinieri më i njohur në ish-Jugosllavi. Një hero i madh i fshatit Koritë, Bilall Selimi. Fshati Koritë mund të krenohet edhe me Malik Azizin, i cili kishte një vizion shumë përparimtar për popullin shqiptar.E kështu në mesin e këtyre heronjëve dhe njerëzve të mëdhenje nga Gostivari do bëjë pjesë edhe Daja.

        Kryeprotagonisti i këtij libri u lind në fshatin Sërmnovë të Gostivarit. Pas mbarimit së shkollës, u punësua drejtor i kooperativës ”Bukovik”, në fshatin Sërmnovë.

Koha dhe kuhstet e jetës ishina to të cilat patën dnikim të madh në jetëne  mëtejme të protagonistit të këtij libri e lexuesi do ketë mundesi të ndjekë rrugën jetësore të Dajës ketu.

Me largimin e tij nga vendlindja, ai me vete mori dhe traditën dhe atdhedashurinë dhe Daja thotë me tutje:

“Gjuhën shqipe e kam sjellë nga vendlidja ime. Pa i harruar pllajat e bekuara shqiptare, vendosa të largohem kudoqoftë: në qiell, në hënë, në parajsë, veç në skëterrë jo! Takimi i parë me Suedinë ishte sinjali, se ëndërra ime për arsim dhe liria e popullit tim do të realizohen. Ky ishte një vrull atdhedashurie, nga dita e parë, në këtë vend nordik”. (Daja)

Këtë vepër e dinamizojnë edhe disa fotografi të bukura kushtuar Dajës në atdheun e tij të dytë, si dhe nëpër disa manifestime dinjitoze që janë mbajtur në Shqipëri dhe diasporë. Autori me precizitete prezenton punën dhe mundin e Dajës në mërgim dhe thotë se : Daja është “drita shqiptare” e Skandinavisë, ndërsa vlera reale e njeriut përcaktohet nga lartësia e realizimeve të tij. Atdhetarët tanë, në trevat shqiptare, të udhëhequr nga kjo ndjenjë magjike, u prinë gjeneratave të tëra drejt lirisë së mëmëdheut. E unë këtu do përdorë thënjen filozofike shqiptare nga paskopertina e librit në të cilën thuhet:

Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh

veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.

Sepse cdo shqiptar që mësyen veriun apo më mirë të them Suedin, të parin përson që do takoj apo ndeshë atje do jetë pikërisht Sadulla Zendeli Daja, jo ndoshta fizikisht por me veprat e tij e që ato nuk janë të pakta. Pra shqipatri do takoj Dajen atje përmes fjaloreve të tij suedisht – shqip që janë një ndihmes dhumë e madhe për cdo mergimtar shqiptar atje.

Për të vazhduar më tutje unë do përdorë serishë një thënje filozofike shqipe ku thuhet:

“Fjalët dhe punët e njerëzve të mëdhenj nuk janë sipas vendit e kohës së tyre, ata mund t’i përshtaten çdo kohe dhe çdo vendi”.

E mendoj se edhe Daja i cili na prezentohet në këtë libër na del i tillë dhe se do mbetet i tillë si në thenjen filozofike shqipe, sepse vepra e tij ate e bënë madheshtor dhe të pavdekshëm, i jep jetë dhe e bënë të afërt me të gjithë në mërgim.

Është shumë interesant se  Daja pas diplomimit në Shkollën e Lartë të Bibliotekarisë, zgjodhë për të jetua  ishullin Öland. “Ai thotë se e kam zgjedhur si një ishull shqiptar, sepse kështu e paramendoja. Edhe shenjtorja Birgita (Härliga Birgita) e ka kështjellën këtu. Ajo, kur ka shkuar në Itali, e gjeti një ishull si Ölandin. Dhe mbeti atje. Përmendorja i është ndërtuar në këtë ishull, aty afër shtëpisë verore, mbretërore”.

Pra me siguri edhe sadulla Zendeli Daja do jetë ai i cili do ndjekë rrugën e Birgitës së Shenjtë suedeze, por jo sepse Daja veq është prezent sot në vendlindjen e tij të shtrenjtë.

Pra siq duket motivi ishte se, duke qenë larg atdheut, mërgimtarët tanë i pret pashmangshëm asimilimi i pjesëshëm ose ai i plotë.

Libri vazhdon me prezentimin e mendimeve dhe fakteve te te tjerëve për Dajën e në mesin e  tyre do gjejmë fjalën e Ambasadorit të Shqiperisë në Stockhol Shaban Murati, fjalën e prof. Fetah Bahtiri nga Uddevala, poetit dhe mesusit Rizah Sheqiri nga qyteti Kristianstad, prof. Rexhep Jashari nga Landskruna, prof. Haxhi Biringjiku nga Norrköping, mbajtur në lokalet e Amnbasades së Shqipërisë në Stockholm me rastine promovimit të fjalorit të Dajës suedisht- shqip në vitin 2005.

Lexuesi do ketë mundësi këtu të lexoj edhe ca shenime nga njohës të mirë të punës dhe veprës së Dajës, si mikut nga Bukureshti dhe bashkëkombasit të Dajës,a po si ne e quajmë Djaloshi i Sharit, Baki Ymeri, pastaj nga Tirana miku i madh i Dajës, Murat Gecaj, poetit nga Iliriada Nehat Jahiu, i cili Dajës i kushtoi një poemë të terë.

Mendoj se Demaku me këtë paraqitje ia ka arritur qëllimit në portretizimin dhe prezentimin e verpimtarit të devotshëm të qështjes kombëtare, njeriut që tërë qënjen e tij ia kushtoj mërgatës, shkollës në mërgatë dhe fëmijëve të mërgimtarëve tanë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Deli Smaka, Sadulla Zendeli Daja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT