AMBASADORI I SHBA: ASNJË PËRPJEKJE PËR TË NA FRIKËSUAR S’DO NA PENGOJË/
-Reagimi – KSHH: Deklaratat e Llallës të papërshtatshme dhe të pa shëndetshme/
Ambasada amerikane ka postuar në facebook një deklaratë të ambasadorit amerikan: “Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhmi përpara popullit shqiptar për të monitoruar çdo hap të zbatimit të reformës në drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do të na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulim politik dhe korrupsion në gjyqësor. Ky është një premtim.”
Ambasadori Donald Lu
***
Reagimi – KSHH: Deklaratat e Llallës të papërshtatshme dhe të pa shëndetshme/
Duke marrë shkasë nga akuza dhe kundër akuzat midis ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe kryeprokurorit, Adriatik Llalla, Komiteti Shqiptar i Helsinkit konstaton se deklarata e Prokurorit të Përgjithshëm nuk është as e përshtatshme dhe as e shëndetshme për zbatimin e reformave në vend.KShH vlerëson se, Prokurori i Përgjithshëm dhe çdo prokuror tjetër në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.“KShH si një organizatë joqeveritare, jofitimprurëse dhe e pavarur vlerëson ndihmën e dhënë për vendin tonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të Zyrës së OPDAT (Programi i Ndihmës dhe i Trajnimit të Zhvillimit të Prokurorisë). Kjo zyrë ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të çmuar në drejtim të zhvillimit të drejtësisë penale, me synim intensifikimin e luftës kundër korrupsionit publik, krimit të organizuar dhe trafikimit njerëzor. Këtij qëllimi i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejnë trajnimet e ofruara nga kjo zyrë për gjykatës, policë e prokurorë, mbështetja logjistike si dhe teknike që synon rritjen e kapaciteteve dhe efikasitetit të strukturave për zbatimin e legjislacionit penal”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Komiteti i Helsinkit, vlerëson kontributin e dhënë nga zyra e OPDAT nëpërmjet ofrimit të ekspertizës profesionale amerikane, në mënyrë të veçantë për hartimin e legjislacionit pjesë e paketës anti-korrupsion.
“Dëshirojmë të përmendim këtu, kontributin e dhënë nga ekspertët e OPDAT dhe Misionit Euralius për hartimin e ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, zbatimi efektiv i të cilit do të jetë deçiziv në luftën kundër korrupsionit në vendin tonë. KShH nënvizon se, qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë duhet të mirëkuptohen jo vetëm kur shprehin vlerësime për funksionimin e institucioneve të shtetit shqiptar, por edhe kur ato ngrenë shqetësime dhe kritikojnë funksionin jo të duhur të këtij sistemi. Këto janë qëndrime të partnerëve që vijnë nga vende me demokraci e institucione të konsoliduara të shtetit të së drejtës dhe kontribuojnë në integrimin e vendit tonë në familjen evropiane”, thuhet më tej.