Në auditorin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua sot paradite ceremonia e përkujtimore e 16-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit gjeneral Ilir Konushevci dhe bashkëveprimtari i tij dr. Hazir Malaj.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Rrahman Rama; zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Muhamet Latifi; komandanti i Forcës Tokësore të FARSH, gjeneralmajor Zyber Dushku; përfaqësues të ambasadës së Kosovës, familjarë, miq dhe kolegë të dëshmorëve, etj.
Ceremonia u hap me ekzekutimin e Himnit të Flamurit dhe më pas u mbajt një minutë heshtje në nder të të rënëve.
Historiani i Kosovës, z. Skënder Zhitia mbajti një kumtesë në nder të jetës dhe veprës së dëshmorëve të kombit gjeneral Ilir Konushevci dhe dr. Hazir Malaj.
Gjithashtu kjo ceremoni u përkujtua me nderim edhe nga zëvendëskomandanti i FSK gjeneralmajor Rrahman Rama dhe zëvendësministri i FSK Muhamet Latifi.
Në këtë përvjetor të gjashtëmbëdhjetë të rënies së dëshmorëve Konushevci dhe Malaj , u mbajt një kumtesë dhe nga komandanti i Forcës Tokësore të FARSH gjeneralmajor Zyber Dushku, i cili vlerësoi maksimalisht kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës, duke u bërë simbol i mishërimit të vlerave më sublime(Almarina Gegvataj)