• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nata e arratisjes së madhe…

November 1, 2020 by dgreca

DUKAGJIN HATA-

Fragment nga libri në proces “Nga Golgota në “Tokën e Premtuar” –    

-Kushtuar aktit të familjes së Sakip Skepit dhe shtatë familjeve dibrane që thyen klonin enverist të Diktaturës më 12 maj 1958-  /

Nga Dukagjin HATA /

Ka disa ngjarje, që jo vetëm në jetën e njeriut, por dhe të banorëve të një komuniteti apo etnie, bëhen njësi matëse të psikologjisë së ndryshimit, qendra graviteti emocional, për sot e për nesër. Dhe kur i risjell ndërmend, me detajet e kohës kur kanë ndodhur, kupton më mirë peshën e të ndodhurës dhe domethënien e gjithçkaje… 

Atë pranverë të largët diktature, fryu një puhi e vakët shprese. Kishte ndodhur diçka e pazakontë, përtej sinoreve të realiteti propogandistik, që tronditi qetësinë e rreme në atë zonë të largët, në gji të maleve. Ngrehinat e një sistemi të ngritur mbi dogma dhe mashtrime qenë lëkundur, por ai ende qëndronte në këmbë dhe qe bërë më i rrezikshëm në tentativën e tij për të mbajtur nën presion dhe eleminuar kundërshtarët politikë dhe të gjithë ata që nuk ishin pjesë e rreshtit të brohoritësve entuziastë të revolucionit socialist.   

Regjimi diktatorial qe ndërtuar mbi dogmën e lumturisë kolektive të një populli, i cili ditën duartrokiste nga halli, nën vëzhgimin e mprehtë të sigurimit që pati depërtuar gjer dhe brenda në familje dhe natën, në vetminë e trishtë të mungesave klithëse, thurte ëndrra për të ikur nga rrethi i parajsës komuniste. Shumica mbetej në suazën e ëndrrës, për shkak të rrethanave mbytëse që iu diktonte ajo kohë e sëmurë, plot ankth dhe frikë, vetëm disa guxonin dhe akoma më pak, fare pak prej tyre, ia dilnin të çanin rrethin e ferrit dhe të iknin drejt botës së lirë.  

Njëra prej tyre është dhe familja Skepi, pjesë e shtatë familjeve dibrane, të cilat ajo i organizoi dhe plot 42 vetë, nën breshëritë e automatikëve, që i shoqëruan gjersa kaluan klonin e përgjakur të një regjimi monstruoz, thyen rrugën e trishtë të Golgotës enevriste dhe, pas një odiseje të pafund të qëndrimit në Shkup të ish Republikës së Jugosllavisë, mbërrtitën në “Tokën e Premtuar”.  

Në këtë libër, odisenë plot befasime të kësaj ikje të madhe do ta shohim me  sytë e një fëmije, aso kohe pesë vjeç, pjesë e këtij “pelegrinazhi” të çuditshëm “feste”, më vonë me sytë e një të riu që kërkon të gjejë vetveten në një realitet të ri, në Belgjikën plot suprizime dhe me sytë e një burri, që kërkon me çdo kusht të mbrojë identitetin e tij krenar, ëndrrat dhe kauazat për të cilat sakrifioi ai, familja e tij dhe të gjitha familjet shqiptare që ikën nga portat e ferrit komunist.    

Dibra është një nga trevat më rezistente ndaj urdive pushtuese nga brenda të njërës nga diktaturat më të përçudnuara që ka njohur njerëzimi në të gjitha kohët. Modeli dibran i mencurisë dhe pjekurisë, me arealin e shëmbëlltyrave, (muhabeteve me rrotulla e nënkuptime), por mbi të gjitha me trashëgiminë historike të qëndresës kundër të huajve, ishte shtrati shkëmbor ku do të thyente kokën ideologjia e agjitpropit dhe dogmës komuniste. 

Arratisjet politike të të pakënaqurve të Dibrës në vitet e regjimit komunist kanë qenë kthyer në një problem serioz për strukturat policore dhe ushtarake të Diktaturës, që shikonin tek populli i zgjuar dibran një arsenal “armiqsh” sa realë aq dhe imagjinarë.  

Fushë Alie, një krahinë buzë brigjeve të Drinit të Zi, ishte aso kohe një nga zonat më të ekspozuara ndaj vëmendjes deri në vigjilencë të sëmurë të sigurimit karshi elementëve të “deklasuar”, që ishin kontigjenti kryesor i të arratisurve. Për shkak të veprimtarisë së Halil Alisë, ish oficer i mbretnisë shqiptare dhe nacionalist me ndikim të jashtëzakonshëm në Fushë Alie, kjo krahinë u shpall një “karantinë” me të “infektuar” nga “bacili” antikomunist dhe ruhej me syçelësi nga rojet e regjimit.  

Blliçja, një fshat në skajin lindor të Fushë Alies, ishte shpallur qendra e “reaksionit” dhe qe kthyer në vendgoditjen e përçadokshme të strukturave të sigurimit.  

Në fund të viteve 50, një ngjarje bëri bujë dhe shkundi fort syprinën e keqkallaisur të agjitropit komunist, për gjoja lumturinë e popullit në epokën socialiste, duke nxjerrë në pah një realitet të dyzuar, mashtrues e denigrues, nga i cili njerëzit kërkonin të iknin me çdo çmim.  

Atë natë, para udhëtimit të ikjes së madhe, vogëlushi pesëvjeçar Sakip Skepi qëndroi zgjuar gjithë natën, duke ëndërruar mrekullitë e asaj që babai ia pati përshkruar si “festë e madhe”, ku ata do të shkonin pas një rruge të gjatë. Një ditë më parë, i ati i pati blerë një top llastiku dhe ai pati luajtur me shokët gjersa qe këputur fare, një argëtim i shumëlakuar për fëmijët e moshës së tij të asaj kohe të pakohë, ku mënyrat për të vrarë kohën, sidomos për një fëmijë ende parashkollor, shkonin më shumë kah rropatja e mundimshme se sa kah argëtimi.  

Vogëlushi rrinte syçelë dhe ëndërronte “festën” e premtuar nga babai dhe teksa përfytyrimi merrte udhë në fantazinë e harlisur të pesëvjeçarit, një si makth, e shtrëngonte në fyt dhe ia priste krahët fantazisë. Pse kjo hije e trishtë në shtëpinë ku gjithçka po lëvizte me shpejtësi, që nga plaçkat e stivosura deri tek mendimet që qarkonin rreth e qark në një gravitet dilemash?!  

Ndoshta vogëlushi, me intuitë e kuptonte se parafesta nuk shoqërohet me ankth, frikë e panik dhe e gjithë kjo, në mos qoftë një lojë e maskuar kukafshehti, me të cilën qe familjarizuar me shokët dhe shoqet e mëhallës, më së paku do të qe ndonjë rreng i të atit, adresuar kushedi se ku dhe kushedi se ndaj ndaj kujt! 

Kur e pati e pyetur të atin: “A është larg ajo festa?”, ai pati vënë buzën në gaz, por me tepër se buzëqeshje, ajo ishte një ngërdheshje dhimbje e trishtimi, të cilën ai rrekej ta fshihte në grimasën e rrudhave të imëta të ballit, që priteshin si me thikën në mjekrën e gjërë dhe të parruar prej ditësh.  

Po gdhihej 11 maj 1958 dhe megjithëse pranverë, një cingërimë ere frynte me duhi atyre anëve duke sjellë aromën e thërmuar të luleve të ftoit dhe shijen e kripës së gurit. 

Shtatë familje dibrane, nga një fshat i izoluar me emrin Blliçe, ku gazi i degës së punëve të brendshme qëndronte ditë e ditë, duke përgjuar jetën e atyre njerëzve të konsideruar armiq të regjimit, thyen klonin Stalinist shqiptar dhe ikën drejt botës së lirë. 

U nisën nëpër natë, në errësirën pus të thellë, që herë herë ndriçohej nga blici I hënëve që dilte nga shtëllungat e reve dhe përgjonte atë ikje të pazakontë, në një kohë të pa kohë. 

Vogëlushi kishte aq dëshirë të flinte, të binte në krahët e gjumit të ëmbël të moshës, por kjo qe e pamundur. Joshja e “festës” e mbante zgjuar, ndërsa ajo heshtje e kobshme, shoqëruar me trazime të befte gjatë rrugës,e bënte të kuptonte se kjo nuk qe një festë e zakontë…           

Ishte një nga arratisjet më të mëdha të kohës së komunizmit, e cila do të mbahej mend gjatë jo vetëm në Blliçe e Dibër, por në gjithë Shqipërinë. Organiztat e masave, sigurimi, gjithë ato leva të grasatuara të Diktaturës do të mblidheshin me ngut për të hetuar të ndodhurën, e cila e tejkalonte cakun e arsyetimit të kohës. Deri në bjeshkë rrugën e bënë gati me një frymë, sikur po i përndiqnin erenitë. Në bjeshkë kishte ende borë e cingërima e erës brisk bënte që tiu hynin të dridhurat gjer nën lëkurë. Për shkak të borës, ushtarët nuk ngjiteshin deri lart, kështuqë kaluan pa iu hyrë ferrë në këmbë.  

Babai, hijen e të cilit ndiqte vogëlushi, e njihte me pëllëmbë terrenin; qenë bjeshkët e tyre, qenë rritur e burrëruar në ato lëndina virgjine, mes të cilave tani po kalonin nën hijen e frikës dhe terrorit.  

Pesëvjeçarin do ta ndjekë për një kohë të gjatë, gjer në moshën e burrit, imazhi i asaj ikjeje nëpër natë, nën lehjen e qenve dhe kuisjen e erës, që dukej sikur ankohej për shpirtërat e humbur në terrin e dhimbjes pa emër. Gjithçka vajti mirë, por kur arritën në qafë, rojet e kufirit  i pikasën. Filloi breshëria e mitralozëve. Plumbat ranë mbi borë e fatmirësisht nuk kapën asnjë. U shtrinë barkas, duke u zvarritur nëpër borën e ngrirë, që ua shtinte drithmat nën lëkurë.  

Nuk mund të përshkruhen ankthi, stresi, frika dhe paniku, që e shoqërojnë një të arratisur nga “parajsa” socialiste, që pret nga çasti në çast t’ia behin ushtarët e kufirit dhe ta mbërthejnë…Fakti që mes të arratisurve kishte grad he fëmijë e bënte më alarmant çastin… 

Vogëlushi ndihej i trazuar dhe nuk e kuptonte se çfarë qe kjo “festë” e çuditshme, drejt të cilës po shkonin, që e detyronte të atin dhe të rriturit e të tjerë, të shkonin rrëshqanthi nëpër tokën e kallkanosur, në ankth e të të frikësuar nga hija e të panjohurës, që endej përqark si një kërcënim…   

Ishte ftohtë dhe errësira, që ende nuk qe shpërndarë nga tisi i agimit, bënte që ata të humbnin shënjestrat e përndjekseve të tyre. Me intuitë e kuptuan se ishin në tokën e huaj dhe u ndien të çliruar. Nuk ka më keq se të ndihesh i çliruar në tokë të huaj, mes njerzve të huaj. Por kështu ishte realiteti shqiptar i asaj epoke delirante, që pati ngritur një muranë të trishtë keqkuptimi dhe moskuptimimi midis shqiptarëve dhe shtetit të tyre.  

Diku humbën rrugën dhe u ndalën. Kishin thyer klonin stalinist shqiptar, nën breshërinë e plumbave dhe zulmën e urdive të ferrit…  

Nga frika se mos hynin sërish në kufirin shqiptar nëpër errësirë, pritën derisa u zbardh e u dorëzuam pastaj tek autoritetet jugosllave, që pasi i mbajtën 8 javë në një kamp, iu njohën statusin e refugjatit dhe më pas jetuan nëntë vjet në ish-Jugosllavi, për të mbërritur më vonë në Belgjikë, në vendin që u bë “Toka e tyre e Premtuar”.  

*

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dukagjin Hata, Nata e arratisjes, se Madhe

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve

March 30, 2013 by dgreca

Dita e sotme e Shtunës së Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, lidhur me jetën e Krishtit, nuk ka asnjë lajm për ne. E ndoqëm me mend Mësuesin e munduar, përmes Ungjillit, në Betani, në Tempull, në Çenakull, në Kopshtin e Ullinjve, në shtëpinë e kryepriftit, në prokurorinë e Pilatit, në Udhën e dhimbshme, mbi Kalvar. Dëgjuam fjalët e dashurisë, që u ngritën mbi fjalët e urrejtjes, të përsëritura pambarimisht në historinë e njeriut e pambarimisht të kota. Kotësi e kotësive! E pamë kur vdiq, kur e ulën nga druri ku e kishin mbërthyer pa kurrfarë mëshire, kur e lyen me vajra erëmira, e mbartën në rrugëzat e një ullishteje, e mbyllën në varr. Dëgjuam zhurmën rrënqethëse të gurit, që rrokullisej për të mbyllur grykën e varrit. Si zhurma e gozhdëve mbi arkivolet, që mbyllin trupat pa jetë të të dashurve tanë. Mbaroi! E s’dimë asgjë më. Armiqtë ngadhënjimtarë kthehen në shtëpitë e tyre tejet të kënaqur. Edhe për ta gjithçka u krye: nuk do ta kenë më nëpër këmbë kundërshtarin e padëshirueshëm. E zhdukën përgjithmonë, pa frikë kthimi. Nuk do t’ua vrasë më sytë rrugëve të Palestinës, as do t’i dëgjojnë më anatemat e tij të tmerrshme. E kujtojnë mirë. Nuk besojnë se do të kthehet më por, për të davaritur dyshimin e fundmë, vënë roje për ta mbikëqyrur varrin. Nuk harrojnë të vënë edhe vulat e tyre. Sigurohen kështu se askush nuk do të mund të vërë dorë mbi këtë varr, që e dëshironin aq shumë e që i trembeshin edhe më shumë. As dishepujt e interesuar për trupin e tij e as rojet, që mund të bliheshin lehtë, si Juda. S’ mendojnë fare për gjithëpushtetin e Hyjit! E shkojnë të kremtojnë Pashkët e tyre, tashmë pa pikë kuptimi, të sigurtë se Hyji është me ta.
Po nxënësit, ku janë? Ungjilli, në këtë orë ngushtice, përmend tre emra, me fat krejt të ndryshëm: Judën, tradhtarin, që shkon e varë veten, sepse nuk është në gjendje ta shndërrojë brerjen shkatërrimtare të ndërgjegjes në shpresë përtëritëse; Pjetrin, që e mohoi Mësuesin, por që, i penduar thellë nga vështrimi i tij, nuk pushon s’e lari mëkatin e vet me lot të hidhur; Gjonin, që ngjitet në Kalvar e merr nën kujdes, plot dashuri, Nënën.
Të tjerët ia kanë mbathur. Por gjithsesi, edhe ata kanë shkuar të shikojnë ç’do të ngjasë. Pavarësisht nga ligështia, fati i Nazarenit ishte tepër i lidhur me fatin e tyre. Edhe ata ishin në Udhën e Kryqit, të ngatërruar mes turmës, për t’u ruajtur nga rreziqet. E panë edhe ata, deri në fund të fundit, e shkuan, me zemër të plasur e shpresa të copëtuara. Nuk i kujtojnë më profecitë e Mjeshtrit, që janë avulluar nga mendja e tyre, e paaftë për të depërtuar në të mbinatyrshmen. Për ta, ashtu si për armiqtë, ndonëse në një mënyrë tjetër, gjithçka ka marrë fund. Vdekja nuk lejon epilogë.
Mbyllen në shtëpinë mike, që i ka strehuar herën e fundit së bashku me Jezusin. Juda ka vdekur. Nuk do t’i spiunojë askush. Mund ta konsiderojnë veten të sigurtë, në se nuk do të bien në sy. Pastaj, si të ketë kaluar tronditja e thellë, do të kthehen në shtëpitë e tyre, larg rreziqeve, në Galile, për të rifilluar jetën e tyre të paemër, të pashpresë, në të cilën nuk pritet më asgjë e jashtëzakonshme.
Përveç dishepujve, ka edhe të tjerë, që interesohen për Jezusin: Nikodemi e Jozefi i Arimatesë, të cilët i përkasin shoqërisë së kamur të Jeruzalemit, madje vetë Sinedrit, që e dënoi Jezusin. Jetuan në hije, nuk i miratuan metodat e kolegëve, madje edhe protestuan, gjithnjë me druajtje, pa rënë shumë në sy. Por tani që ai vdiq, nuk kanë ç’të humbasin më e dalin haptazi, pa kurrfarë droje. I bëjnë nderimet e fundit e pastaj edhe ata shkojnë në punë të vet, sepse edhe për ta gjithçka ka marrë fund. Vetëm grupi i vogël i grave nuk dorëzohet. As ato nuk e mendojnë ringjalljen. Por kanë një dashuri që s’njeh mort e presin t’u krijohet mundësia për ta shprehur edhe një herë mbi kufomën e njeriut të dashur. Edhe ato kthehen në shtëpi; edhe për ato gjithçka ka marrë fund. E megjithatë, janë gjithë sy e veshë, në një pritje, për të cilën u jep të drejtë dashuria.
Thua shkuan në shtëpinë e asaj që, e vetme pret ende, me bindje se mund të ndodhë gjithçka?
Nëna është pritur me krahë hapur në shtëpinë e Gjonit, birit të ri që ia dha Krishti mbi Kryq. E Gjoni bën çmos të gjejë mënyra për të zëvendësuar Birin e pazëvendësueshëm, të vetmin, Birin e Hyjit.
Askush nuk merr guxim t’i thotë një fjalë Marisë, e as ajo s’e kërkon. Shpirti i saj nuk është i vetmuar. Rri në pritje të zbulesës së re, duke kaluar nëpër mend çaste të tjera pritjeje, shprese, që nga çasti i parë, kur e lajmëroi Engjëlli, tek ditët e amësisë së saj të pazakontë, tek hapat e para të Jezusit, fakte që i meditonte e i ruante në fshehtësinë e zemrës së saj, ashtu si ruante në arkë petkat e birit misterioz, që dukej sikur e mohonte, që e priste, pastaj, në majën e kodrës e i besonte misionin e një amësie të re, për Gjonin, për njerëzimin e shëlbuar, për të gjithë ne.
E ne, bandë tekanjoze, e lënë nën kujdesin tënd, duam të rrimë me ty, Nënë, për ta jetuar me ty këtë natë, plot me fe, shpresë e dashuri. Nata jonë shpesh është e ngarkuar me dëshpërim. Edhe ne, si dishepujt, nuk shikojmë asgjë përtej pragut të vdekjes. Krishti e kapërceu këtë prag, e ne nuk e pamë duke u rikthyer. Besojmë se u rikthye plot lavdi, por nganjëherë besimi ynë lodhet. Shikojmë sesi miqtë, vëllezërit, ata që duam, shkojnë edhe ata, kapërcejnë pragun pa kthim e e dimë se do të kemi të njëjtin fat. Pritja është plot ankth, dridhemi nga errësira e përtej pragut, nga e panjohura.
Pranoi, o Nënë, lutjet e zemrave të trazuara, e na shoqëro në vetminë e vdekjes sonë, të pritjes së ftohtësisë së varrit. Lutu për ne, Nënë e Hyjit, tani e në orën e mbramë. Na e ndriço errësirën e mendjes me dritën e fesë sate; ngrohe ftohtësinë tonë për të vërtetat qiellore me zjarrin e dashurisë sate; tërhiqe zemrën tonë, të habitur pas fantazmave të jetës që kalon, që të presë plot shpresë të mbinatyrshme ngjalljen e Krishtit Shëlbues.

E Shtuna e Madhe: ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve

E Shtuna e Madhe: ‘Exultet’ – ‘Galdimi’ i Natës së Pashkëve
O natë, më e ndritshme se dita.
Natë në të cilën dashuria
del nga terri.
Natë që çliron
Jezusin nga varri.
Natë më e bardhë se dëbora,
më e ndritshme se drita e qirinjve,
më e kthjelltë se dita.

Nata më e ëmbël e qiellit.
Nata-roje e korpit të Krishtit,
natë kur Fryma e Zotit
tokën përshkon.
Natë që mbushet me yje,
natë e fitores,
që vdekjen e mund.
Më e ëmbla natë e qiellit.

Nata më e pasur me paqe.
Natë që fiton mbi botën e errët.
Natë e hirit që ndrit si lumnia.
Natë që josh historinë,
zemrën e përlyer që e kullon.
Nata më e pasur me paqe.

O natë, më e fortë se koha.
Natë e të Gjallit mbi univers.
Natë e fjalës
që mbush çdo heshtim.
Natë në të cilën Kisha
del në dritë.
Natë e ujit të gjallë,
pas ngricave dimërore.
O natë, ti më e fortë se koha”.
Natën e Pashkëve ndjehet fort atmosfera e Meshës së Mesnatës të Krishtlindjes. Edhe bashkësia është e njëjtë. E njëjtë edhe bukuria e liturgjisë që kremtohet në errësirën e natës. Janë të pranishëm të krishterët që duan të jetojnë në një hapësirë, në të cilën kremtohen të gjitha simbolet, lexohen të gjitha leximet, kryhen të gjitha gjestet e nevojshme për të rijetuar ngjarjen më të madhe të historisë së njerëzimit: Ngjalljen prej të vdekurve. Faleminderit Zotit, të krishterë të tillë nuk mungojnë. Ata sonte mbushin përplot Kishat në të katër anët e botës, për të dëgjuar, edhe një herë të parët, lajmin e madh: “Krishti u ngjall! Krishti është ndërmjet nesh! E atëherë luten:
“Jezus i kryqëzuar e i ngjallur, rri me ne!
Rri me ne, mik besnik e mbështetje e sigurtë
e njerëzimit në shtegtim nëpër rrugët e botës!
Ti, Fjalë e gjallë e Atit,
jepu shpresë e besim atyre që e kërkojnë
kuptimin e vërtetë të jetës së tyre.
Ti, Bukë e jetës së pasosur, ushqeje njeriun
e uritur për vërtetësi, për liri, për drejtësi, për paqe.

Rri me ne, Fjalë e gjallë e Atit,
mësona fjalë e gjeste paqeje:
paqe për tokën e shuguruar nga gjaku yt;
paqe për Vendet e Lindjes së Mesme e të Afrikës,
ku vijon të rrjedhë gjaku rrëké:
paqe për mbarë njerëzimin, mbi të cilin varet përherë
rreziku i luftërave vëllavrasëse”.

Krishti kërkon drejtësi e solidaritet bujar për masat njerëzore që edhe sot vuajnë e vdesin nga mjerimi e nga uria, të dhjetuara prej epidemive vdekjeprurëse e të thyera më dysh nën peshën e katastrofave natyrore. Nëpër forcën e Ngjalljes së Zotit, qofshin edhe ata pjesëtarë të një jete të re.
“Edhe ne, burrat e gratë e mijëvjeçarit të tretë,
kemi nevojë për ty, o Zot i Ngjallur!
Rri me ne deri në fund të kohëve.
Bëj që progresi material i popujve
të mos i errësojë kurrë vlerat shpirtërore
që janë shpirti i qytetërimeve të tyre.
Na ndihmo, të lutemi, në shtegtimin tonë.
Besojmë në Ty, në Ty shpresojmë,sepse vetëm ti ke fjalët jete të pasosur…”.
(Kortezi Radio Vatikani)

Filed Under: Kulture Tagged With: Dita e shtjnes, e te shenjte te Pashkeve, Radio Vatikani, se Madhe

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT