-Manifestime serbe në ditën e Vidovdanit – në 631 vjetorin e Betejës së Kosovës, që ka ndodhur në vitin 1389, e cila ishte humbur/
-Para 31 viteve, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, u binte daulleve të luftës…/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 28 Qershor 2020/ Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festojnë Vidovdanin, të mbledhur sot në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 631 vjetorin e Betejës së Kosovës.
Edhe me manifestime tjera, në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin 1389, e cila ishte humbur.
Para 31 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në 28 qershor 1989 në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, edhe Kosovën, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
“Ne ishim të guximshëm e dinjitozë. Tani, gjashtë shekuj më vonë, ne sërish jemi në betejë. Nuk janë këto beteja të armatosura, por ato nuk mund të përjashtohen”, thoshte Milosheviç në fushën e Kosovës në Gazimestan.
E “betejat” e Milosheviçit kundër Kosovës – shqiptarëve ishin të nisura. Po para 31 viteve, në rrethana tragjike terrori, Serbia në Kuvendin e saj në 28 mars të vitit 1989 miratoi “kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 si element konstituiv me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës pastaj dolën 7 shtete të pavarura.
Në demonstratat gjithëpopullore në mbrojtje të Kosovës nga sulmet e Serbisë, vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.
Edhe gjatë viteve të tjera, në ditën e Vidovdanit në Kosovë grupe ekstremiste të serbëve kanë manifestuar edhe provokacione, në forma të ndryshme. Është parë edhe se numri i pjesëmarrëve në manifestime të tilla me provokime është më i paktë nga viti në vit…
Media lokale serbe njofton se këtë vit shkaku i pandemisë numri i të ardhurve në manifestimet e Vidovdanit është më i vogël dhe me masa mbrojtëse….