Tiranë- Kryeministri, Edi Rama, ashtu si në rastin e zhurmës për armët kimike zgjodhi një komunikim pa gazetarë për të reaguar për herë të parë pas rrëzimit të avionit në Divjakë.
Duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj opozitës dhe asaj që ai i konsideroi trillime dhe përbaltje politike, Rama garantoi se nuk ka asgjë të vërtetë nën lukuninë e shpifjeve kriminale të ish-qeveritarëve të djeshëm.
Ja fjalimi i Ramës
Shfaqje e shpifur politike
“Pa rrumbullakosur asnjë fjali, ju rrëfej çfarë di e kuptoj po edhe ndjej, teksa një shfaqje e shpifur politike po luhet prej 3 ditësh. Një avion i ulur çuditërisht në rërë nga një profesionist italian, në ditën me diell, pasi fluturon aq sa për t’u pikasur nga njerëz, për t’u fotografuar e filmuar; një makinë e rastisur pikërisht aty plot me drogë. Piloti, një italian që s’kishte kaluar kurrë në atë rrugë, i ndodhur në pyllin e Divjakës. Me një parti në opozitë, që me të dalë titrat në televizione, lëshohet me kuç e me maç kundër meje, kundër Ministrit të Brendshëm, kundër Policisë, kundër interesit kombëtar; pa asnjë skrupull, pa asnjë sens mase, pa asnjë respekt për kohën që i duhet të vërtetës të dalë në shesh.”
S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë, që lidh emrin tim me të zezat
“S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë, asnjë fjalë që lidh emrin tim me të zezat e të këqijat e këtij vendi që e dua me gjithë fuqinë time, dhe ndaj jush që ju detyrohem gjithë jetën pë këtë nder që më keni bërë për të më vënë në krye të qeverisë. Nuk jam bërë kryeministër për tu bërë i pasur”
“S’ jam bërë kryeministër për tu bërë i pasur”
“S’ka asgjë të vërtetë në asnjë fjalë që lidh emrin tim me të zeza e të këqija të këtij vendi që e dua me shpirt, dhe ju njerëzi e këtij vendi që me keni bërë nder duke më vënë në krye të qeverisë së vendit tim. Unë nuk jam i pagabueshëm, por kurrë nuk do mund ë bëj gabimin për të punuar pas shpinës tuaj, nuk jam bërë kryeministër për t’u pasuruar në kurrizin tuaj.
Shqipëria s’ka qenë dhe s’do jetë me Kolumbi
Kujt lidh emrin tim me trafikun e drogës unë i rezervoj mëshirën time për llumin ku është i zhytur shpirtërisht, moralisht dhe mendërisht. Por kush lidh Shqipërinë e sotme me Kolumbinë e djeshme, meriton pa mëdyshje përbuzjen e çdo të vdekuri që e deshi dhe e çdo të gjalli që e do këtë vend! Shqipëria jonë e vogël nuk ka qenë si Kolumbia e djeshme e narkotrafikut, as dje, kur qeverisnin këta që sot janë lëshuar me tërbimin e tyre prej lukunie të egër, e padyshim nuk ka asnjë lidhje me Kolumbinë dje, Shqipëria jonë e vogël sot, kur gjatë tre muajve të fundit është kapur pesë herë më shumë drogë, se sa gjatë dhjetë muajve të fundit të qeverisjes së tyre.Të krahasosh Shqipërinë me Kolumbinë, duke qenë shqiptar, në këto kushte, kur pas kaq vitesh Shqipëria dhe shqiptarët kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë jo pak e jo vetëm për faj të tyre, nga paragjykimet e të tjerëve ndaj nesh dhe vendit tonë, e ta bësh këtë sot, duke shpifur në mënyrë kaq monstruoze me qëllimin e ulët të manipulimit të opinionit publik, shqiptar dhe ndërkombëtar, ndërkohë që ky popull meriton, një orë e më parë, një vend më të mirë në gjirin e Familjes Europiane, – do të thotë jo të mos mbështesësh vendin tënd, po të frymëzosh krimin dhe çdo forcë që s’do t’ia dijë fare brenda ose ashtë vendit për fatet, interesat, shpresat e ëndrrat e këtij populli.
Saimir Tahiri e Mimi Kodheli, Ministra me integritet
“Ministri i Brendshëm nuk është i pagabueshëm dhe ka gjëra që duhet t’i bëjë mirë por e gjithë sakrificën personale familjare ska asnjë krahasim. Cdo shqiptar sot duhet të jetë i bindur për aftësinë e integritetin e Saimir Tahirit. Po ashtu edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Lufta që kemi hapur kundër trafikut të drogës është vetëm faza e parë” tha Rama.
Opozita politikë me hallet e shqiptarëve
“Atyre ua kam thënë vazhdimisht në Parlament se duan të përfitojnë nga hallet e panumërta që njerëzit e këtij vendi kanë plot.Puna e Qeverisë së re është në fillimet e veta. E dinë se sa më shumë kalon koha, ju njerëzit e këtij vendi, do shihni do prekni do jetoni me ndryshimet e rilindjes, që do të sjellim, për Shqipërinë, ne ekonomi, arsim, rend, shëndetësi, drejtësi. Ekonomia ka filluar të japë shenjat e parë të daljes nga agonia.E dinë fare mire se nuk mund të thonë me se taksat nuk u ulën për 97% të shqiptarëve. Nuk mund të thonë se shtëpitë nuk mund të legalizohen falas. Ka nisur të marrë rrugën e duhur çdo gjë, pasi ministria e Brendshme nuk është me streha e bashkëpunimit të shtetit me krimin. Këtë e dinë mirë ata që janë në krye të kësaj shfaqje.Policia që ne po kthejmë në krye të detyrës është një kërcënim i pashoq për burimet e vjetra të të ardhurave nga krimi.Do provojmë me fakte dhe shifra, por dhe me nivelin e qetësisë, mirëqenies dhe dinjitetit vendit po në sytë e botës se çfarë investimi të mençur ka bërë populli shqiptar në 23 qershor. Çdo shqiptar të bëjë drejtësi për krime e vjedhje për askënd që nuk do mund të amnistohen”.
Ja pse nuk e mora seriozisht plakun e SHQUP-it
I kam dëgjuar disa, shumë ndër ta edhe dashamirës, kur thonë se unë nuk e mora seriozisht plakun e SHQUP-it kur na tha për avionët e drogës.Çfarë ka këtu për t’u marrë seriozisht dhe për çfarë arsye? Po sot që po flasim ka ndonjë shqiptar që e ka ndjekur gjithë ngjarjen që të mendojë se në Divjakë paska funksionuar një rrugë e trafikut të drogës dhe askush të mos e ketë parë përveç plakut të SHQUP-it. Ky film ishte si një film, se plazhi i Divjakës është një aeroport. Po të ma thoshin përsëri në Parlament nesër pasnesër se në Divjakë ngrihen avionë përnatë, do të përgjigjesha se aty ngrihet një lukuni mushkonjash. Ne nuk mund të merrnim seriozisht çmendurinë se në Divjakë e Gjadër paska linjë të përnatshme. Dyshimet e paprovuara, siç dolën ilegalisht, në një periudhë që përfshin kohën e qeverisë sonë nga strukturat inteligjente datojnë shumë para qeverisjes sonë. Përderisa ngreënë akuza ku ne nuk na shkon as mendja, do të thotë se diçka dinë. Do t’ju gënjeja nëse do ju thoja sot se ne i kemi këputur të gjitha fijet e korrupsionin në polici e ushtri, lufta kudër trafikut të drogës është në fazën e tij të parë.Lazarati as nuk u mboll me drogë në vjeshtën tonë në qeveri, as nuk u mbrojt nga qeveria jonë. Droga që u kap është mbjellë rehat në qeverisjen e kaluar.Reagimi i shtetit ka ardhur dhe do vijë vetëm duke u forcuar, e rrethi duke u bërë më mbytës për trafikantët e çdo lloji.Opozita bën politikë me krimin dhe e frymëzon krimin. Madje është po aq i interesuar të dëmtojë policinë e shtetit. Kjo quhet luftë interesash të një pushteti të humbur, që jep shpirt e nuk heq dorë. Ju kërkoj të mos ju bëjnë për budallenj njerëz që nuk ju kanë kërkuar aspak ndjesë për të këqijat e problemet që ju kanë shkaktuar.
Sa më shumë afron qershori, opozitës i hyn dreqi në bark
Logjikës suaj të thjeshtë do t’i bëj thirrje sot për të mos lejuar që t’ju marrin për budallenj njerëz që ende nuk kanë kërkuar asnjë ndjesë për plagët e dhimbjet, për gënjeshtrat dhe zhgënjimet që ju kanë bërë e shkaktuar deri më pak se një vit më parë; për të mos rënë pre e shkurajimit përpara vështirësive të jetës së përditshme, përpara dhimbjeve që më besoni, çdo ditë që kalon i ndjej shumë e përpiqem që t’i ndjej si ju, përballë problemeve të mëdha të jetës suaj; për të mos u tërhequr zvarrë në rrugën qorre të varfërisë së aspiratave që ushqehet me politikën e tërbimit; për të mos harruar sidoqoftë se pavarësisht se kemi shumë për të bërë e plot problem për të zgjidhur, rruga e re ka nisur, projekti i Shqipërisë Europiane që meritojnë fëmijët tanë po lëviz përpara, portat e Europës nuk janë më të mbyllura me përçmim para nesh, si dy apo tre vjet më parë.Si mendoni ju vëllezër e motra, shqiptarë që keni parë botën tanimë dhe askush nuk mund t’u mbajë peng të gënjeshtrave në një vend të izoluar, do të qëndronte e heshtur Europa që ka folur me zë të lartë për shumë më pak se sa kaq, nëse vërtet Shqipëria do të ishte kthyer pas, në këta muaj të qeverisjes sonë?Lëre pastaj nëse do të kishte shkuar aq teposhtë, sa brenda kaq pak kohe të ishte bërë Eldoradoja e avionëve të drogës në mes të Europës!Europa jo vetëm s’ka qëndruar e heshtur, po ka shprehur gjithnjë e më qartë optimizmin e rifituar tek Shqipëria e pas 23 qershorit, mbështetjen për reformat e ndërmarra në Shqipëri nga shumica e re qeverisëse, në një terren që miqtë dhe partnerët tanë, e dinë fort mirë se sa i vështirë është, tonet shumë inkurajuese për rezultatet e arritura në këta muaj në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit!Unë jam gjithnjë e më pak prej vitesh i prirur të përmend takimet e mia me kryeqeveritarët e vendeve të tjera, por dua t’ju siguroj se Shqipëria po fiton përditë e më shumë respekt në sytë e botës.Lejomëni të ndalem për sot këtu, të nderuar bashkëqytetarë e bashkëqytetare, me shpresën se munda t’ju lehtësoj sadopak nga trazimi cinik e tinëzar i këtyre ditëve, ku Europa na pret të mbyllim një kapitull të vjetër e të hapim një të ri në qershor, ndërsa disa këtu ndër ne, shqiptarë si ne ngjajnë sikur sa më shumë afron qershori aq më shumë u hyn dreqi në bark!Duan të prishin mendjen e ngritur tanimë të Familjes Europiane në prag të statusit? Nuk e di, por do të ishte një gabim fatal, sepse kjo është hera e fundit, kur për statusin mund të marrin edhe ata meritat e tyre.Të tjerat ia lemë ditëve në vijim, nga nesër paradite kur do të takohem me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe do kemi rastin të komunikojmë përsëri, jo më për mushkonjat, po për fazën e dytë të luftës kundër krimit dhe drogës në rrugën e Shqipërisë Europiane.