Nga Ahmet ZANI/
Shtëpia e zekajve në Lezhë, objekt i shpallur Monument Kulture është shembur plotësisht. Kjo banesë karakteristike në lagjen “Sheher” nuk i rezistoj dot motit të keq duke u shembur si pasojë e mos ndërhyrjes në të. Prej 2 ditësh ajo është kthyer në gërmadhë. Ky rrënim i të shkuarës së Shehrit, qytetit të vjetër të Lezhës, ishte paralajmeruar, por Ministria e Kulturës heshti. Ish përgjegjësi i kulturës Kombëtare në Lezhë Paulin Zefi thotë se kemi humbur një perlë arkitekturore, rrënimin e të cilës e kishte paralajmëruar. Sipas tij ministrja Kumbaro heshti ndaj nevojës për të investuar në këtë objekt 12 mijë euro, ndërsa tani do të duhen 150 mijë euro për ta ngritur në këmbë. Sipas Zefit nuk mund të pëdoret justifikim amortizimi ndër vite pasi ishte mundësia për ta mbrojtur.
“Ka qenë i vetëm ansambël ndërtimor dhe kompleks rezidencial në veriun e Shqipërisë i ndërtuar sipas stilit të shtëpive të Gjirokastrës. Eshtë ndërtuar në fund të shekullit të 17 dhe në fillim të shekullit të 18. Eshtë një banesë rreth 300-vjeçare. Edhe pse unë e kam dhënë alarmin për këtë shtëpi se do shembet Mistria e Kulturës nuk mori asnjë masë. Unë vetë peronalisht i ka bërë dy herë kërkesë ministres Kumbaro dhe ja kam shoqëruar edhe me foto që të ndërhyhet sa më parë, kjo e fundit nuk pati asnjë reagim. Kjo shtëpi tani është shembur dhe nëqoftëse në shtator të vitit që lamë pas ne mund të ndërhynim me një shumë prej 12 mijë eurosh, sot nevojiten të pakten 150 mijë euro. Dua të them se kemi humbur një perlë të jashtëzakoshme të historisë së qytetit të Lezhës. Ministria e Kulturës duhet të kishte ndërhyrë me kohë dhe nuk është justifikim që kjo problematikë është e mbartur prej vitesh ky është një version i konsumuar” u shpreh Paulin Zefi Ish përgjegjës i Kultures Kombëtare Lezhë.
Banesa qytetare e Sali Bajram Zeëes në lagjen e vjetër piktoreske Shehër ishte Monument-Kulture i kategorisë së parë, e marrë në mbrojtje që ne vitin 1963 dhe është pronë shtetërore nën administrimin e plotë të Ministrisë së Kulturës.