• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shën Kozmai! Ne nuk jemi Grekër, por të Krishterë!

August 18, 2017 by dgreca

Shën Kozmai, një misionar i ortodoksisë dhe një kundërshtar i Greqisë së Lashtë e i gjuhës shqipe?

4.Theniet e Kozmait pro turke dhe kundra grekeveNga Arben LLALLA/Më 14 Gusht u festua në Kolkondas të Libofshës 300 vjetori i lindjes së Shën Kozma Etolis i cili ka propaganduar përhapjen ortodoksisë, por edhe asimilimin e popujve të tjerë si shqiptarët, bullgarëve dhe vllahët.

5.Kozmai duke ju folur shqiptareve

Propaganda për mbajtjen e këtij manifestimi hapi debate të ashpra deri në akuza të rënda. Ithtarët dhe përfaqësuesit e Kishës Autoqefale Shqiptare i akuzonin ata që ishin kundër këtij manifestimi si ateist, nuk i përkasin ortodoksisë dhe komunistë, ndërsa grupi që kritikonte madhështinë e këtij manifestimi thoshin se Shën Kozmai ka qenë një antishqiptar. Si pasojë e debateve të ashpra ky përkujtim kaloj i qetë, pa madhështinë e paralajmëruar, dështoj edhe Simpoziumi Shkencorë që do mbahej për nderim të tij.

Në tubimin kryesorë që u mbajt në Kolkondas nuk ishin më shumë se 500-600 veta, të cilët një pjesë e tyre kishin ardhur nga Greqia. Figura më e lartë e këtij manifestimi ishte deputeti i partisë greke Demokracia e Re (Nea Demokratia) i Larisës, ish-ministri Maksimos Harakopulos. Gjatë ceremonisë Kryepeshkopi Anastasios, si avokat mbrojtës i Shën Kozmait deklaroj se: “Në kohën kur veproj ai nuk kishte kufij shtetesh dhe gjuha shqipe nuk shkruhej, si e tillë ajo nuk mund të ishte pjesë e shërbesave fetare. Kështu, që Shën Kozmai kërkonte arsimimin e popullit duke hapur shkolla për të bërë të mundur njohjen e librave të shenjtë”.

Si diplomat dhe filozof, Hirësia e Tij, mundi ti radhisë mirë fjalët për të mbrojtur Shën Kozmain gjatë fjalimit para popullit, por ne do ti vërtetojmë me fakte dhe shkencë se Shën Kozmai hapte shkollat greke për të asimiluar popujt e tjerë jogrek. Kryepeshkop Anastasi disa herë ka përmendur se Shën Kozmain e kanë respektuar ndër vite shqiptarët. Kjo është shumë e vërtetë që një pakicë e shqiptarëve e respekton Shën Kozmain si imponim i bërë nga rrethanat e kohës dhe nga Patriarkana e Stambollit. Por nga ajo shumicë e shqiptarëve ortodoks që ka në Shqipëri, vetëm një pakicë i përkulet atij, kjo u vërejt edhe në 300 vjetorin e Kozma Etolos.

Interesant është fakti se Patriarku i Stambollit z.Bartholomeo qëndroj në Greqi nga data 20-24 Gusht, dhe nuk mbajti asnjë meshë në kujtim të Shën Kozmait dhe pse ka qenë Patriarkana e Stambollit që e ka shpallur atë të Shenjtë.

Kush është Kozma Etolos

Kozma Etolos lindi diku midis 1700-1714 (vit dhe datë të saktë nuk ka) në rajonin e Etolisë, në fshatin Mega Dhendron, afër qytetit Thermo, dhe u dorëzua murg në Malin e Agios Oros ku kreu shkollën Teologjike. Emri i tij i vërtet ishte Konsta Anifanti dhe prindërit ishin nga Epiri i Jugut-Çamëria, të rrethit të Prevezës. Familja e Kozmait ishte shumë e varfër, babai i tij mbante çantat e fshatarëve nga fusha për në shtëpitë e tyre për të siguruar bukën e gojës. Ka shumë mundësi që ai ta dinte gjuhën shqipe të përdorimit të përditshëm. (Për çudi edhe Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastasi është me origjinë nga ajo zonë, ndoshta është lidhja shpirtërore midis tyre që Kryepeshkopi e nderon kaq shumë Shën Kozmain, duke ndërtuar për nder të tij brenda 10 viteve rreth 6 kisha në Shqipëri). Në disa libra lexova se Kozma Etolos ishte vllah, këtë e shkruan edhe G.A.Papathanasiu, në librin, “Historia e Vllahëve”, botim, 1994, fq. 39. Në të vërtetë Kozma Etolos ishte nga zona që shumica e banorëve ishin vlleh, por kjo nuk do të thotë që ishte vlleh. Popullsia vllahe në Epir ka banuar vllezërisht vetëm me shqiptarët, prandaj edhe zakonet, veshja e tyre është pothuajse e njëjtë.

Pasi mbaroj shkollën fetare, ai filloj misionin për asimilimin e vllahëve, bullgarëve dhe shqiptarëve në Traki, Maqedoni dhe Epir. Sipas gojëdhënave ka hapur rreth 200 shkolla greke, fliste gjuhën turke, frengjisht, hebraisht, shqip dhe vllahishten. Që Kozma Etolos të ketë hapur rreth 200 shkolla greke në kohën kur nuk ekzistonte shteti grek është e pamundur. Kjo është thjeshtë një gënjeshtër sepse sipas të dhënave zyrtare të Greqisë, në 157 fshatra në Epir ka patur 78 shkolla greke më 1874. Pra, me gjithë financime dhe misionarë të shumtë, Greqia mundi në Epir të hapte vetëm 78 shkolla, ndërsa Shën Kozmai i vetëm 200. Kjo është e pamundur. Ka të dhëna se Shën Kozmai ka hapur vetëm një shkollë në Himarë më 1770, dhe një shkollë në Dropull më 1773. Shkollat greke kanë qenë të pakta deri në fillim të shek.19, ato numëroheshin me gishtat e njerëz dorë.

Kozma Etolos u arrestua në një fshat të Fierit nga turqit dhe u var më 24 Gusht 1779. Në një shkrim Gjergj Mihalit, shkruan se Shën Kozmai u vra nga Mullai i Ahmet Kurt Pasha i Beratit, i cili ishte paguar nga hebrenjtë. Për pagesën që bënë hebrenjtë për të varrë Shën Kozmain shkruajnë edhe shumë autor grek sepse ai i urrente shumë hebrenjtë. Kozma Etoli më shumë ka qëndruar në Epir, në atë zonë që e njihte mirë gjuhën e banorëve. Ai bëri një udhëtim në Traki dhe Maqedoni, por misioni i tij dështojë në këto treva. Shën Kozmai ishte një murg i thjeshtë, pa një vend të sigurt qëndrimi, nuk shërbente në asnjë kishë, por bukën e gojës e siguronte duke mbajtur fjalime ortodokse në çdo fshat.

Sipas shumë biografëve Kozma Etolosit bënte propagandën që dita e pazarit në Greqi të mos jetë dita e Diel ashtu siç e kanë vendosur hebrenjtë, por të jetë dita e Shtunë me qëllim që njerëzit të Dielën të shkojnë në kishë për tu lutur. Thirrja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të Shtunën e dëmtojë rëndë bashkësinë hebrenj sepse të Shtunën ata kryenin rritet e tyre fetare. Në të vërtet nuk ishte ideja e Kozma Etolos që dita e pazarit të bëhej të Shtunën dhe jo të Dielën, por e tregtarëve shqiptar të Epirit. Marko Gjolas(Markos Gkolias), në librin e tij, botim 1972, me titull: “Kozma Etolos dhe Epoka e tij”, në faqen 18, shkruan se Shumica e popullsisë ishte e krishterë dhe tregtarët e krishterë dëshironin të kishin pazaret e tyre në ditën e Shtunë duke dëmtuar tregtarët hebrenj. Financuesit e kësaj ideje ishin tregtarët shqiptar të Epirit të cilët financuan predikimet e Kozma Etolos për Ditën e Pazarit të jetë e Shtuna. Kështu, nga një propagandë e thjeshtë për tregti, ajo kaloj në një propagandë fanatike fetare e cila mori formën e plotë të urrejtjes ekstremiste midis ortodoksëve dhe hebrenjve.

Në fillimet e shek.18, shqiptarët po hynin fuqishëm si tregtarë në tregun e Perandorisë Osmane, ata mundën të organizonin Ditën e Pazarit duke ua marrë ekskluzivitetin hebrenjve të cilët kishin gjetur hapësirën e pasurimit të tyre pikërisht duke organizuar këtë ditë.

Për urrejtjen e hebrenjve ndaj Shën Kozmai, ai vetë ishte i ndërgjegjshëm. Më 2 Mars 1779, Kozma Etolos i shkruante vëllait të tij, Krisanthos se : “Dhjetëra mijëra të krishterë më duan, por vetëm njëri më urren, mijëra turq më duan, por vetëm njëri kaq shumë, mijëra hebrenj duan vdekjen time, por askush nuk e do jovdekjen time”. Pra, siç del nga letra Shën Kozmai ishte i bindur se vdekja do ti vinte nga hebrenjtë sepse ata kishin shumë arsye për ta vrarë atë. Më 2013, Rabini hebre, Morntehai Frizi, deklaroj publikisht se Hebrenjtë e vranë Shën Kozmain. Sipas legjendës, Shën Kozmain e varën në një pemë dhe trupin e tij e hodhën në Lumin Seman, pas tre ditësh e gjeti famullai i kishës dhe e varrosi në oborrin e saj. Një gojëdhënë thotë se kokën e Shën Kozmai e mori Ali Pasha dhe e lau me argjend si shenjë respekti për profecinë në favor të tij. Kozma Etolos nuk mundi të shkelte të gjitha trevat e Shqipërisë së sotme që banorët ishin në ato vite shumicë të krishterë si në Korçë, Elbasan, Durrës etj. Misioni i tij u ndal  atje, në Kolkondas të Fierit.

Shën Kozmai u shpall Shenjtor në 20 Prill të 1961, nga Patriarkana e Stambollit

Fakte që Shën Kozmai ishte kundërshtar i Greqisë së Lashtë dhe gjuhës shqipe

Në Doktrinë e parë Shën Kozmai i drejtohet grekëve:

Ne nuk jemi Grek, por të Krishterë!

Dhe Unë, Vëllezërit e mi, që denjësisht qëndrova në këtë apostoli të shenjtë për mëshirën e Krishtit tonë dhe të Perëndisë sonë, Ju nuk jeni grek, Ju nuk jeni mosbesues, heretikë, ateistë, por ju jeni të krishterë ortodoksë të devotshëm, se ju jeni të pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, ju jeni bijtë e bijat e Krishtit tonë.

Këto vargje të Shën Kozmait kanë shfaqur shumë polemika dhe diskutime në Greqi sepse ai shpreh hapët luftën ndaj kulturës dhe Greqisë së Lashtë. Asaj Greqie që besojnë grekët e sotëm se janë trashëgimtar. Shën Kozmai ishte i vetëdijshëm se ,,grekëve,, që ju fliste ishin trashëgimtarët e Greqisë së Lashtë, por ata nuk flisnin greqishten e tij, por gjuhën e perëndive të Olimbit, që ishte dhe është shqipja. Shqiptarët e shekujve të kaluar ishin të bindur se ishin grekët e lashtë, këtë e ka deklaruar edhe ish-zëvendëskryeministri i Greqisë, Teodoror Pangallos më 2003, në Athinë.

Lufta kundër gjuhës shqipe e Shën Kozmait

Në të gjithë librat grek që lexova për Shën Kozmain ndesha në fjalinë e tij kundër gjuhës shqipe që thoshte në trevat shqiptare: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi i shtatë, drejtuar shqiptarëve të Epirit).

Me këtë teori Shën Kozmai donte të çrrënjoste gjuhën shqipe nga shqiptarët. Këtë shpjegim e thonë të gjithë studiuesit grek të biografisë së tij. Në kohën që Shën Kozmai mallkonte gjuhen shqipe, ishte vetë Sulltan Abdulhamiti më 31 maj 1779, që lëshoj një Ferman ku thuhej që të merret në mbrojtje kultura, gjuha greke, të mbrohen grekët nga shqiptarët, të ndiqen ata që mësojnë shqip. Por lind pyetja: Përse Kozma Etolos kërkonte të ndalohej gjuha vllahe dhe shqipe që flisnin banorët në territorin e Greqisë së sotme? Pra, kjo kërkesë e tij tregon se popullsia nuk ishte greke në ato territore ku propagandonte Shën Kozmai si në Trakia, Maqedoni dhe Epir, por vllahe dhe shqiptare.

Ka të dhëna se në vitin 1777, Kozma Etolos qëndroj në fshatin Baieasa ose Vovousa që banohej nga vllahët afër Janinës, ai ju tha banorëve: “Gjuha greke është gjuha e Zotit, ndërsa gjuha vllahe është gjuha e Djallit”.

Këto janë vetëm disa vështrime historike për propagandën e Shën Kozmait për greqizmin e Jugut të Shqipërisë. Por sot, misionin e Shën Kozmait e vazhdon Kryepeshkopi i Shqipërisë z.Anastas Gerasimos Janaullatos. Ai me anë të gjuhës melankolike, i butë dhe me një buzëqeshje ironike e me kulturën bizantine, Hiqu sikur s’ke, Hiqu sikur s’je, ka arritur ti fusë në kurthe politikanët shqiptarë për të siguruar pavdekshmërinë e misionit të tij të vërtetë. Por Hirësia e Tij duhet ti trembet vetëm hakmarrjes së Zotit, ditën e gjykimit, jam i bindur se ai i trembet vërtet shumë asaj dite.

Çfarë ishte në të vërtetë Shën Kozmai

Shën Kozmai nuk ishte grek sepse nuk ekzistonte kombi grek, as Greqia si shtet. Ai ishte një misionar i përhapjes së ortodoksisë së Bizantit duke sulmuar gjuhët dhe kulturat popujve të tjerë. Kozma Etolos nëse do ringjallej sot do të çmendej nga nderimet e mëdha që i bënë Greqia, sepse ai punoj dhe luftoj për ortodoksisë nën Perandorinë Osmane.

Sot Greqia Shën Kozmain e ka shpallur Babai i Greqisë Moderne, ky është një vlerësim i drejtë sepse ai tërë jetën e tij ia kushtojë gjuhës dhe kulturës ortodokse të sotme greke që s’ka lidhje fare me gjuhën dhe kulturën e Greqisë së Lashtë. Sipas kësaj del se Kombi i sotëm grek nuk është ai kombi grek që kanë shkruar filozofët dhe historianët e lashtë nga frymëzohet e tërë bota. Pra, historia e Greqisë së sotme fillon me Shën Kozmain, kjo sipas vetëm grekëve.

Ka disa vite që thonë se është gjetur një letër e Shën Kozmait e nënshkruan në fund nga dora e tij para se ta arrestonin. Për mendimin tim kjo është një mashtrim sepse nuk mund ta vërtetojë askush origjinalitetin e kësaj letre duke u nisur nga koha që jetoj Kozma Etolos. Nuk janë ruajtur letra të tilla për shumë arsye sepse ai nuk ishte ndonjë figurë qendrore e Kishës Ortodokse të Patriarkanës së Stambollit. Ato që i referohemi si profecitë e Shën Kozmait nuk janë veçse tekste, të cilat janë bazuar në predikimet e tij. Nuk ka dorëshkrime origjinale të tij, sikurse nuk ka edhe data të sakta për secilin prej tyre. Besohet se ndonëse fillesat janë predikimet e tij, ato janë shkruar dhe kopjuar vetëm pas vdekjes së tij, sikurse mund të ketë edhe modifikime si rezultat i këtij procesi. Bashkë me profecinë që shkruesit e më vonshëm i sollën deri në ditët tona japin edhe komentet që lidhen me kohën që jetoj Shën Kozmai.

Kozma Etolos ishte një fanatik i kishës ortodokse i cili propagandonte gjuhën e saj, ai kishte për qëllim që popullsitë që jetonin nënpushtimin osman si shqiptarët, vllahët, sllavët etj., ti kthente në një popullsi Unike në shërbim të Patriarkanës së Stambollit e cila ishte vënë në shërbim të Sulltanit prej kaq vitesh. A ishte profet Shën Kozmai? Ai nuk mund të ishte profet, në atë periudhë shumë njerëz përdornin fjalitë që kishin lexuar nëpër libra për të përfituar të holla. Ishte koha ku në perandorinë Otomane njerëzit ishin injorantë, të pa shkolluar, të shtypur, ishin skllevër që punonin për të paguar haraç dhe ishte e logjikës që një njeri i shkolluar në Manastire në Malin e Agios Oros të gjente terrenin për të propaganduar për atë që ishte paguar.

Shën Kozmai në fjalimet e tij nuk i referohej asnjëherë filozofëve të Greqisë së Lashtë, por librave të hebrenjve, librave të krishterimit që nuk ishin të autorëve grek, por hebrenj. Në këtë pikë kemi përplasje midis ideologjisë së Filozofëve dhe të Ortodoksisë. Ai ishte një mbrojtës i pushtimit turk, sepse shpesh herë predikonte se pushtimi turk është i mirë, ata i mbrojnë grekët nga kërcënimi i perëndimit.

Në përfundim të këtij studimi i cili është mbështetur mbi bazë të të dhënave serioze le të hedhin akuzat ata që besojnë në gënjeshtrën. Le të na quajnë Ateist, Komunistë, Heretik, jo i Krishterë, Nacionalistë, por e vërteta mbetet e vërtetë. Shën Kozmai duhet nderuar vetëm për realizim e Profetësisë së Tij që Greqia e sotme është një shtet fanatik Ortodoksë, ku minoritetet nuk njihen, ku qytetarët grek që i përkasin besimeve të tjera si mysliman, katolik, jehova, etj., shtypen, kërcënohen në vendin që pretendon se ka patur Demokraci që në kohën e Lashtë.

Bibliografia

Gazeta, ANAPLASIS, Janar, 1953

Revista Istorika Themata, Gusht, 2003, Greqi

Revista, ISTORIKO Grnosia, 2001

Revista CONTACT, 2001, Agrinio

Marko Giolas, Kozmai dhe Epoka e tij, 1975

Κ. Simopulos, Udhëtarët e Huaj në Greqi,

Thoma Paskidhu, Pellazgët, 1879, Greqi

  1. D.Metallinu, I Zoi toy Kozma Etolos, 2003

Efstathios Gieorgios, Kozmas Etolos…, Thessaloniki, 2010

Menun Ioannio, Kozmas Etolos…., Athinë, 1979

Theothoru Zish, Agios Kozma Etolos, 2008

Stergios Sakkos, Agios Kozmas-Profetis

Nikoslaos Psimenos, Etolakarmane Llogji, 1981

www.history-of-macedonia.com

www.pare-dose.net

www.agioskosmas.gr

www.freeinquiry.gr

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, ne nuk demi greke, por të Krishterë!, Shen Kozmai

SHËN KOZMAI, PROFETI ANTISHQIPTAR

January 27, 2014 by dgreca

NGA RASIM BEBO/CHIKAGO/

Para se të vijmë te Shën Kozmai, të shohim se Krishterimi është vendosur nga perandorë Romake me prejardhje iliro-shqiptare.  Perandori i Romës Kostandini i Madh (306-337) iliriani shqiptar nga Kosova, nxori urdhëresën e famshme për ndalimin e përndjekjeve  të të krishterëve në vitin (311 e. j.) dhe dy vjet më pas (313), urdhëresën tjetër për pranimin  e   Krishterimit  si feja zyrtare e Perandorisë Romake, këto përmenden si  “Edikt, ose Dekret i Milanit”. Në vitin 325 ai thirri Këshillin e Krishterë të Nikesë, ku morën pjese 318 peshkopë. Vuri themelet e supermacisë spirituale të kishës katolike, në botën perëndimore dhe Ortodoksinë, në botën lindore. (E. Jackues, “Shqiptaret”, bot. 1995, f. 152).  (T. Zavalani, “Histori…” bot. 1998, f. 56).     

Grekët flisnin dhe mburreshin me ëndrrat për Greqinë ,greko bizantine. Ndërsa Historiani Robert Angeli ua hedh poshtë duke u thënë: “Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht HELLAS kur u krijua si mbretëri e pavarur më 1830, të erës sonë.  Më parë, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajtur  as Hellas, as Graecia,  as Perandori  Greke ose Helenike, po gjithmonë Perandoria Bizantine dhe kurrë nuk ka pasur perandorë bizantinë të cilësuar  grekë. Grekët  sot që në krye deri ne fund të veprave të tyre kanë mashtruar…”.  (Enigma), bot. 1991,  f. 182).  

Të mësojmë,  se si rrjedhojë e këtij sistemi të veçantë “qeverisë brenda qeverisë”.    E. J. citon Sevasti Qiriazi Dako, shpjegon: “Mund të duket e çuditshme, rezultati imediat i pushtimit turk më 1453 ishte në dobi të patrikanës  bizantine. Mehmeti i II, pushtuesi i Kostandinopojës, duke shfrytëzuar urrejtjen midis Papës dhe Patriarkut, u ngazëllye nga fakti se mund ta bënte Kishën ortodokse të Lindjes që ta konsideronte atë si bamirës dhe mbrojtës të sajin. Ai i dha Patrik Genadit gradën e pashait dhe nxori një dekret që e njihte atë dhe pasuesit e tij, si krerë shpirtërorë dhe civile të të gjitha bashkësive  ortodokse.  Juridiksioni i tij përfshinte të gjithë greket, shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe sllavët. Me fjalë të tjera, ky dekret perandorak  e shndërroi  Kishën Ortodokse të Lindjes në një shtet brenda shtetit. Ai e vuri atë nën kontrollin e plotë të grekëve që banonin në Fanar. Që prej asaj kohe, forcat e kishës përdoreshin si armë politike në shërbim të “Idesë së madhe” greke d.m.th. helenizimit të kombeve të tjera të Ballkanit.                                         

Për të arritur këtë qëllim, fanarjotët shpallën gjuhën greke të plotfuqishme. Alfabeti grek, librat greke, shkollat greke, kishat greke u bënë tipar zotërues të jetës intelektuale të popujve të krishterë të Ballkanit, deri në fillim të shek XX.  Despotizmi shpirtëror i Patrikanës ishte më i keq se tirania politike e turqve. Ata që guxonin të ngrinin krye, braktiseshin , mallkoheshin, shkishëroheshin dhe paditeshin tek autoritetet turke, si kryengritës rebelë kundra qeverisë. Autoritetet turke bashkëpunonin haptas me peshkopët grekë për shtypjen e shpirtit kombëtar të shqiptarëve. (E. jacques, “Shqiptarët”, bot. 1995, f. 232).       

Sejdi Kondi shkruan:  “…Për mua, misioni juaj gjatë vitve 1768-1774 nuk duhet konsideruar i mbyllur. Unë do ta quaj atë thjesht fazën e parë…-Tamam – tha Kozma Etoliani që shtoi. – Ne ato vite të vështira ne predikuam paqen,urtësinë dhe qetësinë. – Pra bëmë një rrugë e dy punë – vijoi Sofroni (Patriku i Fanarit). – Kryem edhe detyrimin tonë ndaj helenizimit, por i bëmë qejfin edhe Sulltanit fuqiplotë. – Pikërisht, pikërisht, e  mbështeti Kozma Etoliani. – Kurse tani, në vitin 1775, misioni i juaj do njohë fazën e tij të dytë. Natyrisht, kjo do të jetë faza më e rëndësishme, më e shenjtë. –Perëndisë i qofshim falë! –U shpreh Kozma Etoliani.-Faza e re, -rimori fjalën Patriarku – do t’i shërbejë qytetërimit të mëtejshëm, vetëm mes përhapjes së gjerë të kulturës sonë heleno-bizantine. Që do të vijë mes hapjes së shkollave të reja greke atje dhe ndalimit të gjuhës shqipe, -nuk duroi pa folur Kozma Etoliani … Veç, do qe një mrekulli sikur të siguronim një ferman të dytë prej Sulltanit, -shtoi Kozmai. –Fermani i parë më ka skaduar. Ai më pati ndihmuar shumë. Më ka shpëtuar prej telasheve të shumta. S’është e lehtë të punosh nën hundën e agallarëve apo të bejlerëve shqiptarë. Shumë e drejtë u shpreh Sofroni … –Fermani i ri është siguruar, -u shpreh paksa euforik Patriku. –Vërtet?! – u befasua i gëzuar Kozma Etoliani. –Vërtet, -foli Patriku Sofron. –Fermani i ri u sigurua. Patriku kërkoi që t’i sillnin fermanin dhe urdhëresën e inspektorit të përgjithshëm. Njëri prej tyre pruri shkresat. Osmanishtja e tyre mëse kaligrafike,vula në fund e artë. Patriku  foli duke iu drejtuar priftërinjve: -Miku i nderuar, tok me të vëllanë e tij do të darkojë me mua sonte. Të përgatitet gjithçka… (“Djaj ne veladon”, bot. prill 2011, f. 14-15).                                                                      

Në vitet 1768-1774 dhe 1775-1779,Patrikana Ekunemike dërgoi në vendin tonë Kozma Etolianin (1714-1779), i cili kishte kryer studimet në Malin e Shënjtë, Athos. Ai vinte në Shqipërinë e Jugut për të realizuar qëllimin, që të krishterët e ortodoksë shqiptarë t’i kthente në grekë. Kërkonte të përbuzej e të braktisej shqipja dhe në vend të saj të flitej dhe të shkruhej vetëm greqishtja. Historianë grekë si K. Amantos, M.B. Sakelariou, Vasil Krapsiti etj., Shën Kozmanë e quajnë  “Shpëtimtarë të etnisë greke”  “Apostull i krishterimit” Kudo ku shkonte ai në Epir vendoste kryqe dhe ishte luftëtar i flakët i fesë së krishtere dhe i helenizimit. Ai predikonte në Paramithi:  “Le t’i  shmangemi, vëllezërit e mi, mendjemadhësisë që është krijesa e parë e shejtanit dhe rruga që të çon në katastrofë, prandaj duhet të jemi kokulur;  kokultësia është  rruga e engjëjve, ajo të çon në parajsë.       

Suljotët u tronditen kur dëgjuan këto fjalë të tij, madje disa u egërsuan. Atëherë Kozmai u tha: “Më vjen keq për ju, për kryelartësinë që kini”. Dhe duke shkundur këpucët, vazhdoi me këto fjalë të ashpra: “këmba ime këtu nuk do të shkelë herë tjetër. Nëse nuk i lini këto që bëni, do të shpërbëheni.        ” 

Lind pyetja: cili është krishterimi i Shën Kozmait?  “I shenjtë”,Shënjtor shpallet një person që i qëndron besnik mësimeve të Krishtit dhe kishës së tij, që kanonizohet si i tillë nga një kishë lokale ose universale. Shenjtorit i kujtohet emri në lutjet, me emrin e tij mund të emërohet kisha, mund t’i ekspozohet trupi në altar etj.  Ndërsa, më tej foli kështu Shën Kozmai:  “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht, për arsye se kisha e jone është greke. Dhe ti vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha e jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do të flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të më thotë këtu. Unë do t’i marr  atij të gjitha mëkatet në qafë time, që nga dita e lindjes së tij, deri më sot…”  Këtu shihet qartë se Shën Kozmai i ftonte shqiptarët të mësonin greqisht, se kisha greke nuk mund të bëhet kurrë shqiptare. Sa në kundërshtim bien këto fjalë me Jezu Krishtin, i cili çoi apostujt e tij që të predikonin doktrinën fetare të krishtere në popujt e ndryshëm të globit, Por në asnjë mënyrë  që këta popuj të ktheheshin në grekë. Jezu Krishti u pat thënë apostujve:  “Shkoni e bëni dishepuj nga të gjithë popujt, duke i pagëzuar në emër të Atit e të birit e të shpirtit të Shënjtë”. Pra,Krishterimi i Shën Kozmait nuk është krishterimi i Jezu Krishtit, po një krishterim i sajuar nga Patrikana e Stambollit … Ky lloj antikrishterimi, që flet në emër të krishterimit, ka si Ungjill shovenizmin grek. Shën Kozmai gënjen kur thotë se “raca shqiptare është greke”.       

Antropologu  me famë Pitardi, e hedh poshtë këtë version të grekëve.  Shën Kozmai  këshllon të krishterët “që të mos preferojnë pazarët e çifutëve”  ose “Mos pini raki të prodhuar  në fabrikat e Evropës. Sepse në atë raki çifutët lajnë të vdekurit e tyre që t’ju ndotin juve. Çifutët janë pogromet e antikrishtit. Ai është i vetmi prift, që në mënyrë të hapur ka nxitur pogromet antiçifute.” 

Shën Kozmai, më 22 gusht 1777, vizitoi Beratin dhe atje këshilloi beratasit që të bëjnë Pazar të shtunën (sepse çifutët atë ditë e kanë pushim) dhe askush prej tyre, vijoi shenjtori i Vorio Epirit, të mos bëjë Pazar të dielën te çifutët. Kështu që  Shën Kozmai, për shkak të urrejtjes ndaj çifutëve, arriti t’u ndërrojë beratasve edhe ditën e pazarit.  Zhan Klod Faveirial, shkruan: “… dy fjalë për murgun Kozma, roli i të cilit ka qënë tepër  rrënimtarë për kombin shqiptar dhe vllah. Murg i Malit Atos, Kozma, lindi në Etoli, dhe u vra i ngulur në hu, më 24 gusht  1779 me urdhër të Kurt pashë Beratit … për faktin, se ky ishte një agjent politik i cili, duke shkuar nga fshati në fshat, nuk predikonte Ungjillin po kërcënonte me shkishërim nga Patriarkati grek  të gjithë vllehët dhe shqiptarët që nuk flisnin vetëm greqisht. (“Historia e Shqipërisë”, bot. 2004, f. 389).                                 Nga Kozma Etolani, për gjuhën vllahe, citojmë: “Perëndia kur flet me engjëjt, flet në gjuhën greke dhe kur i shfryn djallit përdor gjuhën vllahe” (arkivi qendror i shtetit rumun).                         

Dr. Vakalopulos, në “historinë e helenizimit të ri” shprehet për Kozma Etolianin: “Ai ktheu rrymën e ngjarjeve dhe vulosi me kristianizimin e tij dukuritë shoqërore dhe kombëtare (greke – Sh. D.), veçanërisht në Shqipërinë Jugore dhe Epir”. Me të drejtë rilindësit tanë lëshuan thirrjen patetike: “Jashtë gjuha greke nga shkollat tona, nga kishat tona”. Revista “La nazione Albanese”, viti 1897, nr. 9, f. 4, dhe më` tej, shkruan për figurën dhe detyrën e priftit këto fjalë: “Prifti duhet të jetë sjellës i vërtetë i qytetërimit dhe i progresit me ligjin e tij të dashurisë. Këtu në Shqipëri, ai i shërben prindvrasjes, ai është despot dhe më tiran se vetë pushtuesit.  Ai është kthyer në një skllav që i shërben injorancës dhe paragjykimeve. Prifti është një dhelpër greke. Edhe pushkët vrasëse kane zënë vend në kishë, kështu që është reformuar kulti i Jezu Krishtit”.              

Por kur merr vesh se Peshkopi Janullatos është  anëtar nderi i shoqatës “Miqtë e Shën Kozmait” dhe se ky “Shenjtor” bën pjesë ne kalendarin KOASH. Vlen të mbahet mend shprehja e antishqiptarit të tërbuar Sebastianos, i cili e quan Shën Kozmanë “Dishepull të vërtetë të Krishtit” Dhe Sot Janullatosi po sfidon  Atdheun tonë,  duke e ndërtuar kisha greke në emër të antishqiptarit Shën Kozma. Ky është një emisar politik i shovinizmit grek, erdhi në Shqipëri për të mbjellë përçarjen dhe urrejtjen midis shqiptarëve dhe për të helenizuar totalisht ortodoksit shqiptare. (Gazeta “BOTA SOT” 22-12-2013). Tani qarqet nacionale  klerike greke vendosën të shpallin “luftën e shenjtë” për Vorio-Epirin nën flamurin e Shën Kozmait. Akademiku Kristo Frashëri, për “Shenjtorin” e lartpërmendur nga historianët e sotëm grek e quan “Flamurtar i flaket i helenizimit”.  Studjuesi Pëllumb Xhufi, Shën Kozmanë e quan antishqiptar. Duke qënë i tillë, këshilli bashkiak i Tiranës, përpara se ta zgjidhte A. Janullatos qytetar nderi të Tiranës, duhej t’i kërkonte atij që të mohonte e të dënonte veprimtarinë antishqiptare të Shën Kozmait, si kusht për dhënien e titullit “qytetar nderi i Tiranës”, propozuar nga kryebashkiaku Edi Rama, sepse Kozma Etoliani kërkonte që popullsia e Epirit të kthehej nga shqiptarë në greke. (Enc. “Pirsos”, vell. II,  f. 915).                                           Në kontekstin e veprimtarisë së madhe antishqiptare të këtij prelati të kishës greke, është i padrejtë edhe organizimi në vendin tonë i kampingjeve të 24 gushtit për nder të Shën Kozmait, apostullit të helenizimit. Vlen të përmendet se 24 gushti vitit 1996, në të cilin u mblodhën me joshje alla greke të rinj ortodoksë nga mjaft qytete, që nga Saranda deri në Shkodër në një kamping afër kishës së Shën Kozmait në Kolkondas, ishin të ftuar edhe të rinj nga Greqia. Ftesat ishin dërguar deri në Finlandë nga kisha ortodokse dhe at Kalevi. “Këto kampingje ortodokse, thekson Janullatosi ne fjalimin e tij, janë punishte shpirtërore”  kupto: punishte  shpirtërore për të shkatëruar kombin shqiptar, (SH. D)  Sherif Delvina: Duhet vënë në dukje fjalët e Sebastianos, për Shën Kozmanë i cili tha: “Kisha dhe kombi ynë po nderojnë sot kujtimin e Shën Kozmait të Etolisë, sepse ai ishte jo vetëm një misionar por edhe apostull kombëtar i Greqisë”  

Ish kryeministri i Greqisë, Georges Papandreu, ka folur më 12 qershor 1960: “Pretendimet tona për Epirin e Veriut janë të shenjta dhe të patundura”. Por edhe ne u themi hajdeni ta merreni,  se kufiri atëherë do të vendoset në jug të Prevezës, në kufirin Natyral të Shqipërisë…                  

Ish mohuesi i kombit tonë Fatos Nano ka thënë: se rruga e Shqipërisë për në Evropë kalon nga Greqia. Për figurën e Janullatosit pohon: “Unë nuk mund të mendoj që të ketë ndonjë njeri, i cili të ketë kontribuar më shumë për rilindjen e Shqipërisë si komb i lirë evropian”.  Ndërsa më 11 shtator 1998 F. Nano që nga Lisbona, ku merrte pjesë në një mbledhje ndërkombëtare deklaroi se Kryeqyteti i Kosovës është Beogradi. Ndërsa Azem Hajdari nga Tirana iu përgjigj:  Fatos Nano mos të vijë në Shqipëri. Në këtë kohë, në shtator të vitit 1998 kanë ndodhur dy vrasje, në mbrëmje të territ, vrasje pas shpine, vrasje tinëzare, te dy kanë qenë atdhedashës të flaktë shqiptarë, njeri pishtar i demokracisë,  tjetri strateg i luftës për liri. Azem Hajdari u vra më 12 shtator, kurse Ahmet Krasniqi më 21 shtator të vitit 1998.              

Janullatosi ka lënë trashëgimtarë të fronit.  Peshkopin e Beratit Injatos, e dorëzoi më19 korrik 1998.  Sipas studjuesit Sejdi Kondi, vazhdon:  “Kozma Etolianit ia dua kokën të kripur. Këtu në Berat jo në Stamboll. Ke plot dy javë kohë për këtë punë. Përndryshe në tepsi do të jetë koka e jote. … –Ik tani! –u shpreh sypërdhe Kurt Pasha. –Kaq kisha për të thënë.  Në manastirin e Ardenicës, atje do shtrinte kockat. Ishte vërtetë i lodhur. E kur nuk kishte bërë as plot tri ditë që pushonte atje, kur bam e bam porta e madhe e manastirit. Ndjeu një si të ngjethur në shtat. S’i pëlqyen të trokiturat. Nuk ndodheshin atje as shoqëruesit murgj. Patën shkuar në Fier për t’u furnizuar me ushqime. Nuk më pëlqyen këto të trokitura uratë,  -u shpreh Kozma Etoliani, duke shikuar thellë në sy priftin e manastirit. –Si batare pushkësh më ranë në vesh. – Atëherë mos e hapim derën imzot? Mund të jenë njerëz të ligj.  Kozma Etoliani qëndroi. Hezitoi një çast. Pastaj u shpreh:  Hape biri im hape!  -tha. –Fati im është shkruar: Le të bëhet çfarë është thënë nga Perëndia.  –Kozma Etoliani e njohu në çast. Ferid Aga bëri para. U shpreh. -Përshëndetje hirësi!  Na e bëni hallall shqetësimin. Megjithëse shpresoj që të keni pushuar ca. Në kemi gati një javë që po ju presim.  -Urdhëroni bijtë e mi, -tha Kozma Etoliani. –Çfarë mund të bëj për ju?  Me se mundem t’u ndihmoj? Më thoni! -Duke i vërtitur syrin e shëndoshë priftit të manastirit, Ferid agai foli: -Ne jemi vendas hirësi. Prej një fshati këtu pranë Kolkondas ia thonë. Ndoshta ju ia keni dëgjuar emrin.  –Po, po posi, -bëri Kozma Etoliani. –E di, edi. Në mos gaboj, ai është poshtë në fushë. Buzë Semanit apo jo?  -Pikërisht, -vijoi trukun Ferid agai. Ju e ditkeni shumë mirë hirësi, megjithëse nuk keni qenë asnjëherë në fshatin tonë.  –Do e bëjë mbarë Perëndia që të vijmë edhe atje. Përse jo?!  – Po ne për këtë punë jemi këtu hirësi, tha Ferid agai. –Na ka dërguar fshati. Duam edhe ne të kemi një shkollë për fëmijët tanë siç e kane edhe fshatrat e tjera fqinje.  Koka e priftit të manastirit u var mbi gjoks. Ndjeu gjëmën. Por nuk kish kurajo të ngrinte as sytë e jo më të fliste Kozma Etoloini tha:  -Po mirë atherë. Më prisni nesër. Do të jemi në fshatin tuaj që herët në mëngjes. Besoj se jemi dakort?  -Po përse nesër hirësi?!  -Pyeti si me keqardhje Ferid Aga.  –Sonte është më mirë. Nuk ka arsye përse të vonohemi.  Fshati po ju pret. Madje ne kemi hapur dhe gropën, pra themelin e shkollës sonë. Fëmijët po ju presin. Kozma Etoliani u vu në mëdyshje. Në fakt do qe nisur, nuk do e kish zgjatur, nuk do e kish bërë dy, po të mos i kishte kallur datën fytyra e atij njeriu. Kërkoi sytë e priftit të manastirit, por ato iu vodhën. Qenë gremisur mbi kalldrëm.-Më mirë nesër në mëngjes,  – tha misionari. –Sonte është ca vonë. Aksham hesapi. Ferid agait  iu sos durimi. Boll e ledhatoi këtë plak. Po lozte me kokën e tija. Nuk bëhej shaka me Kurt Pashën. Ai kërkonte në tepsi o kokën e tij, o atë të Kozma Etoliani.  Në çast çorri maskën e mashtrimit. Bërtiti:  -Mjaft me fjalë. Mos e zgjat më! Eja me ne dhe pikë! Vibroi ajri. Kozma Etolianit iu ngjeth prapë trupi. Kurse ne timpan të veshit e flladiti lehte thënia e Ali Pashës.  “Xhaxha! Bëj kujdes! Kurt Pasha është ujk i vjetër! Është i lig. Ruhu!  Ai nuk të do si unë”.  

Më falni, – foli duke pyetur me kurajo. –Cili jeni juve zotëri që po më flisni kështu? A mund të më thoni? Për më tepër që unë nuk ju njoh hiç.            

– Unë jam xhebraili, – reagoi duke pështyrë cigaren Ferid agai. – Jam krye polici i Kurt Pashës.  -Kuptove tani?…  

 Kozma Etoliani mbeti. E vështroi atë njeri të frikshëm në syrin e vetëm. U përpoq të ruante qetësin duke thënë.                                                            

Nuk po kuptoj se çfarë kërkoni nga unë. Pak më parë thatë se jeni prej  fshatit Kalkondas e se doni të ndërtoni si fqinjët tuaj shkollën e re? Kurse tani….  Duke përfituar prej një pauze të shkurtër, prifti i manastirit u bë i gjallë. Ai foli buzagaz, duke iu drejtuar si  hafijeve epo ashtu edhe misionarit helen.  – Po urdhëroni, urdhëroni brenda zotërinj! Një kafe, një çaj. Ose më mirë një ujë të ftohtë. Bën zagushi e madhe.                        

– Ti mos u përzie! Rri urtë e mbaj vendin tënd!  – ngriti sërish zërin Ferid aga. 

– Apo do t’i bësh shoqëri mikut tënd?  

– Prifti sus.                                        

– Kurse ti,  – iu drejtua Kozma Etolianit – ec përpara!  Kështu siç je. Kam urdhër të prerë nga Pashai. Dëgjon!  Luaj vendit!  

 – Po përse duhet të vi me ju?! – u përpoq të qëndronte Kozma Etoliani.  – Ju po më mirrni me forcë!  A e dini se unë jam i pajisur edhe me një irade të Sulltanit?  Kryepolici i Kurt Pashës bëri sikur nuk i dëgjoi fjalët e fundit. Eci disa metra përpara.  Hafijet lëvizën. I dolën pas krahëve Kozma Etolianit. Njeri prej tyre i vuri dorën në kurriz duke e shtyrë. Misionari helen i hodhi një sy të tillë priftit të manastirit, sikur i kërkonte ndihmë. Iu fanitën në sy dy murgjit e tij. Por më kot. Në çastin kur i duheshin ata mungonin. S’munden ta ndihmonin. … –Ku po më çoni kështu more djem?  Unë pandeha se po vemi në Berat.                      

– Po të shpiem në parajsë, – ja ktheu harbutçe Kryepolici.                         

– Ju më thatë se jeni njerëzit e Kurt Pashait! Po a e dini se unë jam mik me të. – Mos e zërë në gojë emrin e Pashait tonë të ndritur,  – reagoi egër kryepolici – se për atë zot ta këpus gjuhën deri në rrëzë.  Zëri i çjerrë iu përplas në fytyrë misionarit si një shuplakë e fortë. Por donte derman dhe foli gjene:  – Po pse more biri i Perëndisë po më flet kështu?!  Çfarë të keqe ju kam bërë?!

– As allahun mos e zërë në gojë!  Kaur i ndyrë! …                           

– Po përse more djem kërkoni të më merrni jetën?  Atë s’ma keni dhënë ju, por Perëndia Të thashë një herë more bukëshkelë që të mos e zësh më në gojë emrin e Allahut, – ulëriti kryepolici që frenoi kalin. – Pusho! Nuk dua të dëgjoj më. – Po ç’ju kam bërë? – vijoi Kozma Etoliani. 

– Ma thoni që ta di që të vdes i qetë! …

– Mos shkoni më tutje!  Ja tek ajo pema atje hidheni litari.  Karvani qëndroi. Kozma Etoliani ishte berë pluhur i tërë. Mezi mbahej në këmbë. Hafijet zbritën nga kuajt. Secili prej tyre nisi detyrën e caktuar. Dy përgatitën litarin. Të tjerët u morën me Kozma Etolianin. I lidhën duart nga pas dhe i hodhën një si kokore leshi mbi kokë. Po ai  s’e pranoi. Kërkoi t’ia hiqnin. Pyeti sërish duke iu drejtuar Ferid Agait.                  

– Po ç’u kam bërë xhanëm?!  Më thoni që të di fajin. Ferid agai heshti mbi kalë. Kishte vapë. Lumi që pranë. As 100 metra më tej. Kozma Etolianin e ngritën në stol, i hodhen litarin në grykë. Para se ti  hiqnin stolin, Ferid Aga i tha: -Fol !  Ç’ke për të thënë! Eshtë fjala e jote e fundit.                                                                                                              -Dua të di përse po ma merrni  jetën,  – tha misionari. – Pasi s’di se çfarë të bëj me ju. T’ju bekoj apo t’ju mallkoj.?                                                 

   – Vërtet i marrë ,  – u shperh si për vete Ferid Aga që shtoi po aty zë plotë.  – Të merret jeta me urdhër të Pashait të Beratit. Je spiun i rusit dhe i venecianit dhe armik i shqiptarëve në dëm të Kombit Shqiptar . Qartë?              Kozma Etoliani s’tha asnjë fjalë. Heshti. Pas sinjalit i hoqën stolin. Kur trupi u lëshua krejt, Kryepolici u shpreh:  – Këputjani kokën, trupin ja hidhni në lumë. Kokën do ta merrni me vete. Pastaj u nisën për në Berat. Ferid aga ecte përpara. Ata e ndiqnin pa fjalë nga pas. Koka e Kozma Etolianit në mes. Qe 24 gusht 1779. (Sejdi Kondi  “Djaj me veladon” bot. 2011, f. 222).

                             Rasim  Bebo,  Addison,  Çikago Janar  2014.                                                                                                                       

 

Filed Under: Featured Tagged With: profeti antishqiptar, rasim bebo, Shen Kozmai

Artikujt e fundit

  • 𝐙𝐠𝐣𝐞𝐝𝐡𝐣𝐚 𝐞 𝐆𝐞𝐨𝐫𝐠𝐞 𝐖𝐚𝐬𝐡𝐢𝐧𝐠𝐭𝐨𝐧 𝐬𝐢 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐢 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐢 𝐒𝐇𝐁𝐀
  • “VOA” DHE SHQIPËRIA
  • Grenlanda, rëndësia kritike e ishullit për mbrojtjen raketore dhe interesat gjeostrategjike të ShBA
  • AMBASADA PRANË DALLGËVE TË OQEANIT
  • “Eksodi i zogjve të Çamërisë”, poema e re e Luan Ramës
  • Shqiptarët dhe dy anët e medaljes së sistemit osman të mileteve
  • Abaz Kupi, Legaliteti dhe Operacioni BGFIEND — Një Pasqyrë Kritike Historike
  • NJE JETE E MOHUAR…NJE VLERESIM I   MUNGUAR
  • Koha, Barazia dhe Urtia, kundër-rendi ndaj pushtetit të vonesës dhe shterimit të emergjencës!
  • Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës, që u rrit me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes
  • Rileximi i Ernest Koliqit: Një udhëtim zbulese
  • NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT
  • Parashqevi Qiriazi, e vërteta historike
  • Rauf Fico – Diplomacia shqiptare si kulturë shtetërore, ndërgjegje morale dhe vizion europian
  • Me rastin e 102-vjetorit të ndarjes nga jeta, nderojmë jetën dhe veprën e Woodrow Wilson, Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT