• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MËSUESI YNË NË SHKOLLËN E BURGJEVE

March 9, 2020 by dgreca

– Sheuqet Muka, personalitet i shquar i arsimit kombëtar, që përhapte dritën e diturisë edhe në qelitë e errëta-/

Nga Pertefe LEKA/


 “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve, Zotni Sheuqet Muka ……
 Këta ishin mësuesit tanë,Etërit tanë, të cilët menduan e punuan aq shumë për ne ….u jemi borxhli shpirtmadhësisë së tyre që më aq durim e kënaqësi prindi na falën  dritën e mendjes e pastërtinë e tyre shpirtërore. Na plotësuan ate çka shteti monist na e mohoi…..por  mësuesi  ynë gjithmonë mbetej nxënës i të tjerëve…..shkruan Z.Sheuqet  Kraja, nxënës bashkëvuajtës  në shkollën e burgjeve  marrë nga libri “Sheuqet Muka ,Shkodrani “f.104-114 botuar Tetor 2019).
 Është mirë për brezat që vijnë të njohin vlerat e  njerëzve të shquar, të njohin konkretisht punën e tyre vetëmohuese, trashigimisë që kanë lënë ata.Të njohin aktivitetin frymëzues, këshillat e vyera, qendresën burrërore për mbrojtjen e parimeve të drejta. Të njohin humanizmin e thellë dhe vizionin e qartë që kishin për të ardhmen e popullit e të atdheut .
Një personalitet i tillë i këtyre përmasave është Sheuqet Muka me pseudonimin, Shkodrani.
 Ai jetoi në ngjarjet më kulmore të vendit tonë  në vitet, 1912-1939. Ecja e tij në këto tri dekada njeh vetëm punë intensive, duke dhënë  një kontribut të madh në fushën e arsimit dhe si aktivist shoqëror e politik.  Ai ka  qenë prezent në të gjitha ngjarjet historike e politike të kohës nga ku u bë i njohur si mendimtar modern. Historigrafia shqiptare  i ka borxh një vend nderi këtij luftetari të lirisë:  Një institucion bamirësie,  një shkollë,  një bibliotekë   do  të krenoheshin po të  mbanin  emrin e tij.
Profesioni i tij  si mësues  nuk e ndaloi  që të bëhej një forcë e pathyeshme  në  mbrojtje të të drejtave njerëzore  dhe kombëtare.
Karrierën arsimore e filloi me 1910 si mësues në Mejtep, por shpejt  po me ate klasë bëhet nismëtar  për të kaluar në shkollën e Parrucës e cila u hap me 1913. Atje punoi si mësues  e më vonë si drejtor  për 20 vjet rrjesht, ku u dallua për një punë të çmuar  organizative, edukative e kulturore.  Etja per dije dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja i dhanë mundësinë të njihte nga afër literaturën e pasur botërore në fushën e pedagogjisë  dhe mendimit përparimtar bashkëkohor.
 Gjënë e parë që bëri në këtë shkollë ishte  krijimi i bibliotekës  për nxënësit  dhe mësuesit. Motoja e tij ishte “Me i paisë  bijtë e shqipes  me flatrat e diturisë  që janë stolitë  ma të çmueshme  të kësaj jete.”  Në këte shkollën qe nismëtar i krijimit të orkestrës  me vegla frymore  e quajtur “Trupi muzikuer, Shkolla e Parrucës“ ku pati përkrahjen  dhe ndihmen  e dy mësueve shumë të njohur shkodranë,  Shuajp Domnori dhe Ragip Gjylbegu.  Kjo shkollë mbahej ndër më të mirat në Shqipëri.  Shumë mësues të vjetër që kishin punuar me  Z. Sh Muka  e mbanin në gojë përvojen e mirë të kësaj shkolle dhe  meritat ia jepnin  drejtorit  ekzigjent dhe  organizator.  Ai  vuri në jetë  mendimin  pedagogjik më të përparuar  të kohës.
 Si ithtar i Herbartit dhe Pestalocit  nuk kurseu asgjë nga vetja  për t’i dhënë shkollës  një frymë të re . Ishte  mësues autodidakt  dhe  s’pushoi së shkruari, artikuj pedagogjikë, tekste shkollore,  poezi patriotike e përkthime për pjesë leximi . Duke pasë këte formim ai ndikoi  për një arsim masiv të djemve dhe të vajzave të Shkodrës, luftoi kundër analfabetizmit,  hapi  kurse për mësimin e gjuhës amtare  sepse  thoshte  “ka vorfnue mija djelmoca dhe duhet me u shti ne zemër  dashninë për gjuhën shqipe “ Për këte nuk nguroi te ngreje zërin e të bëhet  nje luftëtar i zjarrtë  për arsimimin e vajzave dhe edukimin e tyre përmes shkollës.  Në fjalën përshëndetëse,  që mbajti  diten e inaugurimit të  shkollës  së  vajzave në vitin 1917 e cilësoi këte  eveniment si ngjarje shumë të rendësishme  sepse vajzat nesër do të bëhen  nëna  dhe femijët e ardhshëm   prej  tyre do të marrin edukaten.
 Duke theksuar edukimin patriotik nepërmjet kësaj  shkolle  ai mburret se “ Vajzat përveç  mësimeve që do të marrin nuk do të harrojnë nesër  t’u kendojnë fëmijëve “U rritsh bir ,o loçka   eme, dëshmitar për Atdhe tand”
I entuziazmuar  nga fillimet e mbara për hapjen e shkollave  të para   në  gjithë vendin,  lufton po me ate vrull  për emancipimin kulturor  të  rinisë shkodrane.  Me 10 Mars 1919  së bashku me një grup patriotësh themelojnë Shoqërinë patriotike, kulturore e sportive “Vllaznia” që bëri emër në shumë aktivitete.  Përpjekjen më të madhe e bëri për të hapur  në Shkodër një gjimnaz shetëror.  Në shumë artikuj e ligjerata, letra e peticione dërguar autoriteve vendore dhe shtetërore   ”.. për nji shkollë të mesme  d.m.th.për nji Gjymnaz  Zyrtar Kombëtar  me profesor krejt të mirë  që fëmija të kenë ku të ndjekin  mësimet e mesme,  që kështu të mos bjerret shpresa  e re e Atdheut  tue lanë pa e pajisur  me nji kulturë  për të cilën ka nevojë.”   Kjo shkollë do të vlente  sipas tij  edhe për bashkim  dhe mirëkuptim fetar.  Në këto kushte ai thekson  se pjesa katolike  i kishte shkollat përkatëse, ate të Franceskanëve dhe të Jezuiteve ndërsa pjesa myslimane   nuk i dërgonte femijët në këto shkolla për arsye fetare.” Ne duhet të luftojmë që myslimanët e Shqipnisë  duhet të jenë ma te zhvilluemit e te gjithë  myslimanëve të botës  për arsye se janë të Evropës”.  në përpjekje e sipër ai e realizoi  qellimin  e shumë kërkuar.  Gjimnazi i shtetit  u hap me 1922.  Ky institucion u bë shpejt një qendër  e bashkimit kombëtar  e fetar.  Shkolla e re u mbush me nxënës nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Çamëria  me nxënës te besimeve të ndryshme. Tani ai afirmohet si organizator i arsimit Kombëtar.  Në Maj të vitit 1922,  Ministri i Arsimit,  Rexhep Mitrovica  i dërgon një njoftim  me programin e Kongresit  që do të  mbahej së shpejti.
 Nga pikëpamja fetare  ishte  mysliman i betuar  ai bashkëpunonte me klerikët më të kulturuar islam si  H. Ibrahim Repishti,  H.Abaz Golemi,  H.Ali Tari, H.Kaduku,  H.Sabri Bushati etj. Ai solli të reja në  mësimin e fesë ashtu siç bëri Noli  me përkthimet e psalmeve në gjuhën shqipe. Ne përkthimet e librave fetare ai vet shkruan:”Me botime librash e përkthimesh në gjuhën e dashtun t’onen,  ka me pasë rasë zogu i shqiptarit mysliman m’e  mësuem e me njoftë fenë e vertetë të veten e, tue mësuem urdhnat e ndalimet e fesë,  ka me qenë vertetë nji gjymtyrë e shëndoshe për bashkëfetaret  e bashkatdhetarët e vet e për gjithë shoqnin njerzore mbarë”. 
 Nga ana tjetër  ishte shumë i lidhur edhe me klerikët katolikë me të cilët diskutonte dhe bashkëpunonte për çështje kombëtare, si  Pater Gjergj Fishta, PaterAnton Arapi, Pjeter Meshkalla,  për këte të fundit u jepte porosi fëmijëve të vet  nga burgu :” Meshkalles,  mos harroni  me i shkue për Pashkë,  te m’i sillni  urimet përshëndetjet  e falenderimet e mija”.
 Si përkrahës i ideve te Fishtës, Ai mbajti Kumtesen “Gjergj Fishta për zgjimin Kombëtar “  në ceremoninë e organizuar me rastin  e 60-vjetorit të lindjes . Në ate eveniment,  Ai u radhit me personalitetet me të shquara të elitës shkodrane. 
 Idenë e tolerancës fetare në Shqipëri  e mbron me  një ligjeratë  të mbajtur me rastin e festës së Pavarësisë:  ”Hala s’paskan marrë vesh armiqtë e tradhëtaret e kombit t’onë se ne Shqypni nuk ka turk e kaurr ?! S’ka  jo, turk e kaurr ka vetëm  shqiptar  me besim  mysliman,katolik e ortodoks.”
Për merita të veçanta  në edukimin e brezit te ri në vitin 1933 e emërojne drejtor në shkollën modelore  të  Tiranës  “Hoxha Tahsin” në të cilën qendron pak vite,  por jep një ndihmesë  të madhe në planin pedagogjik e shoqëror.  Pas   tre  vjetesh,  emërohet  drejtor i” Strehës Vorfnore” të Tiranës.
Atje vë të gjitha energjitë fizike e mendore në shërbim të këtij institucioni  shkollë-familje,  këte punë të dyfishtë si prind dhe si mësues  e bën me shumë dashuri  per t’ju dhëne  fëmijëve  jetim   gjithçka  që u mungonte. Edhe pse kishte një afeksion të madh për femijët,  nuk bënte lëshime në drejtim të  rregullit e të disiplinës,  pastërtisë dhe punës sistematike.  Me që shkolla financohesh nga Kryqi Kuq Shiptar,  ai mundohej që këto fonde t’i ekonomizonte  sa më mirë në dobi  të shëndetit të fëmijëve për të cilët kishte krijuar kushtet më të volitshme për jetë të kulturuar. I prirur nga mësimet e Xhon Djuit,  pragmatisti i njohur amerikan,  i cili i jepte rendësi  praktikës mësimore,  hapi reparte pune si për djemtë ashtu edhe për vajzat.  Organizoi orkestren me vegla  frymore,  zhvilloi veprimtari sportive e kulturore të  larmishme. Një punë frytdhënëse  dukej  në repartet e zdrukthtarisë,  rrobaqepësisë,  tezgjahut,  qendisisë,  këpucarisë dhe  gjithashtu në parcelat ku bëhej puna  bujqësore  në rrethinat e Tiranës. I aftësonte  fëmijët të ishin në aktivitet të vazhdueshëm ku njëherësh mësonin dhe nxirnin shumicën e shpenzimeve të veta. I kënaqur nga puna  dhe sukseset që kishte arritur me fëmijët e strehës  i shkruante  mikut te  tij, Jahja Domnorit, me te cilin mbante korrespondencë  të  rregullt, po citojmë fjalët që i shkruante  mbrapa kartolinës në të  cilën  dukeshin  fëmijët të  rreshtuar bukur dhe të veshur me uniformë. ”  Kjo fotografi vllai im, asht estetikë në vetvete. Për ditë më shkon mendja ma ba nga nji gja të re.  Më  knaqet shpirti kur i shoh në rregull.  Detyra jonë asht  gjithmonë perpara.” (fotografite jane marre nga  arkivi i familjes se J.Domnorit )
 Në kulmin e veprimtarisë së tij,  pushtimi fashist ia ndërpret këte punë pasionante prej misionari  të devotshëm.  E arrestojnë dhe e internojnë si njeri i padëshiruar për rregjimin fashist.  Po nga italianët ishte arrestuar dhe internuar si person i rrezikshëm në vitin 1919,  kur ai ishte në Vlorë  me detyra të rendësishme.
 Patrioti i flaktë  qe i kushtoi gjithë jetën përparimit të kombit, denimin më të madh e mori nga diktatura  komuniste.  Burgu i gjatë,  peripecitë, torturat nuk e mposhtën,  edhe atje në qelitë e errëta  përhapte dritë duke mësuar te rinjtë për gjithçka  dinte  nga eksperienca e gjatë si mësues. Bashkëvuajtësi  i tij, Sheuqet Kraja në shkrimin “Mësuesi ynë në shkollën e burgjeve “ ndër te tjera shkruante :“Ndonëse kalova një kohë të gjatë  me mësuesin tim  kam të veshtirë të ve në pah të veçantën, me çka ngadhnjeu disa herë ky luftëtar në fushat e përpjekjeve e të përleshjeve më rrënqethëse që pau me dhimbje Historia jonë Kombëtare. Per vite të tëra, përballë,  pranë e pas tij,  nuk arrita të zbuloj heroiken që e bëri të fitojë respektin e vendnderin krah burrave më të rrallë të Shqipërisë.”
 Në të njëjten kohë ai vazhdonte edukimin e fëmijëve të vet  me letra nga burgu. Dëshmi për këte janë 200 letrat që edhe sot ruhen në arkivin e familjes Muka, 103 prej letrave  u botuan në librin “Sheuqet Muka Shkodrani “ Tetor 2019 .Në të gjitha letrat u shruante familjarëve me fjalë te urta  e këshilla që t’i shërbenin  ardhmërisë së tyre  dhe  për secilin fëmijë shkruante në mënyrë të veçantë,  ndërsa  këshilla e përgjithshme për to ishte “Të jeni  gjithmonë  nxanës të mirë”. 
 Djali i tij, Adnan Muka,  në një letër falenderimi  që ia drejtonte auditorit  në një konferencë kushtuar Z.Sheuqet Muka,   pas 1990,  shkruan:”Ne,  5 fëmijët e tij,  fati na privoi të drejtën e ligjshme natyrore për t’u rritur e edukuar direkt prej  tij. Po megjithate  ai me  mjeshtëri artisti nepërmjet letrave nga burgjet  na ka dhenë leksione  të mirëfillta edukative, shumë të çmueshme e të dashura. Na mësoi dhe na formoi me edukatë qytetare.  I  jemi pakufi mirënjohës.”
 Mesazhi i  vlefshëm  që ka lënë për të gjithë  ne i cili  do të  transmetohet nder breza  ështe : “Sa ma të ditun që të jemi, aq ma të fortë e të pasun do të kemi komb e atdhe,  përnjiherë edhe vetë do të jemi ma të lumtun.” 
 Veprimtaria Kombëtare e Z.Sheuqet Muka, pavarësisht nga nepërkëmbja, ishte e njohur.  Shkodra ziente përbrenda nga këto padrejtësi  që  i bëheshin  intelektualëve  patriotë. Kjo u duk qartë  në ditën e ceremonisë mortore ku  pjesëmarrja masive pa dallim klase e feje  ishte një sfidë për  rregjimin  e egër. Ai vdiq dy vjet pasi kishte dalë nga burgu. Ishte viti 1967,  kur lufta e klasave ishte acaruar së tepërmi,  por shkodranët si gjithmonë  pa marrë parasysh se çfarë mund t’u ndodhte  e manifestuan  paqësisht  urrejtjen  për të lartësuar respektin  ndaj atyre qe u sakrifikuan për Kombin.  Ky  tubim  ishte i  papritur për autoritetet vendore.  Ata  nuk munden ta ndalnin ate lum njerëzish, ate nderim  të veçantë  që i bënë  bashkëqytetarët, Martirit te Demokracisë.  Më pas u  morën disa masa,  por s’mund të dënonin gjithë qytetin.
 Studiues  të ndryshëm të aktivitetit të tij  e kanë vlerësuar   me krenari  trashëgiminë  e vyer kulturore,  edukative dhe politiko-shoqërore:
 Studiusi i mirënjohur shkodran,  Mentor Quku,  i bënte këte vlerësim:”Ndriçimi i kësaj maje olimpike të qytetit tonë, do te shtojë një gur tjetër në tempullin,  ku brezat do të vijnë të mësojnë si të punojnë per vendin e vet “
 “ Sheuqet Muka, intelektuali dhe atdhetari i njohur,  nacionalisti  i shquar dhe antikomunisti i vendosur,  luftëtari i unitetit kombëtar  dhe misionari i dijes,  i arsimit,  i kulturës dhe fesë. Njeriu që aqë shumë e deshi,  lirinë e shkollën shqipe,  por që aqë shumë u ndoq dhe u persekutua”.  shkruante  Dr. Vehbi Hoti .
 “Sheuqet Mukës: Burrë si burrat e motit shoq i paharrueshem i burgimit komunist, këte ligjeratë teologjike mbi të  Shenjten Trini, shkrue sipas dishirit e nxitjeve të shpeshta të tij, autori në shenjë miqësie e çmimit me kënaqësi  te vërtetë ja kushton . Nga  vepra  e  P.Mark Harapi 
 “Ai është shembull tipik i MËSUESIT TË POPULLIT.” Nga studiusi  i shquar i arsimit kombëtar, Islam Dizdari.
 ‘ Hallall’kjoftë  e Shqipnisë buka./Xhemal Naipi e Sheuqet Muka /Patriotë fetarë e atdhetarë/ Egër i shtypi diktatura “- Nga rapsodi popullor  Dedë Shyti.
 “ Ne vargun e krijimtarisë së Sh. Mukës është për t’u shenuar angazhimi i tij si ligjërues që shquhej për thellësinë e përmbajtjes, qartësine e trajtimit, bukurinë e natyrshmërinë e paraqitjes së fakteve e të argumenteve, pasurinë e gjuhës e stilin elokuent  prej oratori.”Nga  studiusi  Dr. Faik Luli.
Për  të  njohur aktivitetin politik te Sheuqet Mukës  po shenojme disa  pjesë të shkëputura
nga proces-verbali  i   hetuesisë ku ai pohon me kurajo çdo veprimtari që ka kryer .

– A ke pasë ndonje nëpunësi në kohën e turqisë? 

-Në vjetin 1910 kam mbaruar shkollën ushtarake ,
  -A të pëlqente  okupacioni turk?
– Në vendin tonë ka pasë elemente  që punonin për t’u çliruar  nga kjo zgjedhë nji nga këta jam edhe unë.
– A ke qenë antiitalian apo e ke simpatizuar?
-…Forcat italiane më kanë arrestuar dhe më internuan si antiitalian…
– Ç’punë keni bërë në regjimin e Zogut e ke dashur këte rregjim apo ke qenë kundra tij?
– Gjatë  regjimit te Zogut kam punuar si arsimtar … Regjimi i Zogut  ka pasë statut  ku sigurohej demokracia, ka pasë liri shtypi, ka pasë Parlament dhe senat, pra i ka pasë të gjitha elementet  e demokracisë. Në parlamentin e Zogut ishin shqiptarë, regjimi i Zogut si çdo regjim që krijohet në nji shtet te ri ka edhe të  meta,  nuk mund të  kërkohet menjëherë shtet ideal. Per t’u bërë shtet ideal  do kohë dhe mua me pëlqen  zhvillimi  i  gjërave me evolucion. Unë jam  ithtar  i evolucionit.
-A të pëlqeu  okupacioni Italian?
-Fashizmi nuk më pëlqeu.Jam arrestuar  nga fashistet në daten 5 qershor  1939 …Une  jam internuar si antifashist dhe jo si zogist.
 – A  i quaje  gjermanët okupatore?
 – Gjermanët i konsiderova si nje okupator më të  rëndë se italianet.
– A mereshit me politikë?
– Në fillim të  vitit 1944 u formua në Shkodër “Besa Shqiptare”. Inisiatoret e kësaj organizate qenë: Ndoc  Çoba, Tef Gera, Hysen Lohja, Hys Draçini Xhemal Naipi  dhe unë Sheuqet Muka.
 – Mbledhjen e parë për të  organizuar këte organizatë  e kemi bërë në  shtëpinë e Ndoc Ç obës .
 – Si pikë kryesore  kishim bashkimin e popullit dhe me qenë gati me çlirimin e  Atdheut,   largimi nga vëllavrasja dhe pajtim gjaqesh.
– Na trego për lidhjen e Shkodrës…
 …..është  bërë një marrëveshje  ndërmjet  këtyre  organizatave : “Besa Shqiptare”,”Grupi Nacional Indipendent”,  dhe “Balli Kombetar” Marrëveshja ka qenë në këto pika:  Me i qëndrue  larg  vëllavrasjes dhe e dyta  bashkim në rast  mësymje nga jugosllavët.  Në mbarim të luftës  organizatat do të jenë të lira  të tregojnë  aktivitetin e tyre ….
 A kishit  marrëveshje me Lidhjen e Prizrenit?
……Nder të  tjera  pohon :”Tendenca e kësaj  besëlidhje ka qenë  ÇLIRIMI I KOSOVES  nga jugosllavët dhe me u bashkue me Shqipërinë.
– A ke qenë në mbledhjen e Zall-Herrit kur u bë Kongresi i Legalitetit?
 -Organizata “Besa Shqiptare”u ftua në këte kongres  si organizatë më vete …..
–  Ndoc Çoba mbajti një fjalim  me rastin e hapjes së kongresit ….ai foli mbi mënyren e bashkimit të anëtarëve  të  Legalitetit.Në këte mbledhje u vendos që të bashkohen  dhe të përgatiten forcat për të luftuar okupatorin…..
 Zotëri  të pushtetit, veprimtarinë time nuk e quaj  tradhëti,pse s’ kam  ba tradhëtii  që të pendohem e të denohem.”Besa Shqiptare” s’ka qenë tradhëtare, as “Lidhja e Shkodrës”.   
 Materiali  i plotë  në dosjen me numër  arkivor 1162/a   dhe në shkrimin  e Astrit Jusuf Jegenit ‘Sheuqet  Muka në personalitetin e tij politik e historik.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sheuqet Muka

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT