NGA KALENDARI I VATRES: SHFAQJA E TRAGEDISE”OTHELLO” NE BOSTON ME 1923/
Tragjedia “Othello”, që ishte përkthyer dhe botuar nga Imzot Noli që më 1916, u shfaq në Arlington Theatre, në Boston, Mass, për herë të parë me 4 Korrik 1923. Zonja Henrietta V. Miller lojti rolin e Desdemonës, Zonja Antigoni Vaskë Kosta, lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller, lojti rolin e Othellos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri, rolin e Iagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët, lojti rolin e Dukës…./
ME 4 KORRIK 1923 “OTHELLO” U SHFAQ NË BOSTON
Në Njoftim që botonte Gazeta Dielli me 7 Korrik 1923 mësojëm se Tragjedia “Othello”, që ishte përkthyer dhe botuar nga Imzot Noli që më 1916, u shfaq në Arlington Theatre, në Boston, Mass, për herë të parë me 4 Korrik 1923. Zonja Henrietta V. Miller lojti rolin e Desdemonës, Zonja Antigoni Vaskë Kosta, lojti rolin e Emilisë, Vançi Miller, lojti rolin e Othellos, Arapit të Venedikut, Andon Frashëri, rolin e Iagos. Faik Konica, i cili stërviti amatorët, lojti rolin e Dukës. Në kritikën që i bëri shfaqjes Konica, në frazën e fundit shkruante:”Në një fjalë të lojturit e Othellos n’Arlington Theatro të Bostonit më 4 Korrik ka qenë shumë më tepër se një lodër amatorësh:ka qenë, për herë të parë në gjuhën shqipe,përfaqësimi i fortë dhe i bukur i një kryevepre tragjike.”.
Noli do të shkruante nga Viena:”Përhirimet e mia zonjave dhe zotërinjëve që muarën pjesë në shfaqjen e “Othellos”. Nisem të Mërkurën me 18 Korrik për në Vlorë me anë të Romës-Peshkop Noli.
KUVENDI I VATRËS I VITIT 1921
Edhe Kuvendi i Vatrës për vitin 1921 i zhvilloi punimet në muajin Korrik. Ai u cel me 10 Korrik 1921 në Castle Square Hall, me çairman Shefki Alikon, Sekretar-Midat Delej dhe raporter Vasil Manni, Marshall Thomas Ballkameni. Katër Komisione vëzhguan llogaritë e Vatrës gjatë një viti. Kuvendi i vazhdoi punimet për 10 ditë. Zgjedhja e zyrtarëve:Kryetar -Faik Konitza, Sekretar-Kosta Isaak, Arkëtar-Kostë Ratska; Editor Andon Frashëri, nën/editor Aqile Tasi. Komisioni i Qendrës: Xhevat Harxhi, Shefki Aliko, Hasan Bitincka, dhe Sotir Treska.Mehmet Konitza sërish u aprovua si delegat i Vatrës. Kuvendi votoi 2 mijë dollarë për studentët shqiptarë në Amerikë.
VATRA, 2 MILIONË FRANGA NË SHQIPËRI
DIELLI i datës 26 Korrik 1921 njoftonte se VATRA dërgoi në Shqipëri dy milionë franga të mbledhuar me anë të Huas Kombëtare. Vetë Qeveria Shqiptare mezi mblodhi 700 mijë Franga, ndërsa vetëm Vatra mblodhi 2 milionë franga me vatranët.
KUVENDI I VATRËS I VITIT 1923
Kuvendi vjetor i Vitit 1923 u hap 8 korrik .Cairman u zgjodh Pandi Janaq, Sekretar Petraq Kolonja, reporter Sefer Prishta, Marshall- Nesim A. Piluri.
Kryetari i Vatrës z. Faik Konitza tha në fjalën e hapjes se kur ish kthyer në Amerikë më 1909 kishte gjetë 1, 300 anëtarë, në fund të motit të parë i bëra 1,500 dhe tani në mbarim të motit të dytë dal para Jush me sihariqin që numëri i anëtarëve të VATRËS është 1618.
Kuvendi i mbylli punimet me 15 Korrik. Kryetar u zgjodh Faik Bej Konitza, George Prifti-arkëtar, Angelo Sotir-Sekretar. Pjestarë të tjerë të Komisionit u zgjodhën:Miçe Bardho, Ilo Zdruli, Sefer Prishta dhe Sotir Kondi. Pjestarë rezervë: Pandi Kirka dhe Asllan Dragoti(babai i regjisorit të njohur Stan Dragoti).
Editor i Diellit: Andon Frashëri, zv/ editor Aqile Tasi, Klerk: P. Checho.
Kuvendi e la të hapur çështjen për blerjen e një ndërtese për Vatrën.(Vijon)