– Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë! …/
SHKRUAN: GEZIM ZILJA/DIELLI
Duke parë skenën politike shqiptare, ku menjëherë mendja të shkon te dokumentarët me hienat dhe tufat e qenve të egër, nuk mund të rri pa thënë, atë që mendoj për këtë çështje, që e kam patur dhe e kam shumë për zemër. Duket sheshit se përfaqësuesit e çamëve e tradhtuan çështjen e shenjtë, që djeg e drithëron me historinë e masakrave, varret e prishura, e shpirtrat e të parëve, që enden, e enden në ato toka të bekuara, pa gjetur prehje.
Themelimi i “Shoqatës Çamëria” ishte nismë e një grupi të madh çamësh, kryesisht nga qyteti i Vlorës dhe i Fierit, intelektualë dhe punëtorë. Shoqata në themelimin e saj shprehu si qëllim, të vetin, kthimin e trojeve të Çamërisë, zotërve të tyre, larguar më dhunë nga ushtria dhe policia greke. Në krye të “Shoqatës” u zgjodh burri i shquar i Çamërisë, intelektuali dhe patrioti i paharruar, Abaz Dojaka. “Shoqata” nën drejtimin e këtij njeriu idealist e plot virtute, bëri shumë herë më tepër se është bërë këto tridhjetë vite nga PDI-ja, PDU-ja dhe së fundmi PDIU-ja. Në kohën e zotit Dojaka, kishte entuziazëm dhe besim se çamët do të arrinin qëllimin, që i kishin vënë vetes. Atëherë kishte vetëm një yll polar, vetëm një qëllim, atë të njohjes dhe kthimit të pronave zotërve të tyre. Në shumë pak kohë ajo arriti të ndërkombëtarizojë çështjen çame dhe të hartojë një program të thjeshtë e të zbatueshëm për arritjen e qëllimit bazë. Ndoshta është vendi të përmendim edhe një kryetar tjetër, shumë të çmuar të “Shoqatës,” Arshi Rexho. Nuk mund të harrohen sakrificat e tij për njohjen e çështjes çame sidomos jashtë vendit. Tridhjetë vjet më vonë problemi çam është kthyer në një tragjikomedi me regjisor, skenarist e aktorë vetë çamët dhe përfaqësuesit e tyre në parlamentin shqiptar. Tashmë jemi shumë larg idealit dhe kohës kur në krye ishin Abaz Dojaka, Arshi Rexhua dhe të tjerë. Më vonë “Shoqata” e pa të arsyeshme të kthehej në parti me kryetar çamin, Tahir Muhedini. Partia mori emrin PDI, Partia për Drejtësi dhe Integrim. Programi saj ishte po ai i Shoqatës “Çamëria” me ndonjë ndryshim të vogël. Çamët menduan se krijimi i PDI-së do të rriste shanset e zgjidhjes së problemit të tyre, duke pasur përfaqësuesit e vet në parlamentin shqiptar. Në zgjedhjet e vitit 2009 me një fushatë spektakolare nën sloganin e spikatur patriotik “E duam Çamërinë” arritën të fitonin një deputet, Dashamir Tahirin, në rrethin e Vlorës, atje ku çamët janë ngulur me shumicë. Ky ishte deputeti i vetëm i fituar nga partia çame. Në krahun e të majtëve nga lista emërore fitoi deputeti socialist Shpëtim Idrizi, çam, me kombësi shqiptare. Për arsye të ndryshme të dy deputetët krijuan partinë e re PDU-në, Partia për Drejtësi dhe Unitet, që edhe kjo do të merrej me problemin çam. Përfundimisht të dy partitë u shkrinë në një të vetme, PDIU, me kryetar Shpëtim Idrizin, nënkryetar Dashamir Tahirin dhe president Tahir Muhedinin. U gjetën tre karrike që krerët mund të rrinin rehat. Por ç’ndodhi në të vërtetë me partinë e re? PDIU-ja hyn në aleancë me qeverinë Berisha. Këtu fillojnë dhe pazarllëqet e para të PDIU-së. Ata ia “nxinë” jetën qeverisë demokratike me ato dy vota (vezë të arta) që sa herë i nevoiteshin, PDIU-ja e detyronte të kërcente vallen e famshme të Osman Takës, herë me muzikë e herë pa muzike. Në shkurt të vitit 2012 partia came arriti të merrte Zëvendësminstrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zëvëndësministrin e Arsimit dhe të Shkencës, Zëvendësministrin e Drejtësisë, Kreun e Sigurimeve Shoqërore, Kreun e Shërbimit Kombëtar të Punës, Nëndrejtorin e Arkivës së Shtetit, Kreun e Drejtorisë së Patentave, Kreun e Inspektoriatit Qendror të Ndërtimit dhe të Karburanteve dhe ca sardele e cironka shtesë hera-herës.
Në 23 qershor 2013 PDIU “a gonfie velle” arriti apogjeun e vet me pesë deputetë. Dashamir Tahiri, Omer Mamo, Shpëtim Idrizi, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi me përjashtim të Dashamir Tahirit anuan nga qeveria e majtë. Ata u muarën me gjithçka përveçse me çështjen çame. Përçarjet midis tyre erdhën jo për çështje parimore por thjesht për çështje interesash. Në vitin 2017 përdredhjet e Idrizit ia kaluan kërcimtarëve dhe pelivanëve të cirqeve më të njohura mjafton të shohim tabelat me votat e PDIU-së në vitet 2013 dhe 2017.
Viti 2013 Tirana Vlora Fieri Durrësi Elbasani Dibra
Vota 9.173 6.782 9.058 3.785 12.110 248
Viti 2017 Tirana Vlora Fieri Durrësi Elbasani Dibra
Vota 12.434 3608 6347 4519 29.431 12.605
Kokoshi që polli tre vezë të arta çeli zogj në furrikun. që u fabrikua, nga Partia Socialiste, në Elbasan dhe në Dibër. Shpëtim Idrizi dhe Mesila Doda nuk ia dolën të fitojnë në Tiranë dhe tre deputetët, që fitoi PDIU-ja kaluan me PS-në. Sot krerët e PDIU-së të djeshmit e të sotmit janë më të përçarë se kurrë. Idrizi dhe Doda kandidojnë nën siglën e PD-së, duke pasur në mes “armikun” Dule të PBDNJ-së, Dashamir Tahiri nën siglën e partisë së Jozefina Topallit dhe Tahir Muhedini me Partinë Socialiste?! Çamët e mirë dhe të mençur mund të votojnë nga dhe si të duan. Por kapedanët çamë që morën përsipër “Çështjen çame” të ndarë në tre parti e kanë tradhëtuar atë në mënyrë të pariparueshme. Atyre që ëndërrojnë e shpresojnë ende te kapedanët kandidatë, do u rekomandoja të kujtonin vargjet e këngës së vjetër të Minushes, por në variantin çam: Ne PDIU-ja, ma keshe shtëpinë/ Qaje moj Minushe, qaje Çamërinë!