-Hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë/
– Kryeministri Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/
Ministri Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kosova sot feston nominimin e saj të parë në Akademinë OSCARS 2016, gjë që shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.
Kjo është hera e parë në histori që Kosova hyn në ‘Academy of Motion Pictures Arts and Science’ me filmin ‘Shok’, bashkëprodhim ky mes Kosovës dhe Anglisë.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’ sapo u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të të OSCARS, thekson Qendra Kinematografike e Kosovës në njoftimin e dërguar.
Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.
‘Shok’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.
Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ‘Shok’ tashmë ia ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë prezentë në ngjarjet më të mëdha të filmit.
Mustafa: Nominimi i filmit “Shok” për Oscar, ngjarje historike për Kosovën/
PRISHTINË, 14 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, përshëndet nominimin për çmimin prestigjioz Oscar, të filmit “Shok”.
Kryeministri Mustafa, e konsideron si një lajm shumë të mirë për artin dhe kulturën në Kosovë, duke përgëzuar të gjithë profesionistët e filmit, që kanë kontribuar për realizimin me sukses të këtij filmi, tashmë historik për kinematografinë kosovare.
“Nominimi i filmit ‘Shok’ për Oscar është lajm shumë i rëndësishëm për kulturën tonë në përgjithësi. Republika e Kosovës, falë punës, kreativitetit dhe përkushtimit të njerëzve të saj, dhe në bashkëpunim me njerëzit e vendeve tjera mike, po ecën e sigurt drejt sukseseve kulmore në të gjitha fushat e jetës”, tha kryeministri Mustafa.
Në përfundim të deklaratës theksohet se, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, bashkë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë aktivitetet që lidhen me promovimin dhe përkrahjen e filmit “Shok”, i cili është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/
Shala: Filmi “Shok”, lajm historik për kinematografinë e Kosovës
Prishtinë, 14 janar 2016/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala përgëzon aktorët, producentët dhe gjithë ata që kanë kontribuar për realizimin e filmit “Shok”.
Lajmi se filmi “Shok” është nominuar për çmimi më prestigjioz në fushën e kinematografisë Oscar, është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës në përgjithësi, u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, me të kuptuar lajmin se filmi “Shok” është nominuar për këtë çmim të madh që i bën nder artit dhe kulturës së Kosovës.
Me këtë rast, ministri Shala përgëzoi gjithë ata që kanë ndihmuar për këtë arritje të rëndësishëm për filmin e Kosovës.
Po ashtu, ministri Shala përgëzoi të gjitha ata që kanë ndihmuar dhe kontribuar për të realizuar këtë film, i cili që tani ka shënuar një sukses historik.
Ministri Shala u shpreh se është optimist në suksesin e mëtejmë të këtij filmi dhe të kinematografisë së Kosovës.
Ai po ashtu u shpreh se MKRS-ja është e përkushtuar që të krijojë kushte më të volitshme për zhvillimin e artit kinematografik, duke krijuar lehtësira në planin e legjislaturës dhe të ndihmës financiare për zhvillimin e mëtejmë të kinematografisë së Kosovës.
Ky film është një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë, me producent Eshref Durmishin e Harvey Ascott dhe është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës./b.j/