Nga Reshat KRIPA/
Më datën 4 shtator 2013 botova në gazetat “Metropol” dhe “Republika” shkrimin “Një letër për Kryeministrin e ardhshëm”. Lidhur me të, një miku im, botoi në një gazetë tjetër, një shkrim ku shprehte mendimet e tij lidhur me të. Natyrisht unë i ktheva përgjigje në të njejtën gazetë. Kjo kishte për qëllim një sqarim që unë doja t’ i bëja mikut tim në lidhje me shkrimin në fjalë. Deri këtu çdo gjë ishte normale. Por, duke vështruar shkrimet në internet, çuditërisht, lexoj një mori komentesh që i shoqëronin këto nga persona anonim. Në këto komente unë konstatova se, në shumicën e tyre, ishte përdorur një fjalor i ulët, aspak i pranueshëm për një shkrues serioz. Ishin komente të bëra nga militant fanatikë. Kjo gjë i kishte rënë në sy edhe mikut tim që e shprehu në një shkrim të dytë të tij.
Natyrisht unë nuk do të merrem me analizën e tyre se nuk ia vlen të merresh me njerës që vazhdojnë të shkruajnë letra anonime si dikur në kohën e regjimit të përmbysur. Mendova të shkruaj disa rradhë për veten time dhe për të tjerët për ata që janë në gjendje të arsyetojnë me mendje të shëndoshë dhe jo të rrëmbyer nga pasionet e çmendura. Këtë shkrim ia dërgova gazetës ku kishim botuar shkëmbimin e mendimeve me mikun tim por, fatkeqësisht, megjithëse kanë kaluar katër ditë, nuk po e shoh në faqet e asaj gazete. Përse? Përgjigjen duhet ta japin drejtuesit e asaj gazete. Por le të futemi në temë.
Po e filloj me veten time. Kam pasur fatin të bija në burg qysh në moshën 15 vjeçare. Them se kam pasur fatin, pasi vetëm atje munda të mësoj se Shqipëria paskësh pasur edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që na kish mësuar shkolla komuniste, ku çdo nacionalist paraqitej si Sali Protopapa i filmit “I teti në Bronx” apo ballistët e filmit “Kur zbardhte një ditë”. Këtë histori ma mësuan ata burra të rrallë që zor se mund t’i vijnë më këtij kombi. Më lejoni të përmend disa prej tyre: Doktori Isuf Hysenbegasi, Kleriku Patër Mëshkalla, Përkthyesi Gjon Shllaku, Juristët Fatosh Kokoshi dhe Haki Karapici, Agronomët Xhevdet Kapshtica, Meçan Hoxha dhe Sami Bitincka, Farmacisti Kol Kurti e të tjerë. Këta burra më flisnin për Mbretin Zog dhe Apostullin e Shqiptarizmës, Mit-hat Frashërin, për Hasan Dostin dhe Abaz Kupin, për Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon, për Jup Kazazin dhe Muharrem Bajraktarin, për Ali Këlcyrën dhe plot burra të tjerë të shquar.
Kur u bëra me fëmijë, këtë histori fillova t’ua mësoj edhe atyre dhe vazhdova edhe më prapa me nipërit dhe mbesat, në mënyrë të veçantë pas ndryshimeve demokratike.
Një ditë, vjen një mbesa ime dhe më thotë:
O gjysh, ti historinë na e ke mësuar ndryshe, kurse ne në shkollë e bëjmë ndryshe.
Më zgjati librin e historisë për shkollat e mesme. Ja si e paraqiste qëndrimin e Ballit
Kombëtar, Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi, në librin “Historia” për klasat e katërta, kreu 16.3, miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në muajin qershor 2006 (lexo: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”, gazeta “Metropol” datë 27 prill 2012):
Një fraksion ballistësh mendonte, se roli i PKSH mund të asgjësohej nga skena politike, vetëm në qoftë se nacionalistët liberalë që bënin pjesë në BK, do të zhvillonin një luftë çlirimtare më dinamike se komunistët. Mirpo në gjirin e BK triumfoi platforma e shumicës e kryesuar nga Mit’hat Frashëri, e cila ngulte këmbë që balli të mos angazhohej në luftë të armatosur kundër okupatorit pasi, sipas tyre, ne nuk jemi në gjendje të përballemi me fuqitë e tij ushtarake dhe lufta në këto kushte do t’i sillte vendit dëme e shkatërrime të pallogaritshme.
U befasova për këtë interpretim absurd të historisë së vendit nga një historian me titull Profesor Doktor. Nuk e besoja kurrë që një institucion demokratik si Ministria e Arsimit të miratonte një tekst të tillë denigrues për një pjesë të grupimeve politike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. A i dinin autori dhe ministria të vërtetat e betejave të përbashkëta që kanë zhvilluar trupat partizane dhe ato balliste me pushtuesit? A i dinin se në Drashovicë, Gjorm dhe Selenicë trupat partizane të drejtuara nga Hysni Kapo luftonin së bashku me ato balliste të drejtuara nga Hysni Lepenica? A i dinin se në Mogila dhe Miricë trupat partizane me në krye Zenel Shehun luftonin së bashku me ato balliste të komanduara nga Syrja Vasjari? Të tilla beteja janë zhvilluar edhe në Mat dhe krahina të tjera të Shqipërisë. Në rast se kjo nuk paska qenë e vërtetë, sipas tyre, atëherë si paska qenë e mundur që Partia Komuniste pranoi të ulej në bisedime në Mukje me një organizatë që nuk paska luftuar fare?
Rishikimi i historisë është një nga temat më të nxehta të ditëve tona. E majta shqiptare asnjëherë nuk është shprehur për domosdoshmërinë e rishikimit të saj, madje ka ngulur këmbë në interpretimin sipas së njëjtës logjikë të periudhës komuniste. Ndërsa e djathta, megjithse e ka ngritur zërin ndonjëherë, nuk ka vepruar asnjëherë për ta korigjuar, kur i ka pasur të gjithë mundësitë. Kjo për arsyen e thjeshtë se brenda së djathtës ekziston një krah i majtë shumë i fuqishëm. (lexo: “E majta brenda së djathtës”, gazeta “Telegraf” datë 8 dhe 11 prill 2007).
Një gjë të tillë e vërteton zhurma e madhe që u zhvillua në vendin tonë kur historiani i njohur, zoti Beqir Meta, hodhi idenë e heqjes së mozaikut para Muzeut Historik Kombëtar. Çfarë shërben një mozaik i tillë që nuk përfshin Kosovën, e cila ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar për çështjen shqiptare? Po Çamëria dhe krahinat shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi ku janë? Çfarë shërben një mozaik i tillë që nuk pasqyron periudhat më të rëndësishme të kombit shqiptar si ajo e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Pashallëqeve të Mëdha, Lidhjes së Prizrenit, Shpalljes së Pavarësisë, Lëvizjes Nacionaliste të Luftës së Dytë Botërore, por në dy të tretat e saj janë zënë nga “periudha e lavdishme e luftës partizane dhe ndërtimit të socializmit”. E djathta shqiptare, megjithse në pushtet, nuk qe e zonja ta hiqte atë mozaik. (lexo: “Meditim para mozaikut”, gazeta “Metropol” datë 25 maj 2012).
Në Shqipëri gjërat shikohen vetëm bardh e zi. Ekziston ende mentaliteti komunist: “O me ne, o kundra nesh”. Kështu veprohet me shumë nga figurat e shquara nacionaliste të historisë tonë. Megjithse kanë kaluar më shumë se 22 vjet nga përmbysja e komunizmit, vazhdohet ende me emrëtimin “kolaboracionist”. Ky emërtim përdoret për figura të tilla si Ernest Koliqi dhe Xhevat Korça, Rexhep Mitrovica dhe Ago Agaj, Patër Anton Harapi dhe Lef Nosi, firmëtar i Aktit të Pavarësisë më 1912. Deri kur do të vazhdojë ky mentalitet? (lexo: Kolaboracionist apo patriot?”, gazeta “Metropol” datë 21 mars 2012)
Vitin që shkoi Kryeministri Berisha premtoi, ndërmjet të tjerave, sjelljen e eshtrave të Gjeniut të Kombit, Mit-hat Frashërit, në Shqipëri. Ky premtim nuk u realizua. (lexo: Dedikuar Mit-hat Frashërit”, gazeta “Metropol” datë 24 shtator 2012).
Në tokë të huaj prehen edhe shumë dishepuj të tjerë të nacionalizmit shqiptar. Përmend në rradhë të parë Ali Këlcyrën dhe Rexhep Mitrovicën. A nuk do të ishte në nderin e këtij kombi që edhe eshtrat e tyre të preheshin në atdhe? A nuk do të ishte në nderin e këtij kombi që për të rënët në luftën e gjatë kundër komunizmit të ngrihej një varrezë e veçantë, ashtu siç është vepruar në shumë shtete të tjera të Europës Lindore? Një gjë e tillë bëhet e domosdoshme pasi ata nuk muind të prehen në varreezat ekzistuese të dëshmorëve, sepse ende atje ekziston ylli i kuq i komunizmit, pikërisht ai yll, gjembat e të cilit i vranë këta martirë. (lexo: “Meditim në 100 vjetorin e Pavarësisë” gazeta “Metropol” datë 24 korrik 2012).Qysh në vitin 1996 Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi rezolutën nr. 1096 “ Mbi Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”, e firmosur edhe nga delegacioni ynë por që nuk u publikua fare në Shqipëri, madje as edhe nga mediat. Më 25 janar 2006, me nismën e përfaqësuesit suedez zotit Lindblad, kjo asamble miratoi një rezolutë tjetër, atë me nr. 1481, e cila i referohej rezolutës së parë. Në pikën 7 të kësaj rezolute thuhet:
Asambleja është e bindur që njohja e historisë është një nga parakushtet e shmangies së kryerjes të krimeve të përngjashme në të ardhmen. Për më tepër, vlerësimi moral dhe ndëshkimi i krimeve të kryera luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare mbi të kaluarën mund të jetë pikë referimi për veprimet e ardhshme.
Lidhur me këtë rezolutë, Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 miratoi një rezolutë analoge me të. Në miratimin e rezolutës Partia Socialiste i nxorri jashtë kuvendit deputetët e saj. Në këtë rezolutë parashikoheshin:
Pika 8 – Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore.
Pika 9 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist.
Pika 10 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon bërjen publike të të gjitha dokumenteve që dëshmojnë
krimet e regjimit komunist.
Pika 11 – Kuvendi i Shqipërisë kërkon hapjen e dosjeve të ish bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.
Pika 15 – Kuvendi i Shqipërisë fton institucionet shtetërore të përmbushin detyrimet ligjore për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin dhe dëmshpërblimin e tyre, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike.
Pika 16 – Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë edhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.
Pika 17 – Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve, si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste.
Këto ishin pikat kryesore të kësaj rezolute. Le të shohim tani se sa janë realizuar ato deri tani pas shtatë vitesh.
Pika 8 – Diktatorit Enver Hoxha ende nuk i janë hequr titujt dhe dekoratat e fituara nga regjimi komunist, madje është miratuar edhe një ligj nga kuvendi sipas të cilit askush nuk ka të drejtë të heqë titujt e fituara nga e kaluara.
Pika 9 – Nuk është rishikuar asnjë datë. Ende ekzistojnë data të tilla si 11 janari, 24 maji e të tjera
Pika 10 – Nuk është bërë publik asnjë dokument që dëshmon për krimet e kryera nga regjimi komunist.
Pika 11 – Nuk është miratuar asnjë ligj për hapjen e dosjeve. Edhe një i tillë, megjithse gjysmak, që u miratua në kuvend, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese.
Pika 15-Është realizuar vetëm çështja e arsimimit dhe pjesërisht punësimi dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë. Nuk është akorduar asnjë fond për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq.
Pika 16 – Asnjë fushatë për rishikimin e librave shkollorë. Fillimisht u shpall 21 maji, dita e revoltës së madhe të Spaçit si dita përkujtimore e viktimave të komunizmit por, çuditërisht më pas, u zëvendësua me 20 shkurtin, ditën e rrëzimit të monumentit të diktatorit. Nuk është hapur asnjë muzeum dhe nuk eshte kthyer në muze asnjë burg i periudhës komuniste. Përveç disa memorialeve të ngritura nga bashkitë e disa qyteteve nuk është ngritur memoriali kryesor për të cilin u mor edhe vendimi i Kuvendit të Shqipërisë, neni 5, për ngritjen e “Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit
Pika 17 – Asnjë konferencë kombëtare nuk është zhvilluar.
Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë dhe unë personalisht, si funksonar i saj, nuk kemi rreshtur së kërkuari, si zyrtarisht ashtu edhe nëpërmjet mediave të shkruara apo vizive realizimin e këtyre kërkesave. Por daullja ka rënë në vesh të shurdhër. Përse? Një miku im më tha një fjalë të vetme : KATOVICA! Nuk e di nëse miku kishte të drejtë apo jo por, edhe unë, nuk kisha argumenta për ta kundërshtuar. (lexo: “A po zbatohet Katovica?” gazeta “Metropol” datë 14 qershor 2012).
Këto gjëra doja të shprehja në këtë shkrim. Ato janë një analizë e asaj që është bërë në vendin tonë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të përndjekurve politikë në veçanti dhe të zhdukjes së mentalitetit të drejtimit komunist të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Si është kryer ky proces deri tani. Praktika ka treguar se vetëm e djathta ka arritur të bëjë diçka në këtë drejtim, por ajo nuk i ka mbajtur të gjitha premtimet e bëra. Në përgjithësi kjo shtresë është përdorur si lojë politike në duart e saj. Kur ka munguar kjo pasojat kanë qenë fatale. Një gjë e tillë u provua edhe në zgjedhjet e fundit. Humbja e besimit te një pjesë e mirë e të përndjekurve politikë ishte një nga shkaqet kryesore të humbjes. (lexo: “Të përndjekurit politkë dhe qëndrimi i tyre ndaj zgjedhjeve” gazeta “Metropol” datë 20 shkurt 2013, “Nesër do të jetë shumë vonë” gazeta “Metropol” datë 3 prill 2013 dhe “E djathta dhe e majta” gazeta “Mapo” datë 28 qershor 2013).
Sa për të majtën ajo, deri më sot, asnjëherë nuk ka qenë përkrah shtresës së të përndjekurve politikë, ish pronarëve apo përfaqësuesve të nacionalizmit të vjetër shqiptar. Kjo ka vazhduar edhe kur në krye të saj erdhi zoti Rama. Duhesh të vinte viti 2012, shtatë vjet pas zgjedhjes në krye të Partisë Socialiste, që ai t’i kthente sytë nga kjo shtresë, madje krijoi edhe një grup me të përndjekur politikë për hartimin e një programi për ta. Një gjë të tillë e shpalli edhe gjatë fushatës elektorale ku bëri shumë premtime. Praktika e deritanishme ka treguar të kundërtën. Mos është edhe kjo një lojë si ato të deritanishmet? Ne jemi në pritje të mbajtjes së këtyre premtimeve pasi siç e kam theksuar edhe në shkrimin tim “Një letër për Kryeministrin e ardhshëm”, botuar në gazetat “55”, “Metropol” dhe “Republika” datë 4 shtator 2013, kjo do te ishte një përmbysje e mentalitetit se vetëm e djathta mund t’i zgjidhte çështjet e ngritura në këtë shkrim.. Ditët ikin shpejt. Ne do të presim dhe do të shohim nëse këto çështje do të zgjidhen.
Këto janë mendimet e mia. Ky jam unë. Lexuesit le ta gjykojnë siç e mendojnë. Në këto çaste më kujtohen dy vargje të poetit tonë Migjeni:
“Sikur të kisha, ah, nji grusht të fortë,
T’i bija m’u në zemër malit qi s’bëzan!”
Por, nuk e kam një grusht të tillë. Megjithatë kam zërin tim dhe këtë zë do ta përdor sa herë që do të shikoj shkeljen e të drejtave të shtresës sime. Ndonse daullja, në përgjithësi, bie në vesh të shurdhër, zëri im nuk do të jetë një zë në shkretëtirë.