Nga Sulejman Dida/*
Në qershorin e vitit 2014, ndërsa ndodhesha në panairin e librit shqip në Prishtinë për një reportazh për TVSH, më bëri përshtypje dyndja e njerëzve në rradhë bukur të gjatë në pavionin e entit botues “Koha”. Rradhë si ato të qumëshit dikurë në qytetet tona (në Shqipëri). Çfarë shitet këtu, nuk e marr vesh përse shtyheni, pyeta dikë në rradhë. Libri i Vetonit shitet, libri “Kambët e Gjarpnit”, por duhet me hy në rradhë sepse nuk ka për të gjithë, tha. Këtu ka dhjetra mijë tituj librash e nuk e kuptoj pse u dashka me ble vetëm “Këmbët…”, thashë, si vetmevete dhe futa dikë si mik të ma siguronte një kopje. Ka shkrue të vërtetën, mor zotni, ka shkrue të vërtetën për Kosovën, kjo më duhet, nuk më duhen shkresurina që na mashtrojnë, tha një zë tjetër nga “radha”.
Më në fund del dikush që i thotë gjërat hapur në mënyrën krijuese dhe shkencore, në mënyrën më elitare të mundëshme. Ka prekur tabutë të cilat ndër shqiptarë nuk është se preken shumë lehtë qysh mbas Faik Konicës. Ka marrë në analizë ish kryeministrin Hashim Thaçi dhe disa nga shokët e tij duke i shikuar nga aspekti i formimit dhe predispozicionit të shfaqur, por mbi të gjithë duke i vlerësuar mbi atë se si kanë vepruar drejt pushtetit dhe me pushtetin. Zoti Surroi merret me emra konkretë por aq thellë e analizon objektin sa, mendoj se përbën një traktat mbi dukurinë e gjithmonëshme të aksidentalizmit që na karakterizon. Duke mos qenë shumë të pasur në arritje ushtarake, aq më pak në rrezistencë apo, larg qoftë në ekspansion, është në tiparin tonë gati biologjik të ngremë tabu, siç ishte edhe rasti i UÇK-s, (ngjashëm me partizanët shqiptarë të luftës së Dytë Botërore) me anatominë e të cilës nuk guxon të merret askush. Por zoti Surroi merret me të, madje merret me objektivizëm të admirueshëm, glorifikon sigurisht përpjekjet e djemve që vunë jetën në shërbim të çlirimit por nuk bie në foklorizëm, e madje është demontues i propagandës grandomane. Surroi merret me persona tabu por edhe me tema tabu. Me përpjekjet për ndërtimin e ushtrisë nën komandën supreme të Rugovës dhe me shkatërrimin e saj prej moskonseguencës së vetë shqiptarëve. Merret me flamurin e shtetit të Kosovës, medemek imitim i flamurit të BE-së, por që siç thotë Surroi, del në të vërtetë një kompozim joestetik, një rrenë me bisht edhe në aspektin simbolik që përfaqëson komunitetet përbërëse të Kosovës. Sepse nuk janë themelorë në numër pesë nacionalitete në Kosovë. Himni i flamurit, himni i Kosovës, të le pa fjalë. Një himn që shpreh shpirtin memec, shpirtin e pafjalë.
Aksidentalizmi si vetvrasje. Duket se shqiptarët i ka shoqëruar, në të paktën dymijë vitet e fundit, dukuria fatale e aksidentalizmit. Mundet që kjo dukuri ndodh te popujt me tipare dominuese të spontanitetit dhe individualizmit, që siç thonë studiuesit, janë karakteristika tonat. Surroi argumenton se periudha “gjatë dhe pas luftës së Kosovës” u karakterizua pikërisht nga aksidentalizmi ku njerëz pa histori, e ndoshta pa ideale të formuluara politike, morën pushtetin në mënyrë aksidentale dhe po ashtu e drejtuan atë duke shkelur apo kapërcyer etapat evolucioniste që shqiptarët kishin krijuar me shumë përpjekje.
Ashtu si komunistët e Shqipërisë (1944) të cilët sapo erdhën në pushtet fshinë çdo arritje të deriatëhershme në përvojën shtetndërtuese, edhe drejtuesit e rinj të Kosovës zgjodhën udhën e shkurtër, një shkurtore siç thotë Surroi, dhe fshinë çdo arritje të shënuar gjatë perudhës së funksionimit të shtetit paralel që ndërtuan shqiptarët e Kosovës me Rugovën në vitet 90 ku, gjithsesi u mbajt gjallë arsimi edhe pse në ambjente jo shumnë të mira, u mbajt gjallë shëndetësia etj. Ishte një periudhë kur shqiptarët konsumuan para botës, por edhe para vetvetes opcionin e joluftës, vendimtar në njohjen ndërkombëtare të çështjes shqiptare. Dhe ndoshta ishte nga arritjet më të mira dhe konkrete që kanë shënuar shqiptarët ndonjëherë. Lufta dhe jolufta janë nocione të diskutueshme edhe sot e kësaj dite sepse qeveritarët që pretendojnë se e çliruan Kosovën, në të vërtetë nuk u futën në Kosovë si të tillë, pra si çlirimtarë sepse nuk qenë ata që e mundën Serbinë (ajo nuk u mund asnjëherë), që e larguan prej Kosove, pra nuk qenë vendimmarrës, ndonëse ishin faktor shumë i rëndësishëm. Mirëpo me instalimin e pushtetit dhe rrjetit të shërbimit, me uzurpimin e kanaleve të informimit publik ndodh fabrikimi i ndodhive. Autori Surroi konstaton se “nuk është edhe gjithaq me rëndësi se çka ndodhi por ajo çka flitet e shkruhet se ndodhi”, (f.25). A nuk e falsifikoi edhe Enver Hoxha historinë e luftës së Dytë Botërore, e cila për ironi të fatit tonë quhej edhe Nacional-Çlirimtare, pra çlirimi i kombit? A nuk hiqej pikërisht ai, pra Hoxha si themelues i PKSH-s kur as kishte qenë të paktën i pranishëm? A nuk hiqej si luftëtar i frontit të luftës kur nuk kishte marrë pjesë asnjë ditë? Shqiptarët e kanë mësuar në tekstet e historisë se qenë brigadat partizane që e përzunë gjermanin, edhe pse patën rrol në këtë, kur në të vërtetë gjermanin e mundi Boshti? Njëjtë, majtistët pretenduan se qenë ata që e çliruan Kosovën, ku pa dyshim që kishin rrol, por çlirimi erdhi nga NATO. Menjëherë mbas luftës Dytë Botërore komunistët në Shqipëri iu vunë zhbërjes së çdo arritjeje të deriatëhershme, shtetëzimit të pasurive private dhe të gjithçkaje tjetër, ngjashëm vepruan majtistët në Kosovë, me ndryshimet që sugjeron epoka e sotme pa dyshim, synuan menjëherë pronat publike, shitën lirë, siç argumenton autori Surroi, asetet-pasurinë e përbashkët, dhe, përkitazi me shprehjen e njohur sipas të cilës politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë, e ndërtuan më miri atë, jo për shtetin por, siç tregon me kurrajë autori, për klanet e caktuara.
Uzurpuesit e pushtetit fabrikojnë ngjarjet e luftës, ribëjnë në mënyrën më amatore “historinë”, sepse kështu legjitimohet demolimi i demokracisë dhe instalimi i elitave aksidentale në krye të shtetit. Dhe arrijnë të ndërtojnë një hajni profesionale, por nga ana tjetër një poltikë amatore që vazhdimisht del humbëse në çdo ballafaqim negociator.
Kastat e ndryshme apo klane të fuqishëm të formuar kohët e fundit, me qasje të rralla i ndihmojnë zhvillimit të vendit, ndonëse të tillë siç janë këta, koha ka me i lanë prapa. Por fatkeqësisht një kohë edhe më e keqe se kjo e sotmja, sepse idealistët, të diturit dhe intelektualët po shtypen me nevojën e mbijetesës dhe asnjë program shpëtimi nuk duket në horizont.
Hajdutët e pasurive publike nuk mund të formulojnë qëllime fisnike. Hajdutët, edhe nëse e futin krejt botën në dorë, mendojnë prapë për zaptime të radhës. Demokracia? Nëse kjo është diçka e zaptueshme atëherë është një gjë e mirë. Dhe në të vërtetë e arrijnë, e arrijnë duke injoruar çdo element të së drejtës dhe duke mos përfillur asnjë parim moral. Kështu kastat apo klanet e ndryshëm kanë ndërtuar sistemin e pacënueshmërisë mbi mohimin total të barazisë para ligjit, mbi mohimin total të aspiratës së ngritur me shumë breza, mbi mohimin total të çdo arritje njerzore e natyrore.
Vulgarët e fuqishëm tashmë nuk janë anonimë apo ilegalë, por pjesë e shtetit. Ata i paraqesin qëllimet e tyre specifike si aspirata të përgjithshme, dhe konkurrojnë, mbasi e kanë siguruar blerjen e fitores. Ata të cilët, në vend që të dërgoheshin në burg për vepra kriminale, zënë karriget e paramentit e madje bëhen edhe ministra.
Si mund të mbështeten persona të tillë që, duke u ndodhur në krye të shtetit nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë lakminë e ulët për pasuri, që nuk janë të gatshëm madje të sakrifikojnë edhe jetën e tyre në favor të interesave superiore nacionale?
Në vitin ’99, por edhe një vit më herët si dhe pas vitit ’99, kuptohet, persona egoistë dhe pa histori të mjaftueshme po se po, iu dorëzuan tundimit për dominim personal dhe bënë përpjekje përtej çdo morali për të maksimalizuar pozitën individuale duke u kamufluar me qëllimet e natyrshme të kombit, kur në të vërtetë e dëmtuan këtë të fundit në aspektet më sublime.
Nuk qëndron fakti që shqiptarët fituan luftën me Serbinë. Fitorja do të përmbante tjetër prestigj. Fituesi vendos kompetencat supreme ndërsa i munduri dorëzohet pa kushte. Ashtu si në jetën e egër, kombi shqiptar ishte kafshuar dhe po jepte shpirt, por u shpëtua, dhe ashtu shumë i lënduar vijon të përpëlitet për tu ngritë në këmbë. Serbia, edhe po të shporrej prej Kosove duke u mundur nga ushtria e Kosovës, serbët thjesht do të ktheheshin në shtëpinë e tyre, por pa humbje, sepse nuk është ndonjë humbje dramatike të mos jesh pushtues i një kombi tjetër. Populli do të thoshte, Serbia iku prej Kosove, e theu qafën, por kjo nuk do të thoshte se Serbia u mund, sepse edhe ashtu ajo ende mban shumë territore shqiptare.
Mosfunksionimi i Shqipërisë dhe i Kosovës ka pa dyshim edhe arsye objektive. Si mund të funksionojë një shtet i cunguar? Ashtu si një organizëm i gjallë i cili nuk mund të funksionojë normal përveçse i plotë e jo i copëtuar, ashtu edhe kombet lëngojnë nëse ata i përshkon gërshëra duke ia pre arteriet kryesore që duhej ti jepnin energji gjithë njësisë.
Ne vetë nuk jemi për ne. Në vitin ’99 Tirana zyrtare kërkoi vendosjen e trupave të NATO-s në kufirin Shqipëri-Kosovë, gjë që po të ndodhte, do të ishte futja në thertore e gjysmës së kombit. Fillimisht futja në geto, por me kalimin e kohës në thertore për asgjësim. Nuk është e vështirë të kuptohet se pas likujdimit të njërës, Serbia shumë lehtë do ta kishte me gjysmën tjetër, ashtu si prralla Dy Qetë dhe Ujku (së pari i përçau e pastaj i kullufiti njërin pas tjetrit).
Atë që bënë nazistët me bashkimin e trojeve shqiptare, e shpërbënë vetë shqiptarët duke rënë në kurthin që, midis dy të këqiave të zgjedhin të keqen më të madhe. Pra zgjodhën të qëndronin me serbët, nën pushtim pjesërisht dhe nën diktat teresisht.
Mbas luftës së Dytë Botërore nuk bëhej fjalë më për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, por mund të punohej, siç edhe ndodhi, për ndërtimin e projektit të shtetit të Kosovës, ve në dukje autori Surroi.
Por me arritjen e një caku politik, të dhemb fakti se në vend që të instalohej demokracia, ajo thjesht u përdor. Në demokracinë shqiptare, dmth, në Kosovë dhe në Shqpëri, ka ndodhur përdorimi i krejt sistemit demokratik, përdorimi i shtetit në funksion të pasurimit dhe fuqizimit personal. Në platformat e deklamuara që në krye të herës, po të shohim me vëmendje, janë pikërisht qëllimet personale që na janë shitur si qëllime tonat, si qëllime të shoqërisë shqiptare. Liderët tanë të fabrikuar jo vetëm që kanë krijuar distancë me masat, me njerëzit që vunë besimin e sinqertë për ti bërë liderë të shtetit, por i sfidojnë e i ofendojnë ato me arrogancën e një banditi pushtues duke ecur nëpër mjedise publike me suita të armatosura.
Në faqen 118 të librit “Këmbët e Gjarprit”, lexojmë: “Qeverisja e Hashim Thaçit, i quajtur Gjarpëri, nuk ka të bëjë gjë as me të majtën socialdemokrate as me të djathtën konservatore eurpiane, as me komunistët – ka të bëjë me cubat. Cubat e ndalin kalimtarin, qerren me mall, çobanin me bagëti dhe kërkojnë një pjesë të pronës si shpërblim për leje kalimi”.
Përpjekja për të ndërtuar një komb kosovar, është një përpjekje që e bën të pjestueshëm njësinë kombëtare shqiptare duke e thjeshtëzuar deri në zerim, pra deri në zhbërje. Ligjvënësit e sotëm, qeveritarët, megjithë mungesën problematike të informimit, ndjehen prapëseprapë kompetentë. Taborret e sistemit të drejtësisë ngërthehen imponues në motivimin e krimit të përmbushur prej tyre. Dhe vjen konstatimi i drejtë se ne kemi një drejtësi të dështuar, sepse nuk është se u përpoç dikush ta ndërtojë atë. Nëse do të kishim përpjekje për ta ndërtuar ngrehinën e drejtësisë, ku janë martirët e këtij misoni? Në të vërtetë ka ndodhur ngritja e truprojës së krimit, taborre që marrin në mbrojtje grabitësist e pasurisë kombëtare, vrasësist e shumfishtë dhe përdhuneusit. Absolutizmi i kësaj kaste nuk mbështetet në rregulla apo në ligje, por në forcën e errët, në parimet e frikshme të bandave.
Kur u lirua Kosova, shqiptarët u hutuan dhe e lanë Mitrovicën jashtë vëmendjes. Sepse u hutuan nga liria. Edhe UÇK-ja u hutua, nëse ka qenë ndonjëherë e kthjellët. Shqiptarët u hutuan edhe kur bënë flamurin, kur bënë bisedimet me Beogradin për Mitrovicën e kështu me rradhë, ashtu siç pat ndodhë në vitet e luftës së Dytë Botërore. Surroi thotë se nga të paktat gjana që i kemi, hutimi do të ket qenë autokton (f.62).
Prandaj lindin pyetje që dhembin fort: nuk u besuan profesionistëve në luftë, sepse u hutuan?, e votuan Gjykatën Speciale sepse nuk e dinin se çka ishte, sepse ishin të hutuar?! A ishte një ushtri UÇK-ja? Nëse po, përse u la në baltë Adem Jasharri? Ky i fundit a ishte vërtetë komandant, pra a kishte një ushtri që e komandonte dhe, a ishte vërtetë komandant legjendar?! Cila ishte ushtria me të cilën ai e mbajti frontin, shtëpinë e vet disa ditë përveç fëmijëve të tij?! Dhe përse ai i sakrifikoi fëmijët e vet, kush ka të drejtë ta bëjë një gjë të ngjashme?!
Kombet që synojnë prosperitetin e jo thjesht mbijetesën synojnë të përfqësohen me maksimumin në raportet me të tjerët dhe për këtë bien dakrot të gjitha palët, i gjithë faktori i brendshëm. Por me ne ndodh e kundërta, ne jemi përfaqësuar gati gjithmonë nga joprofesionistët. Në politikën e sotme mungesa e profesionalizmit duket pothuajse në çdo aspket. Le të marrin rastin e politikës së jashtme. Njohja e Republikës ë Kosovës është edhe sot e kësaj dite në rend të ditës, pra një shqetësim që rri në sirtar. Në librin “Këmbët e gjarpërit” Surroi thotë se lobimi që shtetet arabe ta njohin Kosovën iu la Izraelit. Dhe njohjet nuk ndodhin. Gjithkush që ka informacion të përgjithshëm mbi atë se çfarë raportesh mospajtimi kanë mes tyre izraelitët dhe arabët, e kupton se këtu kemi të bëjmë me veprim joprofesional në mos kundërshqiptar.
Në e dëgjojmë shpesh në media termin klasë politike. Por shqiptarët, si në Tiranë, si në Prishtinë apo Shkup nuk kanë klasë politike, ndonëse nuk mungojnë politikanët. E si mund të quhen si pjesë e “klasës politike” njerëz që, kur shkarkohen apo u mbaron mandati i një funksioni në qeveri si ministër etj. emërohen në detyra drejtuese në digastere për të cilat nuk kanë informacion se ekziston? Surroi thotë në libër se qeveritarët nuk e dinë se çka don me thanë politikë, dhe nuk e dinë se ka edhe të jashtme.
Të ndodhur në kushte inferiore dhe në rrezik zhbërje, shqiptarët kanë pranuar gati gjithmonë rekomandimet e huaja, thelbi i të cilave ka qenë, Demokracia apo Stabiliteti. Sepse gati gjithnjë shqiptarët vetsakrifikohen në emër të medemek stabilitetit. Po përse të sakrifkohet demokracia kur mund të ndërtohen që të dyja, pra demokracia por edhe stabiliteti?! Përse të huajt vijnë me ogur të keq për demokracinë kur vjen puna për shqiptarët? A nuk rrezikohet stabiliteti pikërisht edhe për faktin se trojet shqiptare nuk janë bashkë? Sepse kështu po rrezikohet diçka e shenjtë dhe madhore, por jo stabiliteti. Po rrezikohet rraca shqiptare. Sepse nuk kemi një platformë mbijetese. Lexoni elaboratin e nobelistit serb nga Bosnja Ivo Andriç, për zhdukjen e shqiptarëve (The Voice of Truth, dhjetor 2014, NJ USA), lexoni platformat e Çubrilloviqit për shpërnguljet e shqiptarëve (libri Vaso Çubrilloviq“Shërngulja e shqiptarëve”, T.2015)… pra të tjerët kanë platforma asgjësimi për ne, po ne a kemi platforma mbijetese?! Sigurisht që jo, madje ne, çdo përpjkje idealistësh për çështje sublime të mbijetesës si komb e sabotojmë duke llapur me të tjerët. Këtej, del në dritë edhe një rrenë e madhe që e kemi ndërtuar vetë: që ne jemi popull miqsor. Ishim vërtetë miqësorë me të tjerët dhe vijojmë me qenë të tillë, apo ishim dhe jemi të dobët në raport me to?! Kjo rrenë po na nxjerr të zbuluar.
Ne jëmi bërë të pandjeshëm. Masakrohet një pjesë e fisit ndërsa pjesët e tjera dehen me birrë sikur të mos ket ndodhur asgjë. Siç e cekëm pak më sipër, jemi bërë si ai organizmi me nerva jofunksionalë që, nëse e pret diku në një pjesë të trupit, pjesa tjetër nuk e ndjen fare.
Nuk është vetëm Mitrovica. Janë plot territore dhe komunitete etnike tonat që masakrohen, siç ndodhi pak ditë më parë në Kumanovë. Por le të marrim si shembull Mitrovicën. A ishte në thelb të dokumentit, më saktë të hatrit të Ahtisarit që serbët të kenë një garanci, por jo garanci territoriale? A po shihni si po ndodh sot në terren? Shihni pak mbarapa çka thotë Ahtisari dhe sa lëshime kanë bërë shqiptarët mbas tij.
Shqiptarët, duke pranuar në krye të shtetit njerëzit më pak profesionistë, asnjëherë nuk kanë qenë kompetentë për të vendosur kushte. Kompetenca buron edhe nga informacioni. Dokumenta të rëndësishëm ndërkombëtar i kanë nënshkruar pa e ditur se çka përmban. (f.165) Shqiptarët ashtu vepruan gjatë luftës së Dytë Botërore. Nënshkruan marrveshje humbëse me jugosllavët, u bashkuan me serbët pa e ditur se çfarë genocidi do të pësonin banorët shqiptarë prej serbëve që në mënyrë fatale u quajtën miq, madje më keq akoma, vëllezër. Sepse shqiptarët menduan se u rrjeshtuan me fituesit, madje edhe sot ashtu mendojnë, me fituesit e luftës po, por pa ndonjë fitore, përkundrazi me humbjen më të madhe në krejt historinë e tyre. Në të vërtetë të gjithë të tjerët mund të ishin fitues, por shqiptarët dolën humbësit tragjikë, e ndoshta tragjikomikë sepse ndihmuan në theqafjen e vet duke u rrjeshtuar me fituesit ndaj të cilëve shpalli armiqësinë shumë shpejt. Pra në mënyrë tragjikomike Republika e Shqipërisë, jo Shqipëria (me Kosovën etj), u rrjeshtua në anën e fituesve armiq. Nga ajo luftë shqiptarët dolën plotësisht të dështuar, megjithë propagandën se u rrjeshtua me fituesit, propagandë që për fat të keq vazhdon edhe sot. Sepse as atëherë e as sot nuk ka një vetëdijë të formuar.
Në librin e vet Surroi parashikoi sjelljen e ardhëshme të parlamentit të Kosovës, kuptohet që më herët edhe të qeverisë lidhur me Gjykatën e krimeve të luftës, pra atë që quhet speciale. Sepse për fat të keq nuk është në pyetje emri apo emrat e personave, por është në pyetje dinjiteti i popullit shqiptar, prestigji i shtetit të ri. Sepse nëpër botë do të shkruhet: si ta njohim një shtet të ngritur nga njerëz të inkriminuar? Udhëheqësit e sotëm, të ndodhur në siklet e ndoshta në kolizion, u bëjnë thirrje shqiptarëve: ‘blini këtë mall sepse është jashtëzakonisht i keq për ju’. (f.162) Nga ana tjetër, shumë njerëz mendojnë se kjo është një zgjidhje që e ka sjellë zoti në momentet kur një klasë jo prefesioniste po ngrihet me shpatë kundër cilitdo zë kundërshtues, edhe pse mund të ket të drejtë. Një trupë sikur të kishte zbritur nga qielli ‘për të gjykuar ata që janë bërë të paprekshëm nga gjykatat vendore’. (f.164)
Një nga aspektet më trishtuese për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë etj. është përceptimi depresiv i udhës tonë, i të ardhmes. Zoti Surroi nënvizon jo pa dhimbje se për shumkë perspektiva e afërt është e paqartë por shpresdhënëse, për shumë të tjerë është jo vetëm e paqartë por edhe e pashpresë. Për autorin Surroi është krejt e qartë hipoteka aspak dinjitoze e së ardhmes. Ai si njohës i thellë i udhës së Kosovës në dy-tri dekadat e fundit ku ka qenë edhe protagonist, e parashikon me saktësi atë që do të ndodhë ose atë që nuk do të ndodhë. Profecia ka nisë të vërtetohet qysh me zhagitjen gjashtmujore të rotacionit politik mbas zgjedhje të fundit në Kosovë.
Veton Surroi, ndoshta pa e patur qëllim në vetvete, ka bërë skanerin e situatës dëshpëruese shqiptare, kësaj lëngate të gjatë. Eshtë një traktat me shtrirje të gjithanëshme sepse ka dëshmuar shkaqet përse në shqiptarët jemi humbës. Ai ka analizuar Kosovën por gjendja është e njëjtë në mjediset shqiptare kudo, pra, përse ne shqiptarët jemi humbës, madje humbës të mëdhenj në raport me kombet fqinjë. Ka treguar se ne jemi sjellë me politikën vazhdimisht si amatorë dhe gati asnjëherë nuk kemi ndjekur evolucionin por kemi përmbysur vlera me revolucion.
Arritja e epokës së Rugovës ishte rezultat evolutiv. Por cubat nuk presin evolucionin, ata preferojnë revolucionin, e, duke mos qenë të aftë për të, aplikojnë pritën dhe plaçkën, zaptimin dhe pritën njiohësisht, prenë dhe jo produktin e mundimit me djersë.
UÇK-ja, praktikisht organizatat majtiste shfrytëzuan arritjen e Rugovës, që ishte njohja ndërkombëtare e problemit shqiptar. Politka e Rugovës ishte pjekur, ishte një autostradë e shtruar tashmë ku në vend të parakalimeve me bukë dhe me parrulla duhej të marshonte një ushtri që tregon dhëmbët. Por kjo nuk ndodhi. Kështu del në skenë grupimi i majtë dhe korr frutat, por nuk bëri edhe luftën, thjesht korri frutat.
Kur shtetet drejtohen nga joprofesionistët, viktima e parë është sistemi demokratik. Sepse hajdutëve, psh, nuk u intereson demokracia por pushteti. Ndër shqiptarët tashmë ka vdekur idealizmi. Zyrtarët veprojnë me kanune cubash, jo me ligje.
E shfrytëzova librin”Këmbët e gjarpërit”, botim i cili përbën një cak civilizues në tërësi dhe në kurrajon intelektuale në veçanti, për të folur edhe për situatën politike etj. në Republikën e Shqipërisë, madje jo vetëm kaq por edhe për udhën e mundimëshme të saj në shekullin XX dhe në vazhdim. Sepse ky libër, nëpërmjet përshkrimit të metodave të marrjes së pushtetit të një grupi drejtuesish konkretë në Kosovë, vlen të perifrazohet edhe për Shqipërinë. Sepse ajo që po ndodh në Kosovë është pak a shumë, rezultat i pafuqisë apo i pakompetencës, i neglizhencës së vetë kësaj Shqipërie. Një nga qëndrimet fatale, vetvrasëse ka qenë dhe mbetet konsiderimi i Kosovës si një problem thjesht kosovar dhe jo si problem shqiptar. Kombet e tjerë, sigurisht që nuk e shohin këtë si qëndrim civilizues, por si ligësi. Me qëndrime të tilla është e sigurtë që nuk bëjmë miq, e sa për armiqtë, edhe ashtu nuk na mungojnë.
Por shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë dhe kudo nuk duhet ti humbin shpresat sepse në mesin tonë ka programatorë të mëdhenj, terapeutistë të politikës që japin të vërtetën. Madje as u bëhet vonë se kush dhe çfarë pëlqen, por japin të vertetën, shtrojnë pltaforma dhe dëshmojnë shpirtin kohës. E ky pra është Veton Surroi me shënimet heretike “Këmbët e Gjarprit”.
*(Për librin “Këmbët e gjarprit” të autorit Veton Surroi)
Kukës, 10 qershor 2015