Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Festa në Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2 Korrik 2016/
-Në 2 Korrik1990 isha pranë delegatëve të Kuvendit të Kosovës nën shtetrrethim, para dyerve të mbyllura e snajperëve, në ngjarjen historike dhe shkruajta redaksionalin “Fillim i së nesërmes”, botuar në ballinën e gazetës tradicionale Rilindja/
-Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur/
-Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 2 Korrik 2016/ Ishte “Fillim i së nesërmes”, e cila tash është e sotmja… Në Kosovë, para 26 viteve, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 e Kuvendit nën shtetrrethim e deputetëve që mbajtën seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve, shpallte pavarësinë e Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
“Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’ u realizuar e plotë në 17 shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli. Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990 janë dy aktet kushtetuese juridike të rëndësishme që i kanë paraprirë mbajtjes së Referendumit të shtatorit 1991. Jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatën e krijuar në ish Jugosllavi”, është shprehur Ramajl në një intervistë që kam zhvilluar.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut, të cilën e përcolli në mënyrë të natyrshme nxjerrja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator 1990, amendamentet e saja dhe më vonë referendumi gjithëpopullor për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për kohën kur u nxorën, besoj se shprehin kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e pareshtura që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar”, ka theksuar Ramajli.
Ai kujton se, Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, u miratuan dhe u shpallën nga Kuvendi pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se ish-Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pakthim të shpërbërjes.
“Deklarata Kushtetuese ishte dhënie e formës kushtetuese juridike vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë dhe ishte një vlerësim dhe akt i drejtë, që në kushtet e krijuara të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova si njësi e pavarur, vet e në mënyrë të pavarur duhet të vendosë për fatin e sajë”, ka theksuar Ilaz Ramajli.
Në ambientet e Kuvendit kosovar, kryeparlamentari Kadri Veseli organizoi sot pritje për delegatët që miratuan Deklaratën Kushtetuese, të cilën e ka vlerësuar akt të parë juridik që përmblidhte aspiratën e pavarësisë nga shteti okupues, një moment të rëndësishëm në historinë e lëvizjes sonë kombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe një pikënisje e duhur për platformën e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës.
Në këtë solemnitet ishin të pranishëm edhe deputetë të përbërjes aktuale kuvendore dhe mysafirë të tjerë e familjarë të delegatëve të kohës së 2 Korrikut historik 1990.
Kryeparlamentari Veseli me këtë rast theksoi se në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme dhe historike për vendin tonë, që kanë përcaktuar rrjedhat dhe proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në 40 vitet e fundit. Njëri nga këto vendime të rëndësishme, theksoi Veseli, padyshim ka qenë edhe Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990.
Kryeparlamentari Veseli përshkroi kontekstin historik në të cilën ndodhej Kosova dhe rajoni, duke theksuar se atëherë kishte filluar procesi i pashmangshëm i dezintegrimit, duke filluar me masat e dhunshme për të suprimuar Kushtetutën e vitit 1974, sikundër aktiviteti dhe aspirata e lëvizjes tonë kombëtare për shkëputje të plotë të Kosovës nga Federata jugosllave.
“Në rrethanat e kohës, Deklarata e 2 Korrikut shprehte këtë aspiratë popullore. Ajo e bënte të paligjshëm agresionin kushtetues kundër Kosovës të ndërmarrë nga Serbia në vitin 1989 dhe krijonte premisat e platformës së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë ishte një moment i forcimit të mëtutjeshëm të unitetit kombëtar në Kosovë, rreth vizionit që duhej ndjekur vendi ynë në ato vite të kthesave të mëdha botërore”, theksoi kryetari Veseli.
Ky, vijoi ai, ishte vizioni për një Kosovë të lirë, të pavarur, demokratike, me orientim të qartë properëndimor, vizion që qëndroi në themele të rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, por edhe në themele të politikës së sotme të shtetit të Kosovës, prej të cilit nuk është hequr dorë e nuk do të hiqet as sot.
Më tej, kryetari Veseli foli për prioritetet aktuale të institucioneve të Kosovës, duke qenë vazhdimësi e traditës më pozitive të të kaluarës tonë politike.
“Ne duhet të vazhdojmë të forcojmë shtetin tonë, sistemin tonë demokratik, vlerat që përfaqëson Kushtetuta jonë, sundimin e ligjit, liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e komuniteteve dhe shoqërinë sekulare, zhvillimin ekonomik mbi parimet e ekonomisë së tregut të lirë. Ne nuk kemi tjetër përgjigje, sepse jemi dhe do të mbetemi përgjithmonë vend evropian, fizikisht dhe shpirtërisht”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Përfaqësuesit e delegatëve, Iljaz Ramajli, Bujar Gjurgjeala dhe Muharrem Shabani, falënderuan kryetarin Veseli për kujdesin e vazhdueshëm ndaj datave me rëndësi historike, dhe në veçanti, për shënimin, tashmë tradicional, të 2 Korrikut nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 26 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arresoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.
Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, në një bisedë ekskluzive që kam zhvilluar, kujtonte:
“Mëngjesi i 2 Korrikut më çeli në një shtëpi, e cila nuk ishte e imja në Vushtrri, as e të afërmëve të mi në Prishtinë, ku një ditë më herët erdha pasi u përshëndeta me familjen…Fjeta tjetërkund, që t’i shmangem arrestimit, meqë kishin filluar ndjekjet penale kundër meje e delegatëve të tjerë… Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”
Një nga protagonistet, delegatet e Kuvendit të Deklaratës së 2 Korrikut 1990, Feride Hyseni, në një bisedë që kam zhvilluar ka vlerësuar se, “është një datë e rëndësishme historike për Kosovën, për tërë kombin”.
“Unë jam shumë krenare që jam aktore e asaj ngjarje”, ka theksuar ajo duke shprehur edhe gjithë gëzimin se Kosova sot është ajo e ëndërrave dhe idealeve të shumë brezeve, edhe të 2 Korrikut 1990, është shtet i lirë dhe i pavarur.
Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tash mëse 17 vjet nga qershori 1999, Kosovës shtet tetë vite – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga mëse 111 shtete anëtare të OKB-së.
Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990, me të cilët u takova dhe bisedova edhe sot në festë, kujtojnë edhe mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja dhe Radio Televizioni i Prishtinës.
“Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në atë ngjarje historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 i kishin paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithëpopullore për Kosovën Republikë, për liri e pavarësi, konfrontimi i hapur i institucioneve të Kosovës me ato të Serbisë, Deklarata e Akademisë së Shkenacave dhe të Arteve të Kosovës për pozitën e re kushtetuese të Kosovës, si dhe qëndrimet e Këshillit ndërpartiak të Kosovës, të cilat ishin në të njëjtën frymë, me vizionin e Kosovës së pavarur.
Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, një ekzemplar të së cilës e kam të ruajtur edhe pas 26 vitesh, që kur ma dhanë vetë delegatët në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u lexua.
Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990 ishte:
“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si dhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpallë:
DEKLARATEN KUSHTETUESE MBI KOSOVEN SI NJESI Të PAVARUR DHE TE BARABARTE NE KUADER TE FEDERATES (KONFEDERATES) TE JUGOSLLAVISE SI SUBJEKT I BARABARTE ME NJESITE E TJERA NE FEDERATE (KONFEDERATE)
- Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
- Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
- Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
- Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
- Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,
duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës:
(Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).
Gazetari Zenun Çelaj ka treguar për Gazetën Dielli se ai ka daktilografuar Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, dhe se teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: “Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj”, mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim qe pajtuar edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.
Teksti i Deklaratës ka qenë në duar të delegatëve dy javë para se të miratohej para dyerve të mbyllura të Parlamentit të Kosovës, por nuk arriti të hynte në rend të ditës për shkak të obstruksioneve të kryetarit të atëhershëm të Kuvendit dhe të delegatëve serbë e malazez.