Nga Fritz RADOVANI/
BE FOTO:IMZOT FRANO GJINI (1886 – 11 Mars 1948)/
DOSJA 1302/II: “Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shenjtë!”- Imzot Frano Gjini/
Asht lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini.
Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të naltat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku u shugurue Meshtar në vitin 1908. Vjen në Atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në Fushë-Krujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919 emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928. Prej Kurbinit shkon në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrues i Lezhës. Me 25 Maji 1945, mbas dëbimit nga Shqipnia të Delegatit Apostolik Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës, Selia Shenjtë e emnon: IMZOT FRANO GJININ, REGJENT’I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
Asht i pari Klerik Katolik Shqiptar që emnohet në këtë detyrë të naltë në shtetin Shqiptar, ç’ prej thëmelimit të tij.
Me datën 20 nandor 1945, Imz. Gjinit i vjen zyrtarisht emnimi nga Vatikani.
Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë. Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh asnjëherë këtë detyrë dhe as Regjentin e porsa emnuem. Që në moshën e re tek Imz. Gjini bije në sy përvujtnia dhe matunia e tij gja që, e miqëson shumë me Ipeshkvijt Bumçi, Vinçenc Prennushi, Jul Bonatti, dhe At Meshkallën, At Giadrin, Don Shtjefën Kurtin etj.
Imz. Frano Gjini, vertetë konsultohej me ta, por asht edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administron. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste e Tiranës, vasale besnike e qeverisë Titos. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani, por Vatikani nuk miratoi kërkesën e Imzot Gjinit.
Në janar të 1946 përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që niset për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si mbyllja e shkollave fetare, shtetizimet e pronave të Kishës, reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, etj. Në muejn shkurt 1946 i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare. Në maji të 1946 flitej nga radio Vatikani se në Shqipni do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja që dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej “dorë e lirë” me veprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera.
Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai porsa u emnue në detyren re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Enver Hoxhës, por si dukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se Ai nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi.
Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji dhjetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por nuk u realizue se gjoja sa kishin përfundue zgjedhjet e dhjetorit. Në mars të 1946, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën prap të gjithë përsonat e sipërpërmendun ku, përveç tyne ishte edhe At Pjeter Meshkalla.
Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefen Kurti. Letra u përpilue nga At Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e Klerit në përgjithësi.
Një kopje u vëndos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan në Tiranë, me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre lidhjet dhe korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se Kleri katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me té, dhe se kjo çështje asht vetëm një kërkesë kambëngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga E. Hoxha. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës si dhe kërkesën e Imzot Frano Gjinit për zëvendsimin e tij, mbasi Ai nuk njihët nga qeveria diktatoriale e Tiranës.
Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija, që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë se ku mund të jenë mëshehë prej Tij.
Letra asht shkrue mbasi e pranon edhe At Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as Ai.
Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën.
Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë së Tiranës me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.
Kam përshtypjen se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.
Në vitin 1946 Imzot Gjini, bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me Ipeshkëv tjetër atë zonë. Sigurisht, ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male dhe respektohej shumë. Koha ishte e vështirë në të gjitha anët.
Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist ishte në mal), dhe thirrej Lleshi i zi. Lleshi i ban një kërkesë Imzot Gjinit, tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se Imz. Gjini mund të arrestohej shpejt.
Imzot Frano Gjini, ju përgjegj: “Unë edhe po iku, po kujt t’ua la besimtarët e Shen’ Lleshdrit? – Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”. Sigurisht, kjo temë nuk u hap ma prej tyne. Përgjegja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue por jo, me lanë Popullin e vet pa drejtues të Fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata nuk u arratisën por pranuen Kalvarin e pafund. Shumë prej Tyne sot janë Martirë të Fesë dhe Atdheut.
Imz. Gjini, jo vetëm, qëndroi në Atdhe por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e naltë dhe të randë që ju ngarkue. Përgjegjësia e madhe e tij vrehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen deri në fund.
Sa merr detyrën Ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës per klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës, që në ditët e para të janarit 1945, për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie demokristjane për zgjedhjet e dhjetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhjetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me filosllav jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve e organizatave me njerëz të pafajshëm, pushkatimet e njëmbasnjëshme me porosi të Titos e Stalinit, etj., e detyrojnë Imzot Gjinin, me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue Klerin Katolik, me urdhën të vet: “Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë me asnjë çeshtje politike pra, ndalimin e plotë të marrjës me politikë të klerit. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm.”
Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Frano Gjini, mbasi Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e tij për kohën që po vinte. Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent, në atë grup Ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhej. Per fat letrat e Tyne ruhen nder Arkivat e Shqipnisë.
Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe Burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh anadollakë kishte punë, por edhe e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirtë e barbare me Klerin Shqiptar.
Ai ishte i vetëdijshëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli historia. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit.
Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej, edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruajtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma të vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi, ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë.
Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë e aziatikë, që historia do ti cilësojnë historikisht si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar të mbarë globit…njëditë jo fort larg!
Ai dinte dhe njihte mirë fillimisht praktikën që po ndiqej me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: Jeta dhe paprekshmënia e saj… që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun “kundërshtar”, vetëm pse BESONTE NË ZOTIN, pikrisht ata, që hypën në pushtet tue mashtrue popullin “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe që, do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues, gjakatar, imoral dhe tiran i shekullit.
Imzot Frano Gjini asht pa asnjë mëdyshje një nga klerikët katolikë që deri në çastet e fundit vetëm kryen detyrën. E kam shkrue edhe në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër, që po jepte Shpirt dhe, ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jetë atë Martir që mbas pak minutash u gjet para Gjyqit të mbramë… por, që me siguri ka pa edhe Ai Fëtyrën e Zotit.
Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve kur po i jepej vëndimi “me vdekje”: “Jeni të zgjidhun vëllazën, të gjithë shka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si Burrat se, asht lavd me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!..”, dhe bishat e tërhoqën zvarrë nga mensa e Fretenve ku po bahej gjyqi…
Asht e vertetë që Imzot Frano Gjinin nuk e pau kush përveç shokëve të Tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948, po sot, dokumentat vazhdojnë dhe flasin per kete Burrë.
Dosja nr. 1302/II – A, viti 1948, (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), asht dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini?
Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni? Çfarë qëndrimit mbajti në torturat e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij? Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi dhe pse? Cila ishte arësyeja që e pushkatoi terroristi Enver Hoxha?..
Dhe, do të bindeni se arësyeja e vetme asht kjo:
- IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ISHTE ATDHETAR, ISHTE KLERIK KATOLIK ME PIKPAMJE DEMOKRATIKE EVROPJANE PERËNDIMORE, ISHTE KREJTËSISHT I PAFAJSHËM DHE, U PUSHKATUE VETEM SE ISHTE REGJENT’ I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
- AI ISHTE AI BURRË, QË NUK U BA AGJENT I KOMUNISTËVE, PO EDHE NUK PRANOI ME U SHKËPUTË KISHA KATOLIKE SHQIPTARE, NGA PAPA DHE VATIKANI DHE, ME U LIDHË ME LINDJËN SHOVENISTE SLLAVE E AZIATIKE, KOMUNISTE BOLSHEVIKE.
- AI ASHT TRIM SE ASHT I BINDUN, SE GJAKU I PAPËRLYEM I TIJ DO TË DERDHET NË THËMELET E FORTA E TË PALËKUNDUNA TË KATOLIÇIZMIT, NË TOKËN E BEKUEME SHQIPTARE !
■Me daten 5 Nandor 2016, Papa Françesku në Vatikan do të shpallin:
SHEJTIN FRANO GJINI…
Melbourne, Nandor 2016.