• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vargje nën diktaturë

January 26, 2020 by dgreca

-Përcjellje e marrë nga libri me poema “Honet”-

Shpend Sollaku Noé/

Është e rrezikshme të jesh poet në kohë diktature. Për nga na­tyra poetët janë lindur të lirë dhe li­ria, në një farë mënyre, është vlera më e rëndësishme që ata bartin përmes vargut. Por të qe­nit të lirë shpesh bëhet edhe kryqi që ata duhet të mbajnë mbi shpinë, sidomos kur, në kushte të caktuara historike, mendimi vetiak imponohet nëpërmjet parimesh të vendosura “nga lart”. Dëshira për të shkruar vargje sipas zemrës e jo sipas parimeve të diktaturës ka qenë fatale për shumë poetë. Ajo është paguar edhe me vdekjen e dyshimtë në qeli dhe zhdukjen e eshtrave si tek Ethem Haxhiademi, edhe me dënime kapitale – siç ka ndodhur me Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën e Havzi Nelën, – me një jetë të tërë burgim dhe internim si Lazër Radi, apo me vdekjen në vetmi e përçmim pas dekadash në qeli dhe degdisje si në rastin e Musine Kokalarit.

   Letërsia shqiptare dhe ajo botërore kanë njohur edhe shembuj të panumurt të poetëve të oborrit, që iu nënvunë pushtetit dikta­torial sepse të bindur në idealet komuniste (rasti i shqiptarit të dëgjuar Dritëro Agolli) apo në ato fashiste (siç ka qenë italiani i shquar Gabriele DʼAnnun­zio). Po ashtu edhe të tjerë që i shërbyen regjimit të kuq për konveniencë (shqiptari Ismail Kadare). Këto emra i servir vetëm sa për të përmendur ndonjë përfaqësues, pasi lista e këmbëlëpirësve, edhe pse rallëherë poetë apo shkrimtarë të mëdhenj, bëhet e gjatë.

Ai që merr penën e vendos të hedhë në vargje lirinë apo sklla­vërinë e tij e ka të domosdoshme të ballafaqohet me lexuesin e tij. Dhe për të arritur tek lexuesi ka nevojë të domosdoshme të bo­tojë. Por nën diktaturë kjo nuk është e thjeshtë, duhet tʼi përulesh ose të bëhesh pjesë e saj. Diçka e papranueshme për poetin e lirisë, por tundimit për tʼu përballur me njerëzit nuk mund tʼi rezistosh. Atëherë kërkohen mënyra të tërthorta për të thënë të vërtetën e për të tribluar çensurën. Njëra nga armët më të efektshme për tʼia arritur këtij qëllimi është pa dyshim alego­ria. Shembujt e përdorimit të alegorisë në poezinë botëro­re janë të panumurt, nga letërsia antike greke tek Dante Ali­ghieri e deri në kohët moderne. Nga letërsia shqiptare më tipikët alegorikë kanë qenë Mjeda, Asdre­ni, Çajupi, Naimi e Noli – të gjithë një shkollë e vërtetë për tʼiu sh­mangur ndali­meve. Në kohët mo­derne kjo mënyrë e të shkruarit u pasurua sidomos nga Kadareja me dykuptimësinë e vargut, që nuk është një alegori e mirëfilltë, por që pak i mungon: ajo është më mo­derne, por, si alegoria, të jep mundë­sinë e shpreh­jes së mendi­mit edhe pa rrezikuar shumë zyrtarisht.

Vini re ndryshimet e faqes 5. Majtas është poezia qe kam shkruajtur unë, djathtas vargjet e futur nga redaksi/

   Alegoritë dhe dykuptimësitë u përpoq tʼi shfrytëzonte edhe brezi i poetëve me të cilin edhe unë nisa përpjekjet e mia në të thënën e të vërtetave. Një pjesë e mirë e atij brezi përqafoi dik­taturën, e shfrytëzoi atë për të bërë karrierë, shpesh në kurriz të të tjerëve poetë, duke spiunuar apo sabo­tuar poezinë e konkurrencës. Një pjesë tjetër, në të cilën mendoj se përfshihem, u për­poq të mbijetonte.

Faqja e mësiperme 6 është imja, ajo poshtë siç e ka shkruajtur redaksia/

Dhe për tʼi dalë mbanë dëshirës që të matej me lexuesin, zgjodhi mënyrën e tërthortë për tʼu shprehur, atë të alegorisë apo të dykuptimësisë. Por tashmë edhe çensorët nuk ishin më ata të pagdhendurit e dikur­shëm: ata ishin specializuar në­për universitetet e nëpër zyrat e diktaturës edhe për të zbërthyer ale­goritë e dykuptimësitë. Dhe as unë as ndonjë tjetër nuk ki­shim kredencialet e Kadaresë. Më fatkeqët prej këtij tipi të di­zidencës përfunduan pas hekurave. Emri më i spikatshëm i asaj kategorie ishte pa dyshim Visar Zhiti.  Unë dhe ndonjë tjetër qëlluam me fat, patëm shokë besnikë dhe i shpëtuam burgut, pasi nuk flisnim kur ishim më tepër se dy vetë (zyrtarisht, për të të dënuar du­heshin të paktën dy dëshmitarë). Sidoqoftë hakmmarrja e diktaturës mbi mua u shpreh ndryshe: me mënjanimin shoqëror, me mosdhë­nien e të drejtës për të studjuar, me dërgimin në Sazan për tre vjet, në kohën kur kisha mbaruar me rezultate shumë të mira të dymbëdhjetë vitet shkollore apo kisha filluar të botoja, edhe pse me pikatore, që në moshën katërmbëdhjetë vjeç. E sidomos ajo hakmarrje u shfaq me mohimin e të drejtës për të botuar. Gazeta «Drita», në të cilën kisha filluar të kisha cikle poetikë që herët, ra në dorë të poetëve të qeverisë, të sjellë aty nga rrethet apo Tirana për të pasur gjithçka nën kontroll. Në «Zërin e rinisë» vunë një tjetër, njeri i Sigurimit të Shtetit. Arritja e tij në atë gazetë, – më parë ai tip rrëshqitës kish botuar vetëm disa poeziçka mediokre, – shënoi edhe fundin e bashkëpunimeve të mia me atë redaksi. Për të marrë mendime rreth pastërtisë morale e talentin e atyre që vinin nga Lushnja, ishte dikush tjetër, i lindur në qytetin tonë, që, për të thënë pak, hante e pinte me ata të Tiranës dhe shtrembëronte biografitë dhe të dhënat për sjelljen e poetëve të shkujdesur lushnjarë sipas këndvështrimit të Ministrisë së Brendshme.

   I armatosur me alegorinë apo me dykuptimësinë, unë arrita të kem vetëm një fitore: të vetmin libër poetik të botuar në Shqi­përi: “Mëzat e kaltër”. Në fillim ky libër titullohej “Sfinksi”. Në vitin 1976, për  “Sfinksi”- n, sovrani  i atëhershmëm i letrave tona Ismail Kadare, pasi e kish lexuar në shtëpi, më dërgoi me një pusullë tek shefi i poezisë: «I dashur I.N., autori i këtyre vargjeve është një djalë … Ju kër­koj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri». Kërkesa e  Kadaresë u hodh poshtë. “Sfinksi”-t iu mohua botimi dhe mua mʼu bë presion të kthehesha në klishenë e paraservivur të realiz­mit socialist. Në shkurt 1987, pas njëmbëdhjetë vitesh çensure, arrij ta botoj me titullin “Mëzat e kaltër”. Por, ndërsa po shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve që tʼi gëzohesha suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpë­ritej fati i tij: Në karton! I lajmëruar nën zë nga një tjerër autor i ri (T. K.), mësova se, pasi e kishte botuar, çensori kishte vendosur menjëherë ta zh­dukte librin tim për nxirje të realitetit nëpërmjet alegorirash të rrezikshme. Çʼtë bëja? Bashkë me të fejuarën, që më priste në koridor, renda në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipogra­fëve, të trembur prej “urdhërave nga lart” (Ky libër  nuk  duhet  absolutisht  të qarkullojë!), arrita “të vjedh” një kopje të vetme. Kur drejtori i “Naim Frashëri”-t, (G. B.) i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, unë nxora kopjen e “vjedhur” prej palltos. Ai, i befasuar, pas orësh polemike, më detyroi të pranoj  një “kompromis”: të lejohej të qarkullonte libri, por pa varg­jet e kriminalizuara! Unë nuk shkova më të interesohesha për fatin e atij vëllimi. Por nuk më kish shkuar kurrë në mendje ajo që do të ndodhte vërtetë: Në variantin e dytë të “Mëzat e kaltër” ishin grisur poezi të tëra, të tjera ishin sakatuar dhe shumë vargje ishin shkruar nga njëri prej redaktorëve! Aq banale ishte bërë grisja, saqë duken qartë edhe faqet “e reja” të ngjitura mbi “të vjetrat”. (Shih fotot shoqëruese: majtas në faqen e atëhershme numër 5 – titulli me kryq sipër – ka qenë poezia ime “Popujt si deti” dhe është zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia tek faqja 5 djathtas, ashtu siç ka qarkulluar libri. (Kryqi është i G.B.-së). Po ashtu në faqen e atëhershme 6 ka qenë poezia “Revolta e maleve”, grisur e zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia si vazhdim i poezisë së hequr “Popujt si deti” e kështu me radhë gjatë vazhdimit të librit.). E vetmja kopje e plotë e këtij vëllimi gjendet në arkivin tim. Sidoqoftë, nuk mund të harroj mbrojtjen që më bënë, edhe pa më njohur, shkrimtarët Nasho Jor­gaqi e Fatos Arapi, që u shprehën kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: «Të dërgosh këtë autor të ri në karton do të thotë inkuizicion mesjetar!»

Disa prej poezive të grisura i kam edhe botuar më vonë në Itali e SHBA, disa akoma jo. Kam futur në një antologji të sot­me me poema – “Honet”, ende e pabotuar – edhe disa të panjohura, ashtu siç kanë qenë, pa ndry­shuar as edhe një presje, më tepër për tʼu treguar poetëve të rinj sesi ishim detyruar të shkruanim nën diktaturë, sesi përdorn­im alegoritë apo dykuptimësitë për tʼiu shmangur çen­surës, edhe pse shpesh pa suksesin e dëshiruar. Ndoshta këto shënime kanë vlerë edhe për tʼu thënë poetëve të sotëm sesa e çmuar është li­ria e të shkruarit në demokraci, që imponon vetëm një rregull të paluaj­tshëm: vetëçensurimin në emër të cilësisë artisti­ke.                                                                               

                                                            Shpend Sollaku Noé

Filed Under: ESSE Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-Vargje nën diktaturë

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT