TIRANË, 26 Shkurt/ Një shpërthim eksplozivi ka ndodhur të mërkurën paradite në rrugën “Pjetër Budi” në një bar në Tiranë, ku si pasojë janë plagosur tre persona.
Shpërthimi ka ndodhur brenda një lokali, ku dyshohet se është vendosur një sasi eksplozivi. Mësohet se lokali është në pronësi të biznesmenit Armando Ceka. Sipas informacioneve paraprake të policisë, nga shpërthimi janë plagosur 3 persona, mes të cilëve edhe pronari i lokalit, i cili fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Ceka dhe të plagosurit e tjerë, Julian Cela dhe Artur Sharra, u dërguan menjëherë në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Policia dhe dy autoambulanca kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ekspertë të policisë kanë nisur hetimet rreth ngjarjes, ndërsa nuk përjashtohet që shpërthimi të jetë shkaktuar në mënyrë të telekomanduar. ATSH/-