• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ATASHEU I PARË AMERIKAN NË SHQIPËRI RRËFEN SE SI NISI BASHKËPUNIMI

March 31, 2021 by dgreca

Në 30 vjetorin e rivendosjes së marrdhënieve Shqipëri-SHBA-/

Intervistë ekskluzive për Gazetën ”Dielli” me atashe-un e parë ushtarak të SHBA, rezident në Shqipëri, 1992-1996, kolonel Steven Bucci./

Tani me detyrë… Independent Consultant and Visiting Research Fellow for Special Operations and Counter Terrorism at The Heritage Foundation.

Mbasi i kërkuam intervistën, përgjigja e parë e Stevenit ishte: I would be happy to answer your questions. My service in Albania will always be one of my professional and personal high points.

Intervistuan: Shefqet & Herion Kërcelli

1. Zoti Steven, së pari ju falenderoj për mikpritjen që ju treguat në dhënien e kësaj interviste. Doja t’ju pyesja në çfarë rrethana e morët dhe si e pritët Ju, emërimin si atasheu i Mbrojtjes i SHBA, rezident i parë në Shqipëri?

Mr.Steven Bucci:Kur SHBA rihapi ambasadën e saj në Tiranë, pas më shumë se pesëdhjetë vitesh, u vendos që stafi i saj të kishte dhe atasheun ushtarak. Në protokollin amerikan, përfaqësuesi më i lartë ushtarak në një ambasadë quhet Atashe i Mbrojtjes, sepse përfaqëson të Departmentamentin e Mbrojtjes në vendin mikpritës. Unë isha duke përfunduar Kolegjin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm në SHBA. Ndërkohë kisha shkruar gjerësisht për tensionet në rritje, në rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke u fokusuar në çëshjet që preknin popullin shqiptar. Në atë kohë ishte planifikuar që unë të shërbeja në stafin e SHBA të NATO-s. Ata pyetën për gradën, për specialitetin dhe për kualifikimin tim. Unë jam shtetas amerikano-italian dhe ndërkohë më parë kisha përfunduar Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Greke në Selanik të Greqisë. Ata gjithashtu vunë re punën time në lidhje me rajonin. Pastaj më thanë që po kërkonin një oficer që të bëhej Atasheu i parë i SHBA, rezident në Tiranë. Ata po kërkonin ndonjë që fliste greqisht ose italisht, sepse mund të gjenin folës shqiptarë. Unë flisja greqisht, dhe kisha studjuar Shqipërinë. Mendoj se isha zgjedhja më e mirë e disponueshme. E pranova këtë detyrë, dhe fillova trajnimin tim specifik për këtë emërim të ri e të rëndësishëm. U trajnova për gjuhën në Uashington, gjithashtu edhe trajnim si Atashe nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrotjes. 

2. Çfarë dinit ju për Shqipërinë, popullin dhe ushtrinë e saj.

Mr.Steven Bucci: Siç e përmenda më parë, unë e kisha studiuar Shqipërinë, veçanërisht situatën e saj politike në lidhje me fqinjët e saj, dhe pak prej historisë së saj.Gjithashtu e shfrytëzova kohën time të lirë gjatë trajnimit të gjuhës për të studjuar e mësuar më shumë për vendin tuaj. Mësova që Shqipëria kishte vuajtur përgjatë pesëdhjetë viteve të një diktature komuniste tepër shkatërruese, dhe së fundmi e fitoi lirinë e saj përmes vullnetit të pastër të popullit të saj. Tani ishte duke u përpjekur të gjente vendin e saj të ligjshëm mes popujve të lirë të Europës. Shqipëria kishte shkurtuar në mënyrë drastike masën e ushtrisë së saj, pas dhjetra vitesh përgatitje, që të luftonte edhe NATO-n edhe aleancën e Traktatit të Varshavës. Qeveria e re, e lirë, duhej ti përgjigjej popullit,që donte një orientim perëndimor, dhe një sistem të ekonomisë së lirë. Ndryshimet po vinin shumë shpejt, dhe unë do të kisha shansin të ndihmoja në këtë process.

3. Cilat ishin projektet tuaj të para të bashkëpunimit me ushtrinë shqiptare?

Mr.Steven Bucci:Unë u mirëprita me një ngrohtësi të madhe, dhe shpejt fillova të njihem me atë se, çfarë ishte bërë tashmë nga personeli i përkohshëm, i ndryshëm i dërguar më parë në Tiranë. Pas rreth dy javëve të akomodimit dhe mirëpritjeve zyrtare të ndryshme, sipas protokollit, më ftuan të takoja Ministrin e Mbrojtjes, zotin Safet Zhulali, tek zyra e tij. Kur arrita, u ndesha me mikpritjen tipike shqiptare të mrekullueshme. Fillimisht ministri nxori një skicë shumë të madhe të Departamentit Amerikan të Mbrotjes. Pastaj ai më tha se, donte që unë ta ndihmoja atë të “rindërtonte” Ministrinë e tij të mbrojtjes “që të dukej pikërisht kështu”. Unë i thashë se e kuptoja qëllimin e tij për ta bërë ministrinë moderne dhe funksiononale, që të mund të operonte me ushtritë e tjera perëndimore. Gjithashtu i thashë se, do të isha i nderuar që të ndihmoja me çdo mënyrë që mundesha dhe do të veproja si pika e tij e kontaktit me Departamentin Amerikan të Mbrotjes, në të gjitha fushat e bashkëpunimit. Ne e filluam atë ditë duke evidentuar prioritetet e ministrit dhe zhvilluiam një plan fillestar. Ishte një mbledhje e gjatë, por një sfidë tepër entuziaste. Isha i nderuar që kërkohesha nga vetë ministri, për të luajtur një rol aq të besuar. Ishte e qartë për mua që ministër Zhulali, nuk ishte emëruar për arsye politike, por sepse ai kishte një vizion për ta sjellë ushtrinë shqiptare në një nivel ku ajo mund të mbronte popullin, dhe të luante një rol produktiv në rajon dhe më tutje. Përveç sfidës së madhe që të ndihmonin e të ridizenjonim ministrinë si e tërë, mua gjithashtu më kërkuan që të ndihmoja të krijonim e modernizonim një Regjiment të operacioneve speciale, i aftë të veprontë në çdo terren. Po ashtu krijimin e një Shërbimi Intelligjence Ushtarake të pavarur, që të jepte të dhëna strategjike, në mbështetjen e drejtpërdrejtë të të gjitha aktiviteteve të ministrisë së mbrotjes. Të gjitha këto, ishin detyra të vështira, të cilat donin të kërkoja ndihmë, nga shumë pjesë të strukturave ushtarake amerikane. Një mardhënie e veçantë kishte lindur, bashkëpunimi i të dy palëve ishte aq i hapur dhe i frutshëm. 

4. Cili është vlerësimi juaj për ushtrinë shqiptare gjatë këtyre kontakteve të para?

Mr.Steven Bucci:Dua të them se, lidershipi i gjithë ushtrisë (ushtria, marina dhe forca ajrore) ishin të gjitha pozitive dhe plotësisht të fokusuara në detyrat e tyre, me një dëshirë për të mësuar dhe përmirësuar.Niveli i profesionalizmit ishte i lartë, por shumica kuptoi që vitet e gjata të izolimit, i kishin lënë ata pak prapa teknologjisë moderne, dhe të pavetëdijshëm se si ata mund “të ndërvepronin” efektivisht me ushtritë e tjera. Ishte një kënaqësi të bashkëpunoje me aq shumë ushtarakë të entusiazmuar dhe seriozë, që rriteshin dhe mësonin. Ata gjithashtu donin që të ishin plotësisht një pjesë e Perëndimit dhe NATO-s, veçanërisht të ishin sa më pranë Amerikës. Kur unë i tregova që Amerikës nuk i duheshin klientë, por i duheshin shumë miq dhe përfundimisht aleatë, ata e kuptuan diferencën dhe u përpoqën që të ishin pikërisht të tillë. Ata morën vesh që Amerika nuk kishte synim që të përfitonte nga Shqipëria, dhe prandaj ishin të hapur dhe të ndershëm me mua në çdo mënyrë. Ata ishin të gatshëm të ndanin informacionin, nga i cili përfitonin të barabartë të dyja shtetet.

5. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan disa stërvitje të përbashkëta.Çfarë ju la juve përshtypje nga këto zhvillime?

Mr.Steven Bucci:Stërvitja e parë fare e përbashkët ishte midis një Kompanie Shqiptare të njohjes së terrenit, dhe një skuadër e vetme e elitës së Forcave Speciale Amerikane.Ishte organizuar nën drejtimin e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, i nderuari doktor Uilliam Peri. Pasi kishte takuar ministrin Zhulali, Peri kërkonte që unë të ndërtoja sa më shumë bashkëpunim që mundeshim;-dhe ky ishte vetëm fillimi. Nga ai fillim i vogël, pasuan një seri stërvitjesh të tjera të konceptuar me emrin “Shqiponja Shpëtimtare”. Këto ishin operacione të tipit kërkim-shpëtim, që tregonin mundësitë e dy ushtrive për të punuar së bashku, të bashkëpunojnë në operacione paqeruajtëse, duke ndihmuar njëri-tjetrin, kur personeli kishte humbur ose ishte në rrezik. Këto mund të aplikoheshin në situata ushtarake specifike (pilotët e rrëzuar për shembull), ose mbështetje ndaj fatkeqësisë civile (si rrëshqitjet e dheut, tërmetet). Ata filluan me struktura të vogla, por më pas përfshinë të gjitha shërbimet (Forca Ajrore, Ushtria dhe Marina). Në një shembull, një njësi e plotë e Expeditës së Marinës së SHBA (MEU), solli në breg tre ngarkesa anijesh të Forcave tokësore (disa mijëra), në një zonë trajnimi  në veri të Durrësit. Nga këto stërvitje, ushtarët amerikanët përfituan experience po aq sa homologët e tyre shqiptarë. Më vonë, marrëdhëniet e ndërtuara në këto stërvitje, krijuam mundësi për Korpusin e Marinës Amerikane, që ti kërkojë ndihmë ushtarakëve shqiptarë për të trajnuar një prej njësive që vepronte në Bosnjë, në malet me borë të Shqipërisë së veriut. Ministria e Mbrotjes bëri gjithçka që mundi, për ta bërë trajnimin tepër efektiv. Nga pala amerikane u vlersua si një ndihmë e domosdoshme për operacionet reale të këtij lloji. Shumë stërvitje si kjo pasuan. Një vëllazëri e vertetë kishte filluar. 

6. A mund të na shpjegoni rëndësinë dhe përfitimin e ushtarakëve shqiptarë  që kanë shkuar në SHBA-së për trajnim, arësimim, si dhe vizitat reciproke të nivelit të lartë të Ministrit të Mbrojtes të Shqipërisë dhe Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes?

Mr.Steven Bucci:Në dy vitet e para, dhjetra ushtarakë shqiptarë udhëtuan drej SHBA për shkolla dhe trajnim pranë personelit amerikan. Gjatë asaj kohe, shqiptarët vepruan shumë mirë gjatë gjithë aktivitetit të tyre në shkollat apo repartet ku shkuan. Ata ishin tepër kompetentë, dhe mësuan shumë. Ata vepruan si përfaqësues të mrekullueshëm të kombit të tyre. Një oficer shqiptar u diplomua shkëlqyeshëm tek Shkolla Ranger e Ushtrisë Amerikane, që madje edhe amerikanët nuk e përfundojnë, dhe pak e arrijnë një sukses të tillë. Marrëdhëniet që u ngritën në këto vite, u rinovuan dhe sollën frutet e tyre, kur Shqipëria ju bashkua SHBA në Luftën Globale kundër terrorizmit dhe operacioneve në Irak dhe Afganistan. Dua të veçoj marrëdhënien e ngrohtë që u krijua midis Ministrit të mbrotjes Zhulali dhe Sekretarit të Mbrotjes Peri. Sekretari i Mbrojtjes bëri një vizitë në Shqipëri dhe të dy zbuluan që kishin shumë gjëra të përbashkëta. Të dy ishin matematicienë, të dy ishin ekspertë shahu, dhe të dy kishin vajza. Kjo vizitë fillestare çoi në një vizitë kthimi, ku Ministri i mbrotjes i Shqipërisë u prit me nderime të plota në Pentagon. Ministri Zhulali kërkoi që Shqiperia të bashkohej përfundimisht me organizatën Partneriteti për Paqe të NATO-s. Për këtë qëllim sekretari i Mbrojtjes i SHBA, më dha autoritetin që të gjeja sa më shumë mënyra për të zgjeruar marrëdhëniet bashkëpunuese mes dy ushtrive.

7. Zoti Atashe, ju mund të jëni vënë në dijeni, se në periudhën prill-qershor 2021, në Europë e Shqipëri, do zhvillohet stërvitja “Defender Europe-2021”, përpos të tjerave, mijëra trupa amerikanë do të operojnë në Shqipëri. Çfarë këshille do ti jepje atyre?

Mr.Steven Bucci:Së pari, unë jam shumë i lumtur dhe i entuziasmuar të shikoj, që marrëdhëniet e mrekullueshme që ne filluam 30 vite më parë, të vazhdojnë në një mënyrë kaq të fuqishme dhe pozitive. Amerikanët vijnë me pritshmëri dhe një eksperience të madhe, duke operuar me një aleat të vërtetë. Ata ashtu si unë, do të provojnë ndjesinë dhe peshën e plotë të mikpritjes e profesionalizmit të vërtetë shqiptar. Terreni dhe kushtet në Shqipëri janë të ashpra, kërkojnë njerëz të fortë, por unë e di se ushtarakët amerikanë do sjellin përvojën e tyre më të mirë, e cila do të përshtatet nga ushtria shqiptare. Presim që të shpalosen sërish mardhëniet dhe miqësia e ngrohtë midis dy popujve dhe ushtrive tona. Besoj se do të jetë një stërvitje e mrekullueshme.

8. Ju keni pasur shumë eksperienca shtesë pasi latë Shqipërinë, çfarë vendi zë jetën tuaj do ti vendosni eksperiencën tuaj shqiptare?

Mr.Steven Bucci:Mbasi mylla misionin në Shqipëri, në vijim të karierës si ushtarak, unë  komandova trupat e Forcave Speciale Amerikane në luftim, më pas Asistent Ushtarak për Sekretarin e Mbrotjes Donald Ramsfeld. (isha në Pentagon për sulmet e 11 shtatorit). U gëzova shumë kur Shqipëria u bë bë anëtare e plotë e NATO-s, një gëzim i ligjshëm ky. Natyrisht si ushtarak kam pasur një karrierë dhe jetë të gjatë për të cilën ndjehem krenar dhe i kënaqur. Gruaja ime dhe unë kemi folur shpesh për kohën që kaluam në Shqipëri, si një nga detyrat më domethënëse që kemi kaluar ndonjëherë. Gruaja ime punonte edhe me personelin mjekësor vendas edhe me atë misionar përgjatë kohës tonë atje. Ne ishim në gjendje të dëshmonim dhe ndihmonim në rilindjen e një kombi në arenën ndërkombëtare, dhe në çdo fushë (liria e shtypit, liria e fesë, liria ekonomike, e të tjera.) Është e vështirë ta përshkruash se si ky vend ndikon zemrën dhe shpirtin e dikujt. Shqipëria është e pasur, duke u mbështetur në popullin dhe historinë e saj. Populli shqiptar e do lirinë, dhe ata punojnë fort për ta ruajtur atë. Ajo dashuri për lirinë, i bën Shqipërinë dhe Amerikën miq dhe aleatë natyrorë. Është lutja ime nga zemra që dy kombet tona të vazhdojnë të rriten së bashku, të punojnë së bashku, dhe të qëndrojnë së bashku drejt së ardhmes. 

Faleminderit mik!

Në kuadrin e kësaj interviste, 

Një falenderrim i veçantë shkon për të gjithë ata ushtarakë shqiptarë dhe amerikanë që bashkuan armët në stërvitjet dhe misionet e para paqeruajtëse.

Filed Under: Featured Tagged With: Kolonel Steven Bucci, Shefqet & Herion Kercelli, Tirane

THIRRJE AMBASADËS AMERIKANE NË TIRANË: MOS DERDHNI FONDE TË TJERA PËR TË SHPËTUAR NJË KAUZË TË DËSHTUAR

April 30, 2020 by dgreca

  “DON’T THROW GOOD MONEY AFTER BAD”/

  Nga Frank Shkreli/E vërteta është se e kam të vështirë të kritikoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, qoftë atë në Tiranë qoftë atë në Prishtinë.  Më vjen keq sepse si pjesëtar i komunitetit shqiptaro-amerikan, për 50-vjet tani, por edhe si një shqiptaro-amerikan që kam patur privilegjin dhe nderin të punoj nga afër me shumë diplomatë amerikanë të akredituar në trojet shqiptare për disa dekada dhe për të cilët ruaj gjithnjë kujtime shumë të mira dhe respekt.  Kishim pritur për pothuaj një shekull – që Kombi amerikan, më në fund, të zyrtarizonte lidhjet historikisht mike me Kombin shqiptar, të ndërprera për një kohë të gjatë nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës.  Falë nderës Zotit, sot kemi dy ambasada amerikane në trojet shqiptare: një në Tiranë e tjetra në Prishtinë — në Kosovën e çliruar, falë, kryesisht, ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj perëndimorë.  Për këto lidhje midis dy kombeve tona, unë si shqiptaro-amerikan dhe ne si komunitet këtu në Shtetet e Bashkuara, besoj se jemi shumë krenarë për punën e dy ambasadave tona në Tiranë dhe Prishtinë dhe në përgjithësi, gjatë tri dekadave të fundit kemi mbështetur veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat, ose në ndonjë rast të pakëndëshëm edhe kemi heshtur për ndonjë gjë, për hir të rrethanave të mbrendshme politike në Shqipëri dhe në Kosovë. 

Por, kjo nuk do të thotë se ne si taksapagues amerikanë, me origjinë shqiptare, nuk kemi të drejtë të bëjmë vërejtje e madje edhe të kritikojmë mënyrat se si shpenzohen fondet e miratuara nga Kongresi amerikan, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.  Shtetet e Bashkuara, nepërmjet ambasadës së tyre në Tiranë, për disa vite tani, kanë mbështetur fuqimisht me fonde dhe me ekspertiza të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi”, e cila sipas disa ekspertëve ka dështuar tanimë dhe sipas të tjerëve, në minimum, është e vonuar dhe nuk po zbatohet, megjithë derdhjen e fondeve të mëdha në këtë fushë nga ana e Shteteve të Bashkuara.  Nuk kam asnjë dyshim se qëllimet e ambasadës amerikane në Tiranë, historikisht, kanë qenë dhe janë qëllim-mira dhe pa hile.  Por, ama sot në fillim të vitit 2020, pas shumë vjet përpjekjesh, duhet të pranohet se megjithë masat serioze të ambasadës amerikane për reformën në drejtësi në Shqipëri, ato përpjekje, sot për sot janë, fatkeqësisht, të deshtuara.  Jo se ambasada amerikane nuk ka bërë mjaft në këtë drejtim, por për arsye se kjo klasë politike, duke filluar nga kryeministri e poshtë, nuk e do këtë reformë dhe as nuk do e zbatojnë edhe po të arrihet në letër.

Prandaj u habita kur pashë një njoftim në faqen fejsbuk të Ambasadës amerikane në Tiranë sipas të cilit, në bazë të një Memorandumi të nenshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, është arrijtur një marrëveshje, “për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme”, me qëllim për të zgjidhur problemin e Gjykatës së Lartë e cila sipas njoftimit të ambasadës na paska aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura, për tu shqyrtuar.  Në njoftim thuhet gjithashtu se, “Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.”  More, vërtetë ka njerëz që besojnë se pas historisë së dështimeve të deritanishme në reformën e drejtësisë në Shqipëri, tani do të identifikohet, “Një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë”, që do ta zbërthejnë njëherë e mirë sekretin e problemeve në sistemin juridik shqiptar, përfshirë dhe 35.000 dosjet e prapambetura dhe që nga puna e tyre të gjithë do të mbeten të kënaqur?  Beson njeri?  Ku ishin deri tani këta “juristë të zotë”?  Mos janë edhe këta pjesë e atyre juristëve të “zotë” që e kanë sjellur sistemin e drejtësisë në Shqipëri në këtë katastrofë, në të cilin gjëndet tani!  Keni ndonjë barometër të besueshëm për të matur pikëpamjet e shqiptarëve ndaj përpjekjeve për “reformën në drejtësi”, dhe ndaj juristëve të “zotë” shqiptarë në përgjithësi, megjithëse jam i sigurt se në radhët e tyre ka edhe të ndërshëm dhe profesionistë?

Vërtetë pret ambasada amerikane në Tiranë se me këtë Memorandum të nënshkruar të mërkurën midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar, dhe me gjithë fondet amerikane që do të derdhën përsëri “për reformën shqiptare në drejtësi”, megjithëse shuma nuk përmendet në njoftim — numri i këtyre 35.000 çeshtjeve të prapambetura, do të zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur, siç thuhet në njoftim!?

Është një thënje amerikane, “throwing good money after bad”, që në thelb i referohet një situate kur dikush shpenzon fonde shtesë, në përpjekje për të shpëtuar një plan të mëparshëm të dështuar.  Si një taksapagues amerikan, më duket se kjo nismë nuk duhej të ndodhte në këtë rast.  E kuptoj se në të kaluarën janë harxhuar shumë fonde qeveritare amerikane dhe shumë kohë është kaluar nga eskpertë amerikanë gjatë viteve në Tiranë dhe se është shumë e vështirë të pranohet se të gjitha ato shpenzime e mundime gjatë viteve kanë shkuar kot.  Por shpenzimi i fondeve të tjera shtesë, siç propozohet me Memorandumin e lartë- përmendur, mund të jetë një aventurë tjetër e rrezikshme, jo vetëm e pa dobishme për objektivin e caktuar, por mund të jetë katastrofike për systemin e drejtësisë.  Pas 30-vjetë përvojë në Shqipërinë post-komuniste, duhet të jeni të vetdijshëm se dollarët në vetvete nuk do të zgjidhin problemet në Shqipëri dhe aq më pak problemet në sistemin juridik të atij vendi.  Po të kishte qenë një firmë private amerikane që do të kishte derdhur aq shumë fonde dhe investime pa sukses në fusha të ndryshme, sa ka derdhur qeveria amerikane në Shqipëri gjatë 30-viteve të marrëdhënieve dy-palëshe– dhe jo vetëm qeveria amerikane – një firmë e tillë do të kishte falimentuar me kohë. 

Kur flasim për vlera të përbashkëta, shqiptarët mund të jenë pro-amerikanë, por jo kjo klasë politike, megjithëse, sa për sy e faqe, ata shprehen se janë më pro-amerikanët në botë dhe u pëlqen të dalin në fotografi me zyrtarë të lartë amerikanë. Pretednimet e tyre pro-amerikane janë një hipokrizi e shekullit!  Të jesh pro-amerikan do të thotë të ndajsh të njëjtat vlera me Amerikën, përfshir sensin e drejtësisë dhe respektin për njerzit, të drejtat e tyre themelore, trajtimin e barabart dhe mirëqenjen e tyre.  Janë pra një serë idesh e parimesh dhe vizionesh që përbëjnë vlerat e përbashkëta.  Nëqoftse do të merret seriozisht kjo klasë politike shqiptare, ajo duhet të bëjë më shumë në mbështetje të këtyre vlerave të përbashkëta dhe jo vetëm të flasin për to.

Shumë prej këtyre politikanëve shqiptarë, nuk kanë asgjë të bëjnë me Amerikën, as me vlerat amerikane, fatkeqësisht.  Kam drojë se kjo klasë politike e ka përcaktuar tanimë veten se në ç’drejtim do ta çojë Shqipërinë duke e vrarë të ardhmen e brezave, ndonëse në përgjithësi, animet politike autoritare të udhëheqjes janë kundër vullnetit të popullit të saj, një pjesë e të cilit po voton me kembë duke u larguar nga vendi për në perëndim, për arsye të gjëndjes së krijuar ekonomike dhe politike – përfshir mungesën e një reforme të sistemit juridik.  Kryeministri i vendit shpreh haptas admirimin e tij për udhëheqsit autokratë të rajonit dhe për sistemet politike të kontrolluara prej tyre.  A është kjo një politikë që duhet të mbështetet me fondet e taksa paguesve amerikanë?  Së fundmi, qeveria e kryeministrit Rama i ka kërkuar KE-së që Shqipëria të tërhiqet nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, sikur vetëm Shqipëria po përballet me pandeminë.  Është modeli i drejtësisë autoritare dhe jo ai i bazuar në sistemin amerikan, që kjo klasë politike po ndërton në Shqipëri.  Jo vlerat amerikane, të ndarjes së pushteteve, përfshir sistemin juridik dhe qeverisjen demokratike, “të popullit, nga populli dhe për popullin”.  Është e qartë se këta nuk kanë dashur as nuk duan reformë në drejtësi dhe as antarësim në Bashkimin Evropian.  Kjo marrveshje midis USAID dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit Shqiptar më duket si një shpenzim i kotë.

Si një shtetas amerikan, i them këto fjalë në frymën e mesazhit që kishte ndarë me kolegët e tij ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry në Munich në vitin 2104:

”Jemi krenarë”, ka thënë ai se -”Ne përpiqemi që të përsosim sistemin tonë në mënyrë të hapur e transparente, me përgjegjësi për ta reformuar, për ta ndrequr ku e kur është e nevojshme dhe për ta përforcuar atë kur duhet.”  Kështuqë, ka thënë ai, ne i bashkohemi këtij dialogu me ju këtu në Munih, “duke ditur dhe duke pranuar të metat tona, por pranimi i mangësive tona nuk do të thotë se ne nuk do themi gjërat ashtu siç i shohim në vende të tjera, duke u bazuar në pikëpamjet dhe vlerat tona”.

Prandaj, është më mirë të pranohet pra se përpjekjet, sado të drejta dhe të nevojshme që janë për një reformë rrënjësore në drejtësinë shqiptare, kanë dështuar!  Jo për arsye të mungesës së vullnetit të ambasadës dhe ndihmës amerikane për reformën në drejtësi, por në saje të mos vullnetit të klasës politike e cila mbron me çdo kusht interesat e veta dhe të oligarkëve të tyre mbështetës, në kurriz të interesave dhe të drejtave dhe lirive të popullit.  Si një shtetas krenar dhe taksapagues amerikan protestoj që të vazhdohet në këtë mënyrë — që taksat e mia të përdoren për aventura dhe kauza të dështuara, për të mbajtur në pushtet një klasë politike të dështuar dhe moralisht të korruptuar e cila në thelb nuk ndanë asnjë vlerë njerëzore, morale, politike, as drejtësie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë e them me plot bindje por edhe me dhimbje në zemër për bashkatadhetarët e mi sepse shoh, që siç është shprehur John Kerry, 6-vjet më parë në konferencën e Munichut në lidhje me influencat e oligarkëve, sidomos në Ballkan, se 6-vjet më vonë, asgjë nuk ka ndryshuar në Shqipëri as në Kosovë. 

“Aspiratat e qytetarëve po shtypen dhe po shkelen nga interesat e oligarkëve të korruptuar, interesa këto të cilat përdorin paratë për t’i mbyllur gojën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanët dhe entet mediatike dhe për të dobësuar pavarësinë e gjykatave ndërkohë që përdorin trysni duke abuzuar me të drejtat e organizatave jo-qeveritare për të ekzistuar dhe për të vepruar në ambientin e tyre”, ka thenë Xhon Kerri.  Kjo kritikë e Zotit Kerri ndaj disa vendeve ku oligarkët, sidomos në Ballkan, kanë uzurpuar jetën politike dhe ekonomike, e ku ata në shumë raste kontrollojnë dhe përdorin median për manipulimin e politikanëve dhe të zgjedhjeve — është një referencë e qartë se në këtë mes bota perëndimore nuk ndanë me këta politikanë dhe oligarkë pasurinë e përbashkët të vlerave universale, për të cilat u fol në Konferencën e Munihut.  Oligarkët dhe interesat e tyre i kanë zënë frymën shoqërisë dhe zhvillimit të saj demokratik dhe kanë helmuar e korruptuar klasën politike dhe median, për interes të tyre.

Prandaj është më mirë, që përsa i përket reformës së dështuar në drejtësi — dhe para se të derdhen fonde të tjera amerikane si në pus pa fund — të fillohet nga e para ose të hiqet dorë fare nga një përpjekje e tillë sado e dobishme dhe sado e nevojshme që të duket të jetë kjo nismë fisnike, por e gabuar.  Për ndryshe, si përfundim, rrezikohet që populli shqiptar të humbas besueshmërinë tek ambasada dhe shpresën tek Shtetet e Bashkuara, ashtu si shumica e shqiptarëve e kanë humbur me kohë shpresën tek kjo klasë politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe gjithë spektrit politik shqiptar, pa dallim.  Mbaj mend një këshillë nga një redaktor i vjetër kur kisha filluar punën tek Zëri i Amerikës në fillim të 1970-ave — natyrisht në kontekstin e gazetarisë radiofonike të asaj kohe — i cili më pat thënë se do bëjsh gabime në karierën tënde, por kujdes e mos humb besueshmërinë tek dëgjuesit, sepse nëqoftse humb besueshmërinë tek dëgjuesit, ke humbur çdo gjë dhe të shkon mundi kot.

Frank Shkreli

U.S. Embassy-Tirana

6 hrs · 

?? | Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë juristësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt. Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

?? | The High Court currently has a backlog of almost 35,000 cases. To address this problem, USAID and the Albanian High Judicial Council (HJC) signed a Memorandum of Understanding (MOU) on April 29 to provide necessary technical assistance. Under the MOU, a special team of bright Albanian lawyers will be hired to assist the court to operate more efficiently and allow judges to make decisions more quickly. Just as the United States strongly supported the adoption of judicial reforms, we strongly support the full, timely implementation of these reforms. Justice delayed is justice denied. We look forward to seeing the backlog of cases reduced as quickly as possible

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasades amerikane, Frank shkreli, thirrje, Tirane

NËNË TEREZA E PARË NDRYSHE

November 13, 2018 by dgreca

“Nënë Tereza në pullat shqiptare” e Hysen S. Dizdari promovohet në Muzeun Historik Kombëtar/

3 tregon dom lushi1 salle2 domi dori1 Cobani Tonin

Nga Leonora Laçi/ Dielli*/

Pati gjuhëtarë, letrarë, historianë si: dom Lush Gjergji, Dom Nikë Ukgjini, Tonin Çobani, Tefë Topalli, Ndue Ukaj e të tjerë dhe pjesëmarrës nga fusha e filatelisë. Më datë 12 Nëntor 2018, nën organizimin e Muzeut Historik Kombëtar me drejtor dr. Dorian Koçi, në sallën “Shpataraku” ora 11:00 u zhvillua promovimi i botimit “Nënë Tereza në pullat shqiptare” e sjellur në shqip dhe anglisht, botuar nga Shtëpia Botuese AGSTUDIO.al, Tiranë: 2018 më autor, Hysen S. Dizdarin…Parathënia e këtij botimi është bërë nga Dom Lush Gjergji që është biografi më i madhe i nobelistës shqiptare Nënës Terezë, ku i ka kushtuar 17 botime jetës dhe veprimtarisë së saj e shpallur tashmë Shenjte. Ndër të tjera në parathënien e tij ai shkruan për botimin e librit: “Ja, ky botim ndoshta na ndihmon të kuptojmë botën, jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës, të shprehura në mënyrë artistike nëpërmjet prezantimit të pullave të emetuara në vitet 1990- 2018 në këtë album.”

Moderatori i aktivitetit pasi përshëndeti pjesëmarrësit i dha fjalën dom Lush Gjergjit, që foli për rëndësinë e Nënës Terezë dhe vlerësoi punën e autorit që ka marrë një tjetër aspekt të rëndësishëm historik vlerësimin e Nënës Terezë në pullat shqiptar.

Ndërsa veteran i filatelisë shqiptare z. Lorenc Kaçulini u ndal tek pullat kushtuar figurës së Nënës Terezë duke sjell dhe faktin se janë rreth 56 shtete të ndryshme që kanë emetua pulla me figurën e Nënës Terezë në periudha të ndryshme. Po ashtu tha se pullat postare për te janë përmbushje e një misioni dhe një promovim i vlerave tona kombëtare, dhe se imazhi i pullave postare ilustron idealin e Nënë Terezës, angazhimin e saj për paqe dhe bamirësi, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.

Studiuesi dr. Tonin Çobani u ndal në tre tregime të jetës së Nënës Terezë; si dhe tek rëndësia e të buzëqeshjes së njëri-tjetrit, pra me përvuajtje, me bindje, me sakrifica njerëzit t’u largohen xhelozirave, inateve, konflikteve, luftërave. Me përvuajtje, bindje dhe sakrifica t’i buzëqeshin edhe atij të vetmuarit, të pamundurit nga mplakja, sëmundja, varfëria…

Moderatori i aktivitetit z. Paulin Ujka vazhdoi me recitimin e vargjeve të poezisë së z.  Ndoja me titull “Nana e të gjithëve”.

Në fundin e aktivitetit e mori fjalën autori, i cili me mjaft emocion përshëndeti të pranishmit që e kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre e foli rreth librit-album dhe paraqiti përmbajtjen e librit.

Në albumin kushtuar Nënës Terezë, autori Dizdari, paraqet rreth 14 emisione, që janë si vijojnë; Emisioni i parë-emetuar më 4 tetor 1992. Emisioni i dytë- emetuar më 25 prill 1993. Emisioni i tretë-emetuar në korrik 1994. Emisioni i katërt-emetuar më 5 maj 1996. Emisioni i pestë-emetuar më 13 shtator 1997. Emisioni i gjashtë- emetuar më 31 gusht 1998. Emisioni i shtatë-emetuar më 5 shtator 1998. Emisioni i tetë- emetuar më 1 dhjetor 2001. Emisioni i nëntë- emetuar më 19 tetor 2003. Emisioni i dhjetë- emetuar më 9 nëntor 2007. Emisioni i njëmbëdhjetë-emetuar më 15 nëntor 2007. Emisioni i dymbëdhjetë-emetuar më 26 gusht 2010. Emisioni i trembëdhjetë- emetuar më 21 shtator 2014. Emisioni i katërmbëdhjetë- emetuar më 4 shtator 2016.

Ky libër album për Nenë Terezën e parë ndryshe, është një gur i çmuar i autorit për kulturën shqiptare. E sikur të gjithë ne të vendosim nga një gurë në mozaikun e madh, atëherë figurat kombëtare do të ishin më të plota.

Promovimi i aktivitetit u drejtua me mjeshtri  nga z. Paulin Ujka nga Shkodra, dhe pati pjesëmarrës nga Shqipëria e Kosova.

Me të mbyllur aktivitetin promovues, u realizua një takim me Drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar z. Dorjan Koçi, i cili priti në zyrë autorin së bashku me miqtë e tij, dhe shkëmbyen biseda miqësore rreth librit të promovuar.

Përndryshe,  autori Dizdari para disa kohesh, me përkushtim të madh ka botuar edhe albumin kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në pullat shqiptar me 33 emisione duke filluar nga viti 1913 e deri sot.

*Me shume fotografi mund te shihni ne facebook(dielli vatra)…

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Leonora Laci, Ndryshe, Nene Tereza, promovim, Tirane

Edhe një herë për Teatrin Kombëtar në Tiranë

September 25, 2018 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160Nga Ylber VOKSHI/*

Kur në shkurtin e vitit 2018 pata botuar një shkrim autorial, gjegjësisht një reagim publik me titull “Teatri  Kombëtar në Tiranë dhe identitet urban dhe historik ” I nxitur nga polemikat që ishin duke u zhvilluar në mes të komunitetit artistik të Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës,gjegjësish Qeverisë Shqiptare lidhur me funksionimin eTeatri  Kombëtar në Tiranë, ku ndër të tjera parashihej edhe dislokimi i kësaj trupe profesionale në një lokacion tjetër (Turbina), deri sa të  rrënohet dhe të ndërtohet godina e re bashkëkohore e Teatrit,.

Nuk kamë imagjinuar se do të ketë reagime publike dhe protesta kundër këtyre veprimeve të pushtetarëve aktual në krye me Edi Ramën si kryeministër aktual i shtetit Shqiptar. Kjo tregon një të vërtetë që shoqëria civile,komuniteti artistik dhe intelektualët e pavarur ma në fund kanë flakur “frikën ndaj pushtetit” dhe fjala e tyre domosdo  duhet dëgjuar dhe respektuar në procesin e vendimmarrjes në rastin e Teatrit kombëtar..

Mos bindja qytetare që ende është duke vazhduar me protesta publike, ku me argumente profesionale po kundërshtohen politikat korruptive urbane të Bashkisë së Tiranës,që në formën ma ekstreme po  manifestohen me tendencën për rrënimin e objektit ekzistues të Teatrit Kombëtar. Për fat të keq e të gjithë neve,kjo pa rezervë po përkrahet nga niveli qendror i Qeverisë Shqiptare në krye me Edi Ramën i cili me profesion deklarohet se është ’’ piktor ’’, dhe duhet të dijë shumë mirë çka është identiteti urban, memoria historike gjegjësisht  pejsazhi urbanistik dhe historik i qendrës së Tiranës.

Opinionet e fundit publike të kryeministrit lidhur me rrënimin e objektit të Teatrit janë dëshpëruese dhe shqetësuese,ato tregojnë një të vërtetë të hidhur përse populli Shqiptar nuk e ka të dokumentuar të kaluarën e tij historike me shekuj, edhe se është populli ma i vjetër në këtë pjesë të Evropës. Një mënyrë e tillë e të menduarit për fat të keq edhe të vepruarit dikur si kryebashkiak i Tiranës e në pesë vitet e fundit si kryeministër i Shqipërisë gjithsesi duhet ndryshuar dhe ndaluar.

Nuk duhet toleruar një arrogancë të tillë të një individi i cili mendon se me fuqinë e pozitës shtetërore që e ka fituar mundet të bëjë çka të dojë duke mos respektuar rregullat,normat dhe standardet elementare të trashëgimisë kulturore dhe historike për mbrojtjen e qendrës historike të Tiranës si memorie kolektive e popullit tonë të cilën gjithsesi me të gjitha mjetet duhet ruajtur. Për këtë ka protesta të vazhdueshme të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik vendor dhe ndërkombëtarë që e obligon atë që të veproi, e jo me sjellje arrogante të kundërshtoi këto zëra progresive.

Si të arsyetohet injoranca totale e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe,diktatura komuniste pesëdhjetë vjeçare i ka bërë dame të mëdha Shqiptarëve,si duket ende po ka tendenca që të veprohet ngjashëm edhe në shekullin e ri. Kjo formë e veprimit dhe sjelljes arrogante ndaj kërkesave legjitime të protestusve do të polarizoi situatën, do të rritë mundësinë e ndasive të rrezikshme dhe mos dëgjueshmërisë qytetare që është rreziku ma i madh për të  gjithë ne. Jam i bindur thellësisht se këtë formë pune shkatërrimtare,i verbëruar nga interesat e pa kuptueshme individuale, ai  do ta vazhdoi  edhe me  objekte tjera duke zhdukur identitetin urban të qendrës historike të Tiranës, e cila duhej të ishte memoria kolektive e kryeqytetit.

A thua mos po pritni që  institucionet  dhe komuniteti ndërkombëtarë të na zgjidhin mospajtimet tona kronike në fushë e trashëgimisë kulturore dhe historike,apo të fshiheni pas disa ligjeve që vet po i sajoni dhe aprovoni,për të vazhduar me shkatërrimin e atyre vlerave, përmbajtjeve të pakta arkitektonike që do të na tregonin neve,gjeneratave të reja dhe të huajve të kaluarën historike, me të cilën do të duheshit të mburreni  ju, e jo gradualisht ti zhdukni si stadiumin ” Qemal Stafa ’’ dhe shumë përmbajtje tjera si në Tiranë dhe gjithandej në të gjitha anët e Shqipërisë,madje edhe në qytetet që janë në mbrojtjen e UNESCO-s si Durrësi,Berati dhe Gjirokastra.

Tiranës si kryeqytet i shtetit Shqiptarë pa dyshim i duhet një teatër i ri kombëtar i cili do ti plotësoi kërkesat e një kryeqyteti mbi  gjashtëqind mijë banorësh,kurse ekonomia e tregu dhe lëvizjet e reja kulturore imponojnë krijimin e teatrove tjera alternative si ato private,eksperimentale etj. Nëse do të ishte respektuar zhvillimi Policentrik  urban i Tiranës, atëherë lokacionet e të gjitha këtyre objekteve teatrore do të ishin shpërndarë në kryeqytet, për tu mbuluar në mënyrë të barabartë kjo veprimtari,ushqim shpirtëror i kulturës tonë. Duhet rikujtuar z.Rama e të tjerët se ndërtimi i një teatri të ri kombëtar nuk kërkon domosdosmerisht lokacion në qendrën e ngushtë të kryeqytetit,kemi shembuj të shumta në botë,po përmendi vetëm disa raste si teatri kombëtar i Shkupit,Sofjes apo i Stokhollmit.

E sot në dekadën e dytë të shekullit 21 të kemi këso tendencash të hapura nga individ dhe grupe interesi, me e zhdukur të kaluarën tonë nuk guxon ti lejohet askujt që për interesa të ndryshme të veprojnë kështu,së fundit kjo çështje sanksionohet edhe me Kushtetutën e shtetit Shqiptar, të cilën jeni të obliguar ta respektoni.

Në cilat ujëra të turbullta janë ka na qojnë këta individ ? a pak  ishin ato shekujt sundimi, kur të huajt me të gjitha mjetet e luftuan identitetin tonë, ekzistencën dhe frymimin tonë në këto territore, duke ushtruar terror shtetëror me shembjen dhe përvetësimin e objekteve të ndryshme domethënëse, e shumë metoda tjera perfide me të vetmin qellim, me e zhdukur identitetin historik dhe urban të popullit Shqiptarë në këto hapësira.

Edhe një herë apeloi te të gjithë kokat e ndritura Shqiptare që ka ky vend, që me të  gjitha mjetet demokratike të ndalin veprimet antidemokratike të një grumbulli njerëzish të cilët të strukur pas petkut shtetërorë po veprojnë kështu duke përbuzur institucionet demokratike e çka është ma e keqja zërin e popullit,kjo këtë shoqëri  e kthen në  diktaturën e shekullit të kalua,e atë askush nuk e dëshiron.

 

Prishtinë                                                                                   *  arch. Ylber Vokshi-Ylli24 shtator 2018                                                                                          arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

Filed Under: Kulture Tagged With: Teatri Kombetar, Tirane, Ylber Vokshi

Drama e nje teatri: Te jesh apo te mos jesh!

July 15, 2018 by dgreca

2Sadik-Elshani

Nga Sadik ELSHANI-Filadelfia/

Drama eshte nje gjini letrare, nje pjese per teater, radio apo televizion. Ky eshte njeri prej kuptimeve te fjales drame, por drame eshte edhe nje ngacmim, eksitim emocional ose nje seri e papritur e ngjarjeve dhe rrethanave te ndryshme ne jete. Muajve te fundit nje drame me kete kuptimin e dyte eshte duke u luajtur ne kryeqytetin shqiptar dhe jo ne teater, por nje drame rreth teatrit, per teatrin, apo thene me mire, per fatin e Teatrit Kombetar. Dhe kjo nuk eshte çfaredo drame, eshte nje drame me nje tension, permase shekspiriane qe ngerthen, bart ate peshen, intensitetin e dilemes se Hamletit: Te jeshe apo te mos jeshe! Eshte kjo nje drame absurde qe po luhet ne nje teater absurd qe quhet, shoqeria shqiptare, me skenarist e regjisor: Kryeministrin e Shqiperise e skenograf: Kuvendin e Shqiperise. Ndersa aktoret e mirefillte dhe perkrahesit e tyre demonstrojne perpara teatrit. Pra, behet fjale per shembjen e nderteses se Teatrit Kombetar ne qender te Tiranes dhe ndertimin e nje teatri te ri ne te njejtin vend.  Por premtimeve te qeverive shqiptare nuk u besohet, sepse me siguri ne kete vend do te ndertohet diçka tjeter, ndonje objekt komercial i ndonje miku te Kryeministrit.

1 Teatri

Me siguri ndertesa e tanishme e teatrit eshte pak e vjeteruar dhe ndoshta nuk i ploteson kushtet, por ne raste te tilla ndertesat nuk prishen, por meremetohen, restaurohen, i shtohet ndonje pjese plotesuese per t’i plotesuar nevojat e kohes. Ithtaret e shkaterrimit te kesaj godine mundohen qe ta paraqesin gjendjen e saj sa me te mjerueshme qe ta arsyetojne vendimin e tyre per shkaterrim. Prandaj, organizojne edhe seanca degjimi, hetimi, me njerezit e tyre, “ekspertet” e tyre. Por ka edhe eksperte te tjere qe i pergenjeshtrojne keta “eksperte” dhe e vertetojne me fakte per vlerat arkitektonike te ketij kompleksi. Nje shkrim shume te detajuar e ka botuar dr. Aurel Plasari ne disa gazeta shqiptare, por per kete jane shqiptuar edhe eksperte te tjere te arkitektures e ndertimtarise. Eshte shume e thjeshte per ta kuptuar: arkitektet italiane, te njohur per shijet e tyre arkitektonike e estetike, nuk ndertojne stalla, baraka ne qender te nje kryeqyteti. Problem nuk eshte gjendja fizike e godines, por eshte vendi ku ndodhet ajo, vend shume i pershtatshem per te ndertuan ndonje objekt komercial. Kjo eshte çeshtja. Para ca ditesh per fat te keq ndodhi nje termet ne Tirane, disa ndertesa u demtuan, por jo edhe ndertesa e teatrit qe sipas qeveritareve shqiptare na qenka gati per t’u shembur. Besimtaret do te thonin se mos ndoshta kjo ishte nje nderhyrje hyjnore per mbrojtjen e teatrit. Drama rreth ketij teatri siç duket eshte edhe nje drame metaforike per zhvillimet ne shoqerine shqiptare qe çdo gje eshte e mveshur me nje petk intrigash, dredhish, ku asgje nuk rrjedh ne menyre te qete e te natyrshme.

Eshte kjo nje ndertese qe ka vlera, siç i ka nxjerre ne pah dr. Plasari, jane ato mure qe flasin, qe tregojne histori. Eshte kjo ndertese dhe disa te tjera qe shenojne nje periudhe te caktuar te arkitektures se qytetit, qe e sigurojne vazhdimesine e trashegimise se zhvillimit te tij. Eshte ai mjedis i ngrohte i asaj ndertese qe ofron nje atmosfere te kendshme per nje shfaqje teatrore qe nuk duhet te jete vetem nje perjetim mekanik, por edhe emocional; sjell ndermend shume kujtime, shume emra te medhenj te skenes teatrore shqiptare dhe e mundeson pranine e tyre ne mesin tone, edhe pse ka kohe qe ata tani jane ne nje bote tjeter, nje bote pa drama e intriga.

Teatri, Piramida, Biblioteka Kombetare

Le te ndertohet nje teater i ri, nje qender per artet e luajtura (Performing Arts Center) ne nje vend tjeter, sepse Tirana si nje qytet qe po zgjerohet shpejt, ka nevoje per nje qender te tille. Te behet diçka me nje objekt vertete te shemtuar ne qender te Tiranes, piramides, qe eshte ngritur per lavdine e nje diktatori te çmendur, per ta perjetesuar nje regjim çnjerezor – diktaturen komuniste. Eshte ironike se ata qe e mbrojne shembjen e piramides, jane per shembjen e nderteses se teatrit. Shqiperia ende nuk ka nje ndertese dinjitoze per Biblioteken Kombetare, institucion ku ruhen vlerat, thesaret kulturore e shpirterore kombetare te nje vendi. Eshte shume lehte te shkaterrosh, por eshte veshtire te ndertosh, te krijosh tradite. Ndertesa e teatrit nuk eshte objekti i pare qe po i kanoset shkaterrimi, sepse edhe me heret ne Tirane jane shkaterruar ndertesa me vlera historike e arkitektonike. Dhe kam frike se kjo prirje per shkaterrim nuk do te frenohet nese dikush nuk ngritet qe t’i mbroje ato. Protestat jane duke vazhduar ne Tirane, por duhet nje perkrahje me e gjere e me kembengulese. Ndoshta po gaboj, por ende nuk kemi degjuar diçka serioze nga Ismail Kadare lidhur me kete rast.

2 sadiku Teater

Carnegie Hall (New York) dhe Teatri Kombetar (Tirane)

Raste te ngjashme, siç po ndodh me Teatrin Kombetar ne Tirane kane ndodhur edhe ne qytete te tjera te botes. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe ne New York vite me pare – eshte fjala per Carnegie Hall, njeren nga skenat me te njohura te muzikes klasike dhe asaj te popullarizuar ne bote. Kjo ndertese eshte ndertuar ne vitin 1891 nga industrialist dhe bemires i njohur, Endrew Carnegia. Qe nga fillimi e deri ne vitin 1962 ka qene selia e Orkestres Filharmonike te New Yorkut. Ne kete salle jane paraqitur para publikut emrat me te njohur te muzikes boterore te asaj kohe dhe te diteve tona. Me kalimin e orkestres ne godinen e re, Lincoln Center for the Performing Arts, ndertesa ka mbetur pa nje institucion te perhershem dhe pasi i eshte shitur nje ndertuesi te pasurive te patundshme, ndertesa ka qene ne plan per t’u rrenuar dhe ne vend te saj te ndertohej nje ndrtese komerciale. Por fale perpjekjeve, angazhimit dhe kembenguljes se violinistit me fame boterore, Isaac Stern (1920 – 2001), ndertesa eshte shpetuar nga rrenimi. Ai ka organizuar nje grup njerezish te perkushtuar dhe kane ushtruar trysni ne bashkine e New Yorkut qe ajo ta bleje kete godine dhe ta shpetoje nga shkaterrimi i sigurte. Bashkia e ka blere godinen dhe pastaj jane kryer meremetimet e shtesat e nevojshme dhe godina qendron edhe sot ne tere shkelqimin e saj, duke e vazhduar misionin e saj ne sherbim te artisteve, artit e kultures.

Shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia ka blere nje godine me vlera historike

Keto dite edhe shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia e ka blere nje godine me vlera historike, shtepine ku per disa vite ka jetuar William Penn, themeluesi i shtetit te Pennsylvanias. Godina eshte gati germadhe, por vendi eshte shume i pershtatshem dhe shume zhvillues te pasurive te patundshme kane qene te ineteresuar qe ta blejne, por Bashkia e Filadelfias nuk ka lejuar, sepse ata donin qe ta rrenonin per te ndertuar objekte komerciale. Ne e kemi blere, sepse do ta meremetojme dhe do ta shfrytezojme per nevojat e bashkesise shqiptaro – amerikane te Filadelfias, ne radhe te pare per nevojat e shkolles shqipe.

Prandaj, edhe shqiptaret duhet te marrin shembull nga rasti i Carnegie Hall dhe perkushtimi i Isaac Stern dhe ta pengojne shkaterrimin e ndertese se Teatrit Kombetar. Bazuar nga ato qe po ndodhin diteve te fundit, vendimi i Kuvendit te Shqiperise per rrenimin e saj, kam frike se ky do te jete akti i fundit i kesaj drame dhe ditet e fundit te kesaj ndertese mbi toke. Por te mos e leme qe te ndodhe kjo dhe kur te bie perdja e ketij akti te fundit, ndertesa te qendroje ne kembe. Aktoret, arkitektet, intelektualet, akademiket duhet te mbajne nje qendrim, t’i ngulin kembet qe kjo ndertese te mos rrenohet. Ndoshta Teatri Kombetar nuk eshte prone e aktoreve, siç u shpreh Kryeministri para ca diteve, por nuk eshte as prone e Kryeministrit, eshte pasuri kombetare.

Philadelphia, 15 korrik, 2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptar – amerikane

Filed Under: Analiza Tagged With: Drama e Tatrit Kombetar, Sadik Elshani, Tirane

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 10
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT