• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TIRANA, “VRASJA” E NJË KRYEQYTETI

September 7, 2021 by s p

Regjizori Robert Budina në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, analizon shkatërrimin e identitetit kulturor, historik, arkitekturor dhe urbanistik të Tiranës, lejet kriminale të ndërtimit në funksion të mafjes së betonit, asgjësimi i trashëgimisë kulturore dhe shkatërrimin e memories institucionale të Tiranës.

SHKATËRRIMI I IDENTITETIT KULTUROR, HISTORIK, ARKITEKTUROR DHE URBANISTIK TË TIRANËS

Shqipëria është  i vetmi vend në Europë ku trashëgimia kulturore nuk ka asnjë rëndësi. Institucionet që duhej ta ta zhvillonin, mirëmbanin, rijetëzonin si Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve janë ineksizstente, ose dhe më keq, ato janë vënë në funksion të interesave të pushtetit që gllabëron çdo ditë pronën publike, madje ç’është më e keqja edhe atë ku ndodhen godinat të shpallura në kohë monument kulture. Këto institucione, shpesh kanë shërbyer për të justifikuar me dokumenta e shkresa të ndryshme shembjen e monumenteve të Kulturës, për t’i hapur hapur rrugën ndërtimit në vend të tyre, të kullave të pastrimit të parave, të krimit të organizuar, ku shpesh sipas raporteve ndërkombëtare, është e përfshirë vetë qeveria shqiptare. Tirana është shembulli më i qartë i shkatërrimit të Trashëgimisë Kulturore. Rastet janë të shumta: stadiumi, vilat e viteve 1920-1944, sheshi Skënderbej, Sahati, Teatri Kombëtar. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur për BE, ku Shqipëria aspiron të futet, ruajtja dhe rijetëzimi i trashëgimisë kulturore është primare. Ky shkatërrim ka qënë i vazhdueshëm në kohë dhe lulzimin e tij e pati kur Tirana u drejtua nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj. I pari edhe pse vinte nga fusha e Kulturës dhe karrierën e tij, si ministër kulture e filloi me kthim në identitet të ministrive, shpejt u kuptua se e bëri këtë thjesht dhe vetëm për propogandë. Jo vetëm që nuk u kujdes për trashëgiminë kulturore, por shpejt filloi sulmet ndaj saj. Shembulli konkret ishte kur ideoi shembjen e Teatrit Kombëtar, që në kohën kur ishte ministër kulture dhe nuk hoqi dorë kurrë, deri sa ia mbërriti pas 20 vjetësh si kryeministër duke përdorur 1500 forca policie natën e 17 majit 2020. Për mënyrën se si qeveritë e majta janë sjellë me Trashëgiminë Kulturore tregon se ka një strategji të qartë për të zhdukur rrënjët e saj, për të krijuar njeriun e ri modern globalist pa identitet, sepse ai në këtë formë është më lehtësisht i dominueshëm. Në kohën e qeverisjes së Erjon Velisë në bashkinë e Tiranës ka një rekord të lejeve të ndërtimit dhe atij do t’i ngelet përjetësisht damka si njeriu që sulmoi për interesat e kryeministrit dhe oligarkëve trashëgiminë kulturore. Në kohën e tij u tjetërsua sheshi Skënderbej, Pazari i Ri, u zhduk stadiumi, Qemal Stafa, u shemb Teatri Kombëtar dhe thuajse të gjitha vilat e një shekulli më parë. Në asnjë vend tjetër qoftë edhe të rajonit nuk ka ndodhur kjo batërdi me trashëgiminë kulturore. Përkundrazi fqinjët tanë jo vetëm e kanë zhvilluar atë, por edhe e kanë krijuar nga hiçi, siç ishte rasti i Maqedonisë së Veriut me projektin Shkupi 2014 ku u ndërtuan statuja në qendër të qytetit për të revokuar të kaluarën e tyre historike, sepse ata e dinë shumë mirë që trashëgimia kulturore, arti, kultura janë mjetet për të pasur dominimin në rajon. 

TIRANA NËN THUNDRËN E BETONIT VRASTAR, NJË ASFIKSI E PANDALSHME

Sipas një studimi të BE betoni e ka rritur ngrohjen globale me 8% në planet. Kjo ishte arsyeja pse në qytetet europiane ai duhet të ulë ndjeshëm përdorimin dhe theksi i zhvillimit ekonomik duhet të jetë rijetëzimi i trashëgimisë kulturore dhe mirëmbajtja e saj. Për këtë arsye vendet europiane kanë firmosur marreveshjen e gjelbër që të marrin përgjegjësitë e mbarëvajtjes së klimës jo vetëm të vendeve të tyre, por të gjithë planetit. Në kohën e vështirë të pandemisë BE ka vënë theksin që trashëgimia kulturore, arti dhe kultura janë mjetet themelore që ndihmojnë njeriun shiprtërisht për të kaluar vështirësitë e kohëve që jetojmë. Përkundrazi në Shqipëri betoni është mjeti kryesor, për të përfituar, ruajtur pushtetin ekonomik dhe politik, eliminuar demokracinë me blerjen e votave. Tirana me kullat që po ngrihen kudo në hapsira shumë të ngushta pa strategji dhe plan urbanistik, po e çon Tiranën në asfiksi totale.

NDËRTIMET NË TIRANË SI TEJZGJATJE E KRIMIT, TRAFIQEVE NDËRKOMBËTARE, PASTRIMIT TË PARAVE DHE LIDHJEN E POLITIKËS ME MAFJEN E BETONIT

Para një viti nga raportet e antimafias italiane doli që Ndrangheta një organizatë mafjoze që zhvillon aktivitetin e saj në Kalabri përmes disa biznesmenëve kishte lidhje direkte me ndërtimet e kullave në qendër që po ndodhin së fundmi në Tiranë. Në përgjimet e saj del se këta njerëz kanë pasur lidhje direkte me kryetarin e bashkisë së Tiranës. Tenderat në përgjithësi nuk kanë garë fare dhe janë thuajse të njejtat kompani që i fitojnë. Madje së fundmi bashkia Tiranë ka krijuar një shoqëri aksionere Tirana Dc, e cila mund të ndërtojë vetë pa pasur nevojën e kontraktimit të kompanive private. Kjo shoqëri bie ndesh me ligjet shqiptare, sepse shoqëritë aksionere ku merr pjesë shteti mund të ofrojnë vetëm shërbime dhe jo të përodren për prodhim. Pra vjedhja e fondve publike tashmë kryhet me ligje antikushtetuese.

“RIJETEZIMI” MODERN I KRYEQYTETIT SI KAOS VETËSHKATËRRUES

Që në kohën kur Edi Rama ishte kryetar bashkie në Tiranë nuk ka pasur kurrë plane urbanistike, kjo për faktin e thjeshtë që në këtë menyrë mund të ndërtohet kudo dhe kurdoherë pa qënë peng i rregullave. Në këtë mënyrë shtohet sipërfaqja ndërtimore dhe fitimet janë më të mëdha. Ndaj Tirana sot është peng i kaosit urbanistik dhe ndërtimeve të improvizuara. Plani urbanistik do të ulte shumë normën e fitimit të pushterëve që lëshojnë lejet e ndërtimit. Ndaj dhe densiteti i tyre është më i madh në qendër, sepse aty metri katror i sipërfaqes ndërtimore kushton më shumë.

TIRANA DHE VDEKJA E AUTENTICITETIT TË NJË KRYEQYTETI

Që të ruhet trashegimia kulturore nuk mjaftojnë politikat qeveritare, duhet patjetër që të ketë edhe një ndjeshmëri qytetare, një ndërgjegjësim për vlerat dhe dobitë e saj. Fatkeqsisht kjo ka ndodhur rrallë në Shqipëri, dhe pushteti e ka pasur të lehtë t’a shkatërrojë trashëgiminë për qëllime fitimi. Nuk janë të rralla kur vetë pronarë ku ka pasur trashëgimi kulturore e kanë dorëzuar tek pushteti në këmbim të interesit, kur specialistë të saj kanë gjetur mënyrat për t’i hapur rrugën atij për qëllime fitimi. Shkalla e ulët e këtij formimi tek njerzit dhe përdorimi i kësaj mjeshtërisht nga pushteti ka sjellë një trasformim të tillë të pandalshëm të Trashëgimisë Kulturore.

TIRANA LUNDRON MES NDOTJES SË LARTË DHE KAOSIT URBAN

Ndërtimet e pandalshme kanë rritur shumë shkallën e ndotjes në Tiranë. Por krimi qëndron në mënyrën se si pushteti propogandon, se ai  po shton hapsirat e gjelbërta me skeçe mbjelljesh të pemëve, apo të disa shkurreve në sheshin Skënderbej për mbulimin e ndërtimit të dhjetra kullave.

TIRANA NËN THUNDRËN E KULLAVE E GRADAÇELAVE HIJERENDA

Janë zhdukur të gjitha fushat sportive, lulishtet ku luanin fëmijët dhe janë zëvëndësuar me ndërtime dhe për të mbuluar këtë para tyre vendosen disa lodra fëmijësh siç ishte rasti i kullës tek shtatë xhuxhat ku parku i lojrave u zëvëndësua me disa lodra plastike para kullës të vendosura në beton.

PARIA POLITIKE E TIRANËS DHE NOSTALGJIA PËR KOMUNIZMIN

Strategjia e qeverive të majta ka qënë e qartë, asgjësimin e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, për të zhdukur simbolet dhe eliminuar kundërshtarët e tyre ideologjikë. Përkundrazi kanë ruajtur ndërtimet e simboleve të diktaturës siç ishte rasti i piramidës, e cila nuk ka pasur fare histori nëse e krahason me teatrin apo vilat e shekullit të kaluar. Pra shembjet e trashegimisë kanë qënë selektive dhe me qëllime politiko-ideologjike. Ajo që e bën edhe më të rëndë, është metoda se si pushteti i majtë në Shqipëri e realizon këtë ide diabolike. Fillimisht përdhos historinë e trashëgimisë kulturore që nuk ka lidhje me historinë e tyre, siç ishte rasti i Teatrit Kombëtar që e cilësuan si dopo lavoro, apo stallë kuajsh për t’i ulur vlerën.

SHKATERRIMI I MEMORIES INSTITUCIONALE TË TIRANËS

Tirana është 102 vjet kryeqytet. Identitein e saj të metropolit e mori në vitet 30 me ndërtimet italiane të shëtitores Dëshmorët e Kombit, kompleksit të ministrive, kompleksit të miqsisë shqiptaro-italiane Skanderbeg pjesë e të cilit ishte dhe teatri kombëtar. Ideimin e tyre e bënë arkitektë që kanë bërë histori në Europë si Bosio dhe Bertè. Këto ndërtime u bënë në përshtatje me atë që ishte Tirana e atyre viteve duke i dhënë një frymë më moderne krahasuar me të kaluarën otomane të saj. Sot të gjitha simbolet që bënë Tiranën e 100 viteve të fundit dhe historinë e saj nuk ekzistojnë më. Në vend të tyre janë kulla pa të kaluar dhe histori si simbol i pastrimit të parave të krimit të organizuar dhe përçudnimit të shpirtit njerzor që ka humbur ndërgjegjen e vet: trashëgiminë Kulturore.

Filed Under: Featured Tagged With: Robert Budina, Teatri Kombetar, tirana

RINOCERONTI QË PO PRISH TEATRIN TONË KOMBËTAR

May 15, 2020 by dgreca

NGA MAL BERISHA/*

Në vitin 1959 shkrimtari Franko – Rumun, Eugen Jonesku, shkruajti veprën dramatike absurde “RINOCERONTI”. Kjo vepër bazohet në një legjendë që lidhet me këtë egërsirë e cila thuhet se ka një aftësi të habitshme: Po e preku njeriun me noçkë ai e shndrron atë në Rinoceront! Ja ngjarja:
“Në një qytet të vogël të Francës, një Rinoceront zbret nga pylli dhe fillon t’i prekë njerëzit me noçkën e tij të madhe. Njeriu i parë që ai prek kthehet në Rinoceront. Tani qyteti ka dy Rinocerontë. Por edhe ky i dyti fiton aftësinë që të kthejë në Rinocerontë këdo që ai prek me noçkën e tij. Kështu TË DY RINICERONTËT prekin edhe nga një njeri tjetër dhe i bëjnë katër si vetveten. Kështu numri i Rinocerontëve fillon e shumohet në progresion gjeometrik dhe për rrjedhojë një pjesë e qytetit transfomohet nga një qytet njerëzish të qetë, që mundohen ta bëjnë jetën e tyre me përpjekje të ndershme, në një tufë kafshësh të rrezikshme, të cilat sulmojnë t’i shndrrojnë njerëzit e rajoneve të tjera me metoda të dhunshme dhe t’i bëjnë si vetveten.
Një pjesë e qytetarëve të atij qyteti i shmagen atij, ikin, fshihen me çdo mënyrë dhe nuk pranojnë të kthehen në këtë lloj qenje të rrezikshme.”
Kjo vepër që i takon Teatrit Absurd ka patur një jehonë shumë të madhe në botën kritike të artit dramatik të kohës, për metaforën e vet.
Kur e pyetën Joneskun nëse kur e shkroi atë vepër ai kishte patur në mëndje Nazizmin që u përhap me aq shpejtësi nëpër Europë, ai u përgjigj me një fjalë: “NDOSHTA!”  
Por edhe kur e pyetën nëse kur e shkroi atë vepër kishte patur parasysh Komunizmin që u përhap po ashtu po me aq shpejtësi nëpër Europë, ai dha të njejtën përgjigje: “NDOSHTA!” 
Mbas afro gjashtë dekadash që kur u vu kjo dramë absurde në skenë dhe tre dekada pas ardhjes së demokracisë, drama “Rinoceronti” luhet në mesin tonë me pamjen më të shëmtuar: Prishjen e Teatrit tonë Kombëtar.


Për paralele, imagjinoni pyllin e qytezës franceze nga del Rinoceronti i Joneskut të jetë ajo rrethina që para tridhjetë vjetësh ruhej me Gardën e Shtetit në mes të kryeqytetit tonë. Aty njerëzit e udhëheqjes xhelozonin me njëri tjetrin, tradhëtonin, thereshin, duheshin, prostituonin, vriteshin, vetvriteshin, komplotonin, intrigonin, spiunoheshin, burgoseshin, shanin njëri tjetrin, luftonin kundër njëri-tjetrit, duheshin prapë, urreheshin dhe eleminonin njëri tjetrin.
Jashtë asaj rrethine njerëzit poshtëroheshin, varfëroheshin, internoheshin, burgoseshin, ekzekutoheshin, shpronësoheshin e vriteshin në kufi. 
Në një moment ndryshimi dhe rënje të asaj rrethine, kur pritej të çelte sado pak një stinë e re, fap doli që andej Rinoceronti. Ai ishte i mësuar me tëra veset e asaj rrethine të molepsur me krimin, degjenerimin, dhe pashpirtësinë.
Në fillim ai, për të mashtruar dhe krijuar përshtypjen se ishte kundër rrethinës prej nga po dilte, deklaroi se tërë Rinocerontët e rrethinës që po lente pas duheshin vrarë, pushkatuar, ekzekutuar madje edhe ai që e kishte pjellë vetë atë. Kishte edhe prej atyre që e besuan. 
Kështu Rinoceronti kaloi rrethinën dhe filloi të mendonte se si të merrte ndërtesën ku kishin punuar, jetuar dhe persekutuar njerëzit e rrethinës prej nga dilte edhe ai vetë. Kështu ai filloi të godiste me noçkë njëri pas tjetrit këdo që nuk i bindej dhe i mblodhi Rinocerontët e rrethinës si dhe ata të shndrruarit në atë lloj kafshe të cilët me gëzim të madh thirrën: 
“Rroftë Rinoceronti, shpëtimtari ynë i Madh!” Një ditë një Rinoceronte femër i ofroi atij edhe një përkrenare heroi me një kokë dhie përsipër.”
Ata e zgjodhën atë në krye të tyre, u kthyen në kafshë njësoj si ai dhe me klithmat dhe ulurimat e tyre karakteristike iu turrën institucioneve të shtetit, dogjën e shkatërruan, prishën çdo gjë të traditës ndërtimore, bënë atë që nuk bëhej, të tëra me Krye Rinocerontin e tyre në ballë të punëve të mbrapshta 
Tani Rinoceronti ka në dorë çdo gjë. Ai ka ushtrinë e tij të Rinocerontëve si ai vetë, deputetë, pseudodeputetë, kriminelë, hajdutë, kryetar bashkishë, aktivistë të rrethinës së tij, pornografë të televizionit shtetëror, të cilët me noçkat e tyre Rinoceront-ojnë çdo njeri që iu del përpara. Por nuk mjaftuan me kaq. Rinoceronti iu turr edhe atyre që një herë e një kohë kishin qëndruar shumë larg nga ai, njerëz të punës, që me mundime patën ndërtuar biznese, punësuar njerëz dhe zhvilluar vendin. Ai iu preku pronën dhe dinjitetin siç kishin bërë ata të rrethinës së tij për dyzet e gjashtë vjet. Tani njerëzit kanë vetëm dy zgjedhje: 
Ose të shkatërrohen, të shuhen, të mos veprojnë më, të mbyllin dyert e bizneseve dhe të arratisen ose të bëhen Rinocerontë. Një pjesë prej nesh ka zgjedhur të mos bëhet pjesë e bashkësisë së Rinocerontëve. Por është një pjesë që u dorëzua, u prek nga noçka dhe u kthye në Rinoceront. Kështu vendi është mbushur me Rinocerontë aq sa edhe një pjesë e mbetur bosh në Parlament tani është plot me ta.  
Tani Rinocerontët gjëndet kudo në kryeqytet dhe në çdo qytet, qytezë dhe fshat të vendit tonë të mjerë. Krye – Rinoceronti me ushtrinë e tij prishën gjykatat, shkatërruan institucionet, mbollën krimin, mbushën vendin me drogë dhe nuk lënë të dëgjohet asnjë zë që është kundër tij.  
Më në fund, Rinocerontët vendosën të prishin edhe Teatrin Kombëtar për të plotësuar deri në fund absurditetin e tyre. 
Teatri absurd i Eugen Joneskut po shfaqet sot me tërë Rinocerontët me dëshirën e tyre për të shembur Teatrin Kombëtar. 
A po jetojmë absurdin e Eugen Joneskut!?
A do i rezistojmë RINOCERONTËVE? 
Unë them: PO
Së pari le të mbrojmë Teatrin!
Pas mbrojtes së tij, vijnë me radhë të tjerat!
As nazizmi as komunizmi i Eugen Joneskut nuk i mposhtën popujt! As Rinocerontët e Sotëm nuk do e bëjnë dot këtë!

*marre nga faqa e ambasador Mal Berisha ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: Mal Berisha, Rinoceronti, Teatri Kombetar

Edhe një herë për Teatrin Kombëtar në Tiranë

September 25, 2018 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160Nga Ylber VOKSHI/*

Kur në shkurtin e vitit 2018 pata botuar një shkrim autorial, gjegjësisht një reagim publik me titull “Teatri  Kombëtar në Tiranë dhe identitet urban dhe historik ” I nxitur nga polemikat që ishin duke u zhvilluar në mes të komunitetit artistik të Tiranës dhe Ministrisë së Kulturës,gjegjësish Qeverisë Shqiptare lidhur me funksionimin eTeatri  Kombëtar në Tiranë, ku ndër të tjera parashihej edhe dislokimi i kësaj trupe profesionale në një lokacion tjetër (Turbina), deri sa të  rrënohet dhe të ndërtohet godina e re bashkëkohore e Teatrit,.

Nuk kamë imagjinuar se do të ketë reagime publike dhe protesta kundër këtyre veprimeve të pushtetarëve aktual në krye me Edi Ramën si kryeministër aktual i shtetit Shqiptar. Kjo tregon një të vërtetë që shoqëria civile,komuniteti artistik dhe intelektualët e pavarur ma në fund kanë flakur “frikën ndaj pushtetit” dhe fjala e tyre domosdo  duhet dëgjuar dhe respektuar në procesin e vendimmarrjes në rastin e Teatrit kombëtar..

Mos bindja qytetare që ende është duke vazhduar me protesta publike, ku me argumente profesionale po kundërshtohen politikat korruptive urbane të Bashkisë së Tiranës,që në formën ma ekstreme po  manifestohen me tendencën për rrënimin e objektit ekzistues të Teatrit Kombëtar. Për fat të keq e të gjithë neve,kjo pa rezervë po përkrahet nga niveli qendror i Qeverisë Shqiptare në krye me Edi Ramën i cili me profesion deklarohet se është ’’ piktor ’’, dhe duhet të dijë shumë mirë çka është identiteti urban, memoria historike gjegjësisht  pejsazhi urbanistik dhe historik i qendrës së Tiranës.

Opinionet e fundit publike të kryeministrit lidhur me rrënimin e objektit të Teatrit janë dëshpëruese dhe shqetësuese,ato tregojnë një të vërtetë të hidhur përse populli Shqiptar nuk e ka të dokumentuar të kaluarën e tij historike me shekuj, edhe se është populli ma i vjetër në këtë pjesë të Evropës. Një mënyrë e tillë e të menduarit për fat të keq edhe të vepruarit dikur si kryebashkiak i Tiranës e në pesë vitet e fundit si kryeministër i Shqipërisë gjithsesi duhet ndryshuar dhe ndaluar.

Nuk duhet toleruar një arrogancë të tillë të një individi i cili mendon se me fuqinë e pozitës shtetërore që e ka fituar mundet të bëjë çka të dojë duke mos respektuar rregullat,normat dhe standardet elementare të trashëgimisë kulturore dhe historike për mbrojtjen e qendrës historike të Tiranës si memorie kolektive e popullit tonë të cilën gjithsesi me të gjitha mjetet duhet ruajtur. Për këtë ka protesta të vazhdueshme të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik vendor dhe ndërkombëtarë që e obligon atë që të veproi, e jo me sjellje arrogante të kundërshtoi këto zëra progresive.

Si të arsyetohet injoranca totale e të gjithë atyre që mendojnë ndryshe,diktatura komuniste pesëdhjetë vjeçare i ka bërë dame të mëdha Shqiptarëve,si duket ende po ka tendenca që të veprohet ngjashëm edhe në shekullin e ri. Kjo formë e veprimit dhe sjelljes arrogante ndaj kërkesave legjitime të protestusve do të polarizoi situatën, do të rritë mundësinë e ndasive të rrezikshme dhe mos dëgjueshmërisë qytetare që është rreziku ma i madh për të  gjithë ne. Jam i bindur thellësisht se këtë formë pune shkatërrimtare,i verbëruar nga interesat e pa kuptueshme individuale, ai  do ta vazhdoi  edhe me  objekte tjera duke zhdukur identitetin urban të qendrës historike të Tiranës, e cila duhej të ishte memoria kolektive e kryeqytetit.

A thua mos po pritni që  institucionet  dhe komuniteti ndërkombëtarë të na zgjidhin mospajtimet tona kronike në fushë e trashëgimisë kulturore dhe historike,apo të fshiheni pas disa ligjeve që vet po i sajoni dhe aprovoni,për të vazhduar me shkatërrimin e atyre vlerave, përmbajtjeve të pakta arkitektonike që do të na tregonin neve,gjeneratave të reja dhe të huajve të kaluarën historike, me të cilën do të duheshit të mburreni  ju, e jo gradualisht ti zhdukni si stadiumin ” Qemal Stafa ’’ dhe shumë përmbajtje tjera si në Tiranë dhe gjithandej në të gjitha anët e Shqipërisë,madje edhe në qytetet që janë në mbrojtjen e UNESCO-s si Durrësi,Berati dhe Gjirokastra.

Tiranës si kryeqytet i shtetit Shqiptarë pa dyshim i duhet një teatër i ri kombëtar i cili do ti plotësoi kërkesat e një kryeqyteti mbi  gjashtëqind mijë banorësh,kurse ekonomia e tregu dhe lëvizjet e reja kulturore imponojnë krijimin e teatrove tjera alternative si ato private,eksperimentale etj. Nëse do të ishte respektuar zhvillimi Policentrik  urban i Tiranës, atëherë lokacionet e të gjitha këtyre objekteve teatrore do të ishin shpërndarë në kryeqytet, për tu mbuluar në mënyrë të barabartë kjo veprimtari,ushqim shpirtëror i kulturës tonë. Duhet rikujtuar z.Rama e të tjerët se ndërtimi i një teatri të ri kombëtar nuk kërkon domosdosmerisht lokacion në qendrën e ngushtë të kryeqytetit,kemi shembuj të shumta në botë,po përmendi vetëm disa raste si teatri kombëtar i Shkupit,Sofjes apo i Stokhollmit.

E sot në dekadën e dytë të shekullit 21 të kemi këso tendencash të hapura nga individ dhe grupe interesi, me e zhdukur të kaluarën tonë nuk guxon ti lejohet askujt që për interesa të ndryshme të veprojnë kështu,së fundit kjo çështje sanksionohet edhe me Kushtetutën e shtetit Shqiptar, të cilën jeni të obliguar ta respektoni.

Në cilat ujëra të turbullta janë ka na qojnë këta individ ? a pak  ishin ato shekujt sundimi, kur të huajt me të gjitha mjetet e luftuan identitetin tonë, ekzistencën dhe frymimin tonë në këto territore, duke ushtruar terror shtetëror me shembjen dhe përvetësimin e objekteve të ndryshme domethënëse, e shumë metoda tjera perfide me të vetmin qellim, me e zhdukur identitetin historik dhe urban të popullit Shqiptarë në këto hapësira.

Edhe një herë apeloi te të gjithë kokat e ndritura Shqiptare që ka ky vend, që me të  gjitha mjetet demokratike të ndalin veprimet antidemokratike të një grumbulli njerëzish të cilët të strukur pas petkut shtetërorë po veprojnë kështu duke përbuzur institucionet demokratike e çka është ma e keqja zërin e popullit,kjo këtë shoqëri  e kthen në  diktaturën e shekullit të kalua,e atë askush nuk e dëshiron.

 

Prishtinë                                                                                   *  arch. Ylber Vokshi-Ylli24 shtator 2018                                                                                          arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

Filed Under: Kulture Tagged With: Teatri Kombetar, Tirane, Ylber Vokshi

Berna dhe Europa përballë barbarisë së një kryeministri të lajthitur!

September 10, 2018 by dgreca

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit./

1-elida-bucpapaj-300x130Nga Elida Buçpapaj/

BE-ja e ka shpallur 2018, “Viti Europian i Trashëgimisë Kulturore”. Europa identifikohet me vlerat e saj që lidhen me kulturën. Pas periudhës së errët të Mesjetës, Europa u ringjall me Rilindjen kulturore.

Edi Rama e përdori termin e Rilindjes si demagogji trushplarëse me efekte populiste, duke shpërdorur pushtetin politik për të çrrënjosur identitetin kombëtar shqiptar nga Atdheu, trojet shqiptare dhe Europa.

Vitin e Trashëgimisë Kulturore Europiane, Edi Rama, lakeu i tij Erion Veliaj, bashkë me formacionin e tyre politik e kanë shpallur vitin e rrënimit të Teatrit Kombëtar, një monument me vlerë historike, kulturore, kombëtare dhe identitare.

Duke qenë jashtë BE-së, shqiptarët unifikohen si europianë me Europën për nga vlerat identitare, ndërsa nga ndjeshmëria kombëtare paraqiten si barbarë, sepse heshtin ndaj barbarive të një kryeministri të çmendur që do të rrafshojë gjithçka që lidhet me trashëgiminë genetike të shqiptarëve.

Trashëgimia kulturore është e lidhur me gjithçka që ka të bëjë me identitetin tonë kombëtar duke nisur nga gjuha, letërsia, arti, tradita deri tek kulinaria, si vlera kombëtare identitare dhe europiane njëkohësisht.

Detyrë e çdo shteti europian është të promovojë vlerat kulturore identitare. Italianët, për shembull, e festojnë Vitin e Kulturës Europiane, duke kujtuar 150 vjetorin e largimit nga kjo botë të autorit të Berberit të Seviljes, kompozitorit Giacomo Rossini, me edicionin e 40-të Festivalit të Teatrove të Anconës etj. etj, ndërsa ne shqiptarët, duke pritur me ankth në çdo çast një kryeministër të lajthitur, i ndjekur nga langonjtë e tij që t’i venë kazmën ose tritolin Teatrit Kombëtar, monument i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe europiane njëkohësisht.

Kur shteti shqiptar merr rolin e rrënuesit, kush ndihet shqiptar dhe qytetar i Europës duhet të ngrihet të ndalë barbarinë e barbarit.

Motoja e Vitit të Kulturës Europiane shpallur nga BE është:” Trashëgimia jonë kulturore: ku e shkuara takohet me të ardhmen.”

Që do të thotë se pa të shkuar kulturore nuk ka të ardhme as kombëtare dhe as europiane, çka e kthen në emergjencë kombëtare nxjerrjen nga skena politike të barbarit që synon të shembë skenën ku aktruan korifejtë e Teatrit Kombëtar shqiptar.

Të gjitha pretekstet e tjera janë inskenime të kryeministrit dhe palaços të oborrit, në lidhje me gjoja “shkaqet teknike se përse Teatri Kombëtar duhet të rrënohet”.

Arkiteti Maks Velo doli publikisht dhe i rrëzoi pretendimet e oborrit të palaçove të kryeministrit vandal.

Unë po ju sjell një aktualitet zviceran, se si reagon një shtet me mendësi europiane ndaj thesareve të trashëgimise kulturore, ndryshe nga çmendina e shtetit shqiptar.

Në kuadrin e mbrojtjes së identitetit kulturor europian, në Bernë ka nisur rikonstruktimi i Kazinosë Kulturore, jo si vend i pokerit, por si vlerë kombetare.

Kur është ndërtuar 110 vjet më parë, kjo ndërtetë kishte destinacion t’iu kthente muzikantëve dhe orkestrës sinfonike selinë e humbur prej ndërtimit të Pallatit Federal. Dhe këtë funksion e ka mbajtur gjithmonë. Kjo ndërtesë lidhet me memorien kulturore, me aktivitete të jetës publike të qytetit, me jetën koncertore deri tek vlerat kulinare të restaurantit e në fund edhe me sallën e lojrave. Prandaj është pjesë e trashëgimisë dhe si e tillë mbrohet e konservohet nga shteti. Dhe pikë!

Në 110 vjet jetë Kazinoja Kulturore e Bernës iu është nënshtruar 25 restaurimeve të pjesëshme, ndërsa është hera e parë që do t’i bëhet një restaurim i përgjithshëm për t’iu kthyer formës origjinale të kohës kur u ndërtua për së pari, por me standartet teknike të shekullit XXI e përtej.

Po të kishin mentalitetin e barbarit Edi Rama, Berna dhe qytetarët e saj e kishte shembur Kazinonë, edhe urat magjike, edhe arkitekturën tradicionale të qytetit me pretekstin se “janë të vjetra”për të ndërtuar në vend të tyre rrokaqielle si produkte të pareve të pista informale.

Por Berna ka vizion europian. Edhe qytetarët e saj. Prandaj e rikonstruktojnë Kazinon Kulturore të kryeqytetit, me shkëlqimin e së shkuarës për t’i dhënë dritë e ndriçim të ardhmes.

Rikonstruksioni i Kazinosë Kultorore të Bernës ka nisur në verën e 2017 dhe do të zgjasë dy vjet, me një kosto 74 milionë franga, por me vlerë identitare qindra e qindra miliarda franga.Rihabja bëhet në shtatorin e 2019 padyshim me njē koncert madhështor të orkestrës sinfonike në kujtim të 110 viteve të shkuara dhe si mirëseardhje e shekujve që vinë.

Edhe senatori i përjetshëm italian Renzo Piano, arkitekti i Urës të re të Gjenovës tha se “Ura do të jetojë një mijë vjet, jo si metaforë”, por si vlerë e identitetit kulturor të civilizimit europian.

Kjo është kuintesenca dhe logjika e një sistemi demokratik vlerash, që Edi Rama e mohon dhe e zëvendëson me barbarinë rrënuese dhe shkatërruese !

Prandaj duhet ta ndalim një orë e më parë!

PS: Si gazetare denoncoj aktet barbare të një kryetari qeverie të papërgjegjshëm i cili i urren dhe shpërdor të gjithë mjetet e pushtetit për të luftuar përçuesit e fjalēs të lirë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Europa, Teatri Kombetar

Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë e rrëzojë Teatrin Kombëtar !

July 9, 2018 by dgreca

 Rrëzojeni Edi Ramën!/*Elida 1Nga Elida Buçpapaj/

Gjithë bota e qytetëruar i ndërton dhe i mbron si Monumente të identitetit kulturor Teatrot e veta Kombëtare.

Teatrot Kombëtare janë pasuri kombëtare. Ato janë të paprekëshme, të pacënueshme.

Kush i prek Teatrot kombëtare ka prekur integritetin dhe sovranitetin e identitetit kulturor të vendit!

Kush synon të cënojë integritetin territorial të Teatrove Kombëtare, duke i shembur ato, i ka shpallur luftë atij vendi!

Një vendi mund t’i shpallësh luftë kur i hyn me ushtri ose kur ia rrënon Monumentet e Kulturës Kombëtare. Teatri Kombëtar është Monument Kulture.

Sovranitetin kulturor të Shqipërisë është duke e sulmuar kryeministri Edi Rama!

Popull shqiptar, mos e lejo! Popull shqiptar, mbroje identitetin tënd kulturor, mbroje Teatrin Kombëtar!

Vendi duhet të mbrohet kur sulmohet nga barbaria, që identifikohet me emrin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili synon ta rrafshojë dhe rrëzojë të vetmin Teatër Kombëtar që ka Shqipëria.

Edi Rama po i shtyp shqiptarët me diktaturën e varfërisë dhe duke ua rrafshuar çdo ndjenjë të krenarisë së tyre kombëtare! Ju, të ashtuquajtur intelektualë, ku jeni ? Nëse jeni, shfaquni për të ndalur këtë neronizëm!

Edi Rama synon rrëzimin e një Monumenti unik të Kulturës Kombëtare në skenën e të cilit ka kaluar gjithë plejada e aktorëve më të famshëm shqiptarë! Ajo skenë është e lidhur me emrat e kollosëve të artit skenik shqiptar, që Edi Rama kërkon t’a rrafshojë! Mos e lejoni!

Teatri ka lindur me njerëzimin! Një vend pa teatër është shkretëtirë!

Teatri ka lindur që nga antikiteti dhe është i lidhur me emrat më të famshëm të qytetërimit botëror, duke filluar nga antikiteti grek nga vjen edhe emri.

Në Greqinë e lashtë teatrot ishin të shpërndarë  në Athinë, Thrakë, Epir. Teatri i Dionisit i vendosur në Akropolis konsiderohet teatri i parë në botë dhe më i rëndësishmi i Antikitetit Grek. Aty janë interpretuar tragjeditë dhe komeditë e Eskilit, Euripidit, Aristofanit.

A mund të mendohet Greqia e Lashtë pa emrat e atyre gjigandëve, veprat e të cilave luhen edhe sot e kësaj dite nëpër skenat e teatrove të botës? Jo!

Në Athinën e sodit ka me qindra teatro, por ka vetëm një Teatër Kombëtar të Greqisë, ku kanë debutuar Dimitris Horn, Maria Callas, Melina Mercouri etj. etj etj. Ky teatër është ndërtuar në vitin 1880.

Në SHBA, vetëm në Broadway janë të vendosura 40 teatro të kualifikuara si “Broadway theaters”, ku mund të performohet për çmimet “Tony Awards”, por ndërkohë po në Manhattan, janë më tepër se 500 qendra teatrore kur performohet çdo ditë.

Teatri është i lidhur me emrat më të famshëm të shkrimtarëve dhe aktorëve që kanë bërë histori dhe të atyre që sot duan të ndikojnë përmes artit skenik për një botë më të mirë.  Le të kujtojmë Teatrin e Shekspirit, i njohur me emrin “Globe Theatër”, i inauguruar në vitin 1599 dhe i ristrukturuar së fundmi në vitin 1999.  Ky teatër i kohës elizabetiane, me konstrukt druri, që mund të digjej me një fill shkrepse nga çdo diktator me mendësinë e Edi Ramës, ruhet ndër shekuj si thesar i Kulturës angleze. Për nder të Sheksipirit, në qytetin e tij të lindjes Stratford-upon-Avon në vitin 1879 është inauguruar Royal Shakespeare Theatre . Për fat të keq teatri u dogj në vitin 1926 dhe u rikonstruktua përsëri. Prej kohës kur janë ndërtuar e deri sot, në Britaninë e Madhe janë ndërruar me qindra kryeministra të cilëve u është harruar emri, por Glob Theatër apo Royal Shakespeare Theatre mbeten aty si dëshmi e gjallë e gjenisë kulturore të anglezëve! Ndërkohë, po të shohësh teatrot në Britaninë e Madhe, është një listë pa fund, për t’i përballuar kohës, ato janë rikonstruktuar, por kurrë nuk janë rrëzuar! Sepse janë dëshmitarë të identitetit kulturor! Anglia po ashtu ka edhe Teatrin Kombëtar i njohur si Royal National Theatre i Britanisë të Madhe.

Dhe mund t’ju sjell shembuj pa fund. Vendet e civilizuara kanë me qindra teatro, por kanë edhe Teatrin Kombëtar apo Teatrin e Shtetit, si pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore që ruhet dhe mbrohet nga shteti. Le të marrim Operan Kombëtare të Parisit e themeluar në vitin 1669 nga Luigji XIV, sot nën kujdesin e Ministrisë të Kulturës të Republikës Franceze; Vienna State Opera, Operan Shtetërore të Vjenës, Wiener Staatsoper e inaguruar më 1869 mbrohet nga shteti; Teatri Kombëtar i Pragës konsiderohet Monument Kombetar i Republikës Çeke; Teatri Mbretëror Danez është institucion kombëtar i ndërtuar dhe themeluar në vitin 1748, në fillim i njohur si teatër mbretëror e pastaj si teatër kombëtar, sot mbrohet nga shteti dhe mbulohet nga Ministria e Kulturës, e cila garanton mbarëvajtjen, suksesin dhe vijimësinë. Apo La Scala mbrohet nga shteti si pronë e bashkisë të Milanos. Në Zvicër, Opera Shtetërore në Zyrich është organizuar si një kompani “Opernhaus Zürich AG” nën autoritetin e kantonit të Cyrihut me partnerë dy nga bankat kryesore zvicerane, UBS dhe Credit Suisse; Teatri i Bernës, i njohur si Stadttheater Bern mbahet nga qyteti; në qytetin e Gjenevës Grand Théâtre de Genève po ashtu mbahet nga qyteti. Vetëm për rikonstruktimin e Teatrit qyteti dhe kantoni i Gjenevës kanë bërë një financim prej 20 milionë frangash me një vizion largpamës për mbarëvajtje teknike deri në vitin 2050!

Ndërsa në Shqipëri Teatri Kombëtar është i vetmi Monument Kombëtar që i ka mbijetuar rrënimit dhe që tani po rrezikohet nga rrënuesi që është shteti një dordolec në duart e satrapit Edi Rama! Momentalisht në skenën e tij po luhet tragjedia më e madhe live, ku një vandal kryeministër ka vendosur që ta shfarosë, me qëllim shfarosjen e memories kombëtare të kulturës shqiptare.

Mos e lejoni barbarin! Mos e lejoni krybarbarin e shtetit shqiptar të rrëzojë Teatrin Kombëtar si i vetmi institucion skenik ku kanë interpretuar të gjithë gjigandët e skenës shqiptare! Barbari Edi Rama është liliput përpara artit të kollosëve të skenës shqiptare!

Rrëzojeni atë që kërkon të rrënojë dhe rrëzojë teatrin Kombëtar të Shqipërisë!

Rrëzojeni Edi Ramën, i cili qëkur ishte ministër i dekulturimit të shqiptarëve dhe po ashtu kryetar i bashkisë, ia kishte vënë syrin Teatrit Kombëtar për ta shembur dhe në vend të tij të ndërtonte kulla fitimprurëse për xhepat e oligarkëve apo për të ngopur maninë e tij të çmendur për të shembur çdo vlerë kulturore shqiptare që barazohet me kombin.

Ne pjesa më e madhe e shqipëtarëve të Shqipërisë Londineze jetojmë në zemër të Europës. Askund nuk preket ajo që është ndërtuar në shekuj, vetëm rikonstruktohet, ruhet dhe mbrohet. E mbron shteti dhe qytetarët. Në qendrat e qyteteve europiane nuk ka rrokaqiej, por mbrohet tradita, memoria kulturore e këtyre kombeve. Memorien kulturore e mbron shteti dhe qytetarët. Teatrin Kombëtar të Shqipërisë duhet ta mbrojë shteti dhe qytetarët. Kur shteti që përfaqësohet nga Edi Rama synon ta rrëzojë Teatrin Kombëtar, atëherë populli duhet të rrëzojë Edi Ramën që të mbrojë identitetin e vet kulturor.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Rrëzojeni Edi Ramen, Teatri Kombetar

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT