• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FRANCA REPUBLIKANE SHPETOI BASHKIMIN EUROPIAN

May 16, 2017 by dgreca

1-Repishti-300x212

Nga Sami  Repishti */  Ridgefield, CT. USA.- Të dielën, 7 maj 2017, Franca votoi për zgjedhjet presidenciale. Në mes të dy kandidatëve, Emmanuel Macron, europianist, dhe  Marine Le Pen, populiste , francezët zgjodhën të ardhmen e vendit tyne në kuadrin e Bashkimit Europian. Fitorja e tyne konsiderohet si fitorja e njerëzimit në botën mbar, sepse përveç premtimeve që frymëzojnë, kjo fitore u ba pengesa kryesore e përhapjes së nji lëvizje populiste, regresive që përfshiu Europën dhe SHBA-në gjatë vitit të kaluem. Unë e quej këte: nji fitore kundër neo-fashizmit që ngren kokën me paturpësi. Fitorja e Macron kuptohet edhe si fitorja e arsyes mbi pasionin e smurë që krijoi vala mbytëse e nacionalizmit të egër e agresiv në Europë.

   Tashti, kjo fitore do të përballohet me programin e mbrendshëm që synon rimëkambjen ekonomike të vendit, shkurtimin e buxhetit të Shtetit, rishikimin e legjislacionit të kodit të punës, përkrahjen e fuqishme të arsimit sidomos në zonat e “harrueme” dhe përkrahjen financiare të klasës së mesme, të pavarun nga shteti në tregëtine e tyne, e profesionistëve në mes tjerash.

   Kjo fitore ngren dukshëm edhe rolin e grues franceze në jetën publike. Nga 577 kandidatët e partisë së re të Macron, “En marche!” (Përpara!), gjysma janë gra ose fëtyra të reja në politikën e vendit.. Lufta për punësim sa ma të plotë zen vendin e parë. Natyrisht, synohet forcimi i ekonomisë franceze për konkurrencën botënore që imponon globalizmi.

  Roli i Presidentit në Francë ashte shumë i fuqishëm, por varet edhe nga përkrahja e Parlamentit (Asambleja Kombetare) e cila zgjidhjet me 11 e 18 qershorin  që vjen.

  Ajo që bien në sy ashtë qendrimi “anti-establishment” nji nevojë urgjente për ndryshim. Figura të njohuna në jetën politike franceze nuk u votuen, dhe ata që kandiduen për president humbën randë. Për herë të parë në ma shumë se 50 vjet asnji nga partitë tradicionale nuk u paraqit në rundin e dyte elektoral.

  Ky fenomen ashtë i përgjithshëm: masat votuese janë lodhë me figurat politike që hypin e zdrypin, premtojnë e nuk përmbushin, dhe që janë të shterruem për ide të reja, për ballafaqim me botën që ec përpara e me problemet e ditës, gjithëherë të reja. Ka nji pakënaqsi për legjislacionin e B.E. dhe falimentimin e përgjithshëm europian me përballue problemet e imigracionit dhe kontrollin e kufinjve. Kjo hapje e Europës për të gjithë botën nuk ka pasë sukses të plotë –me përjashtim të Gjermanisë së Kancelares Merkel, figura dominante europiane.

   Para nji situatë të këtill, çdo qytetar francez u detyrue me ekzaminue ndërgjegjen e vet: abstenimi në votim nuk ka vend, as justifikim. Kambëngulja e Macron në favor të forcimit të B.E. garanton nji të ardhme ma të mirë, ndërsa “fitorja e Le Pen don të thotë katastrofë për Europën dhe botën mbar!” shkruente Nobelisti Paul Krugman. Nji tjetër analist, Roger Cohen, shton “Macron mbetet shpresa ma e mirë për Francën, për Europën dhe për nji shoqëni civile të qytetnueme franceze. Franca e pranoi sfidën e madhe. Europa e Bota e Lirë e falënderojnë!

   Sa mundësi ka Presidenti Macron me përmbushë premtimet e dhanuna, në nji vend të ndamë nga retorika brutale e zgjedhjeve presidenciale? Kandidatët sulmuen njeni tjetrin dhe ofenduen me shprehje të pa pranueshme. Për ma tepër, fushata elektorale e Macron u sulmue “në mënyrë masive dhe të koordinueme”nga nji operacion “hacking” me potencial shkatërrimin dhe  destabilizmin e demokracisë së vendit nji ditë para votimeve. Kjo ofensivë ngjau edhe kundër SHBA-së në favor të Presidentit Trump, dhe kundër kandidates H.Clinton – e që ishte përqendrue ”…me mbjellë dyshim dhe desinformim”. Ma vonë u zbulue se operacioni ishte koordinue nga rusët që veprojnë nga qendra APT28, e njohun për spiunazh kundër NATO-s.

  Këtu në SHBA, njohim shumë mirë këte situatë të rrezikshme dhe të vështirë me u tejkalue, sidomos kur elektorati humbë besimin në klasën politike të vendit. Për ma tepër, preferenca e votuesve francez –simbas shtypit – ka nji peshë që kalon kufinjtë e vendit. Nji tërheqje nga B.E. ashtu si kërkon Le Pen do të shenonte nji goditje shumë të randë, ndoshta fatale për të gjithë projektin europian të bashkimit, dhe për të gjithë demokracitë perendimore, si dhe do të lehtësonte edhe nji terheqje të Europës drejt nji nacionalizmi të ngushtë. Nji zhvillim i këtill do të ndikonte thellë zhvillimet edhe në Shqipëri, kandidat për anëtarsim në B.E., solucioni ma i mirë –ndoshta i vetëm!- për vendin tonë dhe Republikën e Kosovës.

   Gazeta prestigjoze amerikane The New York Times e sintetizon kështu fitoren e Z. Emmanuel Macron: “ Ballafaqimi në zgjedhjet presidenciale të Francës tejkalon kufinjtë e politikës kombëtare. Ai ballafaqim tregoi dualizmin: globalizëm versus nacionalizëm. E ardhmja versus e kaluemja. E hapuna versus e mbylluna…. Rezultati i detyrohet edhe frikës së popullit francez nga nji lloj populizmi që përmbysi politikën e Britanisë së Madhe (Brexit) dhe atë në SHBA (Trump)”.

   Në rastin e kundërt, dalja e Francës nga B.E. e heqja dorë nga monedha “euro” mundson vdekjen e idesë së bashkimit ekonomik të Europës, kontinent që doli i përgjakun nga L2B. “Franca ka qenë anëtare themeluese e B.E. dhe forca nxitëse krysore, së bashku me Gjermaninë, ish rivale e saj. Efektet e daljes nga B.E. ndjehen përtej kufinjve të Europës, në zonat pa stabilitet politik, në tregjet botënore, si dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së,” shkruen shtypi francez.

   Roger Cohen shprehë admirimin e tij që “Franca qendroi me dinjitet kundër sulmeve terroriste, frikës dhe çmendurisë së ISIS, (që kercënoi me vdekje të dy kandidatët). Ajo doli ma e fortë, e ma dinjitoze….Dueli politik tregon se Franca me Presidentin e ardhshëm Z. Macron po lufton me mbrojtë vlerat themelore të republikës, se mbron Francën nga rreziku i ramjes nen presionin e turpit populist. Ajo mbron idealet e nalta dhe aspiratat e trashëgueme nga Revolucioni (i vitit 1789): Liri, Barazi, Vëllaznim. Franca refuzoi të flliqet me populizëm”. Ai vazhdon: ”Si mund të zgjidhej Le Pen që urren imigrantët, e sidomos myslimanët francez, që kundërshton B.E. i cili nxori Europën nga ditët e zeza të grindjeve nacionaliste, e pozicionimeve autokratike, ksenofobike, me degët e saj në Moskë, Ankara e Washington, nji përkrahëse e nacionalizmit racist ‘Franca mbi të gjitha’ dhe përfundimin drejt nji konflikti, në ‘luftë’ simbas ish Presidentit F.Mitterand”?.

  Andrra e Robert Schumann, Konrad Adenauer, dhe Alcide de Gasperi mbijetoi!

******

  B.E. nuk ashtë zhvillue në nji vijë të drejtë. Ka pasë të meta dhe shpërdorime, por esenciale ashtë se ka sigurue nji Europë në paqë, demokraci, prosperitet ekonomik dhe të bashkueme. Ky ashtë sukses i madh për nji kontinent që u shkatërrue nga dy lufta botënore mbrenda nji çerek shekulli.

  Në Francë, p.sh. papunësia ka arrijtë në 10.1 % kurse për rininë nën moshën 30 vjeçare ashtë 23.7 %. Forca përtej mundësisë së Francës me kontrollue –byrokracia në Bruksel mbajtja nën kontroll e euro-s pa kujdes për damet e bamë në disa shtete nga Banka Qendrore Europiane, ernat e zeza të globalizmit në disa zona- kanë krijue nji atmosferë anmiqsore kundrejt B.E. Megjithate, Franca ka gëzue statusin e nji modeli social të admirueshëm. Afer 57 % e Prodhimit të Përgjithshëm të Mbrendshëm shpenzohet për mirëqenjen e shëndetin e popullit, por detyron Francën me qenë e dyta në listen e taksave të randa….

   Atëherë cila ashte perspektiva e B.E. për të ardhmen? Në nji analizë të studjuesit Robert D. Kaplan (autor i librit “Hijet e zeza të Ballkanit”) Franca, Holanda dhe Gjermania janë tre shtetet që kanë përba “The Holy Roman Empire” (Perandorinë e Shenjtë Romane) të Karlit të Madh (Charlemagne), në vitin 800, dhe sot janë akoma shtetet ma të pasuna me institucionet ma të forta  të Europës. Besohet se “sekreti” ka qenë ruejtja dhe forcimi i “klasës së mesme” në shoqëni. Pasunia prrallore dhe vorfënia janë shikue si “të padëshirueshme”, natyrisht të influencuem nga etika kristiane. E kundërta ngjau me perandorinë bizantine dhe ma vonë otomane, shkruen Kaplan. Ish vendet nën sundimin e tyne janë akoma sot ma të vorfënat, ma të pa qëndrueshmet, dhe gjithnji në nevojë të ndihmës nga B.E.“

   Kjo gjendje për B.E.  do të krijojë mundësi që ndihma të ofrohet edhe nga Rusia ose nga Turqia, dy vende me ambicie politike në Ballkan. Pakë ditë ma parë, ambasadori rus pranë B.E. në Bruksel deklaroi se B.E. dhe NATO nuk janë alternativat e vetme për shtetet europianë, deklaratë kjo që len të kuptohet se edhe Rusia ashte nji alternativë e dytë. Kjo ka qenë deklarata ma e fortë deri tashti kundër organizmit politik të tanishëm të kontinentit europian.

  Fatmirësisht, përgjegjen e parë e të plotë e ka dhanë nji shtet sllav, Maqedonia. KM Zoran Zaev, deklaroi para disa ditëve “Le të dijnë miqtë nga Rusia se për të gjithë Ballkanin perendimor dhe Maqedoninë vendi i jonë ashtë në B.E. dhe NATO”. Nji pikëpamje e këtill mbretnon edhe në Shqipëri e Kosovë, fatmirësisht.

  Kaplan deklaron: ”Pa B.E. të fortë do të kemi nji konflikt në Ballkan”. Që tani shofim shenja të disa vendeve të Europës lindore që po rrëshqasin në rregjime autokratike që i ngjasin ma shumë Rusisë se B.E. Në Turqi, KM.Erdogan mbas fitores elektorale nuk vizitoi varrin e Ataturkut, nji traditë shumë dekadash, por varrin e Sulltan Mehmetit II, që pushtoi gjysmën e Ballkanit, tue përfshi edhe Shqipërinë. Simbolika e nji gjesti të këtill nuk kalon shpejt dhe pa rrjedhime. “Vetëm në se Serbia, Kosova dhe Shqipëria –shkruen Kaplan -anëtarësohen në B.E. krijohen mundësitë që grindjet në mes serbëve dhe shqiptarëve të zgjidhen përfundimisht….Në B.E. Shqipëria dhe Kosova nuk e ndien nevojën për ‘bashkim’ me inisiativën e tyne, sepse nji akt i këtill ashtë nji ‘casus belli’ për Serbinë. Vetëm kështu mund të kemi paqë në ish Jugosllavinë”.

  B.E. ashtë kryesisht nji ide: bashkim dhe bashkëpunim në mes të shteteve pa humbë sovranitetin shtetnor. Nji fazë e re hapet në historinë e Europës. Nga afrimi në mes të shteteve të ndryshëm në nji sistem legalisht të formuem, në vend të shteteve/kombeve të izoluem, me ligjëshmëni e frazeologji të përbashkët, dhe mbrojtjen sidomos të individit, përbajnë nji hap cilësor përpara në marshin europian drejt lirisë dhe sigurimit kolektiv.

“B.E. ashtë perandoria e nevojshme” përfundon Kaplan. Dhe këtu qendron edhe gëzimi i jonë për fitoren e europianistit Emmanuel Macron si president i Francës europiane.

********

  Me 2 maj, në Columbia University (N.Y.) u mbajt nji tubim shkencor “Open Discussion” ku folën ekspertë të problemeve ballkanike. Merrnin pjesë edhe shumë ambasadorë të vendeve ballkanike, si dhe ato të Shqipërisë dhe Kosovës. Seanca u zhvillue në International Affairs Building, dhe u kryesue nga David L. Phillips. mik i shqiptarëve dhe sidomos i Kosovës. I ftuem, mora pjesë edhe unë.  

   Nji angazhim ma i madh dhe ma konstant i politikës amerikane në Ballkan ishte pika qendrore e diskutimeve. Nji nga folësit, Dr. Florian Qehaja, i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë, nji i ri premtues, foli për efektet negative të qendrimit paternalistik që çfaqë Rusia ndaj Ballkanit dhe rrezikun real që vendet e Ballkanit ballafaqojnë. Nga diskutimet doli se kercënimi ma i madh vjen nga nji kombinim i politikës agresive të Serbisë (“që kërkon të bashkojë të gjithë popujt sllavë në nji Serbi të Madhe” (Sonia Biserko, në TV N1 të Beogradit) me atë të Rusisë së Putinit në pengimin e forcimit të shtetit të Kosovës, B.-H, Malit te Zi e Maqedonisë, pika sensitive dhe subjekte për sulm. Ballkani po radikalizohet nen presionin e influencës ruse, theksuen folësit. Lidhjet politike, kulturore e fetare të Rusisë me vendet ortodokse në Ballkan rrisin afinitetin në mes të dy palëve dhe në dam të pavarësisë së shteteve ballkanike. Baza e spiunazhit rus ne Nish- vetëm 35 km larg nga kufini i Kosovës dhe provokimet e vazhdueshme janë piketat e nji strategjie ma të gjanë. Në Serbi, 36 % e ushtarakëve janë pro-rus të deklaruem.

   Folësit diskutuen edhe “për influencën ruse në Shqipëri” dhe elementin fetar ekstremist, tue iu referue deklaratave të Ministrit të PJ të Shqipërisë: “Rusia nuk duhet shikuar si armike….”.

   Si përfundim: duhet rritë angazhimi amerikan në Ballkan para se të krijohet nji rrezik serioz për të ardhmen e gadishullit.

    Uroj që situata të këtilla kercënuese të shërbejnë si paralajmërime dhe me bindë grupet politike për nji bashkëpunim në mes tyne e në shërbim të interesave të atdheut tonë të përbashkët.

================================================================

* Ish student-bursist i Universitetit të Parisit, (1970-71)

Filed Under: Opinion Tagged With: BASHKIMIN EUROPIAN, FRANCA REPUBLIKANE, Sami repishti, SHPETOI

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT