Nga Julian Zyla/
Organizata Freedom House publikoi sot raportin e saj vjetor “Vendet në Tranzicion”, mbi proceset demokratike të 29 vendeve në zhvillim, në rajonin e Evropës Qendrore dhe Euroazisë. Shqipëria dhe Kosova kanë shënuar përparim të lehtë krahasuar me vitin e kaluar.
Për Shqipërinë, kanë ndryshuar pozitivisht vlerësimet për kategoritë e “Procesit elektoral” dhe “Qeverisjes demokratike në nivel qendror”. Të dy këta sektorë janë përmirësuar me 0.25 pikë, në një shkallë nga 1 në 7. Pesë fushat e tjera që Freedom House vlerëson në këtë raport vjetor dhe që në rastin e Shqipërisë nuk kanë ndryshuar krahasuar me vitin e kaluar janë: “Shoqëria civile”, “Media e pavarur”, “Qeverisja demokratike në nivel lokal”, “Kuadri ligjor dhe pavarësia e gjyqësorit” dhe “Korrupsioni”.
Raporti shprehet se “Shqipëria arriti ndryshim pozitiv për herë të parë që nga viti 2008, falë zgjedhjeve parlamentare” të muajit qershor vitin e kaluar dhe “transferimit paqësor të pushtetit”. Vlerësimi për demokracinë në Shqipëri, që përbën mesataren e shtatë sektorëve të vëzhguar, është përmirësuar nga 4.25 në 4.18, në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të përparimit demokratik dhe 7 nivelin më të ulët.
Në një intervistë në Nju Jork për Zërin e Amerikës, drejtoresha e këtij raporti, Sylvana Kołaczkowska, tha se “ka shenja të hershme se qeveria e re është e interesuar të ndërmarrë reforma, për të ndalur procesin e konsolidimit të pushtetit të vënë re gjatë mandatit të dytë të qeverisë së mëparshme të kryeministrit Berisha.”
“Në këtë pikë është ende herët,” shtoi ajo. “Kemi parë jo vetëm retorikë, por edhe hapa konkrete, megjithatë mendoj se është ende herët për të festuar. Ajo që mund të them është se duket të ketë një vullnet politik më të madh në këtë qeveri sesa në atë të mëparshmen për të zgjidhur disa nga dobësitë kronike në vend, në veçanti në sistemin gjyqësor shqiptar.”(VOA)
A E DEGJON SHQIPERIA DHE KOSOVA THIRRJEN E DIASPORES?
Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre./
Nga DIMAL BASHA/
Kur ishte koha për “Vendlindja Thërret,” mërgimtarët ju përgjigjen thirrjes. Tash, para se të ndërroni faqen, gjeni pak kohë të lexoni se si t’i përgjigjet qeveria projektit “Diaspora Thërret.”Diaspora shqiptare, që përbën një të tretën (1/3) e popullit tonë vazhdon të jetojë jashtë vendit dhe mbetet e neglizhuar. Problemet e Kosovës janë probleme të shqiptarëve kudo. Kudo që gjenden ata i okupon çështja e politikave dhe gjendjes së vendit të tyre.
A duhet që mërgimtarët të ju kujtojmë bijve e bijave të tyre që ata të mendojnë për Kosovën nëse Kosova nuk mendon për ta? Diaspora e ka dhënë borxhin ndaj vendit të tyre, a duhet që këtë borxh Kosova e Shqipëria të ja kthejnë diasporës?
Sot, arsyet për kujdesin e diasporës kundrejt vendit tyre janë të shumta! E para, numri më i madh i tyre janë gjenerata e parë jashtë vendit dhe kjo bën që të jenë shumë të ndërlidhur me vendin. E dyta, shumica ende kanë të afërmit që jetojnë në Kosovë. E treta, përgjegjësia dhe afërsia e diasporës lidhet direkt me varfërinë e popullit sepse kjo i bën të obliguar të ndihmojnë familjarët që dështohen nga qeveria.
Nuk mendoj se kjo gjendje do të qëndrojë derisa qeveria nuk ndërron kurs. E para, ndërlidhja me vendin nuk do të jetë e njëjtë pasi që numri i madh i tyre janë lindur e rritur jashtë vendit. E dyta, ata/ato nuk do të kenë të afërm që do të shërbente si arsye për vizita. Rrjedhimisht, nëse jam i sinqertë, nuk besoj se djali im do t’i dërgojë fëmijët e tij për pushime në Kosovë. Gjeneratat ndërrojnë shpejt dhe nëse qeveria nuk i qaset seriozisht këtij problemi dhe nuk ndërmerr hapa konkret t’i mbajë afër, ata do mbesin një pasuri e humbur për vendin.
Shifrat tregojnë se Kosova ka pranuar plot katër miliardë euro prej vitit 2004. Me fjalë të tjera, 500 milionë euro në vit. Pyetja që duhet të shtrohet është se sa do të zgjatë ky trend? Pas gjithë kësaj, mund të konkludohet që qeveria prapë vazhdon ta neglizhojë diasporën në mungesë të planeve konkrete. Shumica e strategjive “brain gain” kanë mbetur veç letra në sirtarë, kurse Ministria e Diasporës ka mbet si një institucion që pak njerëz e dinë që ekziston. Thjesht, qeveria e Kosovës, por ajo e Shqipërisë, kanë një fuqi të madhe që nuk po e shfrytëzojnë dhe është koha që të ndryshohet kursi.
Ka disa solucione që janë të realizueshme por kërkojnë një qasje serioze nga qeveria dhe është koha e fundit që të fillohet një pilot-projekt. Projekti “Diaspora Thërret” në vija të trasha ofron një nismë të mbarë që do të përfitonte më së shumti Kosova. Është projekt apolitikë që është një urë më shumë në mes diasporës dhe vendit tonë.
Aplikimi
Në radhë të parë, ky projekt mundëson aktivizohen studentë që jetojnë dhe arsimohen jashtë vendit. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me ambasadat e tyre dhe Ministrinë e Arsimit duhet të hapin konkurse për të gjithë studentët që dëshirojnë të mbajnë klasa verore një-mujore për nxënësit e klasave të mesme dhe atyre fillore (parauniversitare).
Ky plan kishte me pas përfitime të dyanshme. E para, një numër i konsiderueshëm nxënësve do të përfitonin gjatë një kohe ku shumica e tyre janë me pushime dhe kalojnë kohën pa ndonjë aktivitet. Nxënësit do të përfitonin njohuri të reja nga lami të ndryshme dhe do të ishte një përvojë dhe stimulim për kreativitet.
Në anën tjetër, studentët të arsimuar jashtë vendit do të kishin një arsye më shumë të vizitonin vendin e tyre. Të njëjtën kohë ky program do t’i ofronte ata me njerëzit e tyre duke qenë afër me fëmijët dhe duke kuptuar përafërmi sfidat dhe popullin e tyre që do të shërbente si stimulim për ide të reja dhe interesim më të madh të tyre në të ardhmen.
Duhet të cek se varësisht prej përgatitjeve të aplikuesve, ambasadat duhet të jenë të hapur ndaj çfarëdo kursi. Të lejojnë hapësirë që të ofrohen kurse nga arti, politika, ekonomia, muzika e çkado tjetër. Kjo do të mundësonte që nxënësit të ekspozohen lëmive të ndryshme dhe diçka që ndoshta nuk është e rëndomtë në kurrikulumet në Kosovë.
Kriteret
Qeveria duhet të caktojë kriteret për aplikuesit. Për shembull, të gjithë studentët që kanë të mbaruar fakultetin dhe master kualifikohen për të dhënë një kurs një-mujorë në shkollat fillore edhe ato të mesme.
Gjithashtu duhet të lejohen të aplikojnë edhe artistë apo edhe individë që kanë zeje të ndryshme apo përvojë dhe aftësi të veçanta. Shkurt, aplikimi mbetet i hapur për të gjithë dhe një staf ekspertësh duhet të vendosë se cilat planprograme mund të ndihmojnë më së miri nxënësit tanë.
Për tu kualifikuar, duhet të kërkohet të gjithë aplikuesit të ofrojnë programin mësimorë për një muaj.
Gjithashtu duhet të ceket në aplikim minimumi i përmbushjes së orëve. Për shembull, minimumi mund të përcaktohet të jetë për shembull 5 orë mësimi në ditë.
Numri i aplikimeve duhet të ndahet në kuota të përafërta. Për shembull, nëse Zvicra ka numrin më të madh të diasporës, atëherë edhe numri i ligjëruesve duhet të jetë më i madh nga ai vend. Nëse Zvicra nuk e përmbush numrin, atëherë ai numër mund të zëvendësohet nga aplikimet e vendeve tjera.
Gjithashtu, aplikuesit duhet të cekin vendqëndrimin, apo vendqëndrimet e tyre (komunat) që ata mund të qëndrojnë, për shkak që të ketë mundësi më të lehtë akomodim që lehtëson udhëtimin e tyre brenda Kosovës. Për shembull, një student që jeton në Amerikë dhe ka mundësi qëndrimi në komunën e Pejës e lehtëson përcaktimin e tij apo saj në atë komunë në mënyrë që të lehtësohet udhëtimi.
Aplikimet duhet të dorëzohen në ambasada gjashtë (6) muaj para fillimit të sezonit verorë për të lejuar kohë të mjaftueshme për organizimin e implementimit.
Incentivat
Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet që t’ju ofrojë studentëve që fitojnë të drejtën për të ligjëruar nga një shumë të caktuar të hollash. Kjo duhet të caktohet me shuma të caktuara varësisht se ku gjinden gjeografikisht. Për shembull, studentët nga SHBA duhet të marrin një shumë prej 1,000 Euro derisa ata nga Evropa 700 Euro. Këtu pra përfshihen një shumë bruto që mbulon një pagë minimale të mësuesit dhe një ndihmë-pagesë për udhëtimin. Tjerat shpenzime duhet të mbulohen nga vet studentët. Një shumë e caktuar do të lehtësonte ndërlikimin që krijohet nga një burokraci inefektive.
Ndoshta ka prej atyre që kundërshtojnë që një shumë e tillë do të ishte e tepërt. Unë ju kujtoj se një numër i madh i këtyre studentëve janë të papunë dhe incentiva do të shërbente që ata të mbulojnë vetëm një pjesë të harxhimeve. E dyta, kjo pagesë nuk përmban asnjë agjendë ngase fëmijët e të gjitha shtresave do të përfitojnë nga ky projekt. E treta, ky është një investim afat-gjatë. Nëse Kosova mendon të kthej trurin dhe të stimulojë gjeneratat e ardhshme të investojnë dhe mendojnë për vendin e tyre, ky projekt i ofron ata me realitetin më shumë se kurrë.
Konkludimet
Në përfundimin e kurseve, secili ligjërues duhet të vlerësohet nga nxënësit. Ky vlerësim duhet të përmbajë pyetësorë pa emër dhe mbiemër që secili nxënës ka rastin ta vlerësojë ligjëruesin pa cekur emrin e tij/ saj. Vlerësimet për nxënësit nën moshën 14 vjeçare duhet të plotësohen nga prindërit.
Të gjitha ato vlerësime duhet ti dorëzohen Ministrisë së Arsimit e cila pastaj në bazë të tyre llogarit nëse i njëjti person fiton të drejtën të aplikoj prapë. Të gjitha këto vlerësime për ligjëruesit duhet t’i dorëzohen ambasadave përkatëse që të kenë shënime për referenca.
Më tej, me përfundimin e ligjërimit, secili ligjërues duhet të merr një certifikatë falënderimi nga Ministria e Arsimit në Kosovë që ju shërben atyre si një dokument faktues për rezymenë e tyre dhe njëkohësisht një falënderim nga qeveria e Kosovës.
Përfundimisht, secili ligjërues është i obliguar të shkruaj një përmbledhje personale reflektimi dhe të njëjtë kohë të ofroj vlerësimin për nxënësit dhe çfarëdo rekomandime tjera që mund të përmirësojnë arsimin në vendin tonë.
Ky projekt nuk është perfekt dhe mbetet një ide e kahmotshme e imja, por me siguri se ofron një shteg drejt një nismë të mbarë. Projekti duhet të merret seriozisht dhe realizimi konkret mund të fillojë me një pilot-projekt në njërën nga ambasadat tona. Për mendimin tim, këtu përfitojnë fëmijët në Kosovë dhe njëkohësisht e afron diasporën me vendin. Gjithashtu, nuk përmban asnjë agjendë politike andaj duhet të përkrahet nga të gjitha partitë politike.
Koha është armiku më i madh dhe çfarëdo neglizhimi i mëtejshëm vetëm do ta bëjë këtë më të vështirë që të realizohet. Kosova dhe Shqipëria kanë një fuqi të madhe të kapitalit njerëzor që jeton jashtë vendit dhe është koha e fundit që të dy qeveritë t’iu qasen me një seriozitet atyre. Nëse nuk ndërrohet kursi, edhe Kosova edhe Shqipëria rrezikojnë të humbin margaritarin që e kanë jashtë vendit. Diaspora ju përgjigj thirrjes “Vendlindja Thërret”, është koha që Kosova t’i kthejë borxhin diasporës dhe t’i përgjigjet projektit “Diaspora Thërret.”
Autori është:Student në The New School University – New York. Mund ta ndiqni në Twitter @dimalbasha