• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DIASPORA NE SUEDI- Kulturë dhe biznes shqiptar në Malmo

December 22, 2014 by dgreca

Nga Nini Mano/- Për vitin 2014, në 19 nëntor vajzës së re 25-vjeçare shqiptare, Fatime Nexhipovska j’u dha në dorë çmimi “Frymëzuese për një shoqëri më të mirë” nga princi i Suedisë, Carl Philip dhe Sofia Hellqvist, ndërsa biznesi i saj u vlerësua si “një formë për të vënë në dukje idetë, pasionet dhe vullnetin e të rinjve, nxitjen e tyre për t’a parë me optimizëm të ardhmen. Një formë e tillë sipërmarrje synon të zgjerojë vetë nocionin “Sipërmarrje” dhe të tregojë se gjenden lloje të ndryshme sipërmarrësish”.
Me prindër shqiptarë nga Prespa, Fatime Nexhipovska ka lindur 25 vite më parë në Suedi, por fare e re, u bë e njohur për angazhimin si veprimtare në shërbim të të rinjve. Në 2012 krijoi biznesin social ”Brightful”, që ofron konsulencë të plotë për përgatitjen e mentorëve për të punuar me nxënës nga klasa e 5-të deri tek e 9-ta, nëpër shkollat 9-vjeçare. Sot, edhe pse vetëm 25 vjeç, synon që të rinjtë të zhvillojnë personalitetin e tyre në moshë fare të re duke u nisur nga dëshirat, idetë dhe qëllimet për të ardhmen, bashkë me mënyrën që duhet ndjekur për t’i realizuar.
Për gjithçka ka arritur Fatime Nexhipovska, u soll si model i suksesshëm shqiptarësh në Suedi në një mbrëmje festive për festat e Nëntorit, organizuar nga Shoqata Kulturore “Tirana”, në Malmo. Veç takimeve të shpeshta mes shqiptarësh tek zyrat e shoqatës, festimet në grupe të mëdha janë mundësi e mirë për të njohur arritje të spikatura bashkëkombasish, që sjellin bashkë me krenarinë, edhe modele për t’u ndjekur nga më të rinjtë.
“Shumë nga të rinjtë që takoj, ndihen të pasigurt për të ardhmen, ndaj me grupin që drejtoj, i ndihmojmë që të mos fokusohen tek problemi, por tek zgjidhja e tij”, tregon Fatimja biznesin e saj social që ka hapur, me fokus, punën me të rinj se si të mund të gjejnë kënaqësinë për t’u rritur sipas idhujve që zgjedhin për t’i udhëhequr në jetë deri sa të arrijnë qëllimet.
Brenda një viti, vajza e re me vullnet përmes referateve, workshop-eve, bisedave të drejtpërdrejta ka takuar, frymëzuar e nxitur besimin për të ardhmen tek mbi 100 të rinj. Për këtë sipërmarrëse sociale edhe pse e re, nuk vonoi vlerësimi i shtetit suedez.
“Shtëpia” që mbledh shqiptarët në Malmo
Shqiptarët e trojeve jashtë kufirit me Shqipërinë, rreth 50 mijë e prekën herët, para 35 vitesh Suedinë, ku ndjenë përshtatjen e mentaliteteve, që sot reflektohet tek brezi i fëmijëve të tyre, që nuk dallojnë prej suedezëve. E kupton kur ndodhesh mes tyre në Malmo, qyteti i tretë nga madhësia në Suedi, sikurse tek gëzojnë së bashku festat e nëntorit, në mbrëmjet e organizuara nga shoqata Kulturore “Tirana”, ndjen se secili i ruan brenda vetes rrënjët e origjinës.
Në qytetin Malmö, i treti për nga madhësia në Suedi, pas viteve 90-të kanë mbërritur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë rreth 1300 shqiptarë, prej të cilëve, një grup i vogël punuan e krijuan në 8 shkurt 2003 shoqatën me emrin e kryeqytetit, Tirana. Prej vitesh zyra e saj është kthyer në një vend të ngrohtë takimesh, ndjesi malli e dashurie të fortë për vendlindjen, dhe pse jo, ndoshta mbajnë në shpirt në mijëra kilometra larg, edhe traditën e një historie shekullore emigrantësh shqiptarësh nëpër botë.
Zyra e shoqatës kulturore “Tirana” ndërtuar sipas modelit suedez, sot është pika e fortë që mbart traditat kombëtare sidomos tek të rinjtë e rritur me kulturën dhe mes suedezëve. Maks Cifligu e ka merak dhe kujdeset që ta mbajë përherë hapur lokalin e shoqatës për veprimtari me fëmijë e të rinj, që e vizitojnë gjatë kohës së lirë. Aty mblidhen jo vetëm banues në lagjen ku ndodhet, por nga tërë Malmö e rrethinat, ku jetojnë rreth 12 mijë shqiptarë nga gjithë trevat shqipfolëse. “Ne synojmë t’i shërbejmë gjithë komunitetit ku jetojmë, ndaj kemi zgjedhur forma të tilla, që zyra të jetë e vizituar nga të rinj, që vijnë dhe kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e leximit, lojrave, bisedave të ndryshme për zakonet e çdo vendi”, tregon Maksi.
Shoqata ka një kryesi, që punon mbi baza vullnetare, që herë pas here ripërtërihet e ku çdo anëtar përbën një shembull pozitiv përpjekjesh integrimi në shoqërinë suedeze. Këtë vit, si rastësi e bukur, ka më shumë gra: Dhurata Alla, mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo, pedagogia Rita Cifligu, Liana Xhakollari mjeke në spitalin universitar aty, Shaip Morina, i angazhuar si drejtues për aktivitetet e kohës së lirë dhe sipërmarrësi Adriatik Xhakollari.
Rita Cifligu, ndër nismëtaret, tregon nisjen kur u mungonte përvoja e organizimit: “Na ndihmoi shumë Enti për Kohën e Lirë në Malmo, që jep kontribut të çmuar me materiale ndihmëse, këshilla, kurse të ndryshme se si duhet formuar, drejtuar, organizuar një shoqatë ideale”. Mësuese në lëndët sociale në 20 vjet në Malmo, ajo ka provuar çdo shkallë mësimdhënie në shkollat suedeze si dhe për shqiptarët. Prej vitesh punon koordinatore me prindër nxënësish të çdo moshe dhe nacionalitetesh në një prej minibashkive në Malmo dhe është anëtare e Entit për punët parandaluese dhe kohën e lirë, ku drejton programe të ndryshme me të rinj e të rritur. Eshtë një model organizimi i suksesshëm në Suedi me të huajt aty, me objektiv, që duke kapërcyer ndryshimet, ata të përshtaten me kulturën e shoqërisë suedeze. Rita vetë mbetet aktive për t’i stimuluar shqiptarët, por dhe t’ua bëjë të njohur suedezëve kulturën shqiptare.
Pogradecarja Liana Xhakollari përveçse kreu studimet e larta për mjekësi në Malmo, punon mjeke në spitalin universitar aty dhe për 4 muaj përfundon specializimin për veshkat. “E kam dëshirë që të hap një klinikë në Shqipëri ku të përdor teknikat e fundit për shërimin e veshkave”, tregon ambicjen gruaja e re, që erdhi 15 vite më parë në Malmo duke ndjekur dashurinë e jetës, Adriatikun.
Ndër vite, aty janë bashkuar shqiptarë nga trojet shqipfolëse jo vetëm nga qytete të tjera në Suedi, por dhe nga Norvegjia e Danimarka. “Qëllimi i shoqatës synon të mbajë gjallë frymën e atdhedashurisë, jo vetëm me aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive për çdo moshë, por duke gjetur frymën e bashkëpunimit me shoqata dhe organizma të tjera, me qëllim integrimin e çdo banori në shoqërinë ku jetojmë”, tregon kryetarja e shoqatës Dhurata Alla, që pasi studioi, sot punon mjeke e përgjithshme në ambulancën e një prej lagjeve të mëdha në Malmo.
Promovimet e shqiptarëve të suksesshëm nga shoqata Kulturore “Tirana” po rrisin interesin mes shqiptarëve për tu njohur me njëri-tjetrin dhe pse jo, dhe nga të huaj të tjerë. Kjo mënyrë organizimi bën që në çdo festë shqiptarësh, takon suedezë, rumunë, sllovenë, të tjerë të interesuar për kulturën shqiptare. Çdo vit Shoqata “Tirana” në bashkëpunim me organizma artistikë nga Shqipëria, fton grupe artistësh, si shkolla e Baletit në Tiranë, shoqata ”Artisti”, grupi artistik ”Kolonja”, grupi artistik ”Bluepidamus”, etj, ku kulmi mbeten festat e Nëntorit.
“Nuk mblidhemi vetëm për të kënduar e kërcyer, por dhe të promovojmë vlerat, që shumë shqiptarë po arrijnë këtu. Bashkëpunojmë dhe presim sugjerimet e sipërmarrësve tanë duke ftuar njerëz me kontribut të spikatur, modele, jo vetëm për t’u ndjekur, por dhe t’i njohë çdo shqiptar në Suedi”, tregon synimet e shoqatës Rita Cifligu. Nëntori i sivjetëm në Malmo me përvjetorin e 102-të të Ditës së Flamurit dhe 70-vjetorin e çlirimit, mblodhi dhjetra shqiptarë në një mbrëmje me aromë Shqipërie me këngëtaren Ludmilla Baballëku dhe Arben Zhezha.
Modele shqiptarësh të suksesshëm në biznese
Në Malmo dhe rrethinat, Adriatik Xhakollari njihet si sipërmarrës shqiptar, që ka prej vitesh biznesin e mirëmbajtjes së banesave dhe një agjenci punëtorësh të specializuar. Me origjinë nga Skrapari, i rritur në Laç, fare i ri emigroi me anijen “Panama” në Itali dhe pas dy vitesh u vendos në Malmo. Prej 20 vitesh sot ai jeton me Lianën dhe dy fëmijë, që e flasin bukur shqipen.
Në pak ditë qëndrimi në Malmo e ke lehtë të takosh shqiptarë, që të integruar në shoqërinë suedeze, kanë krijuar profilet e tyre sociale, kanë biznese, kryesisht në fushën e shërbimeve si Adriatiku, me restorante, apo lokale dëfrimi. Një restorant i një shqiptari nga Maqedonia me të punësuar shqiptarë, mbushet plot me suedezë, kinezë, arabë, patjetër dhe shqiptarë, që shijojnë byrekun, por dhe tavat karakteristike.
Befasi krijon lokali muzikor i Agronit, një strugan, që vendosur para 35 vitesh në Malmo, ka grupin e vet muzikor ku buçet muzika shqiptare. Aty çdo fundjavë grupe vajzash dhe djemsh të rinj mblidhen dhe kur bisedon me ta, kupton se ndonëse të rritur në Suedi e ku ndihen suedezë, malli për atdheun u rri ndër sy.
Nga Lundi vjen Viktoria Malo, sociologe. Jeta e vuri në provë tek mësoi se djali i vogël 3-vjeçar kishte autizëm. Pasi kaloi frikën e parë, ju përkushtua biznesit social për njerëz me aftësi të kufizuara, duke lënë punën 20-vjeçare në Entin e Migracionit. Prej vitit 2007, nuk është ndalur dhe sot ka një nga ndërmarrjet më të mira në Suedi. Në vitin 2010 u nominua si një nga 900 ambasadorët e biznesit nga Bordi Suedez për Ekonomi dhe Rritje Rajonale, (që ndjek rritjen e qëndrueshme e të vazhdueshme të biznesit në Suedi).
“Sivjet, sfida ime mban emrin “Stokholm””, tregon Viktoria nisjen për të hapur atje qëndrën e dytë. Si gjithë jeta e saj luftarake, e di se do t’ja dalë, se di që cdo punë kërkon përkushtim të veçantë, pale kur bëhet ndaj njerëzve me aftësi të kufizuar. Viktoria Malo vlerëson reformën në kujdesin shëndetësor që nisi Suedia në vitin 1994 kur u fut shërbimi privat për njerëzit me aftësi të kufizuar me më shumë liri përzgjedhjeje. Si grua në biznes, suksesin e ka arritur përmes sfidave: “janë përzgjedhjet tona që tregojnë se cilët jemi, shumë më tepër se’ç mund të na tregojnë aftësitë që kemi”, thotë Viktoria Malo, që gjithë jetën ka ecur në kërkim për të njohur veten, të tjerët.
Nga sipërmarrja, tek gruaja në politikën suedeze, është ecja e Mira Gërxhaliu, që 8 vjec me familjen nga Mitrovica e Kosovës, emigroi në Suedi. Diplomuar për menaxhim ndërmarrjesh, prej 3 vitesh Mira ka biznesin e vet për organizim dasmash dhe eventesh. Jeton me dy fëmijët në qytetin turistik, Höganäs dhe së fundi është pjesë e politikës së djathtë me partinë Moderaterna në Suedi.
Gruaja e re në politikë, është zv/kryetare e Bordit të mirëqënies sociale në komunë, para pak muajsh kandidoi në zgjedhjet komunale, u votua dhe u zgjodh anëtare e Këshillit Bashkiak në Höganäs, ku mban deytyrën e zëvëndëses të Entit Arsimor. Sivjet ka hapur biznesin e dytë, firmën konsulence “R&G Trade Business development”, me drejtim investime në agrobujqësi në Kosovë. “Dëshiroj të dicka në trojet tona”, thotë Mira Gërxhalliu. Qëllimet e jetës i lidh me ambicjet: “ndihem e lumtur kur shikoj rezultate të mira, ndihem mirë kur kontribuoj për shtetin, fëmijët dhe familjen time. Mbi të gjitha, dua t’u përcjell mesazhin e një modeli pune fëmijëve të mi, që ta dinë se asgjë nuk është e pamundur nëse e do punën”.
Elvira Haxhiaga mbrriti nga Kosova në Malmo shumë e re. Ndonëse ka aty 23 vjet, ndryshimet në mentalitete i nxitën idenë për biznes në fushën e psikoanalizës, kryesisht rritjen e vetvlerësimit pozitiv tek pacientë nën depresion. Fare e re nisi përkthyese e anglishtes në ndihmë të grave shtatzëna nëpër maternitete në Suedi, Finlandë e Norvegji nga gjuhët shqip e sërbokroatisht. Studente për Informatikë në Universitetin e Lund u përfshi në projekte për mediat digitale, dha leksione mbi teknologjinë kompjuterike, drejtoi lajmet në dy Radio lokale, u zgjodh koordinatore mes shoqatave rinore suedeze dhe multi-etnike në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar, që synonin punësimin dhe integrimin e tyre në shoqërinë suedeze.
Prej vitit 2007 Elvira Haxhiaga ka biznesin e vet “Obruten Mark” me terapi këshilluese. “Jam e zgjedhur si eksperte nga shteti dhe zhvilloj leksione me organizata e kompani në Suedi dhe Danimarkë mbi zhvillimin personal, karrierën, punësimin”, tregon ajo. Nga viti 2012 Elvira Xhilaga ka zgjeruar biznesin në Maqedoni e Kosovë dhe së fundi synon Shqipërinë ku mendon se ka shumë punë, pasi ndryshe nga suedezët, shqiptarët në vend që të bëjnë diçka të vlefshme në jetë, studjojnë për një diplomë apo tituj, edhe pse nuk u hyjnë shumë në punë, cka u krijon gjendje depresive.
Fierakja Julia Shameti Fridevik, nënë e tre fëmijëve jeton në qytetin Helsingborg, ku ka biznes sallonin e bukurisë “Spegeln”. Njihet si artiste dhe bamirësi, merr pjesë në cdo maratonë vrapimi me flamurin shqiptar mbi shpatulla në finish. Për të shkruar gazeta lokale një artikull me përshtypjet e klientëve për punën e Julias, që tregon rrugën ku mbrriti deri sot. “Sa mbrrita 12 vjet më parë në Suedi, linda fëmijën e tretë, u përballa me shumë vështirësi, isha pa punë, nuk njihja gjuhën vëndase, por e vendosur të mos kthehesha pas. Kështu nisa ta mësoj nga librat e fëmijëve, cdo ditë punoja 4 orë tek Fondacioni bamirës ”Öppet Hand,” ku paketoja veshje e ushqime për vendet e varfëra e kështu mësova gjuhën. Më pas u diplomova si parukiere, nisa punë në sallone të ndryshme deri sa u vendosa në Helsingborg ku kursimet i investova për një sallon bukurie. Shpejt kuptova se kisha bërë zgjedhje të drejtë”. Julia Fridevik si grua në biznes, vlerëson që shumë shqiptare me fëmijë, janë shkolluar në universitete në Suedi dhe mendon se “kur njeriu zgjedh të bëj atë që do, nuk ka ndryshim nëse je burrë, apo grua”.
Duke bërë cdo vit me promovim shqiptarësh të shquar, nisma e shoqatës Kulturore “Tirana” tashmë është përhapur ndër të tjera shoqata shqiptarësh.
Mira Gërxhalliu, që është dhe nënëkryetare e Ligës së shoqatave “Iliria” tregon se ka nisur puna për një botim special me shqiptarët e suksesshëm në Suedi, që do të promovohet mot në Stokholm. Mes tyre, patjetër dhe gjithë sipërmarrëset gra, që janë fokusuar drejt bizneseve sociale. Një fushë, që e nxitur nga shteti, krijon një brez të përgjegjshëm, të lumtur, që e vecon Suedinë në botë, ndërsa për shqiptarët e integruar shënon pikën e barazimit mes mentaliteteve shqiptare dhe suedeze.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Diaspora ne Suedi, shqiptaret ne Malmoe

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT