• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DUKET SE PO TRASHEN PUNËT RRETH TRUALLIT TË SHTËPISË SË NËNE TEREZËS NË SHKUP

May 14, 2020 by dgreca

 – Ka gisht edhe një firmë nga Shqipëria/

Nga Frank Shkreli/

Pardje kisha bërë një analizë modeste mbi njoftimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhej se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.  Unë citova një deklaratë për mediat vendore në Shkup të Shefit të ITSHKSH-së — një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut, Z. Skender Asani, në të cilën shprehte indinjatën e tij të thellë për këtë veprim të pa përgjegjëshëm.  Z. Asani e ka e cilësuar shlyerjen e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup si, “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.

https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-a-e-di-kush-cka-po-ndodh-ne-shkup-me-shtepine-e-nene-terezes-2/

Por, sipas një njoftimi sot nga Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe (shikoni raportin e plotë nga korrespondenti i VOA-s, Isak Ramadani nga Shkupi), trualli nga ku janë shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës, siç kam njoftuar në një shkrim pardje – e për të cilën Z. Asani njoftoi botën para dy ditësh – trualli në fjalë i qenka shitur “vite më parë” një kompanie nga Shqipëria.  Sipas raportit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, i cili sjell sot një reagim të ri në lidhje me ketë çështje nga Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), raporti I VOA-s thekson në lidhje me ketë çështje reagimin e Kryetarit të Bashkisë së Shkupit, i cili njofton përzierjen e një firme nga Shqipëria, në ketë ndërmarrje, duke thënë:  “Kreu i Shkupit, Petre Shilegov, ndërkaq i kritikon palët që reagojnë tani, sepse ato nuk kishin reaguar vite më parë kur parcela u privatizua dhe iu dha një kompanie nga ana e strukturave të mëparshme qeverisëse.  Zoti Shilegov u tha gazetarëve se, sipas VOA-s se  “Ky lokacion do t’u kthehet qytetarëve”.  Parcela i ishte shitur kompanisë Amadeus Group nga Shqipëria gjatë qeverisjes mbi dhjetë vjeçare të VMRO-DPMNE-së me Nikolla Gruevskin në krye, dhe aty duhej të ndërtohej një kopje e “Shkallëve spanjolle”, ka thënë zyrtari i lartë i Shkupit. “Qeveria e mëparshme e ndërtoi para disa vitesh shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezës disa qindra metra larg sheshit, ku ndodhej shtëpia e lindjes së nobelistes dhe shenjtores që ishte prishur nga autoritetet komuniste të kohës me arsyetimin se ishte dëmtuar në tërmetin e vitit 1963”, raportoi sot, Zëri i Amerikës.

https://www.zeriamerikes.com/a/shkup-reagime-ndaj-heqjes-së-shenjave-në-shtëpinë-e-lindjes-së-nënë-terezës/5419732.html

Lind pyetja tani. Kush është kjo kompani nga Shqipëria dhe a ka gisht ajo – drejt për drejt ose tërthorazi — në zhdukjen e gjurmëve të truallit të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkup?  Po qeveria shqiptare në Tiranë kishte dijeni për ketë transakcion të blerjes së këtij trualli nga një kompani shqiptare dhe a kishte dijeni Tirana zyrtare se për çfarë qellimi do përdorej kjo tokë eventualisht dhe nëse ishte në plan, ç’prej atëherë, që të shlyheshin gjurmët e shtëpisë së Nënën Terezës në atë vend?  Media shqiptare duhet të bëjë pyetje për ndriçimin e mëtejm të kësaj situate.

Urime Z. Skender Asani, Drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së), i cili po përpiqet t’ia dali në krye kësaj çështjeje dhe të zbulohet se ç’po ndodhë, me të vërtetë, në këtë mes – një zhvillim ky, të cilit të pakën nga një këndveshtrim imi nga këndej oqeanit, nuk i vjen erë e mirë hiç.

Do të ishte një veprim tepër ironik, në mos edhe kriminal, anti-patriotik po se po, që një firmë nga Shqipëria të bëhet shkak i shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezës në Shkupin, dikurë shqiptar – në përpjekjet e sllavo-maqedonasve për të shlyer gjurmët e identitetit dhe të pranisë historike shekullore të shqiptarëve në trojet e veta. Fatkqesisht, nuk do të çuditesha!

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Shtepia e Nene Terezes

A DI KUSH SE ÇKA PO NDODHË NË SHKUP ME SHTËPINË E NËNË TEREZËS?

May 12, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/

Disa portale shqiptare, përfshirë edhe agjencinë INA në Shkup, njoftuan të martën për reagimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhet se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.

Në një deklaratë për mediat vendore në Shkup, Shefi i ITSHKSH-së një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut Z. Skender Asani, shpreh indinjatën e thellë për këtë veprim të papërgjegjëshëm duke e cilësuar atë si “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.  Tani për tani, nuk e kam të ekzaktësisht të qartë, nga burimet e deritanishme, se vërtetë çka po ndodhë me shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup, por duke u bazuar në deklaratën e Z. Asani për mediat, deklaratën e të cilit nuk kemi ndonjë arsye që ta dyshojmë duket se zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup, është një punë e kryer, megjithse nuk dihet se kush e mori vendimin dhe kur, ose pse, ka thënë Z. Skender Asani:  “Jemi sot këtu, në sheshin e Kryeqytetit, për të tërhequr vërejtjen për një veprim që është ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit dhe që na ka shqetësuar jo vetëm neve si studiues e si shkupjanë, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.  Siç e shihni, në këtë vend tashmë nuk ekzistojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë dhe pos kësaj, është bllokuar edhe rruga për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të kësaj shtëpie. Pavarësisht thashethemeve, të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur, andaj ky vend tashmë disa vjet konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut Nënës Terezë dhe ishte shndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj. Por, ja që tash, me një vendim që nuk dimë si është marrë, kur është marrë dhe nga kush është marrë, ky park i ka mbuluar shenjat e shtëpisë së Nënës Terezë dhe, përveç kësaj, ka pamundësuar vendosjen e luleve në pllakën përkujtimore të saj.”, ka deklaruar të martën për mediat, Shefi i ITSHKSH-së, Z. Skender Asani.

  1. Asani dhe enti që ai kryeson, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, njëkohësisht, përgjegjës edhe për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut Nënës Terezë, ka bërë tani protesta me anë letrash duke kërkuar shpjegime për këtë akt të papërgjegjëshëm dhe sulm ndaj Bijës më të madhe shqiptare në botë nga udhëheqësit dhe entet më të larta të shtetit dhe të qeverisë së Maqedonisë Veriut, përfshirë Kryetarin e qytetit të Shkupit i cili është përgjegjësi kryesor për sheshin në fjalë që të rishqyrtojnë këtë vendim të papërgjegjëshëm. Z.Asani tha për median vendore se do presë edhe disa ditë për të parë se si do përgjigjen instancat më të larta maqedonase ndaj këtij akti, por shtoi se në mungesë të një zgjidhjeve të kënaqshme të këtij problemi, ai ka në plan të ndërmarrë një fushatë ndërkombëtare për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga miqtë e Nënë Terezës, anë e mbanë botës, raporton agjencia INA.

Pasi Zoti Skender Asani është shef i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përgjegjës edhe për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut  Nënës Terezë, si do të reagojnë për ketë akt kundër trashëgimisë shqiptare në Shkupin, dikur shqiptar dy shtetet shqiptare – Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës? Nëqoftëse bazohemi në përvojën e së kaluarës, mos pritni asgjë, asnjë reagim, asnjë protestë.  Se pse këta jo vetëm që nuk kanë mbrojtur deri tani trashëgiminë kulturore e historike shqiptare në trojet shqiptare jashtë kufijve të tyre, por kjo klasë politike ka mbylllur sytë dhe gojën ndaj përdhosjes së trojeve shqiptare me ngritjen e monumenteve turke, greke e sllave gjatë viteve, në tokat e shenjta shqiptare.  Kësaj klase politike, nuk i intereson as shtëpia e Nënë Terezës në Shkup as trashëgimia kulturore mijëvjeçare e Kombit shqiptar në trojet shekullore të tij, në përgjithësi.  Mbarë trojet shqiptare, sipas tyre, do të jenë pjesë e të ashtuquajturit minishengen ballkanik, por jo më parë se të fshihen të gjitha gjurmët e historisë, kulturës dhe identitetit të shqiptarve në ato troje.  Edhe në këtë rast, nuk presim gjë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, po nga komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjë presion qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që të ndryshojë vendimin e papërgjegjëshëm të sllavo-maqedonasve.

Ndoshta ia vlen pak histori  për shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezes në Shkup, që siç duket nuk ekziston më, por që ndoshta hedh pakëz dritë për arsyet se pse pikërish tani u mor ky vendim. Ndoshta nuk është e rastit që “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës” në Shkup po ndodh pikërisht në 1-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shkup (me 7 Maj, 2019). Me atë rast Radio Vatikani shkruante kështu Shtëpinë e Nënë Terezës, që nuk është më: “Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit”, ka shënuar Radio Vatikani me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shtëpinë Pëkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, me 7 Maj të vitit që kaloi.

Radio Vatikani ka njoftuar me atë rast gjithashtu se në atë vend, Papa Françesku u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtores shqiptare. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës. Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësonin 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dhuroi botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin.

Në  vizitën e parë historike të një Pape në Maqedoninë e Veriut, në Shkup (7 maj 2019), dikur selia e Ipeshkvisë shqiptare Shkup-Prizren, ishte një vizitë e qëllimshme për të thekësuar jetën dhe veprat e Nënë Terezës, aty në trollin që e lindi atë dhe për të nenvijuar rolin e saj për të gjithë besimtarët por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë kudo në botë. Me të arritur në aerportin e Shkupit, ekzakt një vit më parë, Papa Françesku ka folur për qëllimin e vizitës së tij në vendlindjen e Nënë Terezës.“Dua të nderoj në mёnyrё të veçantë bashkëqytetaren tuaj të shquar e cila, dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj të tjerëve e bëri ligj më të lartë, duke fituar admirimin në mbarë botën. I referohem në mënyrë të qartë asaj që universalisht njihet si Nëna Tereze e Kalkutës. Ajo lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e tё plotë tё vetvetes, në Indi, dhe përmes motrave të saj mbërrini nё kufijtë më të skajshëm gjeografik dhe ekzistencial tё njerëzimit”.

“Jam i lumtur qё pas pak do tё mund tё shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, Kishë kjo në të cilën u pagëzua Nёna Tereze. Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë Grua të madhe. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me angazhim, përkushtim dhe shpresë, që bijtë dhe bijat e kësaj toke tё mund, sipas shembullit tё saj, të zbulojnë, të arrijnë dhe të rrisin e përforcojnë thirrjen që Zoti ka ëndërruar për ta. Nëna Tereze diti t’u bënte mirë më të varfërve”.

Fatkeqësisht, bijtë dhe bijat e asaj toke, të cilëve iu drejtua Papa Françesku në vizitën e tij Shkupit një vit më parë, jo vetëm që nuk po ndjekin shembullin e saj, por po ia zhdukin edhe gjurmët fizike Nënë Terezës, pikërisht aty ku ka lindur ajo.  Por kot e kanë se sado që të mundohen, nuk mund ta fshijnë atë nga zemrat e qindra miliona njerzëve anë e mbanë botës, përfshir edhe shumë shqiptarë vullnet mirë, pa dallim feje a krahine.

 Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli, Shtepia e Nene Terezes

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT