Lamtumirë Ermal, lamtumirë dhëndër i bukur në Parajsë/
Familja e tij po përgatitej për ta bërë dhëndër të bukur, por ai iku dhëndër gjithë nur në parajsë/
Nga Keze Kozeta ZYLAJ/
Komuniteti shqiptar këto ditë në Staten Island, New York dhe më gjerë u hidhërua pamasë nga lajmi tronditës i ikjes papritur nga kjo botë të të riut 27 vjeçar Ermal Agim Zylaj.
Ermal Zylaj ndërroi jetë befasisht, më 29 Maj, në muajin e trëndafilave, me aromë elbasanase në vendin ku u lind dhe u rrit, duke lënë pas në pikëllim prindërit e tij
Agim dhe Shkëndije Zylaj, vëllain e vetëm Eraldin si dhe të fejuarën e tij Greta Gjecin.
Ëndrrat e tij të bukura, rinore u prenë mjerisht në mes.
Këto lajme të hidhura shokojnë të madh e të vogël kur e dëgjon, jo më ke kur ke lidhje gjaku dhe papritur përfshihesh si në një skenë drame shekspiriane, duke dëgjuar një lajm tragjik që nuk e rrok qiell e tokë.
Personalisht më ngarkuan për të mbajtur eulogjinë, ishte një barrë e rëndë, e rëndë sa një mal për të folur në varrim, por krenare që mbaja mbiemrin Zylaj, mbiemrin e gjakut dhe të gjyshit të tij, Elmazit, që e donte aq shumë, dhe u detyrova shpirtërisht ta bëja këtë për ERMALIN, sepse meritonte të shkonte në qiell me nderimet më të larta nga të gjithë ne që e rrethuan, dhe të gjithë ne u bëmë të fortë dhe me kurajo për të përcjellë princin e bukur lart në qiell!
Të gjithë njerëzit që e dëgjuan gjëmën erdhën si rrufe dhe u dogjën nga dhimbja shkrumbuese e ikjes së Tij papritur.
Dita e mërkurë, dita e varrimit ishte një ditë zie, një ditë e rëndë nga se gjithë komuniteti të njohur dhe të panjohur kush e dëgjoi këtë gjëmë u hidhëruan pamasë nga lajmi tronditës i ikjes papritur nga kjo botë të të riut 27 vjeçar Ermal Agim Zylaj.
Ai ndërroi jetë befasisht, më 29 Maj, në muajin më të bukur të vitit, në muajin e trëndafilave me aromë elbasanase, vendin në të cilin u lind dhe u rrit.
Ermali në çdo shkollë që ka qenë qysh nga fillorja dhe deri në Universitet ka mbaruar shkëlqyeshëm çka të bënte të ndiheshe tejet krenar jo vetem si fis, por dhe si shqiptare. Ai mbaroi studimet për shkencë, bio-kimi në Long Island University një universitet i mirënjohur dhe është nderuar për rezultatet e shkëlqyera në këtë universitet, ose siç quhet ndryshe këtu në Amerikë, ka qenë në “Honor program”.
Mbas studimeve Ai punoi si mësues bio-kimie në një shkollë amerikane për pak vjet në qytentin historik te Lezhës. Atje u fejua me nje vajzë të bukur shqiptare, Gretën që tashmë është midis nesh, e cila erdhi ditën e dielë nga Shqipëria për t’i dhënë lamtumirën bashkëshortit të saj të shtrenjtë Ermalit. Ermali kishte përvojë pune gjithashtu në farmaci si dhe vullnetar në spital duke ndihmuar të sëmurët dhe njerëzit në nevojë.
Ai punoi për EMT, si teknik mjekësor i emergjencës ku jepte ndihmën e shpejtë për të sëmurët. Kohët e fundit po punonte si menaxher në Metro PCS store në Brooklyn dhe po kërkonte të vazhdonte karierën e tij për të punuar në laborator kimik, farmaceutik për të cilën kishte mbaruar universitetin dhe donte ta ushtronte profesionin e tij.
Ermali njihte dhe fliste rrjedhshëm disa gjuhë si: shqipen, anglishten dhe spanjishten. Në këto rrethana të vështira dhe traumatike për familjen dhe fisin dhimbja për ikjen e tij shumëfishohet, veçanërisht ajo bëhet me përmasa më tragjike kur ndodh larg Atdheut, larg njerëzve të afërm të shpirtit dhe të zemrës.
Duke u ndodhur përballë këtyre situatave njerëzit në këto vështirësi afrohen dhe më shumë dhe ju ndodhen pranë familjes ku ka ndodhur gjëma.
Ishte tejet tronditëse kur shikoje lotët e nënës së Ermalit, Shkëndijes, që rridhnin si llavë e nxehtë nga shpitri i saj i përvëluar. Familja e tij po përgatitej për ta bërë dhëndër të bukur, por ai iku dhëndër gjithë nur në parajsë. Nusja e tij shqiptare Greta erdhi nga Shqipëria e shoqëruar nga halla e Ermalit, Shpresa, e cila ishte ngarkuar me një peshë të rëndë dhimbjeje sa mali, peshën e dhimbjes për nipin, dhe peshën e dhimbjes për nusen për ta sjellë pranë të dashurit të zemrës, por Shpresa, një mësuese veterane diti ta përballojë si një grua kurajoze dhe i jepte vehtes dhe asaj forcë për këtë gjëmë që i pushtoi.
Ardhja e nuses ishte kujë, ishte lot i papushuar ishte si natyra që ka kaq ditë që derdh pikëllimin e saj, e cila duket sikur po merr pjesë në këtë hidhërim të madh.
Ermali ishte nje djalë i shoqërueshëm, inteligjent, i edukuar, i dashur.
Ai ishte një djalë shumë simpatik, i bukur si drita, Zoti kishte derdhur pakursim bukurinë për Të. Ermali kishte plot ëndrra të bukura për Gretën, familjen dhe të ardhmen. Nusja e Ermalit pritej të vinte në këtë muaj, në datën 5 qershor me bashkim familjar, por fatkeqësisht ajo erdhi pak ditë para kohe për t’i dhënë lamtumirën në vend të kurorës…
Njerëzit erdhën grupe-grupe për të ngushëlluar dhe për të qenë sa më afër familjes që u ndodhën aty, hallave të shtrenjta Dritës dhe Shpresës, dy prindërve intelektualë, ish mësuesëve të nderuar elbasanas, Agimit dhe Shkendijes si dhe vëllait të tij të shtrenjtë Dr.farmacist Erald Zylaj, të cilët humbën djalin dhe vëllain e tyre të vogël, djalin dhe vëllain që e donin aq shumë.
Shërbimet u kryen në “A.Azzara” Funeral Home dhe prej andej trupi i tij u përcoll me dhimbje të madhe e lot në sy për në varrezat “Oceanview Cemetery”, Staten Island, New York, atje ku prehen dhe shumë bashkatdhetarë të tjerë.
Lamtumirë Ermal
Nga Keze Kozeta Zylo
Ti ike pranë yjeve,
Lart në qiell si princ,
Ndërsa poshtë oqeani çmendet dhe fryhet,
Nga lotët e dhimbjes për Ty duke ngritur dallgë mali…
Dora e nuses si dorëzonjë të parfumosi lulen e bardhë në kostum,
Atë kostum që ta veshën prindërit e pikëlluar,
Dhe me krehër të argjendtë të krehën flokët,
Si aureolë degëz yjesh,
Duke të dërguar dhëndër gjithë nur në Parajsë.
Loti i borëbardhës që ra nga syri i saj si tingull funebre,
U bë unazë martese në gisht,
Si unazë kujtimi përjetësisht.
Porta e Parajsës të priti krah hapur,
Mundet t’i jesh dashur për t’i sjellë dashuri rinore,
Dashuri të pastër me sy ëngjëjsh qiellor, si ty i bukuri Ermal.
Fli Ermal, fli i qetë, fli me yjet lart në qiell,
Që kanë vetëm ndriçim,
Dhe prej andej derdh dashurinë tënde si lule zjarri,
Merr kitarën qiellore dhe me rrezet e yjeve si pentagram,
Ndriço dhe shëro nënën dhe babain tënd që të deshën aq shumë!
T’U PREHTË SHPIRTI NË PAQE! LAMTUMIRË ERMAL!
LAMTUMIRË DHËNDËR I BUKUR NË PARAJSË!
3 qershor, 2015
Staten Island, New York