-Vlerëson ambasadori i ri, para 7 vitesh shef i misionit të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler/
PRISHTINË, 11 Nëntor 2015/ Ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler vlerësoi sot progresin e arritur deri tani në Kosovë, ku në periudhën historike të shpalljes së pavarësisë në 2008 ishte shef i misionit të Austrisë.
Në takim me ministen e Dialogut, Edita Tahiri, ambasadori Pfandler tha se Kosova ka bërë përparime mjaft të mëdha që nga koha kur ai ka shërbyer në Kosovë para shtatë vjetësh.
Ai uroi Kosovën për marrëveshjen e Stabilizim Asociim me BE duke thënë se Kosova ka vendosur marrëdhënie kontraktuale me BE-në, tashmë.
Ambasadori Pfandler tha se Austria sikurse në të gjitha kohët e rëndësishme për shtetin e Kosovës do të vazhdojë përkrahjen e fuqishme drejt rrugëtimit në integrime euroatlantike.
Duke vlerësuar dialogun e Brukselit ai po ashtu shtoi se Austria vazhdon të përkrah dialogun si një proces kyç për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes dy vendeve dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve të Kosovës në përgjithësi.Ambasadori Pfandler njëherit konfirmoi angazhimin e Austrisë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral në mes të dy vendeve.
Në takim, ministrja Tahiri ka falënderuar shtetin austriak për ndihmën e vazhdueshme që po i jep Kosovës në përgjithësi si dhe përkrahjes në proceset që lidhen me axhendën euroatlantike./b.j/