PARIS, 9 Nëntor 2015/ Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, shprehet se, “shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën”.
“Fatkeqësisht, për 3 vota nuk fituam shumicën absolute të nevojshme”, shton ai.
“Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç’është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë”, thekson Thaçi.
“Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë. Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës”, përfundon krydiplomati kosovar, Thaçi, në një postim në ‘facebook’ nga Parisi.
Kosovës i munguan vetëm tre vota për pranim në UNESCO, në Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate të OKB-së sot në Paris, pasi nuk kaloi pragun prej dy të tretave nga 195 vendet anëtare. Duheshin së paku 95 vota, ndërsa pro ishin 92, kundër 50, abstenuan 29 shtete.
Më herët Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, rrëzoi me 89 vota kërkesën e Serbisë për shtyrje të votimit. Kërkesa e Serbisë u mbështet nga 59 shtete, ndërsa u abstenua nga 22 të tjera./b.j/