• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Autonomia e tekstit si liri interpretimi”

January 29, 2018 by dgreca

1 Arjeta Fran zef

Arjeta FERLUSHKAJ/

“Veprat letrare na ftojnë për liri interpretimi, sepse na propozojnë një bisedë nga shumë rrafshe leximi dhe na vënë përballë dykuptimësive: edhe të gjuhës edhe të jetës. Por që ta vazhdosh këtë lojë, për hir të së cilës çdo brez i lexon veprat letrare në mënyra të ndryshme, duhet të shtyhesh nga një nderim i thellë për atë që quhet qëllimi i tekstit.” (Umberto Eco)

Dhe pikërisht ne do të merremi me tekstin. Në momentin kur autori ka përfunduar së shkruari dhe e ka publikuar veprën e tij, ai tekst tani i përket lexuesit.

***

Romani “Tobelia e penduar”, në 356 faqet e tij i strukturuar në 34 kapituj, ka një fabul që rrok harkun kohor mbi 100 vjeçar (1880-2008). Nëse fabula do të shkruhej në rend kronologjik, do të kishim këtë rënditje ngjarjesh: romani do të hapej me tablon e viteve 1800, ku personazhe si Lukë Dedushaj, Gjergj Marku, Bardh Luka etj. luftojnë për mbrojtjen e trojeve dhe të lirisë. Në këtë tablo gjithashtu do të hasnim edhe mjaft ngjarje e personazhe historikë të njohur, ashtu si edhe fatet njerëzore të Lukës, Mrikës, Gjergjit, Selvies, Bardhit, Lulës e më pas lindjen e Syzanës, Trimit dhe shtegtimin e tyre në jetë;  fatin e Liries e Lulit gjatë fashizmit, Besartës e Sadikut gjatë komunizmit e pastaj Liridonës me Agronin gjatë regjimit komunist, tranzicionit e deri në vitin 2008, që shënon edhe kohën kur mbyllet fabula.

Mirëpo, duke qenë se letërsisë nuk i interesojnë koha e as faktet historike, autori zgjedh të mos ndjekë linjën e rrëfimit klasik por preferon kompozicionin e përmbysur dhe në diskursin narrativ, pozicionimi kohor në rrëfim krijon një si zig-zag: lexuesi njihet fillimisht me Liridonën (vitet ’60), pastaj kthehet rreth fundit të viteve 1800 kur lind Trimi, më pas njihet me ngjarjen tragjike (tashmë legjendë) të grupit të dasmorëve që vranë njëri-tjetrin në konflikt e me pas sërish rikthehet tek Liridona etj.

Përmes këtij diskursi zig-zag, kuptohet që efekti tek lexuesi është më i goditur.

“Tobelia e penduar” është një roman që nuk të lejon të të shpëtojnë elementet paratekstuale: nisur që nga titulli, kopertina, letrat që ka brenda etj. Paratekstualiteti e parapërgatit lexuesin, e orienton receptimin e tij. Kështu, se do të kemi një kryepersonazh femër, me ndonjë pendesë apo edhe me fat tragjik, këtë na e parathotë titulli, pastaj piktura e zgjedhur për kopertinë: “Malësorja” e Gjelosh Gjokës si dhe ëndrra që sheh Liridona dhe letra e gjetur e shkruar për të nga e ëma, Liria.

Sa i takon ligjërimit narrativ, romani është konceptuar në bazë të anakronive të rrëfimit siç janë analepsa e prolepsa. “Analepse përbën çdo evokim i fakteve të ndodhura të një ngjarjeje të mëparshme në raport me çastin e ligjërimit; prolepsë përbën çdo manovër narrative që evokon paraprakisht një fakt/ngjarje të mëtejshme.” Me interes për ne janë më së shumti prolepsat, apo “padurimi narrativ”, siç i quan Eco, pra kur narratori ofron episode që paralajmërojnë një ngjarje

Përmendim:

  1. Ëndrra që sheh Liridona, përbën një prolepsë duke na parathënë se çfarë do të zbulojë ky personazh në vijim sa i takon prindërve të saj biologjikë.
  2. Letra që gjen mbas fotos së Besartës me një vajze të re është një tjetër prolepsë që paralajmëron histori të dhimbshme në kohë të vështira lufte;
  3. Ndodhia e dasmorëve që vriten në udhë dhe shpëtimi i dy nuseve, është shtegu që e fut lexuesin në fazën e përgatitjes për të kuptuar “Tobeline e penduar”: ato dy nuse që shpëtuan do ta shpallnin veten tobeli, e shumë vite më pas, pikërisht në duart e dy vajzave tobeli do të vdesë Bardh Luka dhe së fundi, do të jetë Syzana që do të jetë ajo vajza e shpallur tobeli por që do të pendohet gjatë rrugëtimit të saj.

Një padurim narrativ është edhe prezenca në mungesë e personazhit të Trimit, i cili përmendet që në kapitujt e parë por ama ai shfaqet personazh në veprim vetëm në kapitullin e 23-të.

Këto dhe shumë prolepsa të tjera në roman nuk bëjnë tjetër veçse e zgjojnë interesin e lexuesit për hamendësime mundësish, duke e bërë proçesin e leximit të veprës më përfshirës e natyrisht, më tërheqës.

Letërsia si qëllim

Çdo vepër letrare, në forma të ndryshme, kërkon të kumtojë diçka, të përcjellë një mesazh, qoftë sipas formulës “arti për art”, qoftë sipas formulës tjetër “arti si mision”. Duke lexuar “Tobelinë e penduar”, është e pamundur të mos dallosh mesazhin si qëllim. Qëllim ky i shpërndarë në disa episode e personazhe:

  1. Qëllimi autorial, i filtruar përmes tekstit, është që të mos harrohen sakrificat e kombit shqiptar në përpjekje për të ruajtur identitetin dhe lirinë individuale e territoriale që i takon. Këtij populli i ka takuar të ndeshet me shumë disfata e përplasje, me periudha të vështira luftrash. Duke i parakaluar në roman jo vetëm një por disa faza historike, përcillet idea se brez pas brezi “lufta” ka pësuar ndryshime: nga lufta me armë ndaj pushtuesve të huaj, lufta ndaj fashizmit, lufta ndaj dekadave diktatoriale komuniste, deri te lufta e përplasja me ikjet masive, plagë këto që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e kombit shqiptar.

“Nuk e kam ditur se ekzistoje!“- është fjalia tronditëse që i thotë Simoni i shtrirë në krevat Liridonës, stërmbesës së tij që i ka shkuar për vizitë mbas shumë vitesh. Skena të tilla flasin për fatin e dhimbshëm e tragjizmat që ka përjetuar e përballuar ky komb.

 

  1. Emancipimi i shoqërisë shqiptare që ruan me fanatizëm të verbër vetitë konservatore, është një tjetër shqetësim autorial i përcjellë në vepër. Mosdakordësimi ndaj zakoneve malësore si, dhuna e gruas në familje, mungesa e shkollimit apo fejesat në djep na jepet përmes një kontrasti: vënia përballë e dy modeleve te familjes malësore: ajo e Gjergj Markut të dhunshëm dhe të pa ditur përkundër familjes së Lukë Dedushaj me parime të shëndosha njerëzore dhe të emancipuar.

Prania e personazhit të Dom Agustinit dhe fjalia “Kemi punë të tjera më të rëndësishme se t’i shkollojmë vajzat!” e prezanton lexuesin me një shqetësim që duket i tejkaluar por që jeton ende sot në zonat më rurale të Shqiperisë.

 

  1. Në kuadër të letërsisë qëllimore është edhe jehona e nderimi i një ndër karakteristikave më identifikuese të kombit shqiptar siç është besa (amaneti i kryer). Këtë nderim e shohim në mjaft ngjarje që rrëfehen në roman.

 

  1. Gjithashtu, ka vëmendjen autoriale edhe lartësimi dhe mirënjohja ndaj figurave historike si Luigj Gurakuqi, Dede Gjo Luli, Tringa e Grudës, Mehmet Shpendi si dhe mikes së shqiptarëve Edith Durham. Vëmendje të veçantë ka përkujtimi i të rinjve që dhanë jetën për të fituar lirinë: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kole Parubi, Gjergj Martini që u pushkatuan nga komunistët.

Marie Shllaku 24 vjeçare: “Kosovë! Sa shpresëmadhe të gjeta e sa zemërplasun po të la! Po edhe në këtë çast të mbramë po i lutem Zotit: gjaku im t’u baftë dritë!”

  1. “Ti shok, jo vetëm dje, por sa e sa herë ke lëruar me dy qe, njëri me qime të zeza e tjetri me të kuqe, për të treguar se sa e do flamurin e Shqipërisë. Pikërisht për këtë edhe i ke blerë dy qe me këto ngjyra. A je i vetëdijshëm se çka do të thotë kjo dhe se çfarë gabimi të madh ke bërë? A e di se mund të kalbesh në burg për këtë vepër të rëndë armiqësore?” – Në këtë paragraf mund të përmblidhet çmenduria dhe paradoksi që iu është dashur të mbajnë në kurriz e ta përballojnë shqiptarët gjatë gjysëm shekullit tragjik që solli diktatura komuniste. Mos-harresa është porosia që na lë Camaj, sepse vetëm kështu mund të shmangim përsëritjen.
  1. “Thonë se njerëzit ia përcaktojnë vetes fatin, por te ne shqiptarët nuk është ashtu. Fatkeqësisht fatin tonë gjithmone e kane pasur në dorë të tjerët.” – Janë fjalët e Trimit kur takon Syzanën personalisht. Duke lexuar këtë roman në vitin 2017-2018 me një topic si fejesa në djep, janë dy perspektiva që na jep teksti: e para, e shohim fejesën në djep me kahje nostalgjike (evokimi i një të kaluare në një epoke moderne) dhe e dyta, fejesa në djep si ironi a sfidë ndaj përçudnimeve e “çmendurive” on-line që mbart sot epoka jonë modern/postmoderne.

Romani “Tobelia e penduar” nis dhe mbaron me Liridonën, një personazh, i cili ka një simbolikë të veçantë: e para, e dallojmë këtë vetëm përmes emrit LIRIDONA – E DUAM LIRINË. E dyta, pikërisht ky personazh mbart dhe përmbush një amanet / fatalitet (tashmë pozitiv) të paraardhësve: tashmë jeton e lirë, falë flijimit të të parëve të saj dhe kurajos së vet.

Hapja dhe mbyllja e romanit me personazhin e Liridonës është një zgjedhje e mirëmenduar qoftë për nga thurja kompozicionale e rrëfimit e qoftë për nga mesazhi që përcjell. Kalimi dhe përcjellja e rrëfimit nga gjyshja (Syzana) deri tek mbesa (Liridona), duke u flijuar në mes e ëma (Liria), ka një simbolike të fuqishme dhe shumëplanëshe ku secili lexues ftohet të komunikojë me veprën sipas kompetencës dhe kodeve të veta.

Në promovimin e romanit “Tobelia e penduar” me autor Fran Camaj

Qendra “Nënë Tereza”, Kisha katolike “Zoja e Shkodrës”

New York, 14 janar 2018

Filed Under: ESSE Tagged With: “Autonomia e tekstit, Arjeta Ferlushkaj, si liri interpretimi”

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT