• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Simon Gjoni dhe himni “Lule bore”

October 30, 2014 by dgreca

Nga Klotilda Saracini/
U nda nga jeta në 31 Tetor 1991-/
Tirane, 30 Tetor/ATSH-Flora Nikolla/- Eshtë një këngë, të cilën jetëgjatësia e pakundërshtueshme artistike e ka shpallur pa zyrtarizma burokratike Himn të muzikës lirike shqiptare.
Është kënga “Lule bore”…(!)
Po të pyesësh njerëz, se cili është kompozitori i saj, shumë syresh, tkurrin supet për të thënë : “se dimë, por ajo është e të gjithëve”, të tjerë të thonë se “është një këngë e popullit…”.
Në morinë e përgjigjeve për autorësinë e kësaj kënge, qëndron pikërisht fshehtësia e magjisë dhe e notës së paaritshme që ajo ka të ngjeshur brenda saj dhe që lidhet vetëm me një emër; kompozitorin dhe dirigjentin e mirënjohur Simon Gjoni.
Pavarësisht se ka 60 vjet që është kompozuar, “Lule bore”, këndohet si në ditët e para që filloi të transmetohet në Radio-Shkodra, si atëherë kur artisti harmonizoi notat për t’ia dorëzuar një mori këngëtarësh, e për të qënë paskësaj e pranishme, së bashku me gëzimin e shqiptarëve, në të gjitha pikat e globit.
I lindur ne qytetin e Shkodrës, talenti i Simon Gjonit, spikati që kur ishte i ri dhe kur kontribuoi si drejtues i shumë formacioneve te ndryshme orkestrale dhe vokale te qytetit te tij. Me nje sensibilitet dhe origjinalitet të dukshëm në kompozicion ai krijoi në vitet 1946-1947 një seri këngësh të paharruara, që shquhen sa për ndjeshmërinë e tyre sa poetike aq edhe të sinqerta, të figurshme dhe fisnike si ,” Lule bore”, “Sy larushes”, “Syte e tu si drita”, “Fyelli i çobanit”, “Nëna dhe çika” etj. Ishin pikërisht këto këngë, të cilat e çuan më tej traditën qytetare të lirikës shkodrane ndërsa u përhapën me shpejtesinë e dritës në Shqipëri.
Sa më lart vetiu, të vjen në mendje se vlera e muzikës dhe e këngës nuk qëndron tek juritë, por vetem tek çmimi që populli e dekoron me jetëgjatësinë e saj. Në Moskë, në vitin 1956 trio Mula, Athanas,Tukiçi, korri sukses të jashtëzakonshëm me këngën Lule bore, në Vjenë në vitin 1961 festivali i rinisë u çel me introduksionin e Lule Bore . E sot, ajo këndohet së bashku me publikun dhe në Nju Jork, ku koncertet përfundojnë me hymnin e kënges shqiptare Lule-bore.
Në ish- Bashkimin Sovjetik, Lule borë, ishte kaq e përhapur sa që shqiptarëve iu drejtoheshin : “a…, ju jeni nga vendi i Lule borë”, kujton këngëtari Avni Mula, një nga interpretuesit më pikantë të kësaj kënge në atë kohë, por që nuk e ka harruar pa një interpretim lirik të mirëfilltë në disa koncerte edhe vajza e tij, sopranoja Inva Mula.
I mirënjohuri Çesk Zadeja e konsideronte “një model të papërsëritshëm në lirikën shqiptare”. Sipas familjarëve të tij, trashëgimtarë të veprës, Simon Gjoni ka dhe mbi 50 këngë të të njëjtit stil si Lule bore, botuar së fundmi nën kujdesin e bashkëshortes së tij, Hermira Gjoni në një album të veçantë.
Pak vite më parë, në një Festival këngë në Radio-Televizion , kur dueti i arrirë artistikisht, Vikena Kamenica dhe Kastriot Tusha, interpretoi këngën “Vajzë e vogël”, e interpretuar vetëm një herë nga Llukë Kaçaj, u duk se publiku e harroi konkurrimin e këngëve-shkak i organizimit të festivalit të fund-vitit.
Salla ishte ngritur e gjitha në këmbë në duartrokitje… Në fakt çmimi i ishte dhënë këngës përshëndetëse, sepse kënga që është këngë, ja që di t’i rezistojë kohës, sistemeve, doktrinave, mentaliteteve, snobizmit…!
Është pikërisht kjo këngë që aktualisht është një këngë hit në Kosovë dhe në diasporën shqiptare.
-Simon Gjoni, legjenda e heshtur e muzikes simfonike
Studimet e larta Simon Gjoni i kreu në Akademinë e Lartë muzikore të Pragës, në klasën e dirizhimit simfonik me profesorët V. Smetacek, R. Brook, A. Klima. Në vitin 1954, ai ishte pjesëmarrës si kompozitor në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës, së bashku me kolosët botërore si Shoporin, Janson, Rihter, Fisher, Fournet, etj. Në vitin 1956 në sallën “Mestska Knihovna” dirigjon Shubert “Rosamunda” dhe Grieg “Perr Gynt”. Po në këtë kohë dirigjon veprën “Pygmalion” të kompozitorit Jiri Benda. Në vitin 1957, në sallen “Dum Umelco”, ai drejtoi “Simfoninë orkestrale për violinë e kontrabas” të K. Dittersdorf. Suksesi i këtij koncerti pasohet nga ai i pjesës simfonike të Franc Listzi-it “Les Preludes”.
Simon Gjoni, është një ndër dirigjentët e parë të orkestrave tona simfonike të Teatrit të Operas dhe Baletit dhe të Radio-Televizionit. Ne vitin 1958, kur u emërua dirigjent në TOB, shumë vepra të shquara e gjetën interpretimin e “parë” tek dirigjenti i ri, i cili i interpretoi ato duke zbuluar ngarkesën emocionale të tyre me një ndjeshmëri të lartë.
Përmendet baleti “Lola”, “Laurencia”, operat “Don Paskuale”, “Berberi i Seviljes”, “Paliacot”, “Franceska da Rimini”, “Pranvera”, etj. Për herë të parë, nën kujdesin e tij, incizoi krijimtarinë e deriatëhershme të kompozitorëve shqiptarë Zadeja, Gaci, Nova, Grimci, operetën “Lejlaja” të T.Daija në operetën “Agimi” të Kristo Konos, Koncertin nr.1 për violinë të Zoraqit, Rapsodinë për piano dhe orkester të T.Harapit, gjithashtu edhe muzikën e disa filmave shqiptare.
Nga autorët botërorë ekzekutoi për herë të parë në Shqipëri Beethoven “Simfoni nr.8″, Mendelson “Uverture”, Beethoven “Eleonora”, Uverture K.M. Veber “Gjuetari Magjik”,Liszt “Prelude”, Dvorzhak “Valle simfonike”.
Krijmtaria e tij ka kaluar thuajse të gjitha gjinitë ; nga kënga, romanca, kantata, suita, poemat, veprat instrumentale e deri tek veprat e mëdha orkestrale si 11 valle simfonike, vepra këto ku ndihet atmosfera e kohës , besimi i kompozitorit ndaj popullit të tij, prezenca e të cilit është e pashmangshme me të gjitha dukuritë në këto vepra.
Në maj te vitit 1960 kompozoi odën lirike “Pranvera jone”, me tekst të Ismail Kadare dhe një suite simfonike me katër kohe. Një vit më pas kompozoi “Poema e rapsodit” për bas-celo-piano. Balada “Lufton shqipja” u këndua menjëherë nga basi i papërsëritshëm Llukë Kacaj. Në 1962 ai kompozoi vallen e parë simfonike shqiptare, e pasuar më pas me 10 valle simfonike të tjera që paraqesin një gërshetim të mrekullueshëm të muzikës së kultivuar me muzikën popullore. Secila nga vallet është një vepër me vete, krejt e veçantë dhe e ndryshme nga të tjerat .
Si pedagog, Simon Gjoni dha nje kontribut të çmuar deri në çastet e fundit të jetës, kur përgatiti me dhjetra studentë. Ai ishte një ndër pedagogët e parë në themelimin e Konservatorit Shtetëror të Tiranës së bashku me Çesk Zadenë, T.Guraziun, Y.Skenderin. Shumë muzikantë e cilësojnë Simon Gjonin si një shëmbull të rrallë ku gjeneratat mund të mësojnë për kërkesat sistematike, këmbënguljen dhe disiplinën e lartë artistike.
U nda nga jeta në 31 Tetor 1991.
Emri i Simon Gjonit, siç e ka cilësuar Zadeja i madh ,”do të mbetet i skalitur në pentagramin e muzikës shqiptare, së cilës i shërbeu me dashuri dhe respekt”.

Filed Under: ESSE Tagged With: “Lule bore”, dhe himni, Klotilda Saracini, Simon Gjoni

Artikujt e fundit

  • GADISHULLI BALLKANIK  
  • Lindja e Mesme, Trump dhe kthimi në Realpolitikë
  • HISTORIA E KRYEVEPRES SË NDOC MARTINIT
  • SI LETRAT BRENDA SHISHEVE…
  • Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror
  • SI U HOQ BUTRINTI NGA DUART E PUBLIKUT
  • Të arratisurit nga Shqipëria deri më 31 tetor 1990
  • Nga lufta e Kosovës, në Distriktin 14-të në New York
  • Hieroglifet e mallit…
  • Një ftesë për shqiptarët e Amerikës
  • VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR NË 50 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI TË NACIONALISTIT ABAS KUPI
  • Si e ka portretizuar Kosova sportin në pullat e saj postare
  • Balluku nuk është rasti, është testi!
  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT