NGA ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA)/
Me përshëndetjen e marrëveshjes së firmosur nga Thaçi dhe Daçiç më 19 Prill, nga BE dhe SHBA, ka filluar tashmë përfundimi i konfliktit ballkanik. Nuk u mbyll me kaq. Një seancë dëgjimore që u zhvillua më 24 Prill në Kongresin Amerikan me dy panele dëshmitarësh tregoi se SHBA është e interesuar që rajoni të jetojë në paqe.
Dialogun Beograd-Prishtinë e udhëheq BE, por më e favorizuar është Serbia edhe pse nuk e ka pranuar genocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Kosovën e Pavarur nuk e kanë dashur qeveritë Serbe që me Titon, por nga sondazhet e sotme populli serb mendon të kundërtën. Qeveritë serbe edhe pse aspirojnë të integrohen me Perëndimin e kanë dhe një sy nga Rusia që bën sikur nuk di gjë për çfarë ndodh, por Rusia i ngroh me pozitën e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Serbia do që ta përsërisë suksesin e arritur me Republikën e Serbëve në Bosnje duke luajtur me kartën e mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe ndikimin me struktura paralele në Veri të Kosovës. Por Serbia përfundimisht, e do dialogun me Perëndimin në favor të saj. Sa të mundet!
Edhe pse konflikti ushtarak Serbi dhe Kosovë mbaroi pothuaj 14 vjet më parë dhe Kosova u shpall e Pavarur nga Serbia 5 vjet më parë, ende Pavarësia e Kosovës mbahet peng nga mosnjohja e pesë vëndeve anëtare të BE-së. E ka të vështirë vetë BE si familje zgjidhjen e konfliktit ballkanik, sepse Fuqitë e Mëdha Europiane bashkë me Rusinë e sakatuan problemin e kombit shqiptar e të Kosovës në veçanti 135 vjet më parë. Janë të thella rrënjët e këtij konflikti. Është dhe jo e lehtë zgjidhja. Dhe konflikti ballkanik po ju kushton më shumë shqiptarëve të Kosovës që kurrë nuk kanë nisur një luftë kundër fqinjëve (Serbëve) përveç qëndresës për liri dhe pavarësi në truallin e tyre të mbushur edhe me kollonë serbë.
” Për fat të keq, marrëveshja ndërmjet Kryeministrit të Serbisë Daçiç dhe Kryeministrit shqiptar të Kosovës është një rregullim i përkohshëm. Nuk jep një kuptim për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe efektive që do të krijojë marëdhënie fqinjësie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
Kjo do të ndodhë vetëm kur Serbia te njohe sovranitetin e Kosovës dhe regjistrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, garanton të drejtat qytetare dhe njerëzore për shqiptarët në Luginën e Preshevës, heq dorë nga strukturat paralele në Veri të Kosovës dhe fokusohet në zhvillimet ekonomike dhe politike të Serbisë”,- nënvizoi zonja Shirley Cloyes Dioguardi, këshilltare dhe analiste për Çështjen e Ballkanit e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane që dëshmoi në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e Pavarësisë së Kosovës.
SHBA vlerësojnë aspirimin e Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në BE. Dhe BE edhe pse ndikon së fundi më shumë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të Pavarur ende nuk e ka sanksionuar se anëtarësimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet me njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Edhe pse Veriu i Kosovës është autonom në fakt, pasi veprojnë strukturat paralele të Serbisë, SHBA po bëjnë kujdes që autonomia të mos bëhet de juro. Ndërkohë, në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan të drejtuar nga Kongresmeni Dana Rohrabacher, ky i fundit kërkoi shpjegime edhe për kërkesën e Luginës së Preshevës për autonomi si ngjashmëri e aplikimeve që kërkon Serbia për Veriun e Kosovës. Përgjigja e Jonathan Moore ishte se Departamenti i Shtetit është i fokusuar në respektimin e sundimit të ligjit për të dy rastet kur minoritetet kanë shumicë në rajone të caktuara.
BE tashmë ka në dorë dialogun por edhe ardhmërinë e rajonit ballkanik nëse bëjmë fjalë për fillimin e përfundimit të konfliktit. Dhunën, tashmë, që më së shumti e ndjellin Serbët, nuk e do më askush, as SHBA dhe as BE.
Mesazhi i Kongresit Amerikan është i qartë si për Kosovën që mbahet me ndihmën ndërkombëtare dhe të Diasporës ashtu edhe për Serbinë që është në prag të kolapsit ekonomik.
Vetëm me sundim të ligjit, me bashkëpunim, me tregëti të lirë si dhe duke ruajtur ekuilibrin e paqes të dy vendet dhe tërë rajoni do të ecin përpara. Kështu dëgjuam edhe nga Kongesmenët Rochrabacher dhe Keating. Ndaj dhe SHBA ka investuar më shumë se BE në rajon dhe po i mbështet demokracitë e reja që të fuqizohen dhe integrohen sa më mirë.
Por pa njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia zor se konflikti ballkanik do të jetë i mbyllur. Edhe Serbia e di këtë, por manovron në hije dhe në diell për ta mbajtur nën kontroll mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës. Dhe duket se tani është më përballë BE-së në Prishtinë dhe në Bruksel.
Por edhe në SHBA, Departamenti dhe Kongresi Amerikan po tregojnë më shumë vëmëndje ndaj Ballkanit në tërësi, se është tërë ai kapital diplomatik, ushtarak dhe financiar që është shpenzuar dhe po shpenzohet në vazhdimësi.
Fati i keq i Kosovës që vuan nga plagët e luftës, kriza ekonomike, korrupsioni i lartë dhe nga ndikimi i dorës së Beogradit në territorin e saj. Kjo situatë e stërgjatur me përparim të ngadaltë, tregon edhe për një keqmanaxhim të agjencive Europiane në Kosovë që jo si duhet e kanë ushtruar misionin e tyre në Kosovë, sepse e kanë rënduar mbikqyrjen e Pavarësisë së Kosovës me mosveprime në kohë, në Veri të saj, për ndalimin e veprimit të strukturave paralele Serbe për kaq vite.
Shqiptarët janë të parët në Ballkan që ky konflikt përmbi një shekull duhet të përfundojë sa më parë. Pa i sakatuar ata për herë të dytë qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi, qoftë në Mal të Zi, qoftë në Maqedoni. Edhe pse kanë më shumë besim tek SHBA që i ka dhënë tonin për bërjen realitet të aspiratave të tyre euro-atlantike, prapëseprapë BE e ka në dorë përshpejtimin e procedurave për integrim në familjen e saj si të Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë bazuar kjo në përmbushjen e kritereve të Integrimit në të. Por njëanshmëria për të favorizuar Serbinë për anëtarësim në BE pa ja bërë mirë të qartë jo vetëm njohjen absolute të Pavarësisë së Kosovës, por edhe garantimin e të drejtave qytetare dhe njerëzore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk është shenjë e mirë për ardhmërinë e Ballkanit në BE. Aq më tepër që Serbia nuk po i dënon krimet kundër njerëzimit në Kosovë. Dialogu është ende i hapur në institucionet ndërkombëtare.
Është fat që lobimi për Kosovën e Pavarur është ende në veprim. Por, vlen për tu theksuar, sepse ne shqiptarët duhet të bashkohemi edhe më shumë, të jemi në krah të zërave lobues të vërtetë, të jemi Një edhe në lobim. Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane gjendet për një çerek shekulli tashmë në vijë të parë si një zë i qartë për të treguar me fakte se çpo ndodh me Kosovën dhe me Pavarësinë e saj. Dhe ka punuar shumë për këtë. Edhe pse e vetme.
Amerika edhe vepron, por edhe dëgjon zërin në mbrojtje të Çështjes shqiptare. Kjo na ngroh më shumë, se Kosova dhe rajoni ka ardhmëri.