Nga Harry Bajraktari/
Tani kur është caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 8 qershor, partitë politike në Kosovë, në prag të kësaj fushate, zhvilluan një luftë të pakompromis për të sjellë sa më shumë anëtarë të rinj e të vjetër brenda tyre, në mënyrë që t’ i forcojnë pozitat për të dalë fitues në këto zgjedhje. Këtu s’ ka asgjë të keqe, sepse, sipas ligjeve të natyrës, çdo gjë ka nevojë për përtëritje, prandaj edhe partitë e shumta në Kosovë, më të shumta sesa në vendet shumëmilionshe, janë nisur furishëm drejt piramidës së pushtetit, duke u përpjekur që t’ i bindin votuesit, shpeshherë të padisponuar e të dëshpruar, se janë duke punuar për interesin e qytetarëve dhe për një shtet stabil, me një ekonomi të qëndrueshme e demokraci evropiane. Atë që kemi parë deri sot tek partië politike që kanë qenë në pushtet dhe tek ato të cilat presin ta marrin këtë, bien në sy premtimet e shumta, jo reale, shpeshherë të pabesueshme. Shumëkush e di se pjesa më e madhe e këtyre premtimeve nuk mund të gjejnë realizimin praktik. Këtë e dinë edhe vetë “kreatorët” partiakë. Hapin më të rëndësishëm që do të duhej ta bënin partitë politike në këtë kohë është krijimi i vetëdijes për shtetin. Pa këtë vetëdije dhe pa një synim të tillë nuk mund të ketë stabilitet, nuk mund të ndalën aferat korruptive, oligarkike, klanore, rajonale dhe fisnore. Nuk është problemi te Kushtetuta, apo te ligjet, por tek kuptimi i vetëdijes për zbatimin e tyre që, për fat të keq, ende s’ po mund të gjendet një rrugë e drejtë. Se partitë politike shikojnë interesat e tyre të ngushta, tregon fakti se ligji për reformën zgjedhore që u gjend disa herë në tryezë, përfundoi pa marrëveshje ngaqë një gjë që i pëlqen njërës , s’ i pëlqen tjetrës .
Ajo që më nxiti të bëj këtë shkrim është morali dhe karakteri i luhuatshëm i disa politikanëve tanë që nuk marrin parasysh parimet, programet e partive në të cilat vetë kanë aderuar në to, strategjinë e zhvillimit ekonomik, përparimin e demokracisë dhe nuk i shikojnë ato a janë të djathta, të majta apo parti të ndonjë profilili tjetër. Me rëndësi për ta është përfitimi personal. Këto ditë po ndjek situatën parazgjedhore në Kosovë dhe për mua, ta them të vërtetën, është diçka e pa shpjegueshme, ndoshta se jam mësuar me një ambient tjetër politik. Pashë disa politikanë të partive të ndryshme në Kosovë, të cilët bënin transferin në mënyrë tejet spektakulare nga një parti në tjetrën, ose më mirë të themi, u krijua një treg publik, ku ata mund të kalonin tek ato parti që u ofronin më shumë kushte: ndonjë pozitë, vend ministror, vend deputeti, apo ndonjë post tjetër. Këta politikanë, që nga përfundimi i luftës e këndej, kanë ndërruar partitë sipas interesave të tyre personal, e jo sipas asaj se çka do të mund të kontribuonin për qytetarët tanë, të cilët presin një jetë më të mirë, një vend pune ku do t’ i siguronin ekzistencën e familjes, një luftë të pakompromis kundër veprimeve jashtëligjore, një të ardhme të sigurisë sociale dhe perspektivë evropiane. Jemi dëshmitarë se disa nga këta politikanë të papërgjegjshëm, me një integritet të luhatshëm, të mos them dyfytyrësi, kanë kaluar nga një parti në tjetrën, madje disa prej tyre i kanë provuar të gjitha partitë dhe pas shumë bredhjeve, disa nga ta janë kthyer tek partia e parë, aty ku shumë kohë më parë filluan karierën, për të vazhduar të njëjtin ciklus. Politikanët e tillë të paintegritet nuk u duhen partive politike, parlamentit të Kosovës, e aq më pak shoqërisë sonë ngaqë u mungon vullneti dhe vetëdija për të kontribuar në ngritjen e shtetit. Liderët e partive duke bërë prezentimin e tyre para mediave të shumta në Kosovë, s’ harrojnë t’ u thurrin biografi të sukseseve, edhe pse atyre u kanë munguar ato, atje ku kanë qenë, përkatësisht në partinë ku ata kanë vepruar. Shpesherë nuk mjafton vetëm emri: duhet punë dhe integritet moral, stabilitet politik e njerëzor. Një numër i këtyre politikanëve transferues (shetitës) s’ ka lënë gjë të keqe pa thënë për programin, liderin dhe partinë e tjetrit, por shpejt i ka gëlltitur të gjitha këto dhe i është kthyer pikërisht aty. Këto raste i pamë tash. Kanë ndodhur edhe më parë. Çka t’ i thuhet kësaj? Si t’ u besohet këtyre njerëzve me dyfytyrësi publike?!
Politika dhe pushteti po keqpërdoret nga këta njerëz dhe nga shumë të tjerë që udhëheqin. Në politikë hyhet për të bërë diferencën, për t’ i krijuar popullit mirëqenje, lumturi dhe dinjitet, duke lënë pas shpine interesat personale, lakminë materiale, gruporet klanore etj. Kjo ende nuk po ndodh! Në partitë tona kemi shumë improvizime dhe këto rrezikojnë gjënë më thelbësore, kreativitetin, si kusht kryesor i stabilitetit dhe i qeverisjes së suksesshme. Mendoj se pa një demokraci të mirëfilltë brenda vetë partive politike, nuk mund të ketë demokraci në nivele të tjera shtetërore, sepse këtu fillon beteja.
Në këtë fushatë parazgjedhore, një gjë pozitive më ra në sy. Fjala është për aderime të njerëzve të rinj në të gjitha partitë politike, dikund më shumë e dikund më pak, nga të të cilët mund të pritet një ndryshim pozitiv në formimin e legjistraturës së ardhshme, pas zgjedhjeve të 8 qershorit. Këtu bëjnë pjesë edhe emra të njohur të shoqërive civile, ku mund të inkuadrohen me sukses në politikë, në parlament, në qeveri dhe në profile të tjera shtetërore. Këta të rinj duhet të jenë prijës të zhvillimeve pozitive. Krijimi i listave për parlamentarë nga partitë politike, edhe kësaj radhe tregoi se brenda për brenda partive, veprojnë klane dhe grupe.
Në këto zgjedhje populli duhet të mendojë më shumë për të ardhshmen e tij, ku vota e shumicës të bëjë diferencën se kur Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e proceseve të tjera zhvillimore. Në të kundërtën, një pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, nuk paraqet vullnetin e shumicës. Për këtë arsye qytetarët duhet t’ u përgjigjen masovisht kutive të votimit. Jo pastaj të kërkojnë një gjë, për të cilën nuk kanë votuar.
Secili votues, duhet të niset nga një parim që vota e tij të mos shkojë huq. Ajo çka është tejet imperative vota e tij duhet të shkojë aty ku ai e ka përcaktuar, të mos manipulohet dhe të mos tjetërsohet. Vetëm vota e pa prekur ka kuptim në demokraci. Në të kundërtën do të ketë manipulim, jo stabilitet, degradim të demokracisë dhe të ardhme të pasigurt për qytetarët e Kosovës.
Kosovës i duhet një qeveri stabile, e pa korruptuar me vizion të qartë për zhvillimin e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe integrimin në proceset evropiane, i duhet një parlament më dinamik, më motivues, e jo një parlament, ku disa deputetë për katër vjet në legjistraturën e kaluar nuk qenë në gjendje të thonë një fjalë të vetëm. Kjo votë është e humbur. Votat e tilla s’ duhet të përsëritën për këta deputetë.
**Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria në New York.