• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U PROMOVUA NË NEW YORK LIBRI “MRI DEDJA E MERRNAÇAJVE, ZOJA E HEKURT ME SHPIRT FLORINI”

September 16, 2023 by s p

Sokol Paja/

New York, 16 Shtator 2023 – Promovim madhështor i librit “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini”. Në sallën e Konferencave “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale – New York, libri i studiuesit Jozef Radi ngjalli kureshtjen e komunitetit shqiptar dhe mbarë diasporës shqiptaro-amerikane në New York e më gjerë. Me pjesëmarrjen masive të komunitetit, miqve e familjarëve, dashamirësve të librit, përfaqësuesëve të Kishës e mediave të komunitetit, libri “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini” është një vepër e shkëlqyer rreth rrëfimeve në vetën e parë të shqiptares së shquar Mri Mërrnaçaj, përfaqësuese e dy prej familjeve më të nderuara e respektuara në Kelmend të Malësisë së Madhe, Nilaj e Merrnaçaj. Ky botim është një nderim i veçantë për vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën heroike të femrës shqiptare. Libri homazh për prindërit e Mrisë, djalit Nik Merrnaçaj e bashkëshortit të ndjerë Marash Merrnaçaj, paraqet qendresën antikomuniste të familjes, arratisjen nga ferri komunist, emigrimin drejtë Malit të Zi e më pas rrugëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën prezantimin brilant të Mikela Nonaj, Famullitari Dom Pjetër Popaj teksa shpalosi tragjizmin dhe vuajtjet në libër, e quajti Mri Mërrnaçajn një heroinë të vërtetë dhe në fjalën e tij foli për fetarinë, bujarinë, fisnikërinë, mirësinë e vlerat e jashtëzakonshme të familjes Merrnaçaj e në veçanti të Mrisë. Një dokumentar historik i përgatitur me profesionalizëm nga TV Albanian Culture paraqiti për pjesëmarrësit jetën e vështirë e plot sakrifica dinjitoze të Mri Mërrnaçaj e familjes së saj. 25 vite në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë, Adem Belliu dhe familja e tij mediatike kanë pasur një lidhje e miqësi me familjen Mërrnaçaj që dokumentohet dhe në dokumentar.

Majori i Yonkersit Mike Spano pasi falenderoi të pranishmit e organizatorët u shpreh se mësimet e historisë kalojnë nëpërmjet dhimbjeve e vuajtjeve. Mësuesja Liza Pllumbi shpalosi në detaje aspekte jetësore të familjes Merrnaçaj dhe u ndal te vlerat e larta të Mrisë në përballje me vuajtjet dhe fatin e jetës.

Prek Ndue Pllumaj apeloi për të pranishmit që të mos harrohet historia e lavdishme e Kelmendit. Pjesa muzikore me violinë e luajtur nga Rozeta Ujkaj e Mimoza Lleshaj shërbeu për pjesëmarrësit si një moment reflektimi, paqeje e qetësimi shpirtëror. Studiuesi Idriz Lamaj u ndal në aspekte shpirtërore të rrëfimit të heroinës Mri Mërrnaçaj. Studiuesi Lamaj kishte sjellë me vete një libër të vogël uratësh dhe ia tregoi Famullitarit Popaj në shenjë nderimi ndaj Monsinjor Zef Oroshit që ia kishte dhuruar Idriz Lamajt plot 52 vite më parë. Lindita Harizaj Dema u shpreh se në libër gjejmë pjesë nga dramat tona, gjej shumë femra shqiptare. Ky është një libër i dhimbshëm e heroik ku kam gjetur dhe veten time ku Mrija është model i nënës, motrës e gruas shqiptare, tha ndër të tjera zonja Harizaj-Dema. Marjana Naçaj e cilësoi librin si rrëfim i nevojshëm për historinë kombëtare. Shkrimtari Mhill Velaj në fjalën e tij e cilësoi librin si burim historik, dokumentar e letrar, i shkruar me një gjuhë të ëmbël me rrëfime e përjetime autentike. Libri përjetëson një figurë heroike të femrës shqiptare. Asllan Bushati lexoi kumtesën e Sami Milloshit i cili e quajti librin enciklopedi.

Autori i librit Jozef Radi shpjegoi etapat e përgatitjes së librit dhe deklaroi për pjesëmarrësit se libri është një monument për femrën shqiptare. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë familjen Mërrnaçaj, Mark Mërrnaçajn, Prek Pllumajn e Anton Përdodën. Personazhi që i dedikohet libri, Mri Mërrnaçaj në fjalën e saj falënderoi Dom Pjetër Popaj, At Gazmend Tinaj, Mark Mërrnaçaj, Jozef Radi, të gjithë folësit e të gjithë pjesëmarrësit.

At Gazmend Tinaj në fjalën e tij deklaroi se rrëfimi i Mri Mërrnaçaj është shpallje, është simfoni e trishtë melankolike. Janë rrëfime zemre. Zemra është memoria e ngjarjeve të trishta të njeriut. Libri është si një rrëfim për të mos harruar kurrë, u shpreh At Tinaj. Mark Gjonaj në fjalën e tij theksoi se Marash e Mri Mërrnaçaj tragjeditë i kthyen në forcë e dhimbjen ne fuqi për të ecur përpara me dinjitet e krenari. Promovimi i librit “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini, rrëfime t’nji jete” bashkoi shqiptarët e Amerikës në respekt, vlerësim e mirënjohje të familjes Mërrnaçaj, qendresën e tyre, shembullin e për gjithçka që ata i kanë dhënë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të promovimit familja Merrnaçaj shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit dhe të ardhurat nga shitja e librit ia dhuroi Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

MËSIMI SHQIP DHE RUAJTJA E GJUHËS E IDENTITETIT KOMBËTAR NË MËRGATËN SHQIPTARE TË FINLANDËS

September 16, 2023 by s p

Vida Prendi-Nikaj, mësuese e gjuhës shqipe në Espoo të Finlandës, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Espoo të Finlandës, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësuesen Vida Prendi-Nikaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I MËSIMIT SHQIP NË FINLANDË

Në Finlandë mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet si pjesë e sistemit shkollor filandez. Kjo do të thotë se ambientet dhe dialektika mësimore janë të garantuara nga shkolla ku zhvillohet mësimi shqip. Gjithashtu ne mësuesit paguhemi nga shteti filandez dhe gëzojmë të drejtat si mësuesit filandez. Për kureshtjen e lexuesve duhet të theksoj se ekziston e drejta e mësimit të gjuhës amtare për çdo komunitet që jeton këtu. Ky është një privilegj që kemi ne shqiptarët si të gjitha kombet e tjera. Mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet në bazë të një kurikule të përcaktuar nga ministria e arsimit. Me qëllim arritjen e objektivave të kësaj kurrikulë ne hartojmë planin mësimor. Diçka jo e zakontë është se përbërja e grupeve mësimore është heterogjene d.m.th brenda një grupi kemi nxënës të klasave të ndryshme. Diçka tjetër është dhe librat që përdorim për zhvillimin e mësimit ku përdorim çdo burim, ku Ministria e Finlandës ka një fond edhe për librat e gjuhës shqipe por gjithashtu dua të falenderoj edhe materialet që vijnë nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë dhe Kosovës.

FESTA E PAVARËSISË BASHKON SHQIPTARËT E FINLANDËS

Që nga viti 2012, çdo vit kam përgatitur programe artistike, kulturore dhe patriotike për Pavarsinë e Shqipërisë dhe të Kosovës. Në vitin 2012 për 100 vjetorin ka qenë i ftuar Ish presidenti i Finlandës Ahdisari dhe Elizabet Rein. Të gjitha këto janë bërë nga devotshmëria ime, (nuk jam paguar asnjërë herë nga askush) mësimi është bërë mësim dhe aktivitetet si për Pavarësinë e Shqipërisë është bërë me 28.11 dhe Pavarësinë e Kosovës në 17.02. Për Kosovën veçanërisht e kam bërë me dashuri për Atdheun, gjenerata që po edukoj edhe pse të lindur në mërgim duhet ta njohin historinë e lavdishme dhe ta përjetojnë. Falenderim i veçantë shkon për prindërit dhe nxënësit për bashkëpunimin për zhvillimin e mësimit shqip. Shoqata Trojet duhet të përmendet për punën e tyre të palodhshme në shrbim të komunitetit shqiptar. Bashkëpunim kemi edhe me mësuesit e qyteteve të tjera si Vanta, Kirkkonummi dhe Helsinki. E kam ndjerë gjithmonë në zemrën time se përveç mësimit siç është përmendur të ushqej tek gjenerat e mia dashurinë për kombin e gjuhën shqipe e kulturën kombëtare. Në regjistrim tim në shkollën në Espoos kam rreth 160 nxënës nga klasa 1-9 Heterogen group dhe gjej kohën që edhe këto ti realizoj në kohën time qofte edhe të shtunesh e të dielash.

MOTIVIMI I NXËNËSVE PËR TË MËSUAR SHQIP

Sot mësimdhënia ka ndryshuar sidomos në vendet e zhvilluara ku çdo ditë po shkohet drejt zhvillimit digital ku çdo nxënës ka kompjuterin e tij për të mësuar. Shumica e fëmijëve kanë lindur në Finlandë dhe nuk ka probleme në fushën e teknologjisë digjitale. Vështirësia e mësimdhënies qëndron në faktin që nxënësit janë në nivele të ndryshme “Hetoregen group”. Përsa i përket teknologjisë nuk mund të rri pa përmendur kohën e koronës ku mësimi për një kohë të gjatë u zhvillua online. Megjithëse fëmijët online ishin në kushte shtëpie përqëndrimi i tyre në shumë raste nuk ishte i duhuri. Gjatë kësaj kohe më duhej të vija me ide të reja për të motivuar nxënësit për zhvillimin e mësimit online. Ishte detyrë e jona si mesues që të gjenim rrugë dhe metoda të ndyshme për nxënësit. Përveç temave mësimore që shpjegoj unë tek nxënësit ushqej dashurinë për Atdheun, mësojnë vjersha, këndojnë, recitojnë etj. Për finlandezët është shumë e rëndësishme të mësohet gjuha amtare. E quajnë si pasuri të veçantë.

SHQIPTARËT MBËSHTESIN MËSIMIN DHE AKTIVITETET KOMBËTARE NË FINLANDË

Pa mbështetje do ishte shumë e vëhstirë organizimi i mësimit shqip. Në veçanti dua të falenderoj shoqaten “Trojet” për punën e tyre të palodhshme si zonjat Aferdita Krasniqi, Fikrije Salihu dhe të gjithë të tjerët. Gjithashtu Gani Neziri ka kontribuar falas për përgatitjen e disa programeve atdhetare. Punon për qyten e Espoos në librari. Edhe me kolegët mësues bashkëpunojmë shumë dhe bëjmë koncerte për pavarësinë. Deri tani kemi bërë 2 koncerte së bashku. Falenderoj prindërit e mi për çdo rezultat që asnjëherë nuk reshten duke më përkrahur e mbështetur. Për të realizuar qëllimin e programit të miratuar nga ministria për gjuhët amtare, une si mësuese e gjuhës shqipe për zbatimin e kurrikulës mësimore bazohem në literaturën e botuar nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Kosovës për Diasporën. Bashkëpunimi me prinderit eështë shumë i rëndësishem dhe është për tu falenderuar çdo njeri prej tyre për sakrificen që bëjnë për të ruajtur gjuhën tonë shqipe të shtrenjtë. Asnjëherë puna ime nuk mbaron brenda orës së mësimit por ajo vazhdon gjatë ditës me takimet, telefonatat, diskutimet për problemet e ndryshme që dalin gjatë procesit mësimor. Dashuria për gjuhën shqipe dhe qëllimi që të transmetohet e të trashëgohet te fëmijët tanë më motivon çdo ditë e më shumë për të punuar me fëmijët shqiptarë në Finlandë.

KURRIKULA MËSIMORE E PROGRAMIT SHQIP

Qëllimi i mësimit të gjuhës shqipe në Finlandë është që nëpërmjet gjuhës shqipe fëmijët të njihen me historinë e Shqipërisë, kulturën kombëtare dhe traditat shqiptare në shekuj. Kjo arrihet duke integruar mësimin e gjuhës shqipe me pjesë të veçanta nga historia e lavdishme e kombit e popullit tonë duke u njohur nga afër me heronjtë tanë kombëtar dhe ata që kanë lënë shumë gjurmë për ne si komb si: Skenderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari, Nanë Tereza, Marin Barleti, Fan Noli, Migjeni etj. Teknologjia në ndihmë të mësimit shqip është shumë e rëndësishme. Në Finlandë po shkohet drejt teknologjisë së avancuar ku libri po zevendësohet me kompjuter. Çdo nxënës ka tabletin e tij të dhënë nga shkolla. Në çdo orë mësimi kemi të bëjmë me smart-board. Përsa i përket mësimit përmes teknologjisë një përvojë e madhe ishte koha e Koronavirusit ku duhet të kishe shumë kreativitet dhe larmishmëri. Për një periudhe mësimi u zhvillua online ku kjo periudhë ishte një sfide mendoj për të gjithë por dhe një eksperiencë e veçantë për çdo të mësues.

KUSH ESHTE MESUESE VIDA PRENDI-NIKAJ?

Unë jam nga Gjadri i Lezhës, origjina familjare është nga Kçira e Pukës. Për arsye të persekutimit komunist të familjes, babai im Preng Llesh-Prendi është shpërngulur në Gjadër. Prindërit e mi kanë qenë të hekurt, kanë kaluar persekutim të egër komunist. Prindërit tanë (edhe pse i ndjeri babai im sot nuk jeton më që prej 15 vitesh) janë shembulli më i mirë që fëmijët kanë. Arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm e kam kryer në Gjadër-Lezhë. Jam diplomuar në degën e Mësuesisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Jam diplomuar si Master Shkencave, Fakulteti i Drejtësisë Universiteti “Qiriazi” në Tiranë. Kam ndjekur kurse të ndryshme të Dizajnit dhe Anglishtes në USA, kurse në Finlandë kam studiuar në menaxhim. Më herët kam punuar si mësuese në Gjadër dhe Shenkoll të Lezhës për 4 vite. Kam rreth 16 vite që punoj si mësuese ku që nga viti 2012 ushtroj profesionin si mësuese në Espoo të Finlandës.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

MEDIA SHQIPTARO – AMERIKANE NË PEISAZHIN MEDIATIK AMERIKAN. “ALBTVUSA”, TELEVIZIONI I SHQIPTARËVE TË AMERIKËS

September 15, 2023 by s p

Gani Vila, drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, në një rrëfim ekskluziv dhënë editorit të gazetës “Dielli” të Vatrës në New York, Sokol Paja, shpjegon për audiencën e gjërë shqiptaro-amerikane historinë e televizionit “ALBTVUSA”, televizioni si arkiv dhe memorie digjitale e komunitetit, televizioni si trashëgimi mediatike, kulturore, komunitare  e kombëtare e mërgatës shqiptare në Amerikë.

HISTORIKU I TELEVIZIONIT TË SHQIPTARËVE TË AMERIKËS “ALBTVUSA”

Televizioni i shqiptarëve të Amerikës ka filluar transmetimet e tij më datën 20 maj të vitit 2000 në shtetin e Michiganit. Në vitin 2003 ne startuam në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kudo në botë ku jetojnë shqiptarë. Qëllimi i hapjes së këtij televizioni ishte mbushja e një vakumi mediatik që ekzistonte në komunitetin shqiptar deri në atë kohë. Para viteve 90-të në Amerikë jetonte një komunitet i konsiderueshëm shqiptaro-amerikan i cili gjatë jetës së tij kishte hapur gazeta, revista dhe radio në gjuhën shqipe, por jo televizion me strukturë programore transmetimi në këto nivele. Prandaj hapja e këtij televizioni si dhe puna e përkushtuar e të gjithë stafit u kthye në një mision të rëndësishëm patriotik për të ndihmuar komunitetin shqiptar, për t’u integruar denjësisht në jetën progresive demokratike amerikane, por edhe për të ruajtur e trashëguar veçanërisht në brezat e rinj vlerat tona kombëtare si: traditën, kulturën, zakonet, historinë dhe gjuhën tonë shqipe, për të informouar, ndihmuar dhe për të plotësuar shpirtërisht shqiptarët e Amerikës me programe kulturore, komunitare dhe kombëtare. Hapja e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës dhe transmetimi i programeve tona në kanalet e televizioneve amerikane ka sensibilizuar edhe komunitetet e tjera për fuqinë, cilësinë, pasurinë e komunitetit tonë si një vlerë e shtuar në bashkëjetesën e shëndetshme amerikane. Televizioni i shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA) me një komunikim të veçantë e të ngrohtë, për 24 vite rresht, vazhdon të pëcjellë përmes ekranit mijëra e mijëra intervista, atmosfera, emocione, aktivitete të shumta që janë zhvilluar kudo në komunitet, portrete patriotësh të spikatur, personalitete intelektualësh, biznesmenë të suksesshëm, komunitetet fetare, grupe e shoqata shqiptare, organizata studentore, histori të dhimbshme të njerëzve të persekutuar, histori suksesi në Amerike si dhe njerëz të ndershëm e të thjeshtë të punës, familje e femijë te suksesshëm, sportin, artin, kulturën etj.

“ALBTVUSA”, MIJËRA EMISIONE, REPORTAZHE, PORTRETE, DOKUMENTARË, AKTIVITETE TË KOMUNITETIT SHQIPTAR NË MICHIGAN

Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës ka bashkëpunuar me personalitete të shquara të politikës, shkencës, kulturës dhe biznesit në botën shqiptare-amerikane dhe të diasporës kudo në botë. Ne hymë në këtë rrugë të vendosur, pa frikë, me shumë besim dhe arritëm suksese falë projekteve të qarta dhe aftësive profesionale. “ALBTVUSA” ka në fondin e arkivit të vet me mijëra emisione, reportazhe, portrete, dokumentarë, aktivitete të komunitetit etj që nesër me siguri brezat e bashkeatdhetarëve tanë që do të vinë pas nesh do t’i dëgjojnë e do t’i shohin jo vetëm për mall, për studime historike, për eksperiencë, por edhe për të mësuar se çfarë roli ka luajtur në komunitetin shqiptaro-amerikan “ALBTVUSA” ç’është lajmi, si duhet trajtuar e si ndërtohet një dokumentar, një debat apo thjeshtë një bisedë me tolerancë, me etikë dhe kulturë komunikimi, me fjalor të pasur e plot dashuri në diasporë. Ne arritëm dhe ndërtuam me sukses portretin, fizionominë në formë dhe në përmbajtje të një televizioni model në diasporë, të pavarur politikisht dhe ekonomikisht, me liri të plotë, duke e kthyer atë në faktor të rëndësishëm bashkimi për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe trojet tona etnike. Ka qënë është dhe do të jetë detyrë e vazhdueshme e ketij televizioni që të nxitë vazhdimisht bashkimin dhe solidaritetin mes shqiptarëve në vende dhe rajone të ndryshme duke iu ofruar njohje reciproke dhe respekt. Me publikun na ka lidhur një traditë e gjatë komunikimi i përzemërt me standart qytetar që arritëm ta ruajmë dhe t’i qëndrojmë besnik gjatë gjithë këtyre viteve në punën tonë. I gjithë ky sukses është arritur me shumë mund e sakrifica sepse nuk është e lehtë të bësh televizion në këto nivele duke qënë emigrant. Ne e kemi çuar në këto nivele “ALBTVUSA”-n së bashku me stafin tonë të mbrekullueshëm me shumë pastërti, me shumë emocion, shumë dashuri e sakrifica dhe me dinjitet. Kjo e bën edhe suksesin tonë të jashtëzakonshëm duke transmetuar dy orë program në Comcast çdo ditë në kohën kryesore 8:00pm deri 10:00 pm dhe 24 orë live në platformat Shqip TV, në TV Alb, në Tibo, në onlinë www.albtvusa.com live 24/7 si dhe në të gjitha rrjetet sociale. Prej 20 Majit të vitit 2000, kur është hapur Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës, e deri më sot që po realizojmë së bashku këtë intervistë, anë pregatitur dhe transmetuar për shikuesit shqiptaro-amerikanë mbi 173.200 orë me programe profesionale televizive. Këto janë orët që ne kemi pregatitur dhe trasmetuar deri tani në kanalet tona televizive të ALBTVUSA-së, por nuk janë veç shifra, ato kanë brënda vepra të rëndësishme, kanë vlera dhe janë kontribute në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe çështjes mbarë kombëtare shqiptare. Aty është historia, puna e sakrifica e nje komuniteti vital qe ka ditur të ruajë trashëgominë kulturore, gjuhën, traditat përballë kanosjes për asimilimin, fenomen ky që ka ndodhur me komunitetet e tjera. Gjithmonë jemi të fokusuar tek puna dhe fakti që ky qëndrim i deritanishëm ka funksionuar suksesshëm,  janë arsyet që unë nuk e kam thënë ose nuk e kam shkruar asnjëherë e këtë po ju a them tani. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë se sa kohë pune, mund, djersë dhe dollarë janë dashur për t’i pregatitur e transmetuar këto orë, së pari jo për modesti, por për kontributin e tyre, duhen falenderuar e respektuar ata donatorë që na kanë mbështetur, me ndihma ekonomike dhe ide ,së dyti ju siguroj se është investimi i pashoq në mbarë diasporën shqiptare në Amerikë dhe në botë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë familja Vila në fushën mediatike që me investimet e saj ka arritur të jemi në vitin e 24-t të trasmetimeve të programeve televizive për shqiptaro-amerikanët dhe gjithë shqiptarët kudo që jetojnë në botë. Dua të theksoj se “ALBTVUSA” ka një trashëgimi sociale komunitare që me rubrikat, emisionet, lajmërimet, mundëson mbledhjen e donacioneve të konsiderueshme për raste të sëmurësh, fatkeqësish shëndeti apo natyrore si në emigracion ashtu dhe në vendlindje.

FOKUSI I PROGRAMEVE KULTURORE – KOMUNITARE – KOMBËTARE

Ndërtimi i programit të një televizioni në diasporë është pjesa më e vështirë dhe më e rëndësishme për jetën komunitare. Nga studimet e vazhdueshme që ne kemi bërë, diaspora shqiptare në Amerikë ka ngjashmëri të madhe nga pikpamja e përbërjes me atë të vendlindjes, por vlerësimi, mbështetja, interesi dhe lidhjet e komunitetit me televizionin tonë në hapat e para,për shumë faktore dhe arsye, kanë qënë në nivele të ulta. Gjatë rrugës kemi hasur edhe në mangësi e vështirësi të ndryshme të cilat ne i kaluam suksesshëm vetëm nepëmjet punës. Një faktor tjetër i rëndësishëm në suksesin e punës sonë kanë qënë edhe marrdhëniet tona të bashkëpunimit dhe shërbimit me institucionet,organizimet e ndryshme shoqërore, me aktivistë etj në komunitetin tonë në Amerikë, të cilat janë të shkëlqyera dhe në nivele të larta bashkëpunimi. Duke i njohur me hollësi çështjet komunitare, Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës ka krijuar një strukture programore gjithëpërfshirëse komunitare shqiptare. Në këtë kuadër një fokus të veçantë zënë programet kulturore, komunitare dhe kombëtare, me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të identitetit, gjuhës, historisë dhe traditave të shqiptarëve në Amerikë. Televizioni i shqiptarëve të Amerikës është drejtuar dhe udhëhequr nga një platformë dhe strategji kombëtare, me vizion dhe largëpamësi të qartë tërësisht në shërbim të kombit shqiptar. Trasmetimet e programeve tona janë të strukturuara dhe të planifikuara për shikuesit me bazë vjetore, mujore dhe ditore. Ne kemi lidhje të forta dhe të besueshme me komunitetin shqiptaro-amerikan.  Shikuesit tanë e dinë se çfarë tematikash dhe emisione ne trasmetojmë ne në çdo orë të ditës. “ALBTVUSA” ndjek çdo sukses zhvillim e progres të diasporës në të gjitha fushat e jetës së saj dhe në bazë të kësaj dinamike përcaktojmë tematika e pergatisim emisionet në shërbim të komunitetit. Ne pregatitisim dhe transmetojmë programe jo çfarë ne mendojmë se shikuesit tanë duan, por çfarë ata duan. Që ta kuptosh dhe ta vësh në zbatim këtë formulë mediatike komunitare duhet eksperiencë dhe studime të vazhdueshme. Në këtë kuadër mbi 83% të materialeve që ne trasmetojmë në programet tona janë prodhime të Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës që i përkasin jetës komunitare sukseseve e arritjeve të individëve në të gjitha fushat e jetës si në biznes, shkollim, art, kulture, sport, politikë, krijimtari letrare, aktiviteteve të institucioneve fetare,aktiviteteve individuale apo grupimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan, festimit te festave kombetare etj. Duke jetuar në mërgim nuk mund të shmanget transmetimi 17 deri 20% i disa materialeve të prodhuara nga televizionet kombëtare shqiptare që janë në vendlindje e që kane intres për komunitetin. Ky raport i prodhimit dhe trasmetimeve tona na jep identitetin e televizionit të komunitetit shqiptaro-amerikan. Detyra kryesore e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës është të ndjekë, të studiojë, të analizojë dhe të suportojë jetën e larmishme gjithëpërfshirëse komunitare e ta arkivoje ate. Ky është nje kontribut i çmuar per vendlindjet tona të cilat për shkak të largesisë e arsye e të tjera e kanë të vështirë ta realizojnë atë. Ashtu si bletët që mbledhin nektarin në natyrë, “ALBTVUSA” grumbullon vlerat e komunitetit. Ashtu si bletët prodhojnë mjaltin, ilaç për njerëzit dhe “ALBTVUSA” prodhon emisione në shërbim dhe në interes të dimesioneve pozitive komunitare njerëzore. Unë po ju sjell më poshtë një pjesë të emisioneve që ne për 24 vjet rrjesht vazhdojmë t’i trasmetojmë në programet tona dhe mendoj se lexuesit e kanë të lehtë të kuptojnë mozaikun e strukturës programore si dhe dinamikën e aktiviteteve komunitare shqiptaro-amerikane; Emisione për fëmijë “Shqiponjat flasin shqip”, “Të mësojmë gjuhën shqipe”, “Vizion”, “Hapsirë pa kufi”, “Horizont”, “Argument”, “Thank You”, “ALBTVUSA në bizneset shqiptare”,”Kombi Ynë “, “Memo”, “Historia Shqiptare”, “Diaspora dhe Vendlindja”, “Kultura Shqiptare në emigracion”, “Wat’s New“, “Folklori Muzikor“, “Hitparada“, “Mozaik”, ”Debat”,”Speciale”, “Rubrika Sportive”, “Kondravers”, “Fjala e Specialistit “, “Identitet”, “Covid -19”, “Malësia e Madhe Pllëmbë e Thesar”, “Lajme”, “Historia nëpërmjet Këngës”,” Dëgjoni Këngën time”, “E dua këngën time”, “Ndihma bamirësia shpresë për jetën”, “Roli i Institucioneve Fetare në diasporë” etj. Prodhojmë filma dokumentarë kushtuar personaliteteve të komunitetit, emisione speciale, reportazhe etj. “ALBTVUSA” ka realizuar dhe vazhdon të realizojë projekte me rendësi dhe vlera të veçanta kombëtare shqiptare si psh.Misioni “Malesia e madhe Pëllëmbë dhe Thesar”, “Genocidi Grek në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914”. Të gjitha këto emisione zhvillohen në studiot e “ALBTVUSA”-së, të cilën në fillim të muajit Tetor faleminderit edhe donacioneve do ta kemi të re dhe me formate bashkëkohore. Po ashtu reklamat dhe lajmërimet krahës ndihmës ekonomike për televizionin tonë, ato janë një ndihmë e madhe për komunitetin shqiptaro-amerikan. Krahës veprimtarisë krijuese të ideve tona që paraqitëm në emisionet e më sipërme, ne ndjekim çdo aktivitet që zhvillohet në komunitetin shqiptaro-amerikan. Pjesë e programeve tona televizive janë edhe takimet me personalite amerikane, me kryebashkiakë, senatorë, kongresmenë me të cilët kemi percjelljë shqetësimet e kërkesat tona komunitare, por dhe për vendlindjet tona, sidomos për Kosovën e shqiptarët nën Malin e Zi. Kontakte të shpeshta e intervista me interes kemi zhvilluar edhe me punonjës policie, psikologë, avokatë, prokurorë, të cilët kanë shpjeguar fushat dhe shkallën e kriminalitetit në shoqërinë amerikane dhe komunitetin shqiptaro-amerikan si dhe rrugët e bashkëpunimit për parandalimin e krimeve sidomos në grupmoshat e reja. Të gjitha keto veprimtari i filmojmë, i editojmë, i trasmetojmë, por dhe i ruajmë në arkivin tonë. Aktualisht Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës ka arkivin më të madh komunitar televiziv, pasi krahas filmimeve tona 24 vjeçare, ALBTVUSA në arkivën e vet ka siguruar dhe arkivat e disa studiove të individëve të tjerë që kanë ushtruar aktivitetin e tyre para se të lëshonte sinjalin për trasmetim ALBTVUSA.

MIRËNJOHJE STAFIT PROFESIONIST DHE TË PËRKUSHTUAR

Pak më lart e krahësova punën e “ALBTVUSA”-s me bletët puntore dhe mirë bëra se ky krahësim i takon punës dhe kontributit, por ndryshimi mes nesh (bletëve dhe “ALBTVUSA”), pse të mos dihet, është shumë i madh. Ja me dy fjalë po ja u them; zotërinjtë e shesin mjaltin e bletëve me para, ndërsa ne prodhimet tona i trasmetojmë falas për komunitetin shqiptaro-amerikan. “ALBTVUSA” me aktivitetet e saj të vazhdueshme jo vetëm ka forcuar, ruajtur dhe trashëguar vlerat kombëtare, por edhe ka qënë dhe është faktor bashkimi në komunitetin shqiptaro-amerikan. Që nga 20 Maji i viti 2000 deri në vitin 2020, kur erdhi Covid -19, Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës çdo vit rrjesht në mënyrë profesionale me pjesëmarrje masive nga 500,600 deri në 1000 bashkëatdhetarë, ka organizuar aktivitete në kuadër të datave tona historike dhe atyre tradicionale si: 28 Nëntorin- ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, 8 Marsin, Natën e Vitit të Ri, Shën Valentinin, koncerte, simpoziume, takime e aktivitete të tjera me vlera të mëdha. Qëllimi i ketyre organizimeve nuk ështe vetëm perkujtimor, edukativ, argëtues, por edhe që në këto aktivitete të mbledhim sa më shumë të rinj në menyre që të takohen, të njihen me njëri-tjetrin e te lidhen mes tyre. Për 21 vjet rresht, me programe specifike “ALBTVUSA” nga data 26 Gusht deri në 8 Shtator të çdo viti, trasmeton emisione, biseda, filma, dokumentarë etj. kushtuar misionit dhe epokës së Nënë Terezës. Krahës prezencës sonë me kamera dhe gazetarë në evenimentet që organizohen nga komunitetet fetare, shoqata, organizata apo aktivistë të ndryshëm komunitarë, ne transmetojme edhe dokumentarë, filma, koncerte, festivale, ceremoni dhe ngjarje të rëndësishme të fushave të ndryshme për komunitetin shqiptaro-amerikan. Në sukseset e punës mediatike që ne si televizion kemi arrirë deri tani unë vlerësoj shumë rolin dhe kontributin që kanë luajtur  dhe po vazhdojnë të japin stafi i ALBTVUSA-së në vite. Falenderoj të gjithë punojnësit që kanë punuar dhe punojnë në Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës pa përjashtim, por do të veçoja disa prej tyre të cilët po punojnë prej shumë vitesh në televizion por i kam patur mbështetje veçanrishtë në kohë dhe ditë të vështira.Për të gjithë kam shumë fjalë “ari” për të thënë, por sot nga zemra veç i falenderoj. Do ta nisë me bashkëshorten time Valentina Vila që vazhdon të punojë në Televizion që prej 22 vjetësh, Rafael Floqin 20 vjet, Astrit Kalibaqi 18 vjet, Ilir Myftari 17 vjet, Agim Blloshmi 15 vjet, Beqir Sina 14 vjet, Jola Rexho 9 vjet dhe Lidia Balaj 8 vjet.

TV SI FORMË E RUAJTJES SË KULTURËS DHE IDENTITETIT TË MËRGATËS SHQIPTARE NË USA

Televizioni ka vetëm një shërbim. Komunikimi nëpërmjet ekranit me shikuesit është forma më e arrirë deri më tani në fushën mediatike. Thjesht nga ekrani vjen produkti i gatshëm veç duhet ta ndjekim.Ekrani, pamja, ndikon në përqasje, në afrim, ndërgjegjshëm dhe instiktivisht tek shikuesit por e rëndësishme dhe ndikim të veçantë për t’i afruar ata me ekranin është përmbajtja, ç’ka është gatuar në programet që ne transmetojmë. Të dy këto element duan angazhim, punë, përkushtim dhe investim ekonomik të cilat në botën e lirë të emigracionit janë në raport të zhdrejt me diasporën shqiptaro-amerikane nga pikpamja e konceptimit dhe vlerësimit. Si të gjitha mediat e tjera edhe Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës luan një rol të rëndësishëm si formë e ruajtjes së kulturës dhe identitetit në shërbim të mërgatës shqiptaro-amerikane. “ALBTVUSA” ofron një hapësirë ku shqiptarët mund të shprehin dhe ndajnë vlerat, interesat, problematikat dhe aspiratat e tyre personale apo si një grup etnik dhe kombtar në shoqërinë amerikane. Ne e dimë e vlerësojmë rolin e ekranit të televizionit dhe e përdorim atë gjithmonë pozitivisht në shërbim të këtij komuniteti dhe në vecanti në edukimin e brezave të rinj shqiptarë që janë lindur ose rritur në Amerikë, duke u sjellë informacione dhe njohuri mbi origjinën, gjuhën, historinë dhe kulturën e tyre. Në këtë mënyrë mundësojme konsolidimin e marrëdhënieve me vendlindjen dhe ruajtjen e identitetit të mërgatës shqiptaro-amerikane.

TV SHQIPTAR NË PEISAZHIN MEDIATIK SHQIPTARO-AMERIKAN

Sot Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës është kthyer në një institucion të rëndësishëm mediatik kombëtar. Kanali ynë, logoja e programit të “ALBTVUSA”-s është në ekranet e të gjithë shqiptarëve krahas shumë programeve të tjera prestigjoze amerikane. Makinat me logon e Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës udhëtojnë çdo ditë rrugëve të Amerikës kudo ku ka shqiptaro-amerikanë. Ajo terheq vemendjen e shumë njerëzve e shpesh na pershendesin me rënien e një burije, me nje buzeqeshje e me dorën e ngritur lart. Sa shumë emocionon na përcjell ky fakt. Kjo na gëzon, na bën të ndjehemi shume mirë, të respektuar dhe të nderuar nga të gjithë shqiptarë të ardhur nga trevat tona etnike shqiptare si dhe nga gjeneratat e reja të lindura këtu në Amerikë. Ne nuk i bëjmë reklamë vetes,të tjerët bëjnë reklamë tek ne.  Vendi që zë dhe kontributi që jep Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës në peisazhin mediatik shqiptaro-amerikan vlerësohet nga vetë shikuesit që kanë 24 vjet që i ndjekin çdo ditë programet tona. Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës është një media unike në peisazhin mediatik shqiptaro-amerikan. Është i pari dhe i vetmi televizion në shtrirje, në kohë dhe në hapësirë, në gjuhën shqipe në të gjitha kohërat e historisë së diasporës mbarë shqiptare kudo në botë. “ALBTVUSA” është një media e pavarur nga asnjë parti politike, organizatë, institucion apo shtet. Është një media e hapur që respekton lirinë e shprehjes, pluralizmin, diversitetin e mendimit dhe profesionalizmin. Ne stafi i “ALBTVUSA”-së dallohemi pasi gjithmonë e realizojmë punën tonë në grup, me etikë, me moral, me koncepte, qëllime dhe dashuri tërësisht në shërbim dhe suport të së mirës. Është një media e angazhuar, e cila mbështet çështjet dhe interesat e shqiptarëve në Amerikë dhe kudo në botë. “ALBTVUSA” është një media që kontribuon në zhvillimin komunitar të shqiptarëve të Amerikës, duke promovuar iniciativa, projekte, aktivitete dhe bashkëpunime që përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre.

TV SI MEDIE E KOMUNITETIT, HAPSIRË, ORIENTIM DHE ZHVILLIM KOMUNITAR

Televizioni i shqiptarëve të Amerikës është media e komunitetit që ofron një hapësirë për komunikim, informim, edukim dhe zbavitje për shqiptarët që jetojnë në Amerikë, është një media që orienton dhe ndihmon komunitetin shqiptar në Amerikë të integrohet në shoqërinë amerikane, duke respektuar ligjet, rregullat dhe normat e saj. Zhvillimi komunitar është ushqimi i përparimit të punës tonë e si i tillë jo vetëm se e ndjekim dhe e pasqyrojmë atë, por shpesh Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës sjell idera dhe krijojmë mundësira në zhvillimin komunitar në të gjitha fushat, të cilat janë pasqyruar në aktivitetet dhe emisionet e ndryshme për të cilat fola pak më lartë. Si një emigrant i ardhur pas viteve 1990-të, pata mundësinë që nga viti 2000 e në vazhdim, të kontribuoja dhe më von të drejtoj Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës (ALBTVUSA). Një television privat të cilin kur e kuptova se televizioni nën drejtimin tim ishte pasuri shumë e fuqishme dhe e rëndësishme në jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe më gjerë e ktheva atë tërësishtë në television publik në shërbim të mbarë çështjes kombëtare shqiptare.

GANI VILA, TELEVIZIONI, FAMILJA

Në vitin 1985 martohem me Valentina Elise Vila (Tupa), nga qyteti i Korçës me profesion mësuese gjuhë – letërsie. Kemi dy fëmijë. Djali, Ermir Vila, ka mbaruar Universitetin Michigan State dhe Mastër në Detroit Mercy. Punon në sektorin e policisë. Aktualisht, është dedektiv në qytetin Shelby TWP Michigan. Ermiri është i martuar me Gina Vila ( Camaj )me origjinë nga Malësia e Madhe dhe kanë tre vajza. Blerina Lumaj ( Vila ) ,eshtë vajza . Ka mbaruar Universitetin Michigan State si dhe Mastër në Wentworth and associates Dr.Blerina Lumaj PsyD.LLP.Ka mbaruar doktoraturën për Psikologji dhe ushtron punën si psikologe klinike me pacientë me semundje të ndryshme në Michigan. Ështe e martuar me malësorin Blerim Lumaj nga Vermoshi edhe ata kanë katër vajza. Familja ime me një bashkëjetesë të shkëlqyer familjare si dhe shtatë mbesat e mija si yje janë pasuria ime më e madhe. Më 17 Dhjetor të vitit 1999, falë llotarisë Amerikane, erdha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u vendosa në shtetin e Michiganit. Jeta ime në emigracion në SHBA, është e lidhur përjetësisht me Televizionin e Shqiptarëve të Amerikës. Nga 15 shtatori i vitit 2000 deri më sot nuk jam shkëputur asnjë ditë nga ALBTVUSA. Kam drejtuar dhe kam punuar në të gjitha pozicionet e punës, i njoh dhe aplikoj të gjitha proçeset që ka një televizion duke nisur nga kamera, montazh, redaktime deri tek transmetimi final. Jam gazetar me mbi 2685 intervista, biseda, formate të ndryshme televizive etj. Jam ideator i mbi 90% të ideve programore, ndërtoj programet strukture që trasmetojmë çdo ditë, jam autor i teksteve dhe i skenarëve të shumë dokumentarëve, filma dokumentarë etj. Që nga viti 2004 vazhdoj të jem Drejtor i këtij Televizionit. Për kontributet e dhëna gjatë 24 viteve Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës, stafi i tij dhe unë kami marrë disa çmime, mirënjohje, çertifikata të ndryshme, për kontributin në fushën e mediave, traditës dhe kulturës shqiptare si: “Nderi i Trevës së Vakëfeve”, “Mirënjohës i Kombit Shqiptar” etj dhe më 13 Qershor të vitit 2022 unë dhe Televizioni i Shqiptarëve të Amerikës jemi dekoruar me titullin “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gani Vila, Sokol Paja

SHKOLLAT SHQIPE NË DIASPORË, APOSTUJ TË SHQIPTARIZMËS

September 14, 2023 by s p

Sokol Paja/

Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve shqipe në diasporën shqiptare anëkënd botës përbëjnë një trashëgimi të shkëlqyer të veprimtarisë së gjallë të shqiptarëve nëpër botë dhe janë themel i fortë i pavdekësisë së identitetit kombëtar shqiptar në mërgim. Veprimtaria patriotike, kulturore dhe komunitare e shqiptarëve në diasporë sot më së miri përfaqësohet me nder, dinjitet, krenari e lavdi prej shkollave shqipe. Mësues pasionantë, patriotë të flaktë, atdhetar të zjarrtë, mbështetës të pakursyer të arsimit e kulturës kombëtare, prindër e nxënës, dashamirës të huaj të komunitetit shqiptar në diasporë, po japin një kontribut historik për ruajtjen e gjuhës shqipe, nderimin e figurave të shquara të kombit shqiptar, kultivimin e traditave tona kombëtare dhe mbajtjen e pa shkëputur të lidhjes shpirtërore e materiale me Shqipërinë, Kosovën e trojet shqiptare etnike. Kontributi i shqiptarëve në mërgatë ka qenë historik për gjuhën shqipe dhe çështjen kombëtare. Shqiptarët nuk kursyen asgjë sa herë atdheu ishte në rrezik. Amaneti i Filip Shirokës se “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet” është bërë një motiv i madh për çdo atdhetar që jep kontribut për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar në mërgatë. Me zhvillimin e jashtëzakonshëm të emigracionit e teknologjisë, në kushtet e një multikulturalizmi global, përpjekjet për identitet, gjuhë e kulturë kombëtare janë një akt i madh patriotik i shqiptarëve të mërguar. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë përbëjnë krenari kombëtare. Kushdo që ndihmon në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë, është hero i gjallë i kombit tonë.
Gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej shprehej se “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij” dhe shqiptarët sot na bëjnë krenarë anëkënd botës për motivimin e përkushtimin e tyre autentik. Shkollat shqipe në mërgatë janë themel i vazhdimësisë sonë historike, lidhjes organike, shpirtërore e kombëtare. Shkollat shqipe në Gjermani, Zvicër, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Greqi, Mbretëri e Bashkuar, Kanada, Australi etj përbëjnë një imazh magjepës kombëtar të shpërndarë në të gjitha anët e globit. Shkollat e gjuhës shqipe, kulturës, historisë, muzikës, këngëve e valleve në diasporë kanë lidhur e forcuar komunitetet tona, kanë krijuar bashkësi patriotike të fuqishme si ekonomike, sociale e kulturore. I kanë dhënë një imazh të fuqishëm, zë dhe forcë komunitetit shqiptar në raport me komunitetet e tjera në vendet ku jeotjnë.
“Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe” porosiste Mid’hat Frashëri. Nuk mund të jesh shqiptar nëse nuk mëson shqip, nuk flet shqip, nuk kontribuon për mësimin shqip, nuk e viziton Kosovën, Shqipërinë e viset tona etnike. Mësimi shqip, këngët e vallet, koncertet e ndryshme përveç se janë një investim për përjetësinë e kombit shqiptar, i kanë lidhur shqiptarët në diapsorë, i kanë bërë më të afërt dhe detyrimisht kanë lidhur diasporën me vendlindjen. Shkollat shqipe në diasporë udhëhqiqen prej kapaciteteve të shquara intelektuale në mërgatë, kanë mësues të licencuar, kanë literaturë e teknologji të shkëlqyer, drejtues të pëkushtuar, prindër bashkëpunues e nxënës që janë të etur për mësimin shqip, këngët e vallet e bukura shqipe. Është e shenjtë dëshira dhe përkushtimi i mërgimtarëve për mësimin shqip. Për shqiptarët në mërgatë ashtu siç thoshte Eqerem Çcabej “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”.
Federata “Vatra” e gazeta “Dielli” janë kthyer në promotore të jashtëzakonshme të shkollave shqipe. “Vatra” për disa vite me radhë hapi dyert për zhvillimin e mësimit shqip brenda në Vatër. Në një hark kohor të dy viteve më shumë se 40 shkolla shqipe janë pasqyruar imtësisht në gazetën “Dielli” nëpërmjet trajtesave ekskluzive të intervistave e reportazheve duke paraqitur risi në shtypin shqiptar të mërgatës. Kjo mbështetje do të vazhdojë përjetë. Përpjekjet e mësuesve, prindërve e kontributorëve të mësimit shqip në diasporë duhet të kombinohen edhe më ndihmën e shtetit, të Shqipërisë e të Kosovës. Shtetet tona duhet të shtojnë buxhetin për diasporën, të lidhen më fort më shqiptarët në mërgatë dhe të mbështesin pa kushte arsimin shqip. Diaspora ka një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonominë kombëtare dhe vëmëndja institucionale duhet të jetë më efikase. Thënia e Akademik Gjovalin Shkurtaj se “Mbrojtja e gjuhës është detyrë dhe peng nderi për çdo shqiptar” duhet të jetë motivim për mërgatën tonë që këtë zhvillim të jashtëzakonshëm të mësimit shqip në diasporë jo vetëm që ta ruajë në këto nivele por edhe ta zhvillojë më shumë pasi kombi ynë, gjuha jonë, kultura e kombit tonë do të jenë të gjalla ndër breza, të patjetërsueshme, të paharrueshme, të pazëvëndësueshme në mës të kulturave me të cilat përballemi, jetojmë e punojmë çdo ditë. Shqiptaria do të rrojë sa përjetësia për sa kohë në themel të zhvillimit është kultura e gjuhësia…

Foto ilustrim: Shkolla Shqipe Gjenevë

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

Çështja e Kosovës në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” të Dr. Elez Biberaj

September 13, 2023 by s p

Sokol Paja/

Çështja e Kosovës në librin “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” të Dr. Elez Biberaj përbën një kontribut të veçantë për njohjen më të thellë të raportit shqiptaro-serb dhe përplasjeve që e kanë karakterizuar Serbinë e Kosovën. Çështja e Kosovës përbën pjesën më të rëndësishme të studimit e trajtuar me një analizë të detajuar, e cila hedh dritë në përplasjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Një konflikt i vjetër i kultivuar ndër shekuj ku autori analizon me burime të besueshme dhe shterron në mënyrë të detajuar raportet ndërmjet dy popujve. Ky studim është një udhërrëfyes për analistët mediatikë, studiuesit e shkencave politike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, kërkuesit shkencor në fushën e sigurisë dhe çështjeve të rajonit. Libri i Dr. Elez Biberaj si përmbledhje e 15 shkrimeve, kumtesave, fjalimeve e studimeve të mbajtura prej autorit në qarqet akademike dhe mediatike rreth “Shqipërisë dhe Shqiptarëve” është shumë aktual dhe shërben si pikë referimi shumë e rëndësishme për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e konfliktit shqiptaro-serb. Me të drejtë Prof.Nikolla Panos në parathënie, shprehet se libri ka merita të veçanta pasi na jep perspektiva të dobishme për të vështruar zhvillimet kryesore në Kosovë dhe në Shqipëri, në intervale të ndryshme gjatë 30 viteve të kaluara.

Në çështjen “Konflikti në Kosovë” Dr.Biberaj trajton origjinën e konfliktit serbo-shqiptar, analizon me gjakftohtësi raportet e tensionuara ndërmjet tyre dhe i jep lexuesit një panoramë të përgjithshme që në themel kishte pabarazinë në trajtim që serbët iu bënin shqiptarëve të Kosovës. Autori shprehet se statusi dhe trajtimi që iu bëhej shqiptarëve në ish-Jugosllavi si një prej etnive me numrin e popullsisë më të madh nuk ishin më përpjesëtim të drejtë me numrin e popullsisë dhe dëshirat e tyre të shpallura publikisht. Sipas autorit, shqiptarët e Kosovës kishin gjithnjë e në rritje çështjen etnike ku pakënaqësia e masës ndaj autoriteteve, ngecja ekonomike, pakësimi i mundësive për të ecur përpara, gjendja e keqe shoqërore dhe rënia e standardeve të jetesës i shoqëronte ata. Sipas Dr. Biberaj pavarësisht nga persekutimi i egër dhe përpjekjet për ti asimiluar dhe shkombëtarizuar forcërisht shqiptarët, vetëdija etnike dhe vendosmëria e kosovarëve u shtuan. Sipas Dr. Biberaj policia sekrete, nën drejtimin e Zëvendëspresidentit (serb) Aleksander Rankoviç, shtypte të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve. Kosova trajtohej thjesht si një koloni serbe dhe shqiptarët u shfrytëzuan politikisht, ekonomikisht, si dhe nga pikëpamja shoqërore. Në analizën e tij autori thekson se megjithëse shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë së Kosovës, monopolin e posteve të kualifikuara, administrative dhe profesionale, e kishin serbët dhe malazezët, që i përdornin mjetet e tyre politike për të ruajtur statusin e tyre të privilegjuar.

Në çështjen “Kosova: beteja për njohje” autori analizon raportin e shqiptarëve dhe serbëve në një armiqësi tradicionale, analizohet sfondi historik i konfliktit etnik shqiptaro-serb, shtypja e përgjakshme e protestave studentore të vitit 1981 etj. Në këtë studim voluminoz dhe të rëndësishëm autori paraqet në mënyrë kronologjike sfondin historik të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave duke i dhënë përgjigje me argumente shkencore pikëpyetjes së madhe “Kosova si urë lidhëse apo mollë sherri?”. Autori shterron përplasjen dhe analizon rrënjët e konfliktit si pasojë e ringjalljes së nacionalizmit dhe thellimit të armiqësive etnike në Kosovë si shkak i padrejtësive, shtypjes dhe diskriminimit të shqiptarëve prej regjimit serb. Dr.Biberaj analizon me detaje strategjinë e Beogradit të cilët përdorën ushtrinë, shtypjet e pakënaqësive e revoltave, gjyqet dhe spastrimet e inteligjencës në përpjekje të minimalizimit të kërkesave të shqiptarëve për Kosovën Republikë. Në çështjen “Kosova, fuçi baruti e Ballkanit” autori Dr.Biberaj trajton mjeshtërisht mitin historik të Kosovës, popullsinë shqiptare në Kosovë, pretendimet e historianëve serbë dhe sqarimi i mitit fetar të ngritur prej serbëve se konflikti serbo-shqiptar kishte sfond fetar se gjoja shqiptarët donin të krijonin shtet islamik në zemër të Ballkanit. Faktet historike, analiza e detajuar, interpretimi i tyre, ofrimi në trajtim i një qasjeje panshqiptare të konfliktit serbo-shqiptar, i japin librit një vlerë të jashtëzakonshme historike dhe shkencore. Një tjetër çështje me rëndësi të veçantë autori trajton “Kosova, lindja e një shteti të ri” duke na prezantuar pikëpamjet historike dhe politike përfshirë sfidat dhe betejat e përgjakshme, ngërçin e brëndshëm politik, dialogun dhe negociatat e Kosovës me faktorin ndërkombëtar deri në pavarësinë e saj. Lexuesi shqipfolës ka shumë informacione, të dhëna dhe burime të shumta e të besueshme duke na sjellur një analizë të thelluar të raporteve të midis shqiptarëve dhe serbëve, kjo si rrjedhojë e eksperiencës së gjatë si gazetar dhe drejtues i Zërit të Amerikës, si Shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe tani si Drejtor i VOA-s për Euroazinë. Falë formimin akademik në Columbia University në shkencat politike, si ekspert i politikës ndërkombëtare e bën librin të rëndësishëm dhe në arenën ndërkombëtare. Dr.Elez Biberaj ka qenë dhe është një zë i fuqishëm i çështjes kombëtare, i cili falë penës së tij të prehtë dhe vizionit largpamës përfaqëson denjësisht shqiptarët në mediat e shkruara dhe vizive si pena më e fuqishme në diasporë.

Studimi i Dr.Elez Biberaj “Shqipëria dhe Shqiptarët në Udhën e Rimëkëmbjes” përbën një ndër studimet më serioze dhe dinjitoze në mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që pas shembjes së komunizmit deri në ditët e sotme dhe radhit Dr.Biberaj ndër shqiptarët më me ndikim dhe kontribut të jashtëzakonshëm në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe lartësimin e vlerave më të çmuara të kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike Tagged With: Elez Biberaj, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT