Sokol Paja/
New York, 17 Shtator 2023- Organizatat dhe shoqatat patriotike, kulturore, sociale dhe humanitare shqiptare në New York e më gjerë u takuan në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York me Presidenten e Republikës së Kosovës Shkëlqesinë e saj Vjosa Osmani. Në një panel me pjesëmarrës Ambasador Ilir Dugollin e Ambasador Blerim Rekën, në takimin e organizuar nga z.Mark Gjonaj(Nderi i Kombit), Presidentja Osmani deklaroi se Serbia po kryen një agresion shumë dimensional dhe luftë hibride ndaj Kosovës. Kemi nevojë që të rrisim bashkëpunimin dhe përkrahjen nga aleatët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sfidat e sigurisë shqetësojnë qytetarët dhe Republikën, largojnë investitorët. Kemi nevojë për një mërgatë të fuqishme që lobon për Kosovën. Lirinë, pavarësinë dhe zhvillimin e Kosovës e kemi fituar me gjak dhe sakrifica të mëdha. Kosova si shtet i lirë, i pavarur, i integruar dhe i zhvilluar është falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Z.Mark Gjonaj i paraqiti një listë pyetjesh Presidentes Osmani të ardhura prej 60 organizatave patriotike shqiptare në New York e më gjerë. Në përgjigje Presidentja Osmani deklaroi:
-Çështja e Asociacionit duhet të pajtohet me SHBA.
-Qasja e pa balancuar ndaj Kosovës në raport dhe në dialog me Serbinë.
-Mërgata nuk duhet ndarë. Një mërgatë e bashkuar, një platformë edhe më e fuqishme kombëtare.
-Polarizimet partiake nuk duhet të depërtojnë te diaspora shqiptare në SHBA.
-Kur interesi i Kosovës është në diskutim, të gjithë duhet të jemi me një qëndrim unik.
-Ndryshim i ligjit zgjedhor, do votohet dhe në Konsullata.
-Shumë shpejt do kemi kompani lobuese që do të punojnë për Kosovën.
-Lufta në Ukrainë ka krijuar dinamika të reja të sigurisë. Aleatët po fokusohen te largimi i sa më shumë shteteve prej Rusisë dhe kthimi kah Perëndimi.
-Kosova po punon për sundim të ligjit dhe kordinim të fuqishëm me SHBA.
-Suksesi i Kosovës ndërkombëtarisht varet nga mbështetja e SHBA.
-Komunikim aktiv dhe dinamik me mërgatën shqiptare në SHBA dhe organizim të fuqishëm për të mirën e Kosovës.
-Gjenerata e re patriotike shqiptare po punon me vullnet dhe entuziazëm për çështjen kombëtare.
-Mërgata duhet të vazhdojë që të punojë me organizimin, me forcën dhe vullnetin e kohës së Pavarësisë së Kosovës. Pa punën e mërgatës shqiptare në Amerikë, Amerika nuk do bindej kurrë.
-Të zgjojmë interesimin e amerikanëve që të investojnë në Kosovë.
-Pres propozime konkrete prej mërgatës që të ndjehet e përfshirë. Pres një riorganizim. Një rienergjizim i ri. Një rizgjim amerikan për shtimin e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Duhet lobim i fuqishëm i mërgatës në Kongresin Amerikan.
-Kosova është sukses amerikan.
-Kosova është vendi dhe populli më pro amerikan në botë.
Gazeta “Dielli” e pyeti Presidenten Osmani: Protagonizmi i tepruar i kryeministrit të Shqipërisë Rama si lider rajonal, duke anashkaluar Kosovën e duke u “vëllazëruar” me Vuçiçin, përplasjet me Kryeministrin Kurti, a e kanë dëmtuar Kosovën në raport dhe me ndërkombëtarët? Presidentja Osmani deklaroi se nuk e kemi luksin që të punojmë në ndarë. Historia do na gjykojë, qytetarët nuk do na e falin kurrë nëse ne si shtete nuk jemi bashkë e si shtete nuk punojmë bashkë për të mirën e shteteve tona e kombit tonë. Është e pafalshme që të mos jemi bashkë. Ndërkombëtarisht duhet të jemi të unifikuar” përfundoi fjalën e saj Presidentja Vjosa Osmani.