• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA PROMOVOI “DËSHMI E TRISHTË E NJË SHENJTORI” DHE “LARG ATDHEUT”

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja/

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra promovoi më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Media, miq, vatranë, patriotë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë morën pjesë në këtë festë kulturore-letrare në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, u mbajt 1 minutë heshjte në nderim të largimit në amshim të Zef Balajt, vatranit e patriotit të shquar. Fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj i cili theksoi rëndësinë e promovimit të këtyre botimeve dhe falenderoi Dervish Eliton Pashajn e Teqen Bektashiane Shqiptare të Michiganit për punën në dobi të kulturës, fesë e çështjes kombëtare. Dervish Eliton Pashaj u shpreh në fjalën e tij se libri “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” i është kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në bibliotekën e sotme bektashiane. “Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh” tha ndër të tjera Dervish Pashaj. Ky libër është një homazh i dhimbshëm për klerikët e vrarë e persekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri. Tonin Mirakaj në kumtesën e tij u ndal te figura e Xhevat Kallajxhiut dhe roli i tij në gazetën Dielli. “Gjate 10 viteve si Editor i gazetes “Dielli”, i ndieri Xhevat mundi të bashkëpunojë me shumë emra të njohur ne Mergaten Shqiptare ketu dhe ne Europe, te cilet me shkrimet e tyre e pasuruen dukshem gazeten Dielli. Editorialet qe shkruente Xhevati, paraqesnin mendime rreth ngjarjeve kombetare dhe nderkombetare, qe ne nje menyre apo tjeter, kishin te bejne me situaten e veshtire ne vendlindje, Kosove dhe vende te tjera te banuara nga Shqiptarë. Paraqesnin gjithashtu permbajtjen ne mbrendsine e gazetes, gje qe terhiqte lexuesin. Editorialet jane shpirti i gazetes, thoshte i ndieri Xhevat” kujtoi për të pranishmit Tonin Mirakaj. Sipas studiuesit Idiz Lamaj Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë kujton Lamaj, Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e Diellit në një kohë mjaft të ndërlikuar. “Ndikimi politik i regjimeve komuniste të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thellë në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë, i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës” kujtoi për të pranishmit Idriz Lamaj. Sipas Dalip Grecës Editor i Diellit 2009-2021, libri “Larg Atdheut” është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. “Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca” tha ndër të tjera z.Greca. Pas promovimit, Dervish Eliton Pashaj i dhuroi Vtarës 680 USD në shenjë respekti e mirënjohje për promovimin si dhe veprimtarinë e çmuar në dobi të çështjes kombëtare.

Filed Under: Opinion Tagged With: eliton pashaj, Sokol Paja

TEDI KOTORI, NJË SHQIPTAR NË SKENËN POLITIKE TË PENNSYLVANIAS

April 22, 2022 by s p

Sokol Paja

Tedi Kotori, me moton e fushatës së tij politike “People over Party”, është një kandidat potent shqiptar i pavarur që kandidon për Këshilltar në shtetin e Pennsylvania në Distriktin zgjedhor 172 në verilindjen e Philadelphias. Angazhimi qytetar dhe komunitar i shqiptarëve në Philadelphia i jep shumë shpresë Tedi Kotorit për një përfaqësim dinjitoz. “Northeast Philadelphia ka nje numër të madh shqiptarësh, mbase 20,000 dhe deri sot nuk ka patur përfaqësues shqiptar në Harrisburg. Në qoftë se fitojmë, do jetë me të vërtetë një sfidë historike, dhe një nder i madh për mua të përfaqësoj komunitetin tim” – shprehet për Diellin e Vatrës z.Kotori. Në skenën politike të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës sa herë që zhvillohen zgjedhjet, shqiptarët janë dinjitozë me përfaqësimet e tyre e në shumë raste na kanë bërë krenarë duke marrë fitore të qënësishme. Në një thirrje për komunitetin shqiptar që të votojë masivisht, Tedi Kotori shprehet se ka ardhur momenti që njeri nga ne do jetë zëri i popullit shqiptar në shkallët më të larta të qeverisë Amerikane. Shqiptarët në Philadelphia duhet të regjistrohen për të votuar në mënyrë që mbështetja për Tedi Kotorin të jetë masive. “Në këtë moment kemi shans të mirë të fitojmë, sepse shumica e njerëzve janë të pa kënaqur me të dyja partitë kryesore. Sistemi demokratik amerikan kërkon pjesëmarrje nga të gjithë, edhe në rastin kur nuk voton, ti në fakt voton në mënyrë jo direkte, se çfarëdo që të propozohet, edhe sikur të mos jesh dakort, i ke dhënë të drejtën ta bëhet” shprehet i shqetësuar z.Kotori. Aktivizimi politik i Tedi Kotorit ka të bëjë pikë së pari me përmirësimin e shërbimeve për qytetarët në qytetin e tij. “Fokusi im është për çështjet e cilësisë të jetës (quality of life issues) si shëndetësia, të sigurojmë për gjithë qytetarët opsione publike insurance me kosto të ulët. Arsimi, unë jam nga Korça ku eshtë hapur shkolla e parë të gjuhës shqipe, edhe e ndiej në mënyrë personale rëndësinë e një edukimi të plotë që prodhon qytetarë të edukuar edhe me aftësi të plota për të qenë sa më i suksesshëm në jetë, të cilat sot nuk jepen” citon në programin e tij elektoral Tedi Kotori. Me mbi 10 vite eksperiencë në menaxhim dhe formim, Tedi shprehet se: “Sot problemet janë të kostos së jetesës, të ushqimit, të energjisë, të karburantit, shëndetësisë, edhe qirasë. Këto kanë zgjidhje dhe të thjeshta, por edhe komplekse. Ne kemi të fatin që shteti ynë Pennsylvania ka një prodhimtari të lartë ekonomike, edhe si legjislaturë mund të luajmë një rol kyç për ta përmirsuar situatën” shprehet me bindje të plotë Tedi Kotori. “Komuniteti shqiptar është shumë entuziast që këtë 8 Nëntor mund të bëjmë histori duke zgjedhur të parin shqiptar në legjislaturën e Pennsylvanias. Deri më sot kemi ngritur mbi $10k”, shprehet me një siguri të admirueshme Tedi Kotori. “Organizata Bijtë e Shqipes dhe zoti Bujar Gjoka në veçanti, kanë qënë instrument i fuqishëm për fushatën tonë. Gjithashtu dua të tregoj mirënjohje edhe respekt për zotin Shpëtim Daku, një biznesmen këtu në Philadelphia, i cili më ka marrë nën krahun e tij,  ashtu dhe si ka ndihmuar vazhdimisht qytetarë të tjerë të komunitetit tonë” përfundon prononcimin për Diellin e Vatrës Tedi Kotori. Tedi ka ka lindur dhe është rritur në Korçë, familja imigroi në Amerikë në dhjetor të vitit 1999. Me prinder ekonomistë dhe inxhinjer ndërtimi, Tedi erdhi në mes të klasës të katërt në Philadelphia dhe mbaroi shkollën publike edhe baçelor në ekonomi nga Temple University edhe Master i Shkencës për Analizë Bisnesi. Në karrierë profesionale ka punuar në industrinë e reklamave nga blerja e vendit deri në prodhimin e reklamave në Bank of America, edhe sot në menaxhimin e aseteve reklamore të hekurudhës së Shteteve të Bahkuara të Amerikës. Të gjithë shqiptarët që dëshirojnë të kontribuojnë dhe të mbështesin Tedi Kotorin duhet të bashkohen te “Tedikotori.com” për të mbështetur përfaqësimin e tij politik. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, TEDI KOTORI

SALIKIMI I FUNDIT…

April 21, 2022 by s p

Në vend të një lamtumire për Zef Balaj.

Sokol Paja

New York më 20 Prill 2022 – Shqiptarët e Amerikës, miq, familjarë, patriotë, vatranë, autoritete e bashkëpunëtorë i dhanë lamtumirën e fundit Zef Balajt i cili u shua shumë shpejt duke lënë pas shumë kujtime, vepra të mira, dhimbje e trishtim tek të gjithë ata që e njohën e bashkëpunuan me të. Një bekim i fundit kur trupi i viganit Zef Balaj u fut për herë të fundit në kishën Zoja e Shkodrës, mbi trupin e vdekshëm e shpirtin e pavdekshëm të tij, Dom Pjetër Popaj bekoi trupin e Zef Balës para rrugës pa kthim për jetën në amshim. Në libri liturgjik të “Dijes” u shkëput një lexim për pleqërinë dhe mençurinë, përsosmërinë, shpirtin e bardhë e të pastër, ashtu siç Zef Balaj jetoi jetën e tij tokësore. Në Psalmin fetar: Zoti është Bariu im asgjë nuk më mungon, Dom Pjetri famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, kujtoi se çdokush që beson në Zot është i shpëtuar dhe do ta gëzojë jetën e  përtejme teksa citoi edhe Ungjillin e Shenjtë të Gjonit: “Unë jam ringjallja dhe jeta, kush beson në mua nuk do të vdesë kurrë”. Zef Balaj vendosi të ikë prej nesh në javën e shenjtë të Pashkëve, iku në javën e ringjalljes së Krishtit si për ta treguar se pas vdekjes triumfon një tjetër jetë, dhe se vdekja është veçse një rrugëkalim qiellor. Ungjilli sipas Gjonit citoi Dom Pjetri “Unë Jam Udha e vërteta dhe jeta” i përngjasojnë jetës së shenjtë e të mirë që ka pasur Zef Balaj si familjar e besimtar i devotshëm. Në fjalën ngushëlluese Dom Pjetri u shpreh se familja e nderuar Balaj pati 3 vdekje të rënda në një vit dhe u lut qe Zoti ta forcoje kete familje. Zoti na ka krijuar me jetu jo me vdekë, jeta tokësore nuk është e përgjithmonshme, jeta tokësore një shteg për kalimin në jetën e pasosur. Zef Balaj beri vepra të mira dhe kishte veç mirësi njerëzore. Zefi ishte fisnik e nuk ankohej kurrë. Zefi ishte bujar e shpirtmirë, kontribuoi për Kishat në USA e Shqipëri e Kosovë. Zefi ishte i dashtun i qeshur e fjalë mirë. Zefi ishte i fortë dhe i sigurtë për jetën tjetër, përfundoi fjalën e tij Famullitari Dom Pjetër Popaj. Drane Balaj mbesa e Zefit falenderoi në emër të familjes të gjithë ata që i mbështetën në këtë moment të vështirë dhe përshkroi jetën e Zef Balajt dhe të familjes që nga arratisja nga diktatura komuniste dhe ndërtimi i jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo shprehu e tregoi mbështetjen që Zefi u kishte dhënë familjes nipërve e mbesave e mbi të gjitha mësimet e jetës e fjalët e shtrenjta. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj në fjalën e lamtumirës tha se familja Balaj është ndër më të nderuarat në bashkësinë shqiptaro-amerikane, emri dhe veprimtaria e tij do jetë frymëzim dhe krenari për të gjithë si familjar, veprimtar, patriot, vatran e njeri i përkushtuar i çështjes kombëtare. Fotoreporteri Dritan Haxhia lexoi telegramin e ngushëllimit dërguar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në të cilën shkruhet se Zef Balaj ishte veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Miku i Zef Balës në Ligën Shqiptaro-Amerikane Joseph DioGuardi në fjalën e lamtumirës u shpreh së Zef Balaj ndërtoi identitetin e shqiptarëve në Amerikë dhe frymëzoi lirinë e shqiptarëve me arratisjen nga diktatura. Dalip Greca mes lotësh, në rrëfimin e jetës së tij të përditshme me Zef Balën u shpreh: “Zefi u bë pjesë e përditshme e jetës sonë. Do jetë në shpirtrat tanë përjetë. Zefi ishte një shenjt i padukshëm. Ringjalli gazetën Dielli dhe kontribuoi përherë për Vatrën” kujtoi z.Greca. Kryetari i Vatrës Elmi Berisha me dhimbje e pikëllim u shpreh në fjalën e lamtumirës: “Sot u shprehi mirënjohje familjes e të afërmve, dashuri e krenari për Zef Balën, për vëllanë tonë, për kontributin e tij, veprat e mira, shpirtin e zemrën e tij të bardhë”. Kryetari Berisha në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA e vlerësoi Zef Balën me titullin SENATOR I PËRJETSHËM I VATRËS me motivacion: “Shembull i atdhetarit të vërtetë, anëtarit të denjë të Federatës Vatra, kontribues dhe veprimtar i palodhur, bamirësit të madh dhe mbi të gjitha, njeriut të mirë”. Pas salikimeve të fundit të arkëmortit, trupi i shkatërrueshëm i jetës së pashkatërrueshme të Zef Balës u nis me respekt e dhimbje drejtë banesës së përjetshme. Pas fjalës përmbyllëse të procesit të lamtumirës Dom Pjetër Popaj kujtoi ngjalljen me shpresën e jetës së pasosur dhe lutjen e pranimit në mbretërinë e Zotit të Zef Balës. Në varrezat familjare “Gate of  Heaven” ku u përcoll në paqen e amshuar, miku i ngushtë e Zef Balës Dritan Mishto në emër të familjes Balaj i pikëlluar u shpreh: “Mirënjohje e falenderim mijëra shqiptarëve që janë bashkuar dhimbjes së familjes. Ikja jote o Zef Balaj na lë shkretëtirë në shpirtrat tanë. Flm Zef se ti na ke mësuar si duhet të jetë një bashkëshort, baba, mik, shok, ti na mësove si të jesh njeri. Ti ike me kokën lart e me faqen e bardhë në një kohë që nuk është e lehtë. Nuk do ketë lamtumirë por mirupafshim në botën e përtejme, me po kaq mall sa po ndahemi sot me ty o Zef” u shpreh Mishto. Mëhill Velaj lexoi me trishtim dy telegrame ngushëllimi për familjen e Zef Balës nga Imzot Dodë Gjergji dhe Imzot Rrok Gjonlleshaj. Djali  i Zef Balajt Davidi falenderoi të pranishmit e pjesëmarrësit në dhimbjen e familjes, mbi arkëmortin e atit të tij e mbylli me fjalët: “Do të dua përjetë Babë. Faleminderit për gjithçka që ke bërë për ne. S’do të harroj kurrë, pusho në paqe Bab”. Në drekën e shtruar në “Tesoro d’Italia” për shpirtin e Zef  Balaj, teksa një foto fisnike e Zefit në sallë që zbuste dhimbjen e të gjithë të pranishmëve, pas uratëve e qiririt të ndezur për shpirtin e pashuar, miku i ngushtë i Zefit Asllan Bushati recitoi një elegji përkujtimi “Lot për Zef Balën”, elegji që shënoi fundin e drekës dhe lamtumirën tokësore të Zef Balës me familjen e miqtë e tij. I përjetshëm kujtimi, veprat e mira, dhe gjithçka që Zef Balaj i dha Vatrës, Ligës e Komunitetit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja, Zef Balaj

OLTA SHEHU, NJË SHKËLQIM VEZULLUES PËRTEJ ADRIATIKUT

April 19, 2022 by s p

Balerina Olta Shehu, Drejtore Artistike dhe Mësuese e Kërcimit në “ASD Ginnastica Virtus “Evaristo Pasqualetti” në Macerata, Itali, në një bashkëbisedim me Editorin e gazetës Dielli të Federatës Vatra në New York Sokol Paja, rrëfen rrugëtimin artistik në Itali, krijimin e akademisë “OltAkademi” si një shkollë baleti për fëmijë nga mosha 3 vjeç e sipër, “Olta Summer Camp” si nismë kreative dhe entuziaste me aktivitete social-kulturore duke praktikuar sporte në natyrë dhe Yoga për fëmijë, eskursione, pishina, Olta’s Gots Talent, musical e shumë aktivitete të tjera për fëmijët shqiptarë në Macerata, Itali.


FILLIMET E SUKSESIT NË ITALI TË OLTA SHEHUT


Rrugëtimi im artistik në Itali ka qenë me plot sfida saqë kur kthehem pas në kohë, më ngjallin shumë emocion dhe krenari. Përveç sukseseve ka pasur shumë vështirësi të cilat i kam përballuar me dinjitet e sukses dhe sfidat e fituara më bëjnë krenare në çdo kohë. Arti është komunikimi më i madh i qenies njerëzore. Individë dhe shoqëri nëpërmjet artit kanë transmetuar dhe lëvizur shumë më shumë se edhe me revolucione apo protesta e lëvizje të ndryshme sensibilizuese. Arti ka një fuqi mistike, transformuese dhe nxitëse të jashtëzakonshme. Personalisht një kontratë pune në atë kohë (viti 2002) ishte pak e vështirë ta kishe menjëherë. Duhej shkollë dhe punë. Nuk ishte asgjë e lehtë. Një mënyrë për të qenë në rregull me dokumentat ishte regjistrimi në universitet. Në 2007 u diplomova në “Shkencat e komunikimit” me tezën “Baleti si një mjet komunikimi dhe ekspresioni”. Përveç studimit në komunikim, njëkohësisht nuk kam lënë pas dore gjatë atyre viteve baletin që ishte pasioni im. Vazhdoja të studioja në shkolla private zhanrin e baletit modern e contemporan ku u perfeksionova në vitin 2009/2010 në qytetin e Torinos ku kreva dhe Master në Teatrin Nuovo i Torinos. Dëshira dhe pasioni për të përcjellur mësimet e mia brezave me të rinj ishte e madhe, por vështirësitë për të krijuar diçka tënden gjithashtu nuk janë të vogla mbi të gjitha për një femër në atdheun e largët. Me vullnet, punë e këmbëngulje pas shumë vitesh arrita të krijoj diçka të timen si sipërmarrje artistike duke sjellur shumë risi dhe traditë në artin tim.


SI LINDI “OLTAKADEMI”?


Njeriu ka shumë talente të fshehura në qënien e tij. Zbulimi dhe puna me talentet në fushën e artit ka qenë gjithmonë një ëndërrr e imja. Sa më herët në kohë të zbulosh një talent apo një aftësi të veçantë krijuese te një fëmijë dhe ta zhvillosh atë, frytet e punës në të ardhmen do jenë të jashtëzakonshme. Akademia e Oltës është një shkolle baleti për fëmijë nga mosha 3 vjeç e sipër. Ndër këta kam dhe shumë fëmijë lindur e rritur në Macerata por nga prindër me origjinë shqiptare, nga Kosova e Shqipëria e Maqedonia. Në shkollën time shpeshherë bëjmë bashkëpunime me vëllain Bernardin, vjen si balet maestër për të mbajtur stage, formime nxënësve, jo vetëm ai por dhe shumë balerin shqiptarë tashmë me famë ndërkombëtare. Këtë vit janë plot 20 vjet në Itali ku kam krijuar dhe familjen time, me bashkëshortin Luca kemi dy fëmijë të mrekullueshëm që na mbushin zemrën dhe ditët tona plot Nikol 8 vjeç dhe Marco 5 vjeç. Falë edukimit, vlerave, shkollimit, dedikimit, përkushtimit të prindërve të mi, jam ajo që jam sot. Tani jam e ngarkuar me përgatitjen e spektaklin e fundvitit shkollor te “OltAkademi” që do të mbahet në 29 Maj 2022. Në këtë spektakël do të ngjiten në skenë mbi 80 nxënës ku kujdesem për regjinë, koreografinë dhe drejtimi artistik. Ne si familje kemi qenë shumë të lidhur me aktivitete kulturore e sportive. Unë jam lindur në Tiranë, me shtëpi afër te Piazza e vogël rrethuar nga një vatër dëm baba dëm tironce me zemer të madhe. Babai është trajner mundjeje Besnik Shehu i cili pak ditë më parë u nderua nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta me titullin “Mjeshtër i Madh” për rezultatet e tij të arritura si kampion në mundjen klasike e si trajner për përgatitjet e sportistëve në arenën ndërkombëtare. E megjithatë dy prej fëmijëve unë dhe vëllai i madh Bernard Shehu dëshironte ti bënte balerinë. Vëllai i vogël u mor me futboll dhe mësues i edukimit fizik. Babai spikat gjithmonë në vallet popullore që kërcehen në dasma apo festa. Kështu që në moshen 10 vjeçare pasi kaluam konkursin për hyrjen në shkollë, filloi rrugëtimi ynë në fushën e baletit klasik. Deri 18 vjeçe ku u Diplomova e më tej, mora rrugën për në Itali në qytetin e Macerates për të zhvilluar artin, talentin dhe studimet e mia. Rrugëtimi i jetës simë lidhet drejtëpërsëdrejti si një vazhdimësi e aktiviteteve të sotme. Është e magjishme të punosh me fëmijët. Dëshira e pasioni i tyre ëngjejve për artin, është një frymëzim spektakolar. Të investosh në fëmijët talente ke investyar në të nesërmen e artit dhe kulturën e një kombi.


OLTA SUMMER CAMP


Gërshëtimi i shumë aktiviteteve në një të tërë si spektakël gjigand, sjell për fëmijët shumë surpriza dhe i bën të përjetojnë emocione të veçanta. Kënaqësia dhe lumturia në sytë e fëmijëve është arritja më e madhe për mua si artiste. Më 6 Qershor 2022, rifillojmë Olta Summer Camp. Mbas suksesit të madh që pati verën e kaluar, fëmijët e presin më shumë entuziazëm. Dhe kjo një nismë shumë kreative dhe e dobishme e ideuar dhe krijuar nga unë. Suksesi i këtij kampi veror mendoj është fakti se ideja ishte të fusja brenda elementi akitvitete që do kisha dëshiruar dhe unë ti jetoja, pra duke e parë me syrin dhe mendjen e një fëmijë. Ky aktivitet social dhe kulturor zhvillohet në një park të madh në natyrë sporte nga më të ndryshme si: Yoga për fëmijë, Eskursione, Pishina, Olta’s Gots Talent, Musical e aktivitete të tjera që gërshetohen së bashku. Përfshihet gjithashtu ideja për përkujdesjen e një kopshti ku fëmijët mbjellim e korrim fruta perime.


SHOQATA ILIRIA DHE SHQIPTARËT NË MACERATA


Shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë arrijnë të lënë gjurmë të paharrueshme. Shqiptarët e Italisë mendoj se janë ndër komunitet me talente si në arte dhe në sport të cilët kanë lënë një emër të madh në shtetin italian. Suksesi i shqiptarëve këtu na ka rritur respektin dhe reputacionin si komb e si popull te italianët. Italia të ofron mundësi të panumërta, ti duhet të dish të kapësh shansin, të punosh fort dhe të përfitosh nga mundësitë që të krijohen e shanset që të sigurohen. Përsa i përket komunitetit shqiptar në Macerata mund t’ju them që ka patur gjithmonë në prezencë të rëndësishme. Ne jemi një nga më të mëdhenjtë duke përfshirë edhe qytetarët kosovarë dhe maqedonase me origjinë shqiptare. Në këtë kontekst lindi në vitin 2010 shoqata jonë Iliria. Fillimisht ajo u themelua nga një grup studentash që frekuentonin Universitetin e Maceratës e më pas po ato krijuan familje dhe u stabilizuan në këtë qyteze duke u bërë pjesë aktive e procesit të integrimit midis dy komuniteteve. Shqiptarët në komunitetin tonë e më gjerë, janë integruar në mënyrë të barabartë, punojnë e jetojnë me dinjitet, shumë prej tyre kanë ndjekur ëndërrat dhe talentin, duke përfomuar në skena dhe evente të ndryshme me një karrierë të suksesshme. Vlen të përmend, yjet e artit koreografik dhe muzikor si: Klejdi Kadiu, Ilir Shaqiri, Ermal Meta etj..etj..Krenari për bashkëkombasit e mi që shkëlqejnë në arenën skenike të një shteti artdashës siç është Italia.


GJUHA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR TE SHQIPTARËT NË MACERATA


Investimi në gjuhën e kombit tonë dhe kulturën kombëtare ka qenë një motiv i përhershëm i punës sime. Gjuha e kultura jonë janë të shenjta, ato duhet ti zhvillojmë e ti mbrojmë me pasionin e përkushtimin më të madh. Gjuha e nënës është trashëgimia më e çmuar që iu lëmë fëmijëve tanë. Zhvillimi i Shkollës shqipe në Macerata ka qenë një nga nismat më të rëndësishme të shoqatës. Ajo lindi nga dëshira për të mbajtur gjallë rrënjët në brezat e dytë ose më saktë të fëmijëve tanë që tanimë janë pjestarë të plotë të komunitetit vendas. Gjithsesi ruajtja e identitetit kulturor kombëtar është i domosdoshëm sepse nëpërmjet këtij aktiviteti fëmijët pasurohen në vlera duke përvetësuar akoma më mirë ato që po jetojnë. Pra është një mundësi integrimi edhe kjo dhe për këtë arsye gjetëm dhe mbështetjen e institucioneve lokale. Së fundi mund të shpreh si zv.Presidente e Shoqatës që arti, kultura, sporti etj janë vlera universale nëpërmjet të cilave krijohen marrëdhënie konstruktive dhe mundësira integrimi por jo vetëm kaq. Janë veprimtari që bëjnë të mundur edhe realizimin e potencialeve njerëzore në të gjitha fushat e jetës si artizanë, profesionalë dhe artistike të cilat do të ngeleshin të panjohura në munges të të tilla nismash. Mos harroj të përmend edhe faktin që kjo është një histori që ripërsëritet sepse para nesh, që në 1300, vlerësohet në arkivat e kësaj qyteze prezenca e shumë shqiptarëve- arbereshe të cilët ndihmuan në ndërtimin e qytezës të Maceratës si dhe në kurimin e të sëmurëve nga murtaja (pestë). Në shkollën shqipe gjatë festave të ndryshme kemi paraqitjen dinjitoze të fëmijëve tanë në ushtrimin koreografik të zhanrit popullor dhe modern, ku u kushtohem me plot përkushtim e plot pasion si mësuese e kësaj lënde. Por, njëherësh respekt dhe për mësuesit, Mirela Nasi (gjuha shqipe) Blerdi Fatusha (Arti figurativ), të cilet me plot vullnet, u mësojnë fëmijëve tanë të shkruajnë e të lexojnë gjuhën meme gjithashtu të vizatojnë simbolet tona kombëtare, si flamurin, shqiponjën, portretin e heronjve tanë, etj…duke motivuar tek fëmijët tanë hapësirën e fantazisë së tyre, në fokusin e një moshe të çiltër. Kryefjala e misionit tonë fisnik, nxjerr në pah njohjen e fëmijëve me rilindasit tanë të shquar, me poetë që kanë vargëzuar aq bukur për gjuhën e mëmëdheut, po ashtu dhe me patriotë trima që i nderon koha në piedestalin e krenarisë. Sa i takon momentit aktual, jemi ngadalësuar pak, kemi bërë disa aktivitete online, e meqë tani situata e Covid-19 sikur po mer drejtim, është rindezur drita jeshile për të avancuar më tej, ndonëse në mënyrë më të rezervuar, por gjithnjë në kënaqësinë e përvetësimit të gjuhës së bukur shqipe.

Filed Under: Opinion Tagged With: olta shehu, Sokol Paja

“MËSO SHQIP” DHE “VALLËZIM TRADICIONAL” PROJEKTET QË MBAJNË GJALLË GJUHËN SHQIPE DHE KULTURËN TE SHQIPTARËT NË NEW YORK

April 16, 2022 by s p

Arlinda Suka, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën për fëmijët shqiptarë në Staten Island – New York, në klasat: “Mëso Shqip” dhe “Vallëzim Tradicional”, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Staten Island, aktivitetin edukativ dhe artistik, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Amerikës. “Mëso Shqip” dhe “Vallëzim Tradicional” si programe mësimore, edukative dhe kulturore janë një mundësi e shkëlqyer që fëmijët shqiptarë që të ruajnë gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar.

SHOQATA “KRAJA”, “ANA E MALIT” DHE “ULQINI”, PROJEKTE PËR GJUHËN DHE KULTURËN SHQIPTARE

Shoqata “Ana e Malit” filloi rreth gjashtë vite më parë një projekt kombëtar për zhvillimin e gjuhës e kulturës shqipe në Staten Island. Angazhimi im në këto tre shoqata së fundmi erdhi në një mënyrë aq sa spontane aq dhe natyrale dhe në momentin e duhur dhe kohën e duhur. Pasi kisha 4 muaj që kisha ardhur nga Ulqini dhe isha zhvendosur plotësishtn në New York, isha shkëputur nga vendlindja dhe nga puna ime si mësuese dhe isha akoma me kujtimet dhe mallin për familjen, punën dhe çdo gjë që më lidhte me vendlindjen. Në një pasdite të bukur dimri me vjen një ftesë ku shoqatat Kraja, Ulqini dhe Ana e Malit më kërkojnë që në mënyrë vullnetare të jem mësuese e nxënësve shqiptarë që jetojnë në New York dhe të jem pjesë e projekteve të tyre. Pa hezituar e pa menduar pranova sepse doja të jepja kontributin tim për këto nxënës dhe e ndieja si një borxh që të gjithë ja kemi vendlindjes dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Me vonë së bashku me të tre shoqatat vendosem që projektin ta quajmë ” Mëso shqip”. Pasi çdo gjë erdhi shumë shpejt dhe as vetë nuk mendonim që do fillojmë aq shpejt me realizimin e këtij projekti nuk ishim dhe aq të përgatitur për materialet dhe gjërat e nevojshme si abetaret dhe librat tjera që do të na duheshin për të mbajtur në mënyrë sa më cilsore mësimin. Sidoqoftë kemi mundur të sigurojmë mjete mësimore falë Konsullatës së Kosovës që ka bërë dhurimin e shumë materialeve me të cilat kemi startuar, për çka e falenderojmë pa masë dhe jemi shumë mirënjohës. Gjithashtu jemi duke u munduar të sigurojmë sa më shpejt Abetaret ndërkombëtare me të cilat mendojmë të punojmë në vazhdimësi.

VALLËZIM TRADICIONAL E MUZIKË AUTENTIKE SHQIPTARE

Përveç organizinit të mbajtjes se orëve në gjuhën shqipe, tri Shoqatat Kraja, Ana e Malit dhe Ulqini, si risi tjetër do të kenë dhe klasat e vallëzimit ku theks të veçantë do të vihet në përforcimin e përfomimin e valleve  tradicionale  nga trevat shqiptare të Malit të Zi. Për këtë gjë do të kujdesen me mjeshtri e profesionalizëm mësueset tona të talentuara që më parë vetë kanë qenë valltare në këto shoqata patriotike. Pa dyshim që presim vallëzime e kërcime aq sa kreative, qoftë koreografisë qoftë kostumevë të larmishme nga trevat e ndryshme shqiptare.

GJUHA SHQIPE SI ELEMENT I LASHTËSISË SË KOMBIT DHE KULTURËS SHQIPTARE

Kur flitet për gjuhën që është një element shumë i rëndësishëm i kombit dhe kulturës shqiptare  pa dyshim që do jemi më sensitiv dhe shpesh herë dhe emocionalisht të lidhur me ketë element. Për fat të keq jemi dëshmitarë që gjuha shqipe dhe përdorimi i saj po zbehet sidomos nga shqiptarët e diasporës. Duhet të punohet fort për tu ruajtur gjuha shqipe. Roli jonë si prindër dhe edukues të brezit të ri është që t’a ndalojmë këtë fenomen dhe të kontribuojmë në forma të ndryshme që të ruhet e të fitet anë e mbanë botës ku ka shqiptarë. Pikërisht ky projekt ka për synim që brezat e ri të ruajnë gjuhën e tyre, të mos harrojnë nga vijnë dhe nga i kanë rrënjët.

GJUHA SI RUAJTJE E TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE TE SHQIPTARËT E MËRGUAR

Përmes aktiviteteve që po planifikojmë të realizojmë në këtë projekt do mundohemi që theksin ta vendosim në ruajtjen e gjuhës shqipe si trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve që me vite janë në mërgim. Të detyruar nga rrethanat e ndoshta dhe nga “modernizimi i tepruar” apo zhvillimet e kohës sikurse ka filluar që gjuha shqipe në mërgim të flitet më pak sidomos tek moshat e reja, gjë që e vërejta që nga ora e parë e mbajtjes së mësimit, do mundohem që jo vetem unë por të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në këtë projekt që të investojmë sa më shumë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe këtu në Amerikë. Kjo gjë duhet shikuar si një borxh që ne ia kemi mëmëdheut tonë. Jo më kot kërkesa ime e parë që ju bëra prindërve që në diten e parë ishte: Flisni sa më shumë shqip me fëmijët tuaj. Me një përpjekje të përbashkët besoj se filizat tona shqiptare jo që do ta flasin e shkruajnë bukur gjuhën shqipe por dhe do ta mbartin brez pas brezi tek fëmijët e tyre.

BOTIMET NË DOBI TË GJUHËS SHQIPE

Unë jam autore e dy librave në fushën e mësimdhënies: “Metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies” të botuar në vitin 2014 ku zakonisht trajtohen tema që kanë lidhje me mësimdhënien pasi vetë kam ushtruar profesionin e mësueses për 11 vite radhazi dhe libri i dytë: “E dua shkollën”. Është libri i letërsisë për klasa të para që u botua në vitin 2021 dhe përdoret si libër zyrtar për klasat e para në shkollat shqipe në Mal të zi. Këto dy kontribute shkencore në specialitetin edukim, kanë rezultuar mjaft të rëndësishme në fushën e mësimdhënies.

PRITSHMËRITË NGA SHKOLLA SHQIPE E STATEN ISLAND

Nga  kjo shkollë pres në radhë të parë vullnet të çeliktë si nga ana e nxënësve dhe prindërve për të ecur para me mësimin e gjuhës shqipe. Nuk pres rezultate të menjëhershme sespse e di që nuk është e lehtë. Sepse çdo fillim ka vështirësitë dhe sfidat e veta por mendoj që jemi mbledhur së bashku të gjithë për një kauzë të mirë: për ruajtjen, kultivimin e gjuhës dhe së bashku në këtë rrugëtim të bukur do kalojmë çdo sfidë dhe gjuha shqipe do të flitet e do të tingëllojnë shumë më bukur nga brezat e ri që po rriten këtu në Amerikë. Na mbetet që të presim që dëshirat tona të flakta të na realizohen falë punës sonë, vullnetit të nënësve, mbështetjes së prindërve e këmbënguljes së jashtëzakonshme të të gjithëve së bashku.  

Filed Under: Opinion Tagged With: ARLINDA SUKALIQI, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT