• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE

July 31, 2021 by s p

Shkrimtari Ag Apolloni paraqet para publikut romanin e tij më të ri dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Në një rrëfim për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra , dhënë Editorit Sokol Paja, shkrimtari Ag Apolloni shprehet se ky roman dokumentar flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

“NJË FIJE SHPRESE, NJË FIJE SHKREPËSE”

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis. Mirëpo brenda strukturës gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Po ashtu, e bazuar krejtësisht në materiale arkivore, nëpërmjet figurës së Elie Ëiesel-it (i cili i vizitoi shqiptarët në kampe dhe bëri një raport mbi ta për Shtëpinë e Bardhë) vihet edhe një paralele mes Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Kosovës, përkatësisht mes kampeve të shfarosjes dhe kampeve të shpërnguljes. Ndërsa, në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë kosovare, rrëfehen edhe përvojat personale të tre shokëve, në raport me luftën. Ky dokuroman (roman dokumentar) flet për dhunën e regjimit serb, për dëbimet dhe djegiet, për spastrimin etnik, për intervenimin ushtarak të NATO-s, për personat e pagjetur, për një dorëshkrim të humbur dhe një tragjedi të gjetur, për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës. Nga Ministria e Kulturës në Kosovë dokuromani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është shpërblyer si romani më i mirë i vitit 2020.

ZONJA PREJ ZJARRI, GRUAJA PREJ GURI

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. 

PASHKA E DOGJI VETEN DHE E DOGJI VDEKJEN

Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura.    

LARG SHKREPSË, KA ENDE SHPRESË

Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthi-min e bijve dhe bijave, mund ta humbin duri-min, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë!  E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë. Kësaj here emrat e tyre ua përcaktuan fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes kaloi oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përkohshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti ferdane, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato mbetën si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

KUSH  ËSHTË AG APOLLONI?

Ag Apolloni (1982) është shkrimtar nga Kosova. Ka kryer studimet për Dramaturgji në Fakultetin e Arteve dhe për Letërsi në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës, ku ka doktoruar më 2012. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, ndërsa nga viti 2013 është kryeredaktor i revistës kulturore Symbol. Po ashtu, është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008.  Veprat: Zomb (poezi, 2009), Historia e një koleksionisti të syve (drama, 2010), Parabola postmoderne (studim, 2010), Paradigma e Proteut (studim, 2012), Ulurima e Ujkut (roman, 2013), Zazen (roman, 2014), Koferi i Konicës (ese, 2016), Hamleti simbas Horacit (dramë, 2017), Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (dramë, 2018), Mesjeta ime (autobiografi, 2019), Commentum 1, 2, 3 (ese, 2019 ), Sandalet e Senekës (poezi, 2020), Një fije shprese, një shkrepëse (roman, 2020). Shpërblimet: “Libri më i mirë poetik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”; “Libri më i mirë kritik i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”; “Romani më i mirë i vitit” (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”; “Drama më e mirë e vitit” nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”; “Romani më i mirë i vitit” nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.  

Filed Under: Featured Tagged With: Ag Apolloni, Sokol Paja

LAMTUMIRË GJERGJ BALAJ

July 29, 2021 by s p

Sokol PAJA- DIELLI

New York, më 28 Korrik, mes lotësh, dhimbjes së madhe, trishtimit të thellë dhe brengës në shpirt, qindra miq, familjarë, patriotë, vatranë e autoritete fetare përcollën për në banesën e përjetshme shqiptaro-amerikanin Gjergj Balaj. Një njeri i respektuar dhe i dalluar në komunitetin shqiptar në New York dhe më gjërë. Një ikje e parakohshme, një vdekje tronditëse, një ndarje pikëlluese që lë një boshllëk të përjetshëm tek familja, miqtë e afërm dhe bashkëpunëtorët e ngushtë. Me ikjen e Gjergjit iku një pjesë e secilit nga ata që e njohën dhe ndanë emocione të mëdha siç dinte ti falte vetëm i paharruari Gjergj Balaj.

Energjik, pasionant, patriot i flaktë, katolik i devotshëm, njeri i respektuar dhe zemërbardhë, fisnik i pakrahasueshëm, prind i dashur, bashkëshort shembullor, mik besnik e atdhetar i flaktë, Gjergj Balaj do të mbetet përjetë në memorien e të gjithë atyre që e njohën dhe gëzuan emocione të veçanta nën shoqërinë dhe fisnikërinë e tij. I dashur, i qeshur, sfidues, këmbëngulës, i fortë, Gjergj Balaj ishte për të gjithë ata që patën fatin ta njohin një shumbull i fortë dhe model i shëndoshë në shoqëri dhe kudo. I kudogjendur, i kudondodhur, Gjergj Balaj e jetoi jetën në çdo moment, shijoi shpejt çdo pasion si për të na treguar se do ikte shpejt prej nesh, përgjithmonë. Gjergji gjithmonë ishte i kudogjendur dhe jepte gëzim dhe shpirtin e tij për miqtë e familjen, këtë herë ai na befasoi, ashtu si vdekja e tij e befasishme. Një ikje që na lë të shtangur e të vrarë, por besimi në jetën e pasosur dhe ngjalljen prej së vdekuri na jep motiv se me Gjergjin do takohemi një ditë shpejt. Gjergji ishte gjithmonë kudo i pari, ndërsa në ceremoninë mortore të organizuar në Kishën Zoja e Shkodrës, ai erdhi i fundit.

Në arkëmortin e bardhë si shpirti i tij i madh dhe i bardhë, mbështjellë me pelhurën e paqes si simbol i jetës e veprave të bardha e të mira të Gjergjit, ai u ndal për të na përshëndetur për herë të fundit. Edhe këtë herë kishte shumë njerëz e miq të panumërt rreth vetes, ashtu siç Gjergji ishte i rrethuar gjithmonë nga miqtë e shokët e tij. Në Kishën Zoja e Shkodrës, në vendin ku ulej gjithmonë Gjergji familjarisht, dje ishin ulur miqtë e tij nga Vatra dhe Imami Gaz Aga, një mik i çmuar i Gjergjit. Në predikimin e lamtumirës Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, miku më i ngushtë i Gjergj Balës, tha se askush në këtë botë nuk e kishte menduar se Gjergj Balaj do na kishte mbledhur në funeralin e tij. Gjergji na mblidhte veç për gëzim, veç për moment të bukura. “Nuk është e lehtë me gjet fjalët për ikjen e një njeriu të jashtëzakonshëm si Gjergj Balaj. As në imagjinatën tonë më ekstreme nuk mund ta kishim mendu se sot do ishim mbledhë për vdekjen e Gjergj Balës. Nuk do kisha dashtë kurrë me e ba këtë predikim sot. Do donim të gjithë që kjo të ishte një andërr dhe ta shihnim Gjergjin teksa merrte avionin për në Shqipëri e ta shihnim bashkë me Aidën duke iu ngjitur maleve të bukura të Shqipërisë dhe duke shkelur dheun e të parëve që aq shumë e deshi. Jo vetëm miqtë e tu të panumërt o Gjergj, por edhe alpet, shtigjet, bjeshkët, malet, bora e pa shkrime e tyne, rrjedha e Drinit, ujëvarat, liqenet, deti i Sarandës, Pogradeci, Korça, sot po qajnë për ty o Gjergj. Kur mendojmë se hapat e tu s’kanë me i shkel ma kurrë, s’do jetë kurrë ma si më parë për të gjithë ata njerëz që të kanë dashtë o Gjergj. Do jetë e vështirë për Aidën, djemtë dhe të gjithë ne që të njohëm. Janë të shumtë njerëzit që janë trondit nga ikja jote o Gjergj, janë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Belgjika, Kanadaja, Amerika. Dhe sikur të kishe qenë udhëheqës shteti apo Ipeshkv s’do kishe qenë kaq i dashur e i respektuar si ti o Gjergj Bala. Kudo keni shku bashkë me Aidën dhe keni dhanë shembull të një familje të bukur, të qeshur, dhe të lumtur. Na fal o Gjergj nëse ndonjëherë nuk të kemi kuptuar plotësisht. Lutju Zotit për ne, ashtu siç ne po lutemi për ty sot. Kaq shumë miq dhe kaq shumë lot që derdhen për Gjergj Balën sot duhet të bëjnë krenar Aiden dhe djemtë e tij për kaq shumë dashuri e respekt që ka mbjellur Gjergji kudo ku ka shku. Sot ne ia besojmë shpirtin e Gjergjit Zotit, dhe Aidën e djemtë Agron, Martin, Dardan, kujdesit të hyjit dhe dashurisë së njerëzve. Qofsh i parajsës o Gjergj Balaj dhe Zoja e bekuar të shoqëroftë në lumninë e engjëjve e të shenjtërve” përfundoi fjalën prekëse Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, miku më i ngushtë i Gjergjit. Djali i i madh Gjergj Balajt, Agroni dhe mbesa e tij Sofia në fjalën  e lamtumirës përveç betimit për ta dashur e përkujtuar gjithmonë, ata theksuan dashurinë dhe madhështinë e Gjergjit si familjar, mik e shok i veçantë. Në funeralin e lamtumirës në varreza miku i ngushtë i familjes Balaj, Simon Qafa falenderoi në emër të familjes dhe kujtoi vitet plot emocione të forta dhe miqësinë e veçantë me Gjergjin e familjen tij. Në drekën e lamtumirës shtruar nga familja e Gjergjit në nder të kujtimit për të dhe përshpirtshmërisë ndaj tij, familja ndezi qiriun e shenjtë si simbol i dritës, pavdekësisë dhe përjetësisë. Gjergji fluturoi drejtë qiellit dhe dritë e shpirtit të tij fisnik do të ndriçojë përjetë familjen dhe miqtë e tij. Lamtumirë Gjergj Balaj, Zoti të pastë në parajsën e tij, në mbretërinë e ëngjejvë dhe të shenjtërve.

Filed Under: Featured Tagged With: Aida Balaj, Gjergj Balaj, Imzot Gjergj Meta, Sokol Paja

NGA AT ZEF PLLUMI TE LUKË KAÇAJ, MAKS RAKIPAJ RRËFEN PERSEKUTIMIN KOMUNIST MBI ELITËN INTELEKTUALE

July 28, 2021 by s p

Shkrimtari Maksim Rakipaj, i persekutuar, i përndjekur, i burgosur dhe i dënuar prej regjimit komunist me 15 vite, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, vuajtjet, dhunën, torturat, përgjimet, hetuesinë dhe qëndresën në burgjet komuniste të shqiptarëve të pafajshëm. Kleri fetar, elita intelektuale dhe njerëz të thjeshtë u masakruan barbarisht prej sistemit monist për gjysëm shekulli. Sipas Maksim Rakipajt është koha të ngrihet një komision letrar, me specialistë jo komunistë, që të përzgjedhë librat më të mirë të letërsisë së burgut për t’i futur në sistemin arsimor. Brezi i ri duhet të njihet patjetër me të vërtetat e diktaturës. E keqja që harrohet, përsëritet. Me Maksim Rakipajn bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

KUSH ËSHTË MAKSIM RAKIPAJ, ARRESTIMI, BURGOSJA, LIRIA…

Jam Maksim Xhafer Rakipaj, i martuar, me dy fëmijë. Lindur në Vlorë, më 15 Korrik 1951. Mbaroi Shkollën e Marinës në Vlorë në vitin 1972. Punoi si oficer kuverte në anijet e Flotës Tregtare Detare deri në vitin 1977, kur e arrestuan dhe dënuan me 15 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe kontrabandë. E liruan në muajin Shtator të vitit 1984. Kundërshtoi bashkëpunimin me sigurimin e shtetit, e lanë 9 muaj pa punë. Filloi punë si minator në muajin Qershor 1985 në minierën e e qymyrit në Manzë, sektori Gërdec. Pas vitit 1991 rifilloi punë në anijet e Flotës Tregtare Detare. Në vitin 1996 filloi punë si shef i marëdhënieve me jashtë, shef protokolli dhe zëdhënës shtypi në Bashkinë e Durrësit. Në vitin 1999 rifilloi punë në det si kapiten në anije të ndryshme tregtare. Pas vitit 2002 mërgoi në Itali dhe jeton në Lucca (Luka, Toskana). Ka botuar këto libra: ‟20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi” nga Pablo Neruda, përkthim nga spanjishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Profeti” Kahlil Xhibran, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”,  kujtime burgu, botuar nga ISKPK (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit), 2014; ‟Antologji e poezisë arabo-persiane” përkthime të ndryshme, UEGEN 2015; ‟Trilusa m’Tironë” përkthim, UEGEN 2015; ‟Bukowski poezi”, përkthime nga anglishtja, 2015; ‟Sonetet e plota të Shekspirit”, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese ADA, 2016; ‟Profeti dhe Kopshti i Profetit”  nga Kahlil Gibra, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese Toena 2016; ‟Kali Valltar”, nga Jo Jo Moyes roman, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese UEGEN, 2018; ‟I Mbijetuar”,  botim i ripunuar i librit ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, shtëpia botuese Dy lindje dy perëndime, 2018; ‟Antologji e Poetëve Nobelistë”, shtëpia botuese UEGEN, 2019; “Antologji e Poetëve disidentë”, shtëpia botuese Jozef, 2019; “Poezi nga Maram Al Masri”, përkthime, shtëpia botuese Jozef, 2020; “E Sigurt (Safe)”, roman nga S.K Barnett, përkthim, shtëpia botuese Jozef 2021; “Ngjyra e Lëkurës”, “Komunizmi dhe Llogjika e Shëndoshë”, publicistikë nga Manning Johnson, përkthim, shtëpia botuese Jozef, 2021; …së shpejti shpresoj të bëhen 20 tituj.

Maks Rakipaj, 1 muaj para arrestimit prej komunisteve.

LUFTA NACIONAL-ÇLIRIMTARE ISHTE NJË LUFTË VËLLAVRASËSE E KOMANDUAR NGA SHEFAT JUGOSLLAVË

Lufta, që komunistët e quajnë nacional-çlirimtare, gjykoj se qe më tepër një luftë vëllavrasëse e komanduar nga shefat jugosllavë. Im atë e filloi luftën si ballist në fillim të vitit ’43 dhe pas tre muajsh doli partizan bashkë me dy vëllezër. U plagos dy herë, në vitin ’44 e futën në Partinë Komuniste. Pas lufte mbaroi shkollën e oficerëve, pas asaj shkolle shërbeu si oficer në artileri. Në vitin 1955 pushteti arrestoi dy vëllezërit e mëdhenj, xhaxhai im i madh, Njaziu vuajti 17 vite në burg politik, shumicën e kohës në Burrel. Në vitin 1956 shpallën kulak të atin, gjyshin tim Sabri Rakipaj. Pas atij viti, im atë shërbeu vetëm në armën e xhenjos, me ushtarë që vinin nga ata që quheshin “të deklasuar” deri sa e larguan nga ushtria në vitin 1960. Në ato vite s’e kam ditur kurrë në jam me “biografi të mirë” apo me “biografi të keqe”. Mbarova shkollën e oficerëve të flotës detare me frikë mos më përjashtonin. Im atë komunist, por gjyshi im kulak, një xhaxha i dënuar politik. Ç’isha unë? Punoja me gjithë shpirt, si im atë që la emër të nderuar kudo që punoi dhe shumë hollësi janë te libri im me kujtime ‟I mbijetuar”. Të paktën gjashtë muaj para arrestimit ndjehesha i përgjuar. Duke qënë se dilja jashtë shtetit si oficer i flotës detare tregëtare, e kisha të lehtë të kërkoja strehim politik ku të doja. Përse nuk më arrestuan më parë? Disa herë kam patur provokime për t’u arratisur, nga disa që më shtireshin si miq. Kështu që e dinin mendimin tim, doja më tepër familjen se sa rehatin dhe jetën time. Prandaj edhe kur mora sinjale të sigurtë se mund të arrestohesha, nuk bëra asnjë përçapje për t’u arratisur, sepse po të ikja, kishin për t’i marrë shpirtin tim eti, nënës, vëllait dhe motrave të mia. Më arrestuan mua dhe oficerët e tjerë të anijes ‟Durrësi” në fund të Prillit 1977. Ishin vitet kur pushteti kishte filluar të ‟hante edhe “të vetët”. Unë isha në mes, edhe i ‟tyre” (babai komunist, e përjashtuan në vitin 1976 për ‟zbutje të luftës së klasave”!) edhe kundër tyre (gjyshi kulak, një xhaxha 17 vite burg politik). Kurse gjatë hetuesisë trajtohesha si i vetmi armik i vërtetë i pushtetit popullor. Ja fjalët e hetuesit tim Spiro Spiro: ‟Ti je armiku i vërtetë në këtë grup! Ti! Gjyshin kulak, dy xhaxhallarët të dënuar, yt atë i përjashtuar nga partia! Me këtë frymë je rritur! Të tjerët i ke tërhequr ti në rrugën e armiqësisë! Ata janë të lajthitur, ti je armiku i vërtetë”! ‟Ç’ka të veçantë historia jote”? – është njëra nga pyetjet. E kam menduar shpesh këtë gjë. Në anijen ‟Durrësi” shërbente si oficer I Aladin Kapo (që ishte dhe është shoku im i ngushtë),  nip i Hysni Kapos (nr. 2 në ato vite, pas Enver Hoxhës). Aladini u arrestua bashkë me ne. Ato vite dihej se gjendja shëndetësore e diktatorit E. Hoxha qe rënduar shumë. Dy mendoheshin si pasues pas vdekjes së diktatorit, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu sepse Ramizi qe në hije ato vite. Hysniun e eliminuan në vitin ’79, Mehmeti ‟vrau veten” në vitin 1981. Ndoshta pas arrestimit të nipit të Hysni Kapos me akuza politike, fshihej dora e Mehmetit dhe ortakëve të tij. Ne të tjerët ishim sa për garniturë, për ta bërë më bindëse atë ndodhi. Mua dhe Aladinit na dhanë nga 15 vite burg, dy të tjerëve 12 dhe 11 vite burg. Më cilësuan kryetar të ‟grupit armiqësor”. Sipas hetuesit Spiro Spiro, kjo gjë bëhej që çështja të mos merrte emrin ‟Aladin Kapo dhe të tjerët, se tingëllon keq në popull”.

LETËRSIA E KUJTIMEVE TË BURGUT SI LETËRSI QË RRËFEN E DEMASKON FERRIN KOMUNIST

Pas viteve ’90 filloi të zhvillohej kjo lloj letërsie, e panjohur më parë. Shkruan libra kujtimesh ata që kishin shkruar, botuar edhe para burgosjes, por shumica e autorëve të kësaj letërsie ishin fillestarë në letërsi. Shumë prej tyre janë bashkëvuajtësit e mi, të tjerë i njoh vetëm nga emri. Gjykoj se është koha të ngrihet një komision letrar, me specialistë jo komunistë, apo të lidhur me regjimin diktatorial, që të përzgjedhë librat më të mirë të kësaj letërsie për t’i futur në sistemin arsimor. Brezi i ri duhet të njihet patjetër me të vërtetat e diktaturës. E keqja që harrohet, përsëritet. Në mos gaboj, nga librat e parë të këtij zhanri qe libri i Lubonjës me titull ‟Ridënimi”. Por jehonën më të madhe e patën dy librat e Visar Zhitit ‟Rrugët e Burgut” dhe ‟Ferri i çarë”, ku duket dora e shkrimtarit. Kam lexuar me ëndje dhe kurreshtje edhe librat e miqve të mi Gëzim Peshkëpia, Hysen Haxhia, Gëzim Çela, Skënder Tufa etj. Një ndihmesë të mirë ka dhënë edhe ISKPK nën drejtimin e z. Agron Tufa dhe Çelo Hoxha me një seri botimesh shkruar nga ish të dënuarit politikë. Librat janë botuar dhe shpërndarë falas me shpenzimet e Institutit, shumë prej nesh s’kanë mjete financiare për të botuar nëpër shtëpitë botuese. Librin tim me kujtime burgu me titull ‟Gjallë Pas Mbytjes së Anijes” (titullin e librit ma sugjeroi shoku im Visar Zhiti) e botoi ky Institut në vitin 2014. Nga miqtë e mi që shkruanin në burg dhe m’i tregonin krijimet e tyre kanë qënë i ndjeri Zydi Morava, i paharruari Gëzim Medolli, Hasan Bajo dhe sigurisht, Visar Zhiti. Miqësia me Visarin bëri të rilindte tek unë dashuria për poezinë. Unë nuk shkruaja atje, vetëm përktheja. Kur u lirova kisha rreth 35 poezi të përkthyera. Sprova ime e parë në përkthim ishte poezia ‟I Pamposhturi” nga  William Ernest Henley. Nuk qe e lehtë të shkruaje në burg sepse kishte edhe spiunë në shërbim të komandës. Por kishim edhe shokë që na ruanin dhe i ruanim kur shkruanin. I kemi ndihmuar edhe për t’i nxjerrë shkrimet nga burgu. Asnjë qeveri deri tani s’ka marrë asnjë masë që kjo lloj letërsie të futet në sistemin tonë arsimor.

VITET E BURGOSJES, KUSHTET Ç’NJERËZORE, PUNA NË MINIERË, MUNGESA E USHQIMIT, DHUNA E POLICËVE NË BURG

Të gjithë kemi parë filma, lexuar libra për kampet e përqëndrimit e kohës së Hitlerit apo për gulagët e Leninit dhe Stalinit. Gjatë viteve të burgut më qëlloi të jetoja në tre kampe: Ballsh, Spaç dhe Qafë-Bar. Veç kësaj kam patur rast të njoh të dënuar të vjetër që kishin qënë edhe në kampe të tjerë (si kampi i kënetës së Maliqit s’mundi të ngrinte as Hitleri, as Stalini), që do t’i kishin zili edhe specialistët gjermanë dhe rusë të kampeve të përqëndrimit. Të burgosur të vjetër tregonin se në vitet e para në Ministrinë e Brendëshme ka punuar si specialist burgjesh një ish SS që kërkohej nga çekët për krime lufte. Kam lexuar edhe librin “Last Station – Auschwitz” nga Eddy De Wind, hebre holandez, me bindje të majta, i mbijetuar i kampit të Aushvicit. Në kampet enveriste mungonin vetëm krematoriumet. Ushqimi ishte më i pakët dhe më i keq se në Aushvic. Në kampin e Ballshit menuja ishte kjo: mëngjesi: një lloj supe pa pikë yndyre me presh, lakra ose domate etj., të ziera. Dreka: një ditë lëng makaronash, një ditë lëng orizi dhe një ditë lëng groshe ku tek tuk notonte ndonjë kokërr oriz, apo groshë, sipas ditës. Darka: çaj (sheqer i djegur, lëngu i të cilit servirej për çaj). Dhe sipas normës 600 gr. bukë, që në fakt nuk jepnin as 500 gram. Të moshuarit, të sëmurët, vdisnin nga uria dhe mungesa e kujdesit mjeksor. Kur isha në kampin e çfarosjes në Ballsh erdhi të më kërkonte të bashkëpunoja me sigurimin e shtetit ish n/kryetari i degës së Durrësit, krimineli Kapllan Shehu. Kundërshtimi im dhe mënyra si u përgjigja e acaruan jashtë mase. Brenda 10 ditësh më transferuan në kampin legjendë të Spaçit. Të nesërmen fillova punë në minierë. Ferr i vërtetë, sidomos ditët e para. Sa filloi muaji tjetër dhe u bë organika mujore e punës më caktuan të punoja minator me martel. Në Spaç punohej me tre turne dhe me grupe pune treshe: minatori dhe dy puntorë lopate. Puntorët pastronin frontin e punës nga plasja e turnit të mëparshëm që e ngarkonin nëpër vagonë me kapacitet një ton. Norma tetë vagonë, por sado vagonë me mineral të ishin, fronti duhej pastruar që minatori të kishte mundësi të vendoste armaturat prej druri, hekuri ose betoni dhe pastaj të bënte birat me martel. Ishte punë vdekje prurëse. Mungonte sistemi i çpimit të lagur për shmangjen e pluhurit. Janë të shumtë të mbijetuarit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme për shkak të asaj pune. S’janë të paktë edhe ata që vdiqën para kohe, ose nga aksidentet dhe helmet në minierë. Të vdekurit varroseshin në varrezën e kampit përkatës dhe familja kishte të drejtë ta merrte trupin vetëm pasi fatkeqi të mbushte vitet e dënimit. Për dhunën policore në burg nuk mjafton një intervistë. Ishte dhuna policore shkak i shpërthimit të revoltave Spaç 1973 dhe Qafë-Bar 1984.

SIGURIMI I SHTETIT NË BURG, HAKMARRJA NDAJ TË “THYERVE”

Në vitin 1979 Televizioni Shqiptar transmetoi filmin “Skëterrë ’43” me skenar të Bashkim Shehut, birit të gjakpirësit Mehmet Shehu. Filmi, me sa më kujtohet, fillon me një bisedë midis një specialisti të kuesturës fashiste për burgjet dhe një drejtuesi të lartë partie, ku i pari shtjellon idenë e funksionimit të kampit: “Bërthamën e kampit do ta përbëjnë ata që ne do të thyejmë në hetuesi – këta janë minjtë dhe do të jenë shembull për të tjerët; pastaj do të jenë kuajt e punës, nuk ka rëndësi rendimenti që sjellin, mjafton të punojnë që të mos u ngelet kohë për të menduar. Pastaj do të shtojmë edhe plot njerëz me moral të ulët, ordinerë etj. Do t’u ngulim në tru se këta nuk janë njerëz, por vemje, krimba, do t’i bëjmë që të mos kenë repekt për vlerat njerëzore dhe për veten e tyre”. Shkurt, kjo qe detyra e sigurimit të shtetit në burgjet enveriste. Të thyente njerëzit. Duke i joshur me punë të lehta dhe që kishin njëfarë fitimi. Krerët e dënuar të kampit ishin të gjithë spiunë të sigurimit. Të tillë ishin edhe ata që kishin punë të privilegjuara si në kuzhinë, brigadierë, normista, etj. Por ka patur edhe raste kur “të thyerit” kthenin mendje. Hakmarrja e sigurimsave në këto raste nuk njihte kufi, jo vetëm duke i ridënuar ata, por hakmerreshin edhe ndaj familjarëve. Dhuna e tyre ka shkaktuar edhe vetvrasje. Kam qënë dëshmitar okular në Spaç, në vitin 1979, kur njëri nga “të thyerit” u orvat të kapërcente rrethimin e trefishtë me tela me gjëmba, për ta detyruar ushtarin e vendrojes ta qëllonte për vdekje. Në atë rast, mbaj mend ushtarin që i lutej të dënuarit “Mos! Të lutem, mos e kalo rrethimin tjetër! Nuk dua të të vras!” Dhe nuk e vrau, vetëm sa e plagosi lehtë në këmbë. U hap fjala se atë ushtar e dënuan.

NGA AT ZEF PLLUMI TE LUKË KAÇAJ, KUJTIME DHE BISEDA ME KLERIKËT NË BURG

Mbaj mend se ishin më të frikësuar nga të burgosurit e zakonshëm, ndoshta dhuna ndaj tyre në hetuesi ka qënë më e ashpër. Kam njohur disa priftërinj katolikë, por ata u shmangeshin bisedave fetare dhe vetëm nëse kishe besimin e tyre të përgjigjeshin kur i uroje për Krishtlindje ose për Pashkë. Kam njohur  Baba Mehmetin, dervishin e Teqesë së Frashërit, meqë edhe unë jam me prejardhje nga Përmeti dhe Babaj njihte shumë njerëz nga farefisi im. Ishte njeri i kulturuar, kishte studiuar në Stamboll dhe madje kishte patur rast të njihej edhe me Qemal Ataturkun. Dhjetor 1978, po afronin festat e fundvitit. Në kampin e Ballshit, me gjithë mjerimin e burgut, ndihej një lloj gëzimi e shprese në sytë e të burgosurve. Pata njohur artistin Mehdi Prodani atje, kitaristi më i mirë në Shqipëri, vëllai i kompozitorit Agim Prodani. Meqë i kisha rënë kitarës dikur, rast më të mirë nuk kishte për të mësuar sadopak nga mjeshtri i madh i kitarës në kohën e lire. Mediu u tregua i gatshëm menjëherë. Unë e njihja solfezhin, kështu që ai e kishte më të lehtë të më ndihmonte. Më shkruante pjesë të ndryshme, në fillim më të lehta dhe unë ushtrohesha në një kthinë ku një ish – prift i heshtur punonte për riparimin e librave të vjetër të bibliotekës së kampit. Kur i kërkova leje për tu ushtruar atje ku ai punonte, prifti ngriti pak kokën, më pa dhe më bëri shenjë me kokë po. Pa folur një fjalë. Shkoja atje pothuaj çdo ditë. Profesor Nikollë Daka më tha se ish prifti quhej At Zef Pllumi. Në kamp ishte edhe një artist tjetër me përmasa botërore. Basi Lukë Kaçaj. Më pëlqente ta dëgjoja edhe kur fliste Lukën, sidomos kur i fliste ortakut të lojës së dominosë me atë zë të thellë basi “Jahooo…”dridheshin qelqet e dritareve nga zëri i Lukës. Një ditë Luka këndonte nën zë ‟Stille nacht”( natë e qetë )…unë dhe Medi Prodani e dëgjonim të hipnotizuar… -“Medi, të lutem ma shkruaj këtë, dua ta mësoj… -Patjetër, -më premtoi ai. Me fletën e muzikës në dorë shkova te kthina e dom Zef Pllumit. Punova disa orë. Më në fund më doli mirë, realizova edhe ‟campanella-t” që më kishte shënuar Mediu… I paharruari Zef Pllumi, që dëgjonte pa lëvizur, për herë të parë më foli: -Bravo djalë…ktë kangë, ma të bukrën në botë kushtue Krishlindjeve e ka ba nji prift fshati, muzikën dhe fjalët ja ka pas shkrue msuesi i atij fshati të vogël diku në Austri… -Gëzuar Krishtlindjet, -ì thashë me zë të ulët… ‟Falemners, gëzuar edhe ty, falemners edhe një herë për muzikën”.

VISAR ZHITI, NJË BASHKËVUAJTËS I VEÇANTË

Kam patur dhe ende kam shoqëri të ngushtë vetëm me Visar Zhitin, të cilin e kam takuar gjithmonë si vëlla. Sa për Lubonjën dhe Ngjelën gjykoj se pas burgut kanë patur përparësi vetëm interesat vetiake, Lubonja herë majtas, herë djathtas, Ngjelën s’e kam kuptuar kurrë. Për Visarin gëzohem sidomos me sukseset e tij në letërsi. Është për të ardhur keq, se për emërimet e ish të dënuarve politikë në poste të rëndësishme, partitë që kanë patur pushtetin e radhës kanë parapëlqyer (me ndonjë përjashtim të rrallë), ‟të thyerit” e dikurshëm.

RIKTHIM NË KOHË, NGJARJET DHE NJERËZIT, KOHA E TMERRIT

Mendoj se regjimi komunist i vendosur në Shqipëri me miratimin e Fuqive të Mëdha ishte dënimi më i rëndë për popullin tonë, kur ato e hodhën Shqipërinë e vogël në kampin komunist. Përjetuam një eksperiment djallëzor, çnjerëzor dhe me çka kuptoj duke ndjekur ngjarjet atje, ende s’ka mbaruar ai eksperiment. Pas Luftës II Botërore në Gjermani filloi procesi i denazifikimt. Procesi i drojtur i dekomunistizimit tek ne, u ndërpre përdhunisht me ngjarjet e vitit të kobshëm ’97, që u kurdisën nga duart e gjata të shërbimeve të sekrete të huaja. Gjatë viteve kur punoja si detar para se të arrestohesha, kam patur rast të shikoja edhe shtete të tjerë komunistë si Polonia, Gjermania Lindore, Rumania, Bullgaria dhe Jugosllavia. Niveli i jetesës dhe liritë themelore të njeriut tek ne ishin shumë më poshtë. Asnjë prej atyre vendeve nuk qe rrethuar me tela me gjëmba. Vetëm tek ne (dhe në ish B.Sovjetik të kohës së Stalinit) janë burgosur, pushkatuar dhe madje varur poetët disidentë. Kur bota komuniste po fillonte ndryshimet pas takimeve Regan-Gorbaçov, në vitin 1988 tek ne varën poetin Havzi Nela. Kryetari i atij trupi gjykues, në vend që të dënohej, u emërua në hierarkinë më të lartë të drejtësisë. Kur filluan ndryshimet tek ne, pas vitit ’90, isha shumë optimist. Mendoja se brenda 5-10 vitesh Shqipëria do të bëhej vend i begatshëm. Nuk kam dashur kurrë të largohesha nga vendi, doja të jepja edhe unë ndihmesën time në përparimin e vendit. Por pashë se pushtetarët tanë mendonin vetëm për xhepat dhe tarafet e tyre. Jo për begatinë e vendit. U zhgënjeva. Prandaj dhe u vendosa në Itali pas vitit 2002. Sot jam shumë pesimist. Sa herë shkoj në atdhe, shoh njerëz gjithnjë e më të varfër. Rinia ka prirjen të largohet. Vetëm pleqtë po mbeten. Dhe pushtetarë arrogantë gjithnjë e më të pasur. Dhe për fat të keq, bota i brohoret. Prandaj sot jam shumë pesimist.

Filed Under: Featured Tagged With: Luke Kacaj, Maks Rakipaj, Sokol Paja

SHQIPTARËT NË KENIA TË AFRIKËS

July 26, 2021 by s p

Gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, jetesën në Kenia, njëra ndër qendrat e pakta botërore ku janë të vendosura selitë kryesore të OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara), projektet ndërkombëtare dhe humanitare në Kenia, shqiptarët në Kenia dhe situatën e covid 19 dhe procesin e vaksinimit atje. Me Salie Gajtani-Osmankaq bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

TË JETOSH NË KENIA

Kenia është njëra ndër qendrat e pakta botërore, ku janë të vendosura selitë kryesore të OKB-së (Organizatës së Kombeve të Bashkuara). Kështu, OKB-ja përpos selive të saj kryesore që ka në Nju-Jork, në Gjeneve dhe Vjenë, një të tillë e ka të vendosur edhe në Nairobi, kryeqytetin e Kenias. Ky shtet afrikan ofron shumë për turistët e huaj, si dhe për vendorët që kanë një standard të lartë jetese. Por të këtillët, në proporcion me numrin e përgjithshëm të popullatës, nuk përbëjnë një përqindje të lartë. Vetëm 10 për qind e popullatës mbi 50 milionëshe që ka Kenia, jetojnë në kushte me standard të lartë jetese. Pjesa tjetër, jetojnë në varfëri. Përkatësisht mbi 80 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri të skajshme. Ndërsa, 10 për qind e banorëve i takojnë shtresës së mesme, e cila sipas qytetarëve vendorë, po shkon duke u rritur viteve të fundit. Kjo do të zbusë hendekun e madh që ekziston midis shtresës së pasur dhe asaj të varfër të qytetarëve kenian, që ka ekzistuar prej dekadash. Kenia ofron shumë për vizitorët, pasi që ka bregdetin në njërën anë, që shtrihet buzë Oqeanit Indian dhe Safarin, në anën tjetër. Kjo, përbën atraksion për vizitorët e huaj që janë të shumtë brenda një viti. Sipas statistikave nga organizata të ndryshme, flitet për miliona turistë që vizitojnë këto atraksione brenda vitit. Kenianët shquhen për muzikën dhe vallëzimin, për prodhimin e luleve, më së shumti trëndafilave, të cilat eksportohen kudo nëpër botë, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

TRËNDAFILAT NGA KENIA NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

Shumica e trëndafilave që mbushin me aromë shtëpitë dhe zyrat e bashkëkombësve tonë, rriten në Kenia. Kenianët shquhen po ashtu edhe për prodhimin e kafesë dhe çajit. Shumica e popullatës merren me bujqësi. Kenianët kanë një mori ushqimesh tradicionale, por ofrojnë edhe ushqime të kuzhinave ndërkombëtare, siç është ai italian, japonez apo libanez. Ndër ushqimet më të njohura vendore është “Ugali” (qull i gatuar me miell misri), pastaj “wikisukuma” dhe “Nyamachoma” (mish dele, ose dhie e pjekur në skarë). Ushqimi bregdetar swahilian është i përzier nga ndikimet afrikane, arabe dhe indiane. Jetesa midis kontradiktës, jetës luksoze dhe varfërisë së skajshme është tipike në Kenia. Ka vendbanime të tëra, me popullatë milionëshe që kanë mungesë të ujit të pijshëm dhe mungesë qasjeje në energji elektrike. Në kryeqytetin kenian, gjendet edhe njëri ndër kampet e ashtuquajtura “sllame” (vendbanime joformale) më të mëdha në botë, ku kushtet e jetesës janë mizore. Ndërkohë, që ka vendbanime në formë lagjesh të mëdha mijëra hektarëshe, ku bëhet jetë luksoze. Shtëpitë janë të mëdha, të shtrira midis palmash e të rrethuara me gjelbërim dhe pishina private. Ato kanë edhe roje të sigurisë së lartë. Kenia, sado që konsiderohet si një destinacion i sigurt krahasuar me disa vende afrikane përreth, sipas të dhënave publike, këtu ende ka probleme me krimin, sidomos në qytetet kryesore. Dhe jo rrallë herë, ka paralajmërime për kërcënimin e terrorizmit.

PROJEKTET NDËRKOMBËTARE DHE HUMANITARE NË KENIA

Kenia përbën një sferë fokusi të projekteve të mëdha ndërkombëtare zhvillimore, siç është industria e ndërtimit, e turizmit, por edhe e sferave tjera. Projektet humanitare kryesisht janë të fokusuara në sigurimin e kushteve bazike për jetën e qytetarëve vendorë, siç është ushqimi më cilësor, uji i pijshëm, energjia dhe barnat, sidomos për sëmundjet e rënda siç është HIV dhe Malarja. 

SHQIPTARËT NË KENIA

Kur e kemi marrë vendimin që të vijmë për të jetuar dhe punuar përkohësisht (disa vite) në Kenia, kam menduar se do të jemi e vetmja familje shqiptare këtu. Por, ka ndodhur tërësisht e kundërta. Këtu gjeta shumë bashkëkombës të mi. Në dy vitet e fundit, në Kenia kanë jetuar 15 familje nga të gjitha trojet shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Bashkë, përbënin një komunitet prej afri 50 shqiptarë. Por, se këto statistika ndryshojnë nga dita në ditë, sepse vazhdimisht ka lëvizje, dikush vjen e dikush shkon, varësisht nga kontratat e punës. Shqiptarët në Kenia, kryesisht vijnë për të punuar, si të punësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Janë kuadro ekspertësh të profileve të ndryshme. Hyrja e tyre në Kenia, sidomos e shtetasve të Kosovës, kalon nëpër barriera, marrë parasysh se Kenia nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet të pavarur. 

KENIA PËRBALLË COVID DHE VAKSINIMI NDAJ COVID

Sikurse të gjitha shtetet e botës, edhe Kenia është ballafaquar me pandeminë e virusit Covid-19. Sado që vendet afrikane janë të varfra, ato e kanë përballuar më mirë pandeminë, sesa që ishte parashikuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo, sigurisht ka ndodhur për faktin se vendet afrikane kanë përvojë më të madhe në menaxhimin e pandemive, për shkak të sëmundjeve të ndryshme me të cilat janë përballur kohë pas kohe, siç ishte “Ebola” për shembull. Pastaj, edhe për faktin se Afrika, përfshirë edhe Kenian, kanë një popullatë relativisht shumë të re, si dhe kushteve klimatike, ku mbretëron moti i ngrohtë dhe me diell pothuajse gjatë gjithë vitit. Që nga 15 marsi i vitit të kaluar, kur është lajmëruar rasti i parë i infektimit me Covid këtu, e deri sot, bazuar në statistikat zyrtare Kenia ka bërë afro 2 milionë e 65 mijë teste mbi rastet e mundshme të infektimeve. Çdo ditë, Kenia lajmëron nga 700-800 raste të reja të infektimeve me covid. Aktualisht ka afro 193 mijë raste aktive, dhe mbi 183 mijë raste të personave të shëruar nga kjo sëmundje. Ndërsa, ka pasur gati 4 mijë persona që kanë vdekur, si pasojë e covid-19. Kenia, ishte ndër shtetet e para afrikane që ndërmori masa kundër kësaj sëmundje. Disa, nga këto masa janë ende në fuqi, siç është bartja e maskës në hapësirat publike dhe lokale. Nuk është hequr asnjëherë masa restriktive për lëvizje gjatë natës. Ajo është zbutur, ose është zgjatur herë pas here. Aktualisht, ndalohet qarkullimi i qytetarëve në hapësirat publike, prej orës 10 të natës, deri në ora 4 të mëngjesit.  Pandemia ka dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e qytetarëve kenian, të cilët jo rrallë herë i kanë bërë thirrje qeverisë që të zbusë masat anticovid, për shkak se ata rrezikonin të vdesin urie. Ndërsa, që edhe vaksinimi ka ecur shumë ngadalë, për shkak të mungesës së vaksinave. Deri tani, Kenia ka arritur të vaksinojë vetëm afro 1 milionë e 636 mijë qytetarë, përballë popullatës mbi 50 milionëshe që ka.

NJË MESAZH PËR GAZETËN DIELLI, VATRËN DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

I jam mirënjohëse pa fund, gazetës Dielli dhe formacionit Vatra me shqiptarët e Amerikës, që më kanë zgjedhur si të intervistuarën e tyre duke më ofruar kështu mundësinë për të thënë fjalën time rreth përvojës dhe jetës jashtë atdheut. Vlerësoj shumë punën dhe angazhimin tuaj për të promovuar vlerat shqiptare kudo në botë. Uroj të jeni gjithmonë aktiv në afrimin e mendjes dhe vlerave shqiptare, pavarësisht se ku jetojnë dhe veprojnë ata. Kontributi juaj është i domosdoshëm dhe i çmueshëm. 

KUSH ËSHTË GAZETARJA SALIE GAJTANI-OSMANKAQ

Salie Gajtani-Osmankaq, është nga Prishtina, ku ka kryer edhe gjithë shkollimin e saj, që nga ai fillor e deri në studimet e larta universitare. Ajo është magjistre e shkencave pedagogjike. Ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka përfunduar Institutin e Prishtinës për Studime Politike. Ka përfunduar studimet për Pedagogji, në nivelin Bachelor dhe Master. Ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në dy shkolla të Prishtinës, kur njëkohësisht ka filluar edhe karrierën si gazetare. Prej afro 20 vitesh, ka punuar si gazetare në kompaninë mediale “KOHA Group”.  Në ndërkohë, ka qenë e angazhuar edhe si bashkëpunëtore në projekte me organizata të ndryshme vendore  dhe ndërkombëtare, si ato të BE-së dhe OSBE-së.  Ka ndjekur seminare dhe konferenca të ndryshme studimore dhe shkencore brenda dhe jashtë vendit, si paneliste, pjesëmarrëse, prezantuese dhe analiste për tema të ndryshme që lidhen me zhvillimet në Kosovë. Ka ligjëruar mbi tematika të ndryshme, si të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, edukimin medial, etj për organizata të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Është fituese e katër çmimeve prestigjioze që ndahen për fushën e gazetarisë. Ka marrë Çmimin për storien më të mirë kundër korrupsionit për vitin 2008 nga UNDP-ja. Çmimin “femra më e suksesshme në media” për vitin 2008,  me karakter ndër rajonal. Çmimin e GIZ-it gjerman për arsim, për vitin 2015. Një çmimin tjetër për arsimin e ka marrë, po nga GIZ-i gjerman edhe në vitin 2017.  Prezanton me dy punime, punë shkencore, në librin akademik “Pedagogjizimi kjo polifoni edukative”.  Është bashkë-autore në librin për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës “Unë jam ANEMONE”. Është recenzente e librave shkollor. Aktualisht jeton në Nairobi të Kenias, bashkë me familjen: bashkëshortin dhe tri vajzat. 

Filed Under: Interviste Tagged With: Kenia, Salie Gajtani Osmanakaq, Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE NË PATRA TË GREQISË

July 23, 2021 by s p

Iliaz Bobaj drejtor i Shkollës Shqipe në Patra, Greqi, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, funksionimin e mësimit shqip në Patra të Greqisë, sfidën për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Greqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe dhe projektet në të ardhmen e shkollës shqipe në Patra të Greqisë. Me Iliaz Bobaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

SHKOLLA SHQIPE NË PATRA

Shkolla shqipe ‟Naim Frashëri”, në qytetin e Patrës, Greqi, u themelua dhe çeli dyert e saj para 13 vjetësh. Ajo u hap për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, të ardhur pas vitit 1990 në Greqi, por jo vetëm për ata. Në shkollën tonë mësojnë shqip edhe disa fëmijë grekë, madje edhe vendas të rritur dhe kushdo që dëshiron të mësojë gjuhën shqipe. Themelimi i saj nis në vitin 2008, kur një grup mësuesish( Iliaz Bobaj, Kristiana Veliu dhe Liri Shehu), pas disa viteve përpjekjesh, mundëm ta hapnim për herë të parë shkollën shqipe në këtë qytet. Patëm ndihmë vetëm nga një organizatë joqeveritare(‟Lëvizja”), e cila, me dashamirësi, na vuri në dispozicion mjediset e saj, ku zhvilluam mësimin dy vitet e parë. Ishte një mrekulli hapja e kësaj shkolle, tërësisht me forcat tona dhe me përkushtimin tonë. Më vonë grupit tonë të vogël të mësuesve iu bashkua edhe Anjeza Cuku Domi dhe më pas edhe disa mësues të tjerë. Natyrisht patëm edhe përkrahjen e shumë prindërve, të cilët nuk e besonin se mund të hapej dhe të funksiononte një shkollë e tillë. Por ne vetëm se e forcuam shkollën tonë, duke bërë gjithçka në mënyrë vullnetare. Nxënësit tanë të parë, erdhën të etur për të mësuar gjuhën e tyre, gjuhën tonë të bukur. Në 13 vitet e funksionimit të saj, në bankat e shkollës sonë kanë kaluar qindra e qindra nxënës. Sot shkolla jonë është jo vetëm shkolla shqipe më e madhe në Greqi, por edhe një nga shkollat më të mëdha dhe më të konsoliduara të diasporës shqiptare. Madje edhe e vlerësuar nga disa organizma shtetërore dhe joshtetërore. Me siguri, sfidat e së ardhmes do të jenë edhe më të mëdha se ato të fillimit dhe ecurisë së saj. Por një gjë mund ta them me bindje: ajo do të vijojë të forcohet dhe të konsolidohet më tej.

ORGANIZIMI I MËSIMIT, TRADITA DHE HSTORIA E SHKOLLAVE SHQIPE NË GREQI

Shkolla e parë shqipe në Greqi, pas vitit 1990, u hap në Selanik, në vitin 2001. Ishte mësuesja e palodhur Mimoza Dako, e cila dha shembullin e saj e para dhe me shumë sakrifica, hapi shkollën e parë, duke u bërë edhe pararendësja e këtyre shkollave, të cilat më pas, do të shtoheshin së tepërmi dhe do të bashkëpunonin, duke u formuar edhe ligjërisht Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi. Por, sidoqoftë, nuk është organizimi i kësaj lidhjeje që diktoi punën, por individët e palodhur dhe të përkushtuar për mësimin e gjuhës sonë amtare. Ata kanë qenë dhe mbeten shtyllat e këtyre shkollave. Më vonë u hapën shkolla shqipe në Korinth, në Athinë, në Patra, në Kretë, në Kallabakë, në ishuj, etj. Këto shkolla nuk gjetën ndonjë traditë, por e formuan dhe e fituan vetë atë, si domosdoshmëri për ecurinë e tyre. Por jo gjithçka ka shkuar pa probleme. Këta dy vitet e fundit, për shkak edhe të pandemisë, por jo vetëm asaj, numri i nxënësve në disa shkolla është pakësuar së tepërmi, duke mbetur me 3-5-7 nxënës, disa me 10-15 nxënës dhe ç’është më e keqja disa shkolla shqipe edhe janë mbyllur. Dhe askush nuk e di, nëse do të gjenden mundësitë e rihapjes së tyre, apo do të mbyllen përgjithmonë, gjë që do të ishte një humbje e madhe për to dhe për mbajtjen gjallë të gjuhës sonë amtare. Kjo kërkon një mobilizim dhe përkushtim shumë më të madh të mësuesve, një bashkëpunim më të frytshëm me prindërit, me organet vendore dhe me shkollat e tjera dhe mbi të gjitha me shtetin shqiptar.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Dy janë ‘’shtyllat’’, ku mbështetet identiteti kombëtar i një kombi: gjuha dhe historia e kultura kombëtare. Por edhe historia dhe kultura kombëtare mbështetet mbi gjuhën, kështu që gjuha del primare në shprehjen e identitetit kombëtar. Këtu qëndron edhe rëndësia dhe vlera e saj e pazëvendësueshme. Këtë identitet kërkojmë të ruajmë tek brezat e ardhshëm, që ata të mos asimilohen, por të ruajnë identitetin e tyre kombëtar. Në këtë pikë roli i shkollës shqipe është i pazëvendësueshëm dhe ne mundohem ta mbajmë atë të gjallë, të fuqishme. Por ne bëjmë aq sa mundemi. Megjithatë, edhe pse shkolla jonë është shkolla më e madhe dhe më e konsoliduar, numri i fëmijëve që ndjekin shkollën tonë, në raport me  numrin e fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Patra dhe në rrethinat e saj, është ende mjaft i ulët. Por jo gjithçka është në dorën tonë. Ne ofrojmë gjithçka pa shpërblim dhe asnjë fëmijë nuk paguan asnjë cent për mësimin e gjuhës shqipe. Shteti ynë ka qenë tepër indiferent, tepër i vonuar në këtë çështje madhore. Për vite dhe dekada, ai nuk është bërë i gjallë. Vetëm vitet e fundit ka filluar të sjellë tekste mësimore dhe organizon një seminar vjetor, por jo me ndonjë veçanti, ashtu, sa për t’u grumbulluar mësuesit e diasporës. Veç kësaj, edhe pse marrëdhëniet shtetërore me Greqinë janë përmirësuar dhe janë mjaft normale, shteti ynë nuk ka bërë asnjë marrëveshje me shtetin grek, që mësimi shqip të zhvillohet në mjediset e shkollave publike greke. Edhe aty ku është arritur kjo gjë, është realizuar nga vetë mësuesit, pa ndihmën e shtetit tonë. Shteti ynë nuk ka bërë asnjë përpjekje edhe për të paguar mësuesit, të cilët vazhdojnë të punojnë falas në shkollat tona.

BASHKËPUNIMI PRINDËR – NXËNËS – MËSUES DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE

Ky është çelësi i suksesit tonë. Madje në këtë bashkëpunim, ne kemi edhe dy hallka të tjera shumë të fuqishme: shoqatën e shqiptarëve të Patrës ‘’Emigranti’’, me të cilën punojmë dhe organizojmë në sinkronizim të plotë dhe bashkëpunimin e bashkërendimin e punës sonë me organet shtetërore vendore, por edhe qendrore në shtetin helen. Siç iu thashë edhe pak më lart, shkolla jonë është mjaft e organizuar dhe ka fituar një përvojë të madhe gjatë këtyre 13 viteve të funksionimit të saj. Stafi pedagogjik është i konsoliduar. Ne bashkëpunojmë me të gjitha familjet shqiptare të zonës, për të tërhequr kontigjentin e fëmijëve shqiptarë pranë shkollës sonë dhe kjo na ka dhënë shumë rezultat. Por duhet të jesh shumë këmbëngulës, pasi ka shumë prindër indiferentë ndaj fëmijëve të tyre. Madje ka edhe fëmijë shqiptarë që nuk flasin fare shqip. Në këto kushte ne bëjmë aq sa mundemi, por kurrsesi nuk rrimë duarkryq. Për të na ndihmuar në punën tonë, ne jemi e vetmja shkollë, që organizojmë çdo vit këshillin e prindërve të shkollës. Por pika jonë më e fuqishme, është bashkëpunimi me organet vendore të pushtetit lokal por edhe qëndror. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Bashkinë e Patrës, me Këshillin Bashkiak dhe me Drejtorinë e Arsimit. Falë këtij bashkëpunimi, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit në Patrës, ne na vihen në dispozicion çdo vit dy shkolla publike greke, për mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë, kushtet e zhvillimit të mësimit të gjuhës shqipe në shkollën tonë, janë të njëjta me ato të nxënësve vendas. Falë gjithë këtij organizimi dhe bashkëpunimi, ne organizojmë edhe shumë aktivitete me shkollën tonë, si: ekskursione në Shqipëri, Kosovë, në mjediset e kulturës greke dhe vende të tjera, organizojmë festën e çeljes së vitit shkollor, festën e Vitit të Ri, festën e Abetares, Festën e Flamurit, festën e mbylljes së vitit mësimor, etj. Përsa i përket ardhmërisë së shkollës sonë, ju them me bindje se ajo është e sigurtë dhe se shkolla jonë do të vijë duke u forcuar. Ne jemi shumë optimistë dhe këtë optimizëm e mbështetim në punën tonë të palodhur.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Natyrshëm që pandemia edhe tek ne solli shumë probleme, por ne u organizuam menjëherë, falë edhe teknologjisë dhe nuk e ndërpremë asnjë orë mësimin online. Edhe pse ishim pak skeptikë në fillim, ia dolëm mbanë. Madje, numri i nxënësve, sidomos në klasat e para, erdhi duke u shtuar dhe provimet vjetore, të cilat ne i bëjmë çdo vit, na befasuan me rezultatet e tyre aq të mira dhe optimiste. Problemi i dygjuhësisë, nuk është aspak problem për mësimin e gjuhës amtare. Aspak. Përvoja jonë ka treguar se nxënësit shqiptarë e mësojnë gjuhën tonë amtare veçanërisht mirë, pavarësisht gjuhës tjetër. Kuptohet, nuk mungojnë vështirësitë, sidomos ato të shqiptimit të saj, por gjithsesi ato janë plotësisht të kapërcyeshme.

 MESAZHI PËR ‟VATRËN”, ‟DIELLIN” DHE DISAPORËN SHQIPTARE NË USA.

Para se t’iu përshëndes, do të ndaloj pak këtu, pasi do t’iu sjell diçka të veçantë, që më lidh me ju. Xhaxhai im, Iliaz Bobaj(i parë), i njohur në SHBA me emrin Elias Lazarati, emigrant në SHBA që në vitin 1916 dhe bashkëpunëtor i Fan Nolit, ka qenë anëtar i ‟Vatrës”, të cilën e ka dashur dhe e ka çmuar si pak kush. Gjatë kësaj periudhe (1916- 1928), ai ka shkruar shumë artikuj patriotikë tek ‟Vatra” e tij e dashur, tek ‟Vatra” jonë e dashur. Para një viti kam botuar në Shqipëri edhe monografinë për të dhe i kam thënë me hollësi këto fakte, duke e përmendur shumë herë ‟Vatrën”. Ai është bërë anëtar i ‟Vatrës” menjëherë pas ardhjes në Amerikë si emigrant, në vitin 1916 dhe ka qenë në sektorin e pritjes dhe përcjelljes së emigrantëve shqiptarë, që emigranin në SHBA. Mik dhe bashkëpunëtor me Fan Nolin, Sotir Pecin, Mihal Gramenon, Sevasti dhe Parashqevi Qiriazin, Veli Hashorvën, me Frashërllinjtë e emigruar në Amerikë, Kristo Dakon, etj, ai ishte dhe mbeti një anëtar i denjë dhe adhuruas i flaktë i ‟Vatrës”, derisa vdiq në vendlindje në moshën 33 vjeçare. Më tej, ju e kuptoni, që ne jemi rritur duke e patur ‟Vatrën” e Amerikës në shtëpinë tonë, në familjes  tonë, në shpirtin tonë. Kësisoj ‟Vatra” juaj është dhe do të mbetet edhe vatra jonë dhe ‟Dielli” juaj do të mbetet një dritë për ne. Me aq sa kam lexuar dhe kam dëgjuar në shtëpinë tonë për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin”, ato janë pjesë e historisë së diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe pjesë e historisë së familjes sonë atdhetare. Tani urimi im për ‟Vatrën” dhe ‟Diellin” është një urim tejet i përzemërt: ‟Vatra” juaj dhe e jonë, qoftë përherë e ndezur për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin shqiptar! ‘’Dielli’’ qoftë përherë plot dritë për shqiptarët e Amerikës dhe për kombin tonë fisnik! Sa herë kujtoj ‘’Vatrën’’, më vijnë ndërmend vargjet e Nolit tonë të madh: ‟Mbahu Nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Qofshi përherë pranë Nënës sonë të dashur Shqipëri, ju bijtë e denjë të ‟Vatrës”!

KUSH ËSHTË PROFESOR ILIAZ BOBAJ

U linda në Lazarat të Gjirokastrës, në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore, ku mora gjithçka të bukur që kishte vendlindja ime, sidomos frymën e bukur atdhetare, traditën e bukur dhe të papërsëritshme të atij fshati unikal, frymën e lirisë. U rrita dhe u shkollova në qytetin e Delvinës. Kam kryer studimet e larta për matematikë dhe fizikë. Por gjithë jetën, krahas punës si mësues, jam marrë me atë që më ka pushtuar shpirtin që në moshë të njomë, me letërsinë. Jam autor i 32 librave me fabula, poezi, tregime, tregime satirike, fjalë të urta, epigrame, ese, letërsi për fëmijë. Po ashtu jam autor i 28 përkthimeve nga autorë të mëdhenj botërorë( midis tyre edhe nobelistë), në shqip, por edhe nga shqipja në gjuhë të huaja. Jam anëtar i shumë organizmave letrare botërorë dhe fitues i shumë çmimeve, në atdhe, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Greqi, në Europë dhe në botë. Edhe diçka tjetër që më lidh me Amerikën: jam anëtar i Akademisë Shqiptaro – Amerikane të Shkencave dhe të Arteve, të drejtuar nga profesori i nderuar, z. Skënder Kodra. Gjithsesi, gjatë këtyre viteve që jetoj si emigrant në Greqi, shkolla shqipe në Patra, mbetet ‟dobësia” ime dhe frymëzimi im. Duke e mbyllur këtë intervistë të bukur, doja t’iu falënderoja përzemërsisht dhe t’iu uroja çdo të mirë, çdo sukses. Qoftë e bekuar ‟Vatra” e Amerikës!

Filed Under: Interviste Tagged With: Iliaz Bobaj, Shkolla Shqipe Patra - Greqi, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 103
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 50-VJET SHQIPËRIA PRITI!
  • Gjon Buzuku, nga cikli “Humanistë të hershëm shqiptarë shek XV-XVIII”
  • DIELLEZIM VLERASH PATRIOTIKE NE KUJTIM TE FAMILJES JASHARI NE FIRENCE ITALI
  • Zef Kolombi, mjeshtri i penelit dhe ngjyrave, një dritë e pashuar e artit shqiptar
  • ARSIMI NË GJUHËN LATINE NË TROJET SHQIPTARE
  • Through “Thinking of You”…
  • “Brenga” e autorit Dr. Pashko R. Camaj promovohet 15 mars 2026 te Kisha “Zoja e Shkodrës”
  • Nga fryma e 1981-shit te vizioni i së ardhmes
  • Zgjidhja më e keqe, fshehja e historisë
  • Rrjolli, një provë për pronën, turizmin dhe shtetin shqiptar
  • Fejton: Lavdia e Hajdutit Tonë
  • TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE
  • 115-VJETORI I KRYENGRITJES SË MALËSISË
  • U festua me madhështi Dita e Mësuesit dhe e Gruas nga “Alba Life” – Ambasador i Kombit
  • Klubi “Flas Shqip” dhe Vatra Miami festuan 7 Marsin dhe 8 Marsin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT