Shkrimtari Maksim Rakipaj, i persekutuar, i përndjekur, i burgosur dhe i dënuar prej regjimit komunist me 15 vite, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, vuajtjet, dhunën, torturat, përgjimet, hetuesinë dhe qëndresën në burgjet komuniste të shqiptarëve të pafajshëm. Kleri fetar, elita intelektuale dhe njerëz të thjeshtë u masakruan barbarisht prej sistemit monist për gjysëm shekulli. Sipas Maksim Rakipajt është koha të ngrihet një komision letrar, me specialistë jo komunistë, që të përzgjedhë librat më të mirë të letërsisë së burgut për t’i futur në sistemin arsimor. Brezi i ri duhet të njihet patjetër me të vërtetat e diktaturës. E keqja që harrohet, përsëritet. Me Maksim Rakipajn bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.
KUSH ËSHTË MAKSIM RAKIPAJ, ARRESTIMI, BURGOSJA, LIRIA…
Jam Maksim Xhafer Rakipaj, i martuar, me dy fëmijë. Lindur në Vlorë, më 15 Korrik 1951. Mbaroi Shkollën e Marinës në Vlorë në vitin 1972. Punoi si oficer kuverte në anijet e Flotës Tregtare Detare deri në vitin 1977, kur e arrestuan dhe dënuan me 15 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe kontrabandë. E liruan në muajin Shtator të vitit 1984. Kundërshtoi bashkëpunimin me sigurimin e shtetit, e lanë 9 muaj pa punë. Filloi punë si minator në muajin Qershor 1985 në minierën e e qymyrit në Manzë, sektori Gërdec. Pas vitit 1991 rifilloi punë në anijet e Flotës Tregtare Detare. Në vitin 1996 filloi punë si shef i marëdhënieve me jashtë, shef protokolli dhe zëdhënës shtypi në Bashkinë e Durrësit. Në vitin 1999 rifilloi punë në det si kapiten në anije të ndryshme tregtare. Pas vitit 2002 mërgoi në Itali dhe jeton në Lucca (Luka, Toskana). Ka botuar këto libra: ‟20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi” nga Pablo Neruda, përkthim nga spanjishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Profeti” Kahlil Xhibran, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, kujtime burgu, botuar nga ISKPK (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit), 2014; ‟Antologji e poezisë arabo-persiane” përkthime të ndryshme, UEGEN 2015; ‟Trilusa m’Tironë” përkthim, UEGEN 2015; ‟Bukowski poezi”, përkthime nga anglishtja, 2015; ‟Sonetet e plota të Shekspirit”, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese ADA, 2016; ‟Profeti dhe Kopshti i Profetit” nga Kahlil Gibra, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese Toena 2016; ‟Kali Valltar”, nga Jo Jo Moyes roman, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese UEGEN, 2018; ‟I Mbijetuar”, botim i ripunuar i librit ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, shtëpia botuese Dy lindje dy perëndime, 2018; ‟Antologji e Poetëve Nobelistë”, shtëpia botuese UEGEN, 2019; “Antologji e Poetëve disidentë”, shtëpia botuese Jozef, 2019; “Poezi nga Maram Al Masri”, përkthime, shtëpia botuese Jozef, 2020; “E Sigurt (Safe)”, roman nga S.K Barnett, përkthim, shtëpia botuese Jozef 2021; “Ngjyra e Lëkurës”, “Komunizmi dhe Llogjika e Shëndoshë”, publicistikë nga Manning Johnson, përkthim, shtëpia botuese Jozef, 2021; …së shpejti shpresoj të bëhen 20 tituj.
LUFTA NACIONAL-ÇLIRIMTARE ISHTE NJË LUFTË VËLLAVRASËSE E KOMANDUAR NGA SHEFAT JUGOSLLAVË
Lufta, që komunistët e quajnë nacional-çlirimtare, gjykoj se qe më tepër një luftë vëllavrasëse e komanduar nga shefat jugosllavë. Im atë e filloi luftën si ballist në fillim të vitit ’43 dhe pas tre muajsh doli partizan bashkë me dy vëllezër. U plagos dy herë, në vitin ’44 e futën në Partinë Komuniste. Pas lufte mbaroi shkollën e oficerëve, pas asaj shkolle shërbeu si oficer në artileri. Në vitin 1955 pushteti arrestoi dy vëllezërit e mëdhenj, xhaxhai im i madh, Njaziu vuajti 17 vite në burg politik, shumicën e kohës në Burrel. Në vitin 1956 shpallën kulak të atin, gjyshin tim Sabri Rakipaj. Pas atij viti, im atë shërbeu vetëm në armën e xhenjos, me ushtarë që vinin nga ata që quheshin “të deklasuar” deri sa e larguan nga ushtria në vitin 1960. Në ato vite s’e kam ditur kurrë në jam me “biografi të mirë” apo me “biografi të keqe”. Mbarova shkollën e oficerëve të flotës detare me frikë mos më përjashtonin. Im atë komunist, por gjyshi im kulak, një xhaxha i dënuar politik. Ç’isha unë? Punoja me gjithë shpirt, si im atë që la emër të nderuar kudo që punoi dhe shumë hollësi janë te libri im me kujtime ‟I mbijetuar”. Të paktën gjashtë muaj para arrestimit ndjehesha i përgjuar. Duke qënë se dilja jashtë shtetit si oficer i flotës detare tregëtare, e kisha të lehtë të kërkoja strehim politik ku të doja. Përse nuk më arrestuan më parë? Disa herë kam patur provokime për t’u arratisur, nga disa që më shtireshin si miq. Kështu që e dinin mendimin tim, doja më tepër familjen se sa rehatin dhe jetën time. Prandaj edhe kur mora sinjale të sigurtë se mund të arrestohesha, nuk bëra asnjë përçapje për t’u arratisur, sepse po të ikja, kishin për t’i marrë shpirtin tim eti, nënës, vëllait dhe motrave të mia. Më arrestuan mua dhe oficerët e tjerë të anijes ‟Durrësi” në fund të Prillit 1977. Ishin vitet kur pushteti kishte filluar të ‟hante edhe “të vetët”. Unë isha në mes, edhe i ‟tyre” (babai komunist, e përjashtuan në vitin 1976 për ‟zbutje të luftës së klasave”!) edhe kundër tyre (gjyshi kulak, një xhaxha 17 vite burg politik). Kurse gjatë hetuesisë trajtohesha si i vetmi armik i vërtetë i pushtetit popullor. Ja fjalët e hetuesit tim Spiro Spiro: ‟Ti je armiku i vërtetë në këtë grup! Ti! Gjyshin kulak, dy xhaxhallarët të dënuar, yt atë i përjashtuar nga partia! Me këtë frymë je rritur! Të tjerët i ke tërhequr ti në rrugën e armiqësisë! Ata janë të lajthitur, ti je armiku i vërtetë”! ‟Ç’ka të veçantë historia jote”? – është njëra nga pyetjet. E kam menduar shpesh këtë gjë. Në anijen ‟Durrësi” shërbente si oficer I Aladin Kapo (që ishte dhe është shoku im i ngushtë), nip i Hysni Kapos (nr. 2 në ato vite, pas Enver Hoxhës). Aladini u arrestua bashkë me ne. Ato vite dihej se gjendja shëndetësore e diktatorit E. Hoxha qe rënduar shumë. Dy mendoheshin si pasues pas vdekjes së diktatorit, Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu sepse Ramizi qe në hije ato vite. Hysniun e eliminuan në vitin ’79, Mehmeti ‟vrau veten” në vitin 1981. Ndoshta pas arrestimit të nipit të Hysni Kapos me akuza politike, fshihej dora e Mehmetit dhe ortakëve të tij. Ne të tjerët ishim sa për garniturë, për ta bërë më bindëse atë ndodhi. Mua dhe Aladinit na dhanë nga 15 vite burg, dy të tjerëve 12 dhe 11 vite burg. Më cilësuan kryetar të ‟grupit armiqësor”. Sipas hetuesit Spiro Spiro, kjo gjë bëhej që çështja të mos merrte emrin ‟Aladin Kapo dhe të tjerët, se tingëllon keq në popull”.
LETËRSIA E KUJTIMEVE TË BURGUT SI LETËRSI QË RRËFEN E DEMASKON FERRIN KOMUNIST
Pas viteve ’90 filloi të zhvillohej kjo lloj letërsie, e panjohur më parë. Shkruan libra kujtimesh ata që kishin shkruar, botuar edhe para burgosjes, por shumica e autorëve të kësaj letërsie ishin fillestarë në letërsi. Shumë prej tyre janë bashkëvuajtësit e mi, të tjerë i njoh vetëm nga emri. Gjykoj se është koha të ngrihet një komision letrar, me specialistë jo komunistë, apo të lidhur me regjimin diktatorial, që të përzgjedhë librat më të mirë të kësaj letërsie për t’i futur në sistemin arsimor. Brezi i ri duhet të njihet patjetër me të vërtetat e diktaturës. E keqja që harrohet, përsëritet. Në mos gaboj, nga librat e parë të këtij zhanri qe libri i Lubonjës me titull ‟Ridënimi”. Por jehonën më të madhe e patën dy librat e Visar Zhitit ‟Rrugët e Burgut” dhe ‟Ferri i çarë”, ku duket dora e shkrimtarit. Kam lexuar me ëndje dhe kurreshtje edhe librat e miqve të mi Gëzim Peshkëpia, Hysen Haxhia, Gëzim Çela, Skënder Tufa etj. Një ndihmesë të mirë ka dhënë edhe ISKPK nën drejtimin e z. Agron Tufa dhe Çelo Hoxha me një seri botimesh shkruar nga ish të dënuarit politikë. Librat janë botuar dhe shpërndarë falas me shpenzimet e Institutit, shumë prej nesh s’kanë mjete financiare për të botuar nëpër shtëpitë botuese. Librin tim me kujtime burgu me titull ‟Gjallë Pas Mbytjes së Anijes” (titullin e librit ma sugjeroi shoku im Visar Zhiti) e botoi ky Institut në vitin 2014. Nga miqtë e mi që shkruanin në burg dhe m’i tregonin krijimet e tyre kanë qënë i ndjeri Zydi Morava, i paharruari Gëzim Medolli, Hasan Bajo dhe sigurisht, Visar Zhiti. Miqësia me Visarin bëri të rilindte tek unë dashuria për poezinë. Unë nuk shkruaja atje, vetëm përktheja. Kur u lirova kisha rreth 35 poezi të përkthyera. Sprova ime e parë në përkthim ishte poezia ‟I Pamposhturi” nga William Ernest Henley. Nuk qe e lehtë të shkruaje në burg sepse kishte edhe spiunë në shërbim të komandës. Por kishim edhe shokë që na ruanin dhe i ruanim kur shkruanin. I kemi ndihmuar edhe për t’i nxjerrë shkrimet nga burgu. Asnjë qeveri deri tani s’ka marrë asnjë masë që kjo lloj letërsie të futet në sistemin tonë arsimor.
VITET E BURGOSJES, KUSHTET Ç’NJERËZORE, PUNA NË MINIERË, MUNGESA E USHQIMIT, DHUNA E POLICËVE NË BURG
Të gjithë kemi parë filma, lexuar libra për kampet e përqëndrimit e kohës së Hitlerit apo për gulagët e Leninit dhe Stalinit. Gjatë viteve të burgut më qëlloi të jetoja në tre kampe: Ballsh, Spaç dhe Qafë-Bar. Veç kësaj kam patur rast të njoh të dënuar të vjetër që kishin qënë edhe në kampe të tjerë (si kampi i kënetës së Maliqit s’mundi të ngrinte as Hitleri, as Stalini), që do t’i kishin zili edhe specialistët gjermanë dhe rusë të kampeve të përqëndrimit. Të burgosur të vjetër tregonin se në vitet e para në Ministrinë e Brendëshme ka punuar si specialist burgjesh një ish SS që kërkohej nga çekët për krime lufte. Kam lexuar edhe librin “Last Station – Auschwitz” nga Eddy De Wind, hebre holandez, me bindje të majta, i mbijetuar i kampit të Aushvicit. Në kampet enveriste mungonin vetëm krematoriumet. Ushqimi ishte më i pakët dhe më i keq se në Aushvic. Në kampin e Ballshit menuja ishte kjo: mëngjesi: një lloj supe pa pikë yndyre me presh, lakra ose domate etj., të ziera. Dreka: një ditë lëng makaronash, një ditë lëng orizi dhe një ditë lëng groshe ku tek tuk notonte ndonjë kokërr oriz, apo groshë, sipas ditës. Darka: çaj (sheqer i djegur, lëngu i të cilit servirej për çaj). Dhe sipas normës 600 gr. bukë, që në fakt nuk jepnin as 500 gram. Të moshuarit, të sëmurët, vdisnin nga uria dhe mungesa e kujdesit mjeksor. Kur isha në kampin e çfarosjes në Ballsh erdhi të më kërkonte të bashkëpunoja me sigurimin e shtetit ish n/kryetari i degës së Durrësit, krimineli Kapllan Shehu. Kundërshtimi im dhe mënyra si u përgjigja e acaruan jashtë mase. Brenda 10 ditësh më transferuan në kampin legjendë të Spaçit. Të nesërmen fillova punë në minierë. Ferr i vërtetë, sidomos ditët e para. Sa filloi muaji tjetër dhe u bë organika mujore e punës më caktuan të punoja minator me martel. Në Spaç punohej me tre turne dhe me grupe pune treshe: minatori dhe dy puntorë lopate. Puntorët pastronin frontin e punës nga plasja e turnit të mëparshëm që e ngarkonin nëpër vagonë me kapacitet një ton. Norma tetë vagonë, por sado vagonë me mineral të ishin, fronti duhej pastruar që minatori të kishte mundësi të vendoste armaturat prej druri, hekuri ose betoni dhe pastaj të bënte birat me martel. Ishte punë vdekje prurëse. Mungonte sistemi i çpimit të lagur për shmangjen e pluhurit. Janë të shumtë të mbijetuarit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme për shkak të asaj pune. S’janë të paktë edhe ata që vdiqën para kohe, ose nga aksidentet dhe helmet në minierë. Të vdekurit varroseshin në varrezën e kampit përkatës dhe familja kishte të drejtë ta merrte trupin vetëm pasi fatkeqi të mbushte vitet e dënimit. Për dhunën policore në burg nuk mjafton një intervistë. Ishte dhuna policore shkak i shpërthimit të revoltave Spaç 1973 dhe Qafë-Bar 1984.
SIGURIMI I SHTETIT NË BURG, HAKMARRJA NDAJ TË “THYERVE”
Në vitin 1979 Televizioni Shqiptar transmetoi filmin “Skëterrë ’43” me skenar të Bashkim Shehut, birit të gjakpirësit Mehmet Shehu. Filmi, me sa më kujtohet, fillon me një bisedë midis një specialisti të kuesturës fashiste për burgjet dhe një drejtuesi të lartë partie, ku i pari shtjellon idenë e funksionimit të kampit: “Bërthamën e kampit do ta përbëjnë ata që ne do të thyejmë në hetuesi – këta janë minjtë dhe do të jenë shembull për të tjerët; pastaj do të jenë kuajt e punës, nuk ka rëndësi rendimenti që sjellin, mjafton të punojnë që të mos u ngelet kohë për të menduar. Pastaj do të shtojmë edhe plot njerëz me moral të ulët, ordinerë etj. Do t’u ngulim në tru se këta nuk janë njerëz, por vemje, krimba, do t’i bëjmë që të mos kenë repekt për vlerat njerëzore dhe për veten e tyre”. Shkurt, kjo qe detyra e sigurimit të shtetit në burgjet enveriste. Të thyente njerëzit. Duke i joshur me punë të lehta dhe që kishin njëfarë fitimi. Krerët e dënuar të kampit ishin të gjithë spiunë të sigurimit. Të tillë ishin edhe ata që kishin punë të privilegjuara si në kuzhinë, brigadierë, normista, etj. Por ka patur edhe raste kur “të thyerit” kthenin mendje. Hakmarrja e sigurimsave në këto raste nuk njihte kufi, jo vetëm duke i ridënuar ata, por hakmerreshin edhe ndaj familjarëve. Dhuna e tyre ka shkaktuar edhe vetvrasje. Kam qënë dëshmitar okular në Spaç, në vitin 1979, kur njëri nga “të thyerit” u orvat të kapërcente rrethimin e trefishtë me tela me gjëmba, për ta detyruar ushtarin e vendrojes ta qëllonte për vdekje. Në atë rast, mbaj mend ushtarin që i lutej të dënuarit “Mos! Të lutem, mos e kalo rrethimin tjetër! Nuk dua të të vras!” Dhe nuk e vrau, vetëm sa e plagosi lehtë në këmbë. U hap fjala se atë ushtar e dënuan.
NGA AT ZEF PLLUMI TE LUKË KAÇAJ, KUJTIME DHE BISEDA ME KLERIKËT NË BURG
Mbaj mend se ishin më të frikësuar nga të burgosurit e zakonshëm, ndoshta dhuna ndaj tyre në hetuesi ka qënë më e ashpër. Kam njohur disa priftërinj katolikë, por ata u shmangeshin bisedave fetare dhe vetëm nëse kishe besimin e tyre të përgjigjeshin kur i uroje për Krishtlindje ose për Pashkë. Kam njohur Baba Mehmetin, dervishin e Teqesë së Frashërit, meqë edhe unë jam me prejardhje nga Përmeti dhe Babaj njihte shumë njerëz nga farefisi im. Ishte njeri i kulturuar, kishte studiuar në Stamboll dhe madje kishte patur rast të njihej edhe me Qemal Ataturkun. Dhjetor 1978, po afronin festat e fundvitit. Në kampin e Ballshit, me gjithë mjerimin e burgut, ndihej një lloj gëzimi e shprese në sytë e të burgosurve. Pata njohur artistin Mehdi Prodani atje, kitaristi më i mirë në Shqipëri, vëllai i kompozitorit Agim Prodani. Meqë i kisha rënë kitarës dikur, rast më të mirë nuk kishte për të mësuar sadopak nga mjeshtri i madh i kitarës në kohën e lire. Mediu u tregua i gatshëm menjëherë. Unë e njihja solfezhin, kështu që ai e kishte më të lehtë të më ndihmonte. Më shkruante pjesë të ndryshme, në fillim më të lehta dhe unë ushtrohesha në një kthinë ku një ish – prift i heshtur punonte për riparimin e librave të vjetër të bibliotekës së kampit. Kur i kërkova leje për tu ushtruar atje ku ai punonte, prifti ngriti pak kokën, më pa dhe më bëri shenjë me kokë po. Pa folur një fjalë. Shkoja atje pothuaj çdo ditë. Profesor Nikollë Daka më tha se ish prifti quhej At Zef Pllumi. Në kamp ishte edhe një artist tjetër me përmasa botërore. Basi Lukë Kaçaj. Më pëlqente ta dëgjoja edhe kur fliste Lukën, sidomos kur i fliste ortakut të lojës së dominosë me atë zë të thellë basi “Jahooo…”dridheshin qelqet e dritareve nga zëri i Lukës. Një ditë Luka këndonte nën zë ‟Stille nacht”( natë e qetë )…unë dhe Medi Prodani e dëgjonim të hipnotizuar… -“Medi, të lutem ma shkruaj këtë, dua ta mësoj… -Patjetër, -më premtoi ai. Me fletën e muzikës në dorë shkova te kthina e dom Zef Pllumit. Punova disa orë. Më në fund më doli mirë, realizova edhe ‟campanella-t” që më kishte shënuar Mediu… I paharruari Zef Pllumi, që dëgjonte pa lëvizur, për herë të parë më foli: -Bravo djalë…ktë kangë, ma të bukrën në botë kushtue Krishlindjeve e ka ba nji prift fshati, muzikën dhe fjalët ja ka pas shkrue msuesi i atij fshati të vogël diku në Austri… -Gëzuar Krishtlindjet, -ì thashë me zë të ulët… ‟Falemners, gëzuar edhe ty, falemners edhe një herë për muzikën”.
VISAR ZHITI, NJË BASHKËVUAJTËS I VEÇANTË
Kam patur dhe ende kam shoqëri të ngushtë vetëm me Visar Zhitin, të cilin e kam takuar gjithmonë si vëlla. Sa për Lubonjën dhe Ngjelën gjykoj se pas burgut kanë patur përparësi vetëm interesat vetiake, Lubonja herë majtas, herë djathtas, Ngjelën s’e kam kuptuar kurrë. Për Visarin gëzohem sidomos me sukseset e tij në letërsi. Është për të ardhur keq, se për emërimet e ish të dënuarve politikë në poste të rëndësishme, partitë që kanë patur pushtetin e radhës kanë parapëlqyer (me ndonjë përjashtim të rrallë), ‟të thyerit” e dikurshëm.
RIKTHIM NË KOHË, NGJARJET DHE NJERËZIT, KOHA E TMERRIT
Mendoj se regjimi komunist i vendosur në Shqipëri me miratimin e Fuqive të Mëdha ishte dënimi më i rëndë për popullin tonë, kur ato e hodhën Shqipërinë e vogël në kampin komunist. Përjetuam një eksperiment djallëzor, çnjerëzor dhe me çka kuptoj duke ndjekur ngjarjet atje, ende s’ka mbaruar ai eksperiment. Pas Luftës II Botërore në Gjermani filloi procesi i denazifikimt. Procesi i drojtur i dekomunistizimit tek ne, u ndërpre përdhunisht me ngjarjet e vitit të kobshëm ’97, që u kurdisën nga duart e gjata të shërbimeve të sekrete të huaja. Gjatë viteve kur punoja si detar para se të arrestohesha, kam patur rast të shikoja edhe shtete të tjerë komunistë si Polonia, Gjermania Lindore, Rumania, Bullgaria dhe Jugosllavia. Niveli i jetesës dhe liritë themelore të njeriut tek ne ishin shumë më poshtë. Asnjë prej atyre vendeve nuk qe rrethuar me tela me gjëmba. Vetëm tek ne (dhe në ish B.Sovjetik të kohës së Stalinit) janë burgosur, pushkatuar dhe madje varur poetët disidentë. Kur bota komuniste po fillonte ndryshimet pas takimeve Regan-Gorbaçov, në vitin 1988 tek ne varën poetin Havzi Nela. Kryetari i atij trupi gjykues, në vend që të dënohej, u emërua në hierarkinë më të lartë të drejtësisë. Kur filluan ndryshimet tek ne, pas vitit ’90, isha shumë optimist. Mendoja se brenda 5-10 vitesh Shqipëria do të bëhej vend i begatshëm. Nuk kam dashur kurrë të largohesha nga vendi, doja të jepja edhe unë ndihmesën time në përparimin e vendit. Por pashë se pushtetarët tanë mendonin vetëm për xhepat dhe tarafet e tyre. Jo për begatinë e vendit. U zhgënjeva. Prandaj dhe u vendosa në Itali pas vitit 2002. Sot jam shumë pesimist. Sa herë shkoj në atdhe, shoh njerëz gjithnjë e më të varfër. Rinia ka prirjen të largohet. Vetëm pleqtë po mbeten. Dhe pushtetarë arrogantë gjithnjë e më të pasur. Dhe për fat të keq, bota i brohoret. Prandaj sot jam shumë pesimist.