-Maks Rakipaj rreth romanit “Filius hostis ovvero il figlio del nemico” të Shpend Sollaku Noè-së.-*/
Kështu titullohet romani i botuar në Itali i shkrimtarit shqiptar Shpend Sollaku Noé. Ngjarjet e romanit përfshijnë periudhën kohore 1978-1982, shumica në qytetin magjik të Beratit.
Ditët e fundit të korrikut të atij viti një ndodhi e pazakontë: mijra lakuriqë e nate fluturojnë në mes të ditës nëpër qytet.
Të tjerë lakuriqë nate-njerëz ecin rrugëve të qytetit duke tmerruar njerëzit e zakonshëm, që kanë frikë të flasin, të thonë çka mendojnë, madje dhe të mendojnë.
Janë një grup shokësh: Venetik Kazazi, Lindit Kapinova, Grigor Nasta dhe një vajzë: Jurka Milankoviç.
Protagonist i romanit është Venetiku, bir i një poeti të sapo kthyer nga internimi i gjatë për shkak të poezive të tij jashtë skemës së realizmit-socialist.
Të katër shokët (një më tepër se Tre Shokët e Remarkut), kanë mbaruar maturën dhe presin t’u dalë e drejta e studimit…
Duke ndjekur fatin e personazheve të pikturuar nga dora e mjeshtrit Sollaku, vrisja mendjen “a do ta kuptojnë italianët, që kaluan fashizmin, çka është e drejta e studimit”? Po në Shqipëri, brezi i sotëm i pas 90-ës?
Romanet e Shpendit duhet të futen nga Ministria e Arësimit në programet mësimore në të gjithë nivelet. Të rinjtë e sotëm duhet të mësojnë nga vimë, të vërtetën, jo ashtu si e shkruan ata që ishin “në anën e duhur të historisë”.
Venetikut nuk i doli e drejta e studimit sepse ishte “bir armiku”. As Jurkës, sepse kishte prindrit serbë. Linditin, që donte të bëhej aktor, e dërguan në shkollë ushtarake dhe më pas në çmendinë. Venetikun e dërguan të kryente shërbimin ushtarak në ishullin e Sazanit.
Në ngjarjet që lidhen me ishullin njihemi me ushtarë, detarë dhe oficerë të ndryshëm. Kishte prej tyre të bindur se i shërbenin mbrojtjes së atdheut. Por kishte dhe lakuriqë nate që i shërbenin vetëm partisë në pushtet dhe diktatorit. Kam njohur edhe unë të tillë oficerë marine. Që vonë kuptuan se i shërbyen diktatorit, ata që e kuptuan më shpejt se kujt i shërbenin, provuan burgjet politikë, si oficeri i flotës ushtarake detare Ylvi Novosela në këtë roman të mrekullueshëm.
Kur vjen një herë me lejë në qytetin e lindjes, detari Venetik Kazazi mëson se shoku i tij i fëminisë ishte bërë lakuriq nate, me detyrë të spiunonte shokët me të cilët ishte rritur, prandaj dhe u shmangej atyre. Zot, sa lakuriqë nate kemi njohur nën atë regjim çnjerëzor!
Mbasi kryen shërbimin e detyruar ushtarak, Venetiku kthehet në Beratin e tij. Lakuriqët e natës, i gjeti sërish atje. Jam i bindur se miku im Shpendi, shumë prej atyre lakuriqëve të natës, do t’i ketë parë në pushtet pas viteve ’90. Ë, Shpend?
Përmenda shkarazi në fillim të këtij shkrimi “Tre Shokët” e Remarkut.
Por dua ta theksoj se “Filius hostis ovvero il figlio del nemico” është shumë herë më i fuqishëm. Sepse nuk i kushtohet një brezi të humbur. I kushtohet një populli të tërë, të burgosur brenda telash me gjëmba, të skllavëruar, të gjymtuar, të zvetënuar, të humbur. Që ende s’po vjen në vete. Sepse, sipas meje, ATA vazhduan të na sundonin, jo më vetëm me një parti, por në mënyrë demokratike, me pluripartizëm.
Kur mbaron së lexuari këtë roman dhe e mbyll për ta vënë në bibliotekën familjare, të duket sikur ndahesh me një mik të kohëve të rinisë. Veçse pa trishtim, kur të duash, atje e ke dhe e lexon e çmallesh sa herë të duash.
Faleminderit Shpend.
Maksim Rakipaj, 21 Janar 2021